Thursday, November 21, 2024

A është Serbia në pritje të misionit të saj të hershëm?

Me këtë qasje të gabueshme, sidomos në Kosovë, Perëndimi ka dhënë sinjale se nuk e ka mbyllur përgjithmonë mundësinë që Serbia t’i kthehet misionit të saj të hershëm - çrrënjosjes së muslimanëve nga Ballkani.  

A është Srebrenica maja e Ajsbergut e gjenocidit serb kundër muslimanëve, për arsye të aftësisë së shtetit serb që ta riinterpretojë e ta rikualifikojë krimin e gjenocidit, duke qenë shtet brenda standardeve “demokratike”, siç ishin shtetet kolonizatore europiane, Britania e Madhe, Franca, Hollanda, Spanja, Belgjika, Gjermania, Italia, të cilat i kanë fshehur me sukses seritë e gjenocideve që kanë kryer kundër popujve të kolonizuar? Apo mos Serbia ka pasur fuqi arrogante, që e ka detyruar botën ta mbyll gojën para fakteve, siç ka bërë Rusia cariste e bolshevike në disa raste? Përgjigja është e prerë: as njëra as tjetra. 

Serbia u formua si shtet për të qenë gjenocidal sepse u formua në tokat e huaja    

Pra ka një arsye të tretë, të cilën Dimitrije Tucoviqi në një rast, teksa ishte ushtar i mobilizuar në ushtrinë serbe në kuadër  të Luftës së Parë Ballkanike, e ka shpjeguar me këto fjalë:” Dhe vërtet, shkaku themelor i të gjitha të këqijave nga të cilat vuajmë sot dhe nga të cilat  do të vuajmë shumë edhe në të ardhmen është në atë se kemi hyrë në tokën e huaj.” Serbia jo vetëm ka hyrë në tokat e huaja e është formuar si shtet në tokat e huaja, por edhe ka marrë si barrë që të zhdukë popujt që kanë jetuar në ato toka, në rastin kur kanë qenë me përkarësi fetare islame. 

Në lojërat e Fuqive të Mëdha kundër njëra tjetrës (Austro-Hungarisë, Shtetit Osman, Francës, Rusisë, Britanisë së Madhe), që në krye të herës Serbisë i është dhënë rol i shtetit mercenar, që kryen punë me porosi e me pagesë. Austro-Hungaria e ka përkrahë në fillim, si krijesë kundër Shtetit Osman. Mandej Rusia e ka përdorë kundër Austro-Hungarisë, brenda ideologjisë së pansllavizmit. Franca në Luftën e Parë Botërore e fill pas saj e ka përdorë Serbinë e Mbretërinë SKS kundër germanizmit, etj. Në mesin e gjithë atyre obligimeve që Serbia ka marrë si shtet mercenar, një angazhim e ka pasur në mënyrë pothuajse konsensuale: çrrënjosjen e muslimanëve nga Ballkani. Për rolin që ka luajtur në këtë projekt, Serbisë i është fshehur edhe krimi monstruoz i vrasjes së Franc Ferdinandit, që shkaktoi shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Marrja e Bosnjes nga zotërimi austro-hungarez dhe çrrënjosja e muslimanëve të saj, gjë që nuk po mund të realizohej derisa ata ishin nën sundimin austro-hungarez, ishte njëri nga qëllimet e atij plani ogurzi. 

Në numrin e kaluar të Shenjës atë rol të Serbisë e kemi zbërthyer me këto fjalë: “Që nga kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid muslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi. Me atë rol si shtet vrasës dhe çrrënjosës i muslimanëve të Ballkanit, Serbia ka bërë spastrim etnik në vitet 1878-1879 në sanxhakun e Nishit dhe gjenocid në dy luftërat ballkanike. Për të gjitha ato krime që ka bërë shteti serb, është shpërblyer me territore e me aleanca të forta në konferencat e mëdha ndërkombëtare (Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Versajit.)” Si argumentim me të dhëna na shërben ajo që thotë edhe historiani amerikan, Justin McCarthy, në studimin e tij “Vdekje dhe dëbim-Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”: Ai pohon se “të dhënat e Luftërave Ballkanike tregojnë se në Ballkanin Qendror dhe Perëndimor, 27% e myslimanëve kanë vdekur dhe 35% e tyre kanë marrë arratinë. Shqiptarët pësuan një vdekshmëri që ishte, të paktën, po aq e madhe” (f. 16). Për ta fshehur gjenocidin me etiketa fetare ortodoske, elitat serbe i shpallën tokat e pushtuara të shqiptarëve si “tokë e shenjtë serbe”, ‘Jerusalemi serb.” Fuqitë e mëdha të asaj kohe nuk e luajtën veshin për atë shkatërrim dhe as për atë falsifikim. Në fakt, Serbia kishte mbaruar punën që i ishte lejuar prej tyre. Kjo nuk duhet të shmanget kurrë nga vëmendja. Prandaj krimet e gjenocidit i janë fshehur vazhdimisht, deri në rastin e Srebrenicës. Për paradoks mund të thuhet se krimi i gjenocidit në Srebrenicë është pakrahasimisht më i vogël se krimet e gjenocidit që Serbia ka kryer në dy luftërat ballkanike e dy luftërat botërore po edhe në paqe, si dhe brenda Mbretërisë SKS dhe katër krijesave të quajtura Jugosllavi. Dallimi është se krimi i gjenocidit në Srebrencë u krye në vendin ku OKB-ja kishte mandate për mbrojtjen e civilëve. Pra aty Serbia e ka kaluar vijën e kuqe.    

Serbia nuk mund të sigurojë licencë të re për krimin e gjenocidit 

Vrasjet masive të muslimanëve të Ballkanit nga shteti serb ndonëse kanë qenë të lejuara nga Fuqitë e Mëdha, ato kanë qenë të planifikuara e të projektuara nga elitat intelektuale, politike, fetare, shtetërore e kombëtare të vetë Serbisë. Pra, nuk kanë qenë thjesht “marshime ushtarake” në luftë me shtete rivale, po kanë qenë të hartuara me qëllime qartësisht gjenocidale. Që nga Naçertanie e Ilija Garashanit (1944), ku u projektua krijimi i Serbisë së Madhe mbi ideologjinë e nacionalizmit me pak tharm pansllavist, elitat serbe kanë mbajtur të njëjtin kurs të krijimit të Serbisë së Madhe, me pasojë direkte çrrënjosjen e muslimanëve nga Ballkani, shqiptarëve e boshnjakëve në rend të parë. Projektet dhe elaboratet gjenocidale si dy Elaboratet e Vaso Çubrilloviqit, Projekti i Ivo Andriqit për copëtimin e Shqipërisë, Elaborati i Stevan Moleviqit, Projekti i Drazha Mihajlloviqit, terrori i Aleksandër Rankoviqit, Marrëveshja Tito-Kyprili, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, Memorandumi 2 e deri të Kuvendi Gjithëserb i qershorit 2024, kanë të njëjtën linjë ideologjike: lirimin e “hapësirën jetësore” me anën e spastrimit etnik dhe gjenocidit nga ata “element të huaj” që ua kanë zënë “hapësirën jetësore.” Të gjitha ato projekte e ndërmarrje gjenocidale ose janë lejuar nga Fuqitë e Mëdha, në kuadër të rivaliteteve që ato kishin mes vete, ose thjesht kanë mbyll sytë për arsye se ishte fjala për një një element që konsiderohej i huaj në tokën europiane. Për herë të parë, krimet serbe të gjenociodit kundër muslimanëve të Ballkanit janë denoncuar e janë ndëshktuar pjesërisht në fundin e shekullit XX, në Konferencën e Dejtonit (1995) dhe me bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake jugosllave (serbe) në vitin 1999. Si rezultat i atij denoncimi dhe ndërhyrjeje ka ardhur edhe dënimi i krimit të gjenocidit në Srebrenicë, i cili tashmë zyrtarisht ka si ditë reflektimit datën 11 korrik. Denoncimi i krimit të gjenocidit në Srebrenicë mund të jetë njëra nga arsyet pse Serbia po tenton ta modifikojë politikën e saj në drejtim të Kosovës e të BeH, duke tentuar që destabilizimin dhe konflikitn ta kalojë në serbët që jetojnë në këto dy shtete e duke tentuar ta mbajë Serbinë jashtë konflikteve të reja të ardhshme që Serbia po i planifikon. Pra, tani që nuk e ka më licencën si shtet vrasës i muslimanëve të Ballkanit, po detyrohet të kërkojë rrugë të reja për politikën e saj të vjetër, nga e cila nuk ka hequr dorë. “Bota serbe” është metaforë për projektin e Serbisë së Madhe. 

Tentativa për modifikim e politikave po shihet sidomos në rastin e Kosovës, meqë prania ushtarake e NATO-s këtu e pamundëson çfarëdo ndërhyrjeje ushtarake të shtetit serb brenda Kosovës. Mandati i KFOR-it dhe në prapavijë të tij Marrëveshja Ushtarake-Teknike ndërmjet NATO-s dhe Jugosllavisë (Serbisë) është eksplicit në këtë aspekt. Prandaj aksioni terrorist në Banjskë i 24 shtatorit 2023 është tentativë për modifikimin e ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë. Por projekti është shumë më ambicioz se sa sulmi terrorist. 

Rrugët alternative të politikës serbe  

Në fakt, politika e Serbisë në drejtim të Kosovës pas vitit 1999, kur u vendos këtu KFOR-i, ka trasuar me tri rrugë alternative: e para, destabilizimi i vazhdueshëm në pjesën veriore të Kosovës. Destabilizimi është shkaktuar me anën e nxitjeve dhe ndërhyrjeve të fshehta të shtetit serb e të realizuara nga popullsia vendase. Që nga formimi i grupit paramilitar “Rojat e Urës, dhuna e marsit 2004, djegia e doganave në vitin 2008, nisja e “trenit rus” drejt Mitrovicës, ngritja e murit në qytetin e Mitrovicës, shndërrimi i Urës së Ibrit në lulishte, ngritja e herë pas hershme e barrikadave nëpër rrugë, marrja peng e policëve të Kosovës, largimi nga institucionet e deri te sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ka pasur një strategji të përpunuar. Pjesëmarja e popullsisë vendase në këto provokime ka pamundësuar stabilizimin e plotë të Kosovës dhe ka penguar pranimin i saj në organizatat ndërkombëtare. 

Në fazën e aktuale, ka një tërheqje të qëllimshme nga aksionet, për ta luajtur qytetarët serbë të veriut rolin e viktimës, në raport me veprimet policore të qeverisë së Kosovës në veri. Synimi është që të nxitet sa më shumë presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës, për ta formuar bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe. Pra është një kalkulim politik e jo ndonjë tërheqje e Serbisë dhe e serbëve lokalë nga synimet destabilizuese në drejtim të Kosovës. Qeveria e re e Serbisë e udhëhequr nga Millosh Vuçeviqi në fakt është edhe më shumë luftënxitëse se sa qeveria e ish-kryemnistres Ana Bërnabiqit. Madje, lidhjet e saj me Moskën janë edhe më të dukshme se sa më parë. Prandaj duhet të mbahet në vëmendje rreziku i përshkallëzimit në momentin që Serbia konsideron se është më i favorshëm për synimet e saj. Meqë aktualisht pretendimet e Serbisë janë përqëndruar në Bosnje, veçmas pas miratimit të rezolutës së AP të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, mund të llogaritet se planet destabilizuese në drejtim të Kosovës janë lënë për më vonë. Meqë më 11 korrik 2024 pritet që për herë të parë të shënohet dita e përkujtimit të gjenocoidit në Srebrenicë, Serbia dhe “bota serbe” janë në ankth dhe në difensivë diplomatike. Mbajtja e Kuvendit gjithëserb në Beograd më 8 qershor 2024 më shumë është shenjë e atij ankthi dhe e asaj difensive se sa një projekt ofensiv. Sidoqoftë, veriu i Kosovës mbetet fushëveprimi e Serbisë për destabilizimin e Kosovës 24/7. Ndaja atij pretendimi nuk ka një përgjigje adekuate vetëm me mjete policore. Pa një projekt politik atraktiv e të pranueshëm për serbët në komunat e veriut, nuk mund të largohet influenca dhe diktati i Serbisë në atë rajon.         

Ruga e dytë ka qenë dhe mbetet integrimi i serbëve që jetojnë në brendësi të Kosovës, për të mos u shpërngulur. Atyre u janë dhënë udhëzime të marrin pushtetin lokal e ta shfrytëzojnë në maksimum, pra të integrohen në një shkallë të caktuar brenda shteti e shoqërisë së Kosovës. Rruga e tretë ka qenë dhe është edhe më tutje roli panserb i Kishës Ortodokse Serbe, si faktor i unifikimit të të gjithë serbëve, meqë Serbia si shtet nuk ka mundësi të ndërhyjë direkt, për shkak të Marrëveshjes Ushtarake-Teknike përkatësisht mandatit të KFOR-it. Pra këto janë rrugët që ndjek aktualisht politika serbe për ta mbajtur Kosovën në jostalilitet permanent, për ta izoluar nga bota, si një vatër krize dhe për të pritur një kohë të përshtatshme për agresion ushtarak. 

Gabimet e Perëndimit 

Si janë sjellë ndaj kësaj politike faktorët ndërkombëtar, SHBA, BE e OKB? Duke parë ëndrra me sy hapur se mund ta demokratizojnë Serbinë dhe se mund ta shkëpusin nga orbita pansllaviste rusofile, faktorët ndërkombëtar e kanë mbajtur në axhendë vëtem çështjen e integrimit të serbëve, duke menduar naivisht se modeli i integrimit të serbëve në komunat në brendësi të Kosovës mund të zbatohet edhe në veri. Ka qenë gabim trashanik. Ka ndodhur krejt e kundërta e asaj që është synuar: Serbia është rifashistizuar. Kuvendi gjithëserb i mbajtur në Beograd më qershor 2024 konfirmon rifashistizmin e plotë të Serbisë, duke rikthyer projektin e krijimit të Serbisë së Madhe. “Ajo që duhet të bëjmë është që të fuqizojmë ekonomikisht serbët e Kosovës, dhe të ofrojmë rezistencë civile që lejohet”, ka deklaruar kryeministri i ri i Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ndërsa vizitat e Dodikut dhe Vulinit në Moskë janë vetëm melmesa të rritjës së vasalitetit të Serbisë ndaj Moskës. Gabimi edhe më i madh i SHBA-së, BE-së e OKB-së është se qasjen e tyre ua kanë imponuar edhe qeverive të Kosovës. I kanë detyruar të futën në dialog, me ndërmjetësinë e BE-së, duke shpresuar se arrihet edhe integrimi i serbëve të veriut me anën e dialogut. Në fakt, ose ka qenë naivitet, ose djallëzi. Dështimi i dialogut është i dukshëm. Mbi atë platformë që mbahet në Bruksel kurrë nuk mund të integrohen serbët e komunave veriore. Për atë territor do të duhej të zbatohej me kohë, ndoshta mundet edhe në të ardhmen, precedenti që është zbatuar në Kroaci, në rajonet e banuara me serbë, Baranja, Sllavonia dhe Sremi Perëndimor. Aty një periudhë kalimtare ishte administrator gjenerali amerikan, Zhak Kllajni. Me atë proces u realizua eliminimi i influencës së Serbisë dhe u realizua riintegrimi i serbëve në shtetin kroat. Ndërsa sa i përket Kishës Ortodokse Serbe, ajo që i është dhënë në Planin e Ahtisarit dhe që është inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës është përtej çdo privilegji logjik që mund t’i jipej një institucioni fetar në një shtet sekular. Me Planin e Ahtisarit KOS është shndërruar në shtet brenda shtetit. Akoma më keq, në Planin Franko-Gjerman privilegjet janë zgjeruar edhe më shumë duke i dhënë KOS autonomi funksionale. Prandaj me këtë qasje të gabueshme, sidomos në Kosovë, Perëndimi ka dhënë sinjale se nuk e ka mbyllur përgjithmonë mundësinë që Serbia t’i kthehet misionit të saj të hershëm – çrrënjosjes së muslimanëve nga Ballkani.   

Publikuar më parë në Revistën Shenja. Ripublikohet me lejen e autorit.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights