Thursday, April 25, 2024

Kosova si shtet fetar ortodoks!

Analizë e faktorëve ndikues të islamofobisë në Kosovë

Në Kosovën e pasluftës dhe veçmas në Kosovën e pavarur (2008 e këndej), feja është bërë tema më e keqkuptuar (për shkak të naivitetit të shumë njerëzve) dhe më e keqinterpretuar (për shkak të keqdashjes së shumë të tjerëve.) Disa nga debatet më idiote që janë zhvilluar ndonjëherë në këtë vend, kanë pasur të bëjnë veçmas me fenë islame, përkatësisht me “rrezikun islamik”, i cili prej injorantëve është shndërruar në një gogol, me të cilin ata trembin veten e tyre. Këto debate idiote kanë prodhuar “njohës” të çështjeve fetare, që në të vërtetë janë batakçinj, që nuk kanë as formimin elementar fetar e as intelektual, ndërsa kanë marrë përsipër të interpretojnë çështjet fetare dhe të propozojnë, me një lehtësi tipike që buron nga formimi stalinist, masa represive ndaj muslimanëve e masa restriktive ndaj fesë islame, në një vend ku është në funksion e në zhvillim të sforcuar demokracia liberale, ndërsa në censusin e vitit 2012 mbi 95 për qind e popullsisë janë deklaruar muslimanë!

Opinionet e lexuesve, që zakonisht shoqërojnë me shumicë këso debatesh e tekstesh dhe që sipas gjasash janë të dirigjuara nga qendra të caktuara, përbëhen nga fyerjet më barbare ndaj fesë islame e ndaj ndjenjave të besimtarëve muslimanë. Egërsi të tillë të fyerjeve nuk bën vaki të hasen për asnjë fushë tjetër të debatit, që do të thotë se islamofobia është në tensione të larta në këtë vend dhe që ajo sponsorizohet nga qarqe të ndryshme. Nuk dihet saktësisht se a janë po ato qendra që e sforcojnë demokracinë liberale apo janë ato që janë kundër saj. Por, basti më shumë bie në të parat, pra që sponsorizuesit e demokracisë liberale janë porositësit/urdhërdhënësit e restriktioneve ndaj lirive fetare. Kjo gjë paraqet një absurd të llojit të vet, sepse të stimulosh demokracinë liberale dhe në të njëjtën kohë të cenosh të drejtat elementare fetare të shumicës absolute të popullsisë, është një situatë shumë absurde dhe që, në instancë të fundit, e kërcënon edhe vetë demokracinë.

Askush nuk e di saktësisht se si shpërtheu gjithë kjo islamofobi në Kosovë, veçmas pas pavarësimit të vendit, kur shpresohej se të gjithë banorët e saj do të gjenin mirëkuptimin dhe paqen e nevojshme, pas vuajtjeve të jashtëzakonshme nën pushtimin sermomadh. Por, ai mirëkuptim dhe ajo paqe nuk janë arritur ende dhe as që shihen kund në horizont, as në rrethanat e avancimit të demokracisë liberale.

Shpërthimi i islamofobisë menjëherë pas pavarësimit të vendit ishte si shpërthimi i një abscesi që ka mbledhur qelb për një kohë të gjatë dhe që ka akumuluar një virulencë të lartë. Ka disa supozime lidhur me shkaqet që sollën këtë virulencë e të cilat e kanë brenda vetes farën e rezonit logjik. E para ka të bëjë me bisedimet e Vjenës dhe me mënyrën se si i dizajnua shteti i ri nga aktorët ndërkombëtar, të cilët duke e propozuar që Kosova të bëhej e pavarur, e futën brenda një mbikëqyrjeje afatgjatë ndërkombëtare, ushtarake dhe civile në të njëjtën kohë! Pra, formuan njëfarë kreature kuazi shtetërore, e cila më parë do të mund të quhej Ahtisaristan sesa Kosovë. Në bisedimet e Vjenës, përkatësisht me Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, Ahtisaristani (Kosova)  u konceptua si shtet fetar, me fenë ortodokse serbe si fe shtetërore ose, më saktë, me Kishën Ortodokse Serbe si shtet brenda shtetit. Krijimi i zonave të mbrojtura të kishave dhe manastireve serbe, dhënia e lehtësirave doganore për këtë kishë dhe një numër i madh i koncesioneve të bëra nga shteti i ri, e ka bërë Kishën Ortodokse Serbe që të jetë tërësisht jashtë juridiksionit të Kosovës. Në këto koncesione bie edhe lejimi i mësim-besimit në shkollat në gjuhën serbe, përderisa është në fuqi ndalimi i mësim-besimit në shkollat në gjuhën shqipe!

Për të evituar çfarëdo kërkese të Bashkësisë Islame të Kosovës për një status më të avancuar në kuadër të shtetit të ri dhe për më shumë liri e të drejta të muslimanëve në këtë shtet, është orkestruar presioni mbi muslimanët, që të minimizohen kërkesat e tyre dhe bile që të mos realizohen as kërkesat minimale. Kështu, nga presioni i madh dhe permanent, është dashur të harrohej statusi i privilegjuar i Kishës Ortodokse Serbe dhe i bashkësisë ortodokse në Kosovë, gjë që tashmë edhe ka ndodhur. Kisha që fton besimtarët e vet për hakmarrje (parulla e famshme “Osvetiti Kosovo!”) bën çfarë të dojë, madje u uzurpon edhe pronat fshatarëve, por as shteti e as qytetarët nuk guxojnë të bëjnë as edhe një deklaratë tamam.

Nga ana tjetër, edhe Kisha Katolike i ka realizuar disa favore për veten e saj, gjë që po ashtu është parë si diçka “e vetëkuptueshme” në një shtet kukull, ku nuk vendos vullneti i shumicës së popullsisë. Mirëpo, nuk duhet të shmanget nga vëmendja fakti që edhe Kisha Katolike administrohet direkt nga një shtet tjetër, nga Vatikani, prandaj as ajo nuk varet nga humori i institucioneve shtetërore të Kosovës. Meqë katolicizmi nga ana e kuaziintelektualëve islamofobë është patentuar si “tharmi i shqiptarizmit”, kjo ka bërë që kjo kishë të marrë njëfarë statusi të privilegjuar edhe në sytë e institucioneve të shtetit të ri, gjë që e dëshmon më së miri ndërtimi i katedrales në qendër të Prishtinës dhe uzurpimi prej saj edhe i një pjese të territorit, bile pa ua varur fare vendimeve të komunës së Prishtinës. Pra, realisht, vetëm Bashkësia Islame e Kosovës dhe fatet e muslimanëve varen nga ligjet e shtetit të ri, prandaj ndaj tyre edhe janë aplikuar masat restriktive të këtij shteti, i cili vetë është i mbikëqyrur nga të tjerët!.

E dyta, adresa e aktorëve që ushtrojnë presionin mbi muslimanët në Kosovë, duket si enigmë, meqë luhet si me top të pingpongut ndërmjet institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare. Kur institucioneve të vendit u duhet t’i fshehin veprimet e veta islamofobike, lëshojnë fjalë se këto masa po i kërkuakan “miqtë tanë”, kryesisht amerikanë. Dhe, ashtu e fshehin dorën e vet, edhe nëse me të e kanë hedhur gurin. E treta, segmente me ndikim të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, duket se ushtrojnë vërtet presion mbi institucionet e vendit për të mbajtur nën presion fenë islame nga paranoja që kanë se gjoja liria më e madhe e besimtarëve muslimanë mund të prodhojë ekstremizëm. Në një rast të tillë ata konsumojnë përvoja nga vende e kultura të tjera, kryesisht të Azisë e të Afrikës, por që realisht nuk kanë asnjë bazë në zhvillimet në vendin tonë. E katërta, vetë organizimi dhe funksionimi i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk ka krijuar kapacitetet e nevojshme që të shihet e të pranohet si partner i besueshëm nga ana e institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare. Modeli i organizimit të saj vazhdon të jetë ai që ka qenë edhe në ish Jugosllavinë komuniste dhe në kohën e okupimit të vendit, pa aplikuar asnjë reformë në rrethanat e reja të lirisë së tij. Edhe zhvillimet e fundit në këtë bashkësi, lidhur me ndërrimin e termave të dokumentit bazë të organizimit, për ta çimentuar mosndryshimin, janë një zhvillim që e rrit dyshimin dhe mosbesimin në qëllimet e krerëve të saj. Prandaj, në këtë sfond të muzgët, ku statusi i privilegjuar i ortodoksëve serbë duhet të maskohet, i katolikëve të afirmohet si “patriotik”, ndërsa organizimi i institucionit përfaqësues të muslimanëve është shndërruar në një front të luftës për pushtet, ku përdoren edhe elementë ekstremistë, liritë dhe të drejtat fetare të shumicës së besimtarëve duken potencialisht të cenuara. Në këtë ambient psikologjikisht represiv është lansuar ideja se kjo shkallë e lirive dhe e të drejtave fetare që i gëzojnë muslimanët në këtë shtet është dhuratë nga zemërgjerësia e jomuslimanëve, e nuk janë ato liri dhe të drejta që atyre u takojnë në mënyrë të patjetërsueshme nga kushtetuta e vendit dhe ligjet e tjera të këtij shteti. Kjo është mënyra e menduar nga strategët islamofobë, për ta imponuar tjetërsimin e muslimanëve, për t’ua imponuar kompleksin e inferioritetit dhe prej andej për ta hapur ndonjë kapitull të ri të konvertimit të tyre.

Versioni i plotë i këtij artikulli është publikuar në numrin 30 të revistës Shenja, Tetor 2013.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqihttps://milazimkrasniqi.wordpress.com/
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

A po rikthehet Islamofobia sot si pas 11 Shatorit?

Si dikur pas 11 shatorit, edhe sot me luftën e Izraelit në Gaza mediat perëndimorë e shfrytëzojnë maskën e çlirimit për të çuar përpara agjendat e tyre koloniale.

Debati mbi Islamofobinë: nuancat dhe semantika

Manifestimet e Islamofobisë në vendet me shumicë muslimane shpesh errësohet nga fokusi i madh që i kushtohet këtij fenomeni në kontekstet perëndimore.

Pse bota hesht për ndalimin e abajas në Francë?

Perëndimi e mbrojti fort të drejtën e grave iraniane për të hequr shaminë, ndërsa tani që qeveria franceze po kufizon të drejtat e tyre, të gjithë heshtin.

Turqit qipriotë: një popull musliman i izoluar nga Islamofobia

Nga Paul Bristow  Kjo javë shënoi Ditën Ndërkombëtare për Luftimin...
Verified by MonsterInsights