Anti-palestinizmi i Blushit: urrejtja e maskuar si analizë

Shkrimi i Blushit përpiqet të normalizojë diskursin e urrejtjes në hapësirën publike shqiptare. Duke përdorur gjuhën e demonizimit, ai jo vetëm që mohon të drejtën për shtet të palestinezëve, por edhe i justifikon aktet e dhunshme kundër tyre.

Shkrimi i Ben Blushit “Pse nuk duhet njohur Palestina” i publikuar gjerësisht në shumë media shqiptare, madje dhe në gjuhën angleze, nuk është një analizë historike apo politike, por një tekst i ngarkuar me gjuhë denigruese, përgjithësime kolektive dhe metafora dehumanizuese. Përdorimi i këtyre mjeteve diskursive nuk prodhon një debat intelektual mbi të drejtën e popullit palestinez për shtet, por ushqen një narrativë që e delegjitimon krejtësisht ekzistencën e tij politike. Shkrimi i Ben Blushit, jo vetëm që deformon historinë dhe realitetin, por edhe ndihmon në normalizimin e një gjuhe urrejtjeje që mund të ketë pasoja të rrezikshme në sferën publike.

Përmes një opinioni në llogarinë e tij në Facebook, Blushi pyet “Kur e meriton një popull të ketë shtetin e vet?”.

Blushi e redukton popullin palestinez në “përbindësha”, “mostra” apo “djaj” që duhen “shfarosur”. Ky është një mekanizëm tipik i dehumanizimit: popujt ose grupet që përshkruhen si jo-njerëzorë perceptohen më lehtë si të justifikuar për t’u shtypur apo shkatërruar. Krahasimi me gjermanët dhe Hitlerin është i rremë nga pikëpamja historike, por më problematike është se ai i vendos palestinezët në një kornizë morale kriminale, ku fajësia është e trashëguar kolektivisht. Ky është një akt diskursiv që zhduk dallimin mes civilëve të pafajshëm dhe aktorëve të dhunshëm, duke e kriminalizuar një popull të tërë.

Blushi ndërton një narrativë të viktimës si fajtor: palestinezët paraqiten jo si viktima të kolonializmit, shpronësimit, bllokadave dhe okupimit ushtarak izraelit, por si autorët kryesorë të fatkeqësive të tyre. Ky mekanizëm zhvendos vëmendjen nga faktorët strukturorë dhe nga përgjegjësitë e fuqisë koloniale apo të Izraelit si shtet okupues, duke fajësuar vetëm popullin palestinez për mungesë demokracie, për ngecje ekonomike apo për rezistencë të dhunshme. Kjo është një strategji tipike e diskursit neoliberal dhe kolonial, ku suksesi ekonomik i një shteti (Izraelit) shërben si provë morale për legjitimitetin e tij, ndërsa dështimet e tjetrit (Palestina) si argument për të mos pasur të drejtë ekzistence.

Po ashtu, një tjetër element problematik i shkrimit të Blushit është homogjenizimi i palestinezëve. Ai nuk lë hapësirë për diversitet politik, shoqëror apo kulturor brenda shoqërisë palestineze. Duke thënë se “palestinezët adhurojnë Hamasin” apo se “në Gaza nuk ka asnjë që e kundërshton”, Blushi fshin çdo akt të dokumentuar të rezistencës civile, të protestave kundër Hamasit, apo të zërave pluralë brenda shoqërisë palestineze. Ky është një manipulim diskursiv që e shndërron një grup të tërë njerëzish në një masë monolite, të cilës i faturohen kolektivisht fajet e një organizate politike.

Gjithashtu, Blushi në vend që të interpretojë statistikat në kuadrin e faktorëve historikë e politikë (okupim, bllokada, humbje territoriale, kufizim tregtie), ai i përdor ato për të ndërtuar një argument moral: Izraeli “meriton” shtetin sepse është i suksesshëm ekonomikisht e demokratikisht, ndërsa palestinezët “nuk e meritojnë” sepse janë të varfër dhe pa institucione. Kjo logjikë është e rrezikshme, sepse e vendos të drejtën për vetëvendosje jo mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare, por mbi performancën ekonomike dhe politike të një populli nën okupim.

Shkrimi i Blushit po ashtu përpiqet të normalizojë diskursin e urrejtjes në hapësirën publike shqiptare. Duke përdorur gjuhën e demonizimit, ai jo vetëm që mohon të drejtën për shtet të palestinezëve, por edhe i justifikon aktet e dhunshme kundër tyre si një pasojë “e natyrshme” e veprimeve të tyre. Ky lloj diskursi ka pasoja: ai e legjitimon dhunën strukturore, justifikon shfarosjen politike të një populli dhe minon çdo mundësi për dialog e zgjidhje paqësore.

Observer.al

Të ngjashme
Related

Gramatika e re e Islamofobisë në Belgjikë

Rasti i Belgjikës tregon se si Islamofobia po shprehet gjithnjë e më shumë përmes gjuhës së sigurisë, neutralitetit dhe frikës nga ndryshimet demografike.

Gratë muslimane nuk kanë nevojë që bota “t’i shpetojë”

Në diskursin politik bashkëkohor, asnjë grua nuk është “shpëtuar” aq pa reshtur sa gruaja muslimane. Ajo paraqitet si viktimë pasive që pret dikë ta çlirojë, ndërsa zgjedhjet e saj lexohen si simptoma shtypjeje. Siç argumenton Soumaya Ghannoushi, kjo grua nuk ekziston: është figurë imagjinare.

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.