Wednesday, April 24, 2024

A është Islami shkaku kryesor i radikalizimit të rinisë në Europë?

Duke fajësuar muslimanët për radikalizëm, të cilët janë viktimat e vërteta që po vuajnë më shumë nga ekstremizmi në Lindjen e Mesme, vendet europiane nuk bëjnë gjë tjetër veçse shmangin autokritikën për dështimin e tyre në politikat sociale, ekonomike dhe mos integrimin e emigrantëve si arsyeja kryesore e këtij radikalizimi.

Qeveritë dhe politikat e paqëndrueshme të Irakut dhe Afganistanit të formuara pas pushtimit amerikan menjëherë pas 11 Shtatorit, çuan në dështimin e këtyre dy shteteve, duke i bërë ato vatra të lindjes së grupeve terroriste si DAESH (ISIS). Ndërkohë, trazirat politike  që nisën në Siri gjatë Pranverës Arabe dhe ngjarjeve që pasuan në Lindjen e Mesme i krijuan mundësitë një ISIS-i të izoluar që ta zhvendoste konfliktin përtej Irakut dhe Sirisë dhe t’i shndërronte aktivitetet e veta terroriste në një fenomen global. Vetëm gjatë dy viteve të fundit ky grup ka kryer sulme tragjike kundër civilëve në shumë qytete si sulmet e fundit në Ankara, Stamboll, Paris, Tunis (Tunizi), Bejrut dhe San Bernardino.

Luftëtarët e huaj: larg shtëpisë për të bërë terror

Rritja e fenomenit të terrorizmit global ka ndezur flakët e debateve të nxehta mbi radikalizimin e të rinjve në botën perëndimore, për shkak se DAESH-i ka arritur të rekrutojë në radhët e veta në Siri dhe Irak mbi 5 mijë luftëtarë të huaj vetëm nga perëndimi. Ndonëse koncepti i “Foreign Fighters”, luftëtarëve të huaj nuk është i ri, masa e rritjes së tyre nuk është e vjetër. Ky fenomen i ri kërkon një analizë të plotë të zanafillës së radikalizimit dhe të faktorëve nxitës/tërheqës që i shtyjnë të rinjtë perëndimorë t’i bashkohen grupit ekstremist DAESH.

Sigurisht, meqë grupi terrorist DAESH pretendon se veprimet e tij i bën në emër të Islamit, qasja e parë ndaj kësaj analize fajëson vetë fenë, duke akuzuar një fe të paqes që pasohet nga gati 2 miliardë njerëz si shkakun kryesor të radikalizimit të rinisë perëndimore. Koncepti i martirizimin në Islam është nxjerrë në pah, duke sugjeruar se të rinjtë muslimanë janë të joshur nga DAESH-i për shkak të pretendimeve të tij se është shtet islamik dhe premtimit të martirizimit. Më konkretisht, është fajësuar selefizmi, i cili ofron një kuptim literal të mësimeve islame. Ndonëse mund të ketë ndonjë element të selefizmit që mund të ketë nxitur ekstremizmin në emër të Islamit, argumentimi që akuzon fenë në tërësi si shkakun e veprimeve të një grupi terrorist nuk është i qëndrueshëm dhe nuk i kalon kufijtë e skemave islamofobe.

“Tjetri” te muslimanët pas 11 Shtatorit

Për më tepër, analiza të tilla janë përpjekje për të rindërtuar një ideologji orientaliste e cila i portretizonte muslimanët si beduinë që kalërojnë deve, në një (ideologji) islamofobe që tani i portretizon muslimanët si kamikazë me mjekra të gjata. Veç kësaj, kjo ka ndihmuar në krijimin e një “tjetri” të ri në epokën pas Luftës së Ftohtë dhe botën e pas 11 Shtatorit. Ndërtimi i “tjetrit” gjithashtu ushqen edhe argumentet e bazuara te identiteti që sugjerojnë se ekstremizmi është pjesë e pandashme/e qenësishme e grupeve etnike të të rinjve të radikalizuar, qofshin ata nga Lindja e Mesme, apo Afrika Veriore. Gjithashtu, mund të thuhet se krijimi i “tjetrit” si kërcënim i ri, është ndoshta një mënyrë për ta ruajtur statusin e të privilegjuarit ndaj atij që është më pak i privilegjuar.

Megjithatë, një analizë e tillë nuk arrin të pranojë rolin e dështimit të shteteve europiane në politikat sociale, ekonomike dhe integrimin kulturor të rinisë emigrante, pavarësisht nëse bëhet fjalë për brezin e parë apo të dytë. Nga ana tjetër, mund të thuhet se krijimi dhe mbajtja e një forme të re getosh europiane me emigrantë apo “banlieues” në Francë në fundin e viteve 1970 ka çuar në lindjen e një brezi të rinjsh europianë të margjinalizuar shoqërisht dhe ekonomikisht, të cilët kanë qenë shënjestra të joshëse për rekrutuesit e DAESH-it. Më e rëndësishmja, aktorët, apo faktorët përgjegjës për krijimin e kësaj klase të margjinalizuarish nuk arrijnë ta kuptojnë rrezikun e radikalizimit, duke e shndërruar atë në dhunë nëpërmjet aktiviteteve terroriste në territoret e veta.

Në krahasim me komunitete e tjera emigrante në Europë, minoriteti musliman, i cili ka qenë pjesë e rindërtimit të Europës pas luftës, që nga vitet 1950 deri në 1970, ka përbërë historikisht klasën ekonomike më pak të privilegjuar të kontinentit, pjesërisht për shkak të supremacisë së bardhë dhe ruajtjes së një ideologjie europiane. Me përjashtim të një pjesë të vogël muslimanësh të suksesshëm e me ndikim, komuniteti musliman në tërësi ka luftuar për të dalë jashtë kufijve ideologjikë të vënë përreth tyre nga fabrika diskriminuese shoqërore që i rrethon. Një nga treguesit kryesor të këtij përjashtimi është papunësia në mesin e emigrantëve në Europë. Për shembull, në vitin 2013, shkalla e papunësisë për qytetarët vendas të Francës ishte 9.7 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë për emigrantët në vend ishte dyfish më e lartë, rreth 17.3 për qind, sipas agjencisë kombëtare franceze të statistikave. Sipas një raporti të përgatitur nga Pew Research Center,  rreth 7.5 për qind e popullsisë në vend ka origjinë muslimanë, pa treguar shkallën e fetarizmit.

Dalja nga perimetri ekonomik i këtyre getove ka qenë një problem edhe për brezin e dytë dhe të tretë të muslimanëve të lindur aty, duke çuar në daljen e një rinie të frustruar nga shoqëria, e ndoshta, një kategori e cila është e ndjeshme ndaj grupeve ekstremiste, të cilat mund t’i shfrytëzojnë kushtet e tyre për ideologjinë dhe aktivitetet e tyre terroriste. Përveç fenomenit aktual të radikalizimit dhe terrorizmit global, simptomat e këtij keqfunksionimi janë shfaqur edhe gjatë trazirave të vitit 2005 në periferitë franceze, si pasojë e papunësisë tek të rinjtë dhe mungesës së mundësive në komunitetet e tyre në geto, dhe në trazirat e vitit 2007 në Val-d’Oise, si pasojë e diskriminimit të pretenduar të policisë kundër të huajve në përgjithësi, por edhe si pasojë e zemërimit nga ksenofobia.

Kështu që, pavarësisht se radikalizimi ka marrë një formë të re me fenomenin aktual të terrorizmit global, shkaqet kryesore pas frustrimit shoqëror dhe ekonomik mbeten të pandryshueshme. Kjo formë e re e radikalizimit dhe fajësimi i Islamit, ka bërë që diagnoza e problemit të mos jetë e saktë dhe ky dështim ka çuar në krijimin e problemeve të tjera, pa zgjidhur akoma ato ekzistuese. Është shumë e rëndësishme të theksohet se përqindja e muslimanëve të radikalizuar është e vogël në raport me komunitetin musliman në Europë prej 25 deri 20 milion, i cili lufton për t’u integruar në shoqëri, pavarësisht politikave diskriminuese dhe fuqizimit të politikave të krahut të djathtë. Nuk është sekret se muslimanët janë diskriminuar vetëm për shkak të emrave që tingëllojnë si muslimanë, pavarësisht se nuk kanë fare njohuri për nivelin e fetarizmit të tyre. Akoma më e habitshme është se edhe emigrantët jo muslimanët, d.m.th, njerëzit me ngjyrë apo ata që vetëm rastësisht kanë qëlluar të kenë mjekër, janë diskriminuar vetëm pse ngjajnë si muslimanë.

Me fjalë të tjera, në mënyrë që integrimi të ketë sukses, duhet të veprojë si një proces i dyfishtë. Ndonëse emigrantët përvetësojnë mozaikun e ri shoqëror duke u bërë pjesëtarë aktivë në shoqërinë si e tërë, shteti pritës duhet t’i pranojë këto komunitete si qytetarë të barabartë, veprimet e të cilëve nuk do të diskriminohen vis-a-vis në raport me vendasit e shteteve pritëse.

Përpjekjet e pseudo-viktimave për të mashtruar komunitetet

Është e tepërt të thuhet se ekstremizmi, si ai i aktiviteteve terroriste të DAESH-it, nuk miratohet nga shumica e muslimanëve europianë, apo nga gati 2 miliardë muslimanë në të gjithë botën, të cilët e denoncojnë dhunën. Në fakt, muslimanët janë ata që po vuajnë më shumë nga ky ekstremizëm, si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në perëndim. Prandaj, argumentimet që fajësojnë fenë për radikalizimin nuk janë të qëndrueshme apo të besueshme nëse nuk arrijnë t’i pranojnë shkaqet kryesore të shkëputjes së rinisë muslimane nga stili i jetës shoqërore të botës së parë, të cilët i bashkohen radhëve të këtij grupi me ideologji barbare të bazuar në çdo gjë të korruptuar, përveç fesë.

Ndonëse të rinjtë muslimanë të radikalizuar përbëjnë një pjesë të vogël të komunitetit musliman në Europë, përsëri ky mbetet një problem i rëndësishëm dhe kritik, i cili ka nevojë të trajtohet, pasi aktivitetet e tij terroriste janë të lidhura me madhësinë dhe shkallën e tij. Programet mbështetëse janë të nevojshme për të trajtuar problemet ekonomike, si papunësia, edukimi. Programet integruese për të ndaluar problemet sociale, do ta ndihmojnë shoqërinë në tërësi që të luftojë ata që shfrytëzojnë dobësinë e atyre që janë vazhdimisht më pak të privilegjuar.

Meqë muslimanët kanë qenë më të dukshëm në sferën publike, feja dhe ndjeshmëria e tyre kulturore duhet të respektohet e të tolerohet e jo të shtypën, në mënyrë që të mënjanohen përplasjet kulturore në Europë. Së fundmi, trajtimi i problemit të radikalizimit kërkon një qasje shumëdimensionale, në mënyrë që zgjidhja të jetë më efikase dhe më gjithëpërfshirëse në terma afatgjatë.

Mehmet Çelik
Mehmet Çelik
Mehmet Çelik është Ph.D. në Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe koordinator editorial në Daily Sabah.

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights