Thursday, May 2, 2024

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Corey Saylor, Farah Afify

Niveli i rritjes së paragjykimeve islamofobe në Shtetet e Bashkuara në fund të vitit 2023 të rrëngjeth mishin. Wadea al-Fayoume, një djalë musliman palestinez 6-vjeçar, u godit për vdekje me thikë në Çikago. Një mësues në Georgia kërcënoi se do t’i priste kokën një studenti për shkak se ai e kritikoi për vendosjen e flamurit izraelit në klasë. Një donacion rutinë i një muslimani nga Maryland-i për një vend kulti në Ohio thuhet se u vonua nga PayPal “si pasojë e emergjencës kombëtare aktuale në Izrael”.

Në tre muajt e fundit të vitit 2023, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), organizata më e madhe në vend për të drejtat civile dhe mbrojtjen e muslimanëve, mori 3,578 ankesa marramendëse për diskriminim të bazuar në racë, etni ose fe. Ky numër shpërfaq realitetin alarmues se, nën Presidentin Joe Biden, paragjykimet islamofobe kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme.

Krahasuar me tre muajt e fushatës së kandidatit të atëhershëm për president Donald Trumpit në dhjetor 2015 pas betimit për të ndaluar hyrjen e muslimanëve në SHBA, organizata jonë ka marrë 1098 ankesa. Pasi u zgjodh, Trumpi lëshoi ​​një urdhër ekzekutiv duke miratuar ndalimin më 27 janar 2017. Në tre muajt në vijim, CAIR mori 1,813 ankesa shtesë, duke e çuar totalin në 2,911 ankesa.

Shtimi i Islamofobisë në kohën e Trumpit u nxit nga përdorimi i qëllimshëm i stereotipeve islamofobe dhe anti-emigruese. Kjo filloi që me njoftimin për shtyp gjatë fushatë së tij kur njoftoi zotimin e tij për ndalimin e muslimanëve. Kjo i referohej një sondazhi me të meta të mëdha dhe të pasakta të kryer nga një organizatë islamofobe në lidhje me besimet e supozuara të muslimanëve amerikanë rreth ligjit dhe dhunës islame. Vendimi i marrë gjatë fushatës së tij për ta bërë qëllimisht publike shpallen e ndalimit të muslimanëve në ditën e Pearl Harbor-it ndikoi gjithashtu në portretizimin e muslimanëve si “pushtues të huaj”.

Vitin vijues, kur Trumpit u bë president dhe miratoi ndalimin, fushata e tij vazhdoi të përdorte retorikë islamofobe dhe anti-emigruese, duke nxitur paragjykimet anti-muslimane në rritje. Incidentet e dhunshme që ndodhën pas ndalimit përfshinin thyerjen e banesës së një çifti musliman në Virxhinia. Pasi u kthyen në shtëpi nga një vizitë te familja e tyre, gjetën të shkruar në mur: “f*** Muslimanët”, një Kuran të bërë copash dhe të gjitha gjëra e tyre me vlerë ishin zhdukur.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Bideni e akuzoi Trumpin se po ndizte “flakët e urrejtjes” në vend dhe premtoi që të shfuqizote atë që ai e quajti si “ndalimin e ndyrë të muslimanëve”. Pasi mori detyrën, ai e zbatoi zotimin e tij.

Megjithatë, retorika e Bidenit ka ndryshuar ndjeshëm që nga përshkallëzimi i dhunës midis Izraelit dhe Palestinës në tetor. Ai dhe politikanë të tjerë liberalë jo vetëm që kanë ofruar mbështetje të pakushtëzuar politike dhe ushtarake për Izraelin, pavarësisht akuzave për gjenocid kundër palestinezëve, por gjithashtu kanë përsëritur propagandën islamofobe izraelite.

Mos marrja parasysh në fillim nga Bideni i numrit të viktimave të raportuara nga Ministria palestineze e Shëndetësisë, të cilat, siç e pranoi më vonë një zyrtar i Departamentit të Shtetit, në fakt mund të jenë nënvlersërime për numrin e vërtetë të vdekjeve, përdor një trope të njohur anti-arabe dhe islamofobe: ata gënjejnë. Fakti që ai përdori numra që pasqyronin të dhënat e ministrisë në fjalimin e tij në State of the Union më 7 mars nuk mund të zhbëjë dëmin e bërë.

Zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, i cili me emocione të dukshme ka vajtuar jetën e civilëve ukrainas të vrarë nga forcat ruse, ia ka atribuar viktimat masive civile palestineze pashmangshmërisë së luftës, duke pasqyruar në këtë mënyrë përdorimin e retorikës dehumanizuese islamofobe të parë gjatë administratës së Trumpit.

Ndërkohë, aleatët e Bidenit në Kongres iu bashkuan Partisë Republikane duke hedhur akuza absurde ndaj kongresmenes së vetme amerikane me origjinë palestineze, Rashida Tlaib, si dhe votuan për ta censuruar.

Mes zemërimit të shtuar ndaj rritjes së Islamofobisë, administrata e Bidenit bëri një përpjekje për të ndërhyrë, por nuk arriti të ngjallte shumë besim.

Në tetor, ne i kërkuam Presidentit Biden të ndiqte gjurmët e liderëve të kaluar, si Presidenti George W Bush, i cili vizitoi një xhami pas 11 Shtatorit, gjë që rezultoi në një rënie të dukshme të sulmeve për shkak të paragjykimit ndaj atyre që perceptoheshin si muslimanë. Megjithatë, një kërkesë kaq e thjeshtë akoma nuk është pranuar.

Pavarërisht se presidenti e dënoi vrasjen brutale të gjashtë vjeçarit Wadeas dhe bëri me dije planet për një strategji kombëtare kundër Islamofobisë, këto masa nuk shërbejnë shumë për të adresuar shkaqet thelbësore të rritjes së Islamofobisë.

Është e qartë se ky cikël dhune kundër muslimanëve në SHBA nuk do të marrë fund derisa t’i jepet fund dhunës kundër palestinezëve në Gaza. E megjithatë, hapi vendimtar për të bërë thirrje për një armëpushim të përhershëm në Gaza dhe për të njohjur dekadat e okupimit dhe aparteidit me të cilat përballen palestinezët mbetet i pa arritshëm. Përkundrazi, Biden ka vendosur ditët e fundit të miratojë një tjetër dërgesë armësh për Izraelin me vlerë miliarda dollarë.

Është me rëndësi të theksohet këtu se të dhënat tona nuk japin një pasqyrë të plotë. Mund të raportojmë vetëm incidentet e dorëzuara pranë CAIR, zakonisht nga muslimanët. Dyshojmë se një numbër shumë më i madh i atyre që mbrojnë humanizmin e palestinezëve – një koalicion që përfshin të krishterë, hebrenj, arabë, aziatiko-amerikanë, afrikano-amerikanë dhe të tjerë – përballen me krime të urrejtjes dhe akte të tjera paragjykuese në një shkallë të rrezikshme.

Retorika e Presidentit Biden mund të jetë përmirësuar në krahasim me mbështetjen e tij fillestare të qartë për Izraelin, por armët vazhdojnë të shkojnë drejt Izraelit. Ai ka akoma nevojë të përmirësojë ndërhyrjen e tij kundër paragjykimeve të brendshme islamofobe. Pa veprime konkrete, rritja e fundit e Islamofobisë do të vazhdojë, duke hedhur kështu një hije të errët mbi pretendimin e Bidenit se po ndjek rrugën e drejtësisë dhe të barazisë.

Solli në shqip Observer.al. Burimi: Al Jazeera.


Rreth autorëve

Corey Saylor është Drejtor për hulumtime dhe avokim në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR). Ai ka shkruar raporte të shumta mbi Islamofobinë.

Farah Afify është koordinatore për kërkime dhe avokim në CAIR. Ajo është e diplomuar në Universitetin e Harvardit, ku është specializuar në historinë e komuniteteve muslimane amerikane. Ndërsa në Universitetin e Kembrixhit ka marrë titullin Master në Studimet e Azisë dhe Lindjes së Mesme.

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.
Verified by MonsterInsights