Udhëheqësit e ekstremit të djathtë mund të bëjnë homazhe për viktimat e Holokaustit, por rritja e tyre në skenën politike pasqyron një kërcënim në rritje të dhunës gjenocidale në Evropë. Mbrojtja e “privilegjit të të qenit i bardhë” (whiteness) ka kthyer “armikun” e saj nga populli hebre te muslimanët. Supremacia e bardhë dhe teoria e zëvendësimit mbeten të pandryshuara dhe vazhdojnë të jenë në thelb të ideologjisë së ekstremit të djathtë.
Më 27 janar 1945, u çlirua kampi më i madh nazist i përqendrimit dhe shfarosjes Aushvic-Birkenau. Midis viteve 1940 dhe 1945, rreth 1.3 milion njerëz u deportuan në Aushvic dhe 1.1 milion prej tyre u ekzekutuan.
Ndërsa evropianët përkujtojnë 80-vjetorin e këtij kapitulli tragjik të historisë, liderët politikë publikojnë deklarata mbi “çarjen civilizuese” që përfaqësonte Holokausti dhe nevojën për t’iu kundërvënë urrejtjes. Por shumë prej këtyre deklaratave nuk pasqyrojnë realitetin e sotëm politik: pasardhësit e forcave fashiste dhe naziste po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, duke e shndërruar në një realitet politik atë që dikur dukej e papërfytyrueshme.
Natyrisht, partitë dhe figurat e ekstremit të djathtë kanë bërë vazhdimisht homazhe për viktimat e Holokaustit dhe janë shprehur kundër antisemitizmit, por kjo nuk do të thotë se e kanë shkëputur veten nga trashëgimia e tyre ideologjike nazi-fashiste. Përkundrazi, ato kanë ndërtuar një strategji të re, e cila – me ndihmën e rrymës kryesore politike – u mundëson atyre të ruajnë dhe përhapin të njëjtat ide supremaciste dhe përjashtuese.
Si arritëm në këtë pikë?
Për dekada, e djathta ekstreme evropiane e ka shprehur hapur antisemitizmin e vet. Figura si Jean-Marie Le Pen, themeluesi i Frontit Kombëtar në Francë, dhe Jörg Haider, themeluesi i Partisë së Lirisë në Austri, kanë sfiduar konsensusin politik të pasluftës duke promovuar retorikën e mohimit të Holokaustit. Ata nuk e kanë fshehur urrejtjen e tyre, por sidoqoftë, kanë qenë gjithmonë në margjinat e jetës politike.
Megjithatë, dekadat e fundit – dhe veçanërisht pas fillimit të “luftës kundër terrorit” të udhëhequr nga SHBA-ja – e djathta ekstreme e zhvendosi gradualisht fokusin e saj, duke kaluar nga antisemitizmi te Islamofobia. Politikanë si Geert Wilders i Partisë për Liri në Holandë filluan ta paraqisnin veten si mbrojtës të qytetërimit perëndimor kundër një “armiku” të ri: muslimanëve.
Duke përdorur krishterimin – dhe simbolikisht edhe judaizmin – si shenjues të identitetit kulturor, ata krijuan një ndarje midis “vlerave të botës judeo-kristiane” dhe “tjetrit”, që tani ishte muslimani. Duke shfrytëzuar frikën ndaj globalizimit dhe emigracionit, ata ndërtuan një diskurs islamofob, duke i paraqitur muslimanët si kërcënim dhe emigracionin nga Lindja si një pushtim.
Kjo retorikë nuk ishte e rastësishme. Ajo i përshtatej narrativës që u krijua gjatë “luftës kundër terrorit” dhe ishte në harmoni me diskursin që Izraeli përdor për të justifikuar shtypjen dhe pushtimin e vazhdueshëm të palestinezëve. Nuk është çudi që e djathta ekstreme përqafoi plotësisht Izraelin: në të kaluarën, ata vinin në pikëpyetje të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, ndërsa tani vënë në dyshim të drejtën e një shteti palestinez, duke iu referuar Palestinës si Judea dhe Samaria.
Në vitin 2010, pas një vizite të përbashkët në Izrael, liderë të ekstremit të djathtë nga Austria, Belgjika, Gjermania dhe Suedia nënshkruan të ashtuquajturën “Deklaratën e Jeruzalemit”, duke shprehur mbështetjen e tyre për “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje nga forcat islamike”.
Kjo strategji – zëvendësimi i antisemitizmit me Islamofobinë dhe mbështetja për dhunën izraelite – rezultoi e suksesshme. Si pasojë, sot, në 80-vjetorin e Holokaustit, e djathta ekstreme është më e fuqishme se kurrë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Zhvillimet politike të viteve 2022-2024 tregojnë suksesin e kësaj strategjie.
Në vitin 2022, Giorgia Meloni dhe partia e saj post-fashiste “Vëllezërit e Italisë” fituan zgjedhjet në Itali, duke e bërë Melonin kryeministren e parë të ekstremit të djathtë në vend. Në Holandë, në zgjedhjet e vitit 2023, partia e Wilders doli e para dhe, pas muajsh negociatash, formoi qeverinë.
Në vitin 2024, Portugalia, e cila nuk ka pasur përfaqësues të esktremit të djathtë, pa rritjen e papritur të partisë Chega, e cila e katërfishoi përfaqësimin e saj parlamentar. Në Francë, Tubimi Kombëtar fitoi votën popullore, ndërsa në Britaninë e Madhe, partia Reforma arriti të bëhet forca e tretë politike. Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD) shënoi fitore në zgjedhjet në landin e Turingisë, ndërsa në Austri, Partia e Lirisë fitoi zgjedhjet kombëtare. Në Parlamentin Evropian, e djathta ekstreme formoi grupimin e tretë më të madh, me sloganin “Make Europe Great Again”.
Ky triumf i ekstremit të djathtë është jo vetëm një fitore për lëvizjet e saj, por ajo pasqyron edhe dështimet e establishmentit politik evropian. Partitë e qendrës së djathtë kanë adoptuar në masë të madhe politika anti-emigracion dhe islamofobe, duke i legjitimuar këto qëndrime në vend që t’i kundërshtojnë. Ndërkohë, partitë e qendrës së majtë kanë dështuar të ofrojnë një përgjigje të fortë, duke i lënë të ashtuquajturat “lufta kulturore” në duart e ekstremit të djathtë. Dështimet e rrymës kryesore politike kanë shkaktuar rritje të pakënaqësisë socio-ekonomike, veçanërisht mes klasës punëtore, nga e cila ka përfituar e djathta ekstreme.
Në disa shtete, e djathta ekstreme ka qenë e përjashtuar nga qeverisja për shumë vite, duke shërbyer si një faktor bashkues për partitë e qendrës gjatë negociatave për koalicionet. Por kjo situatë ka ndryshuar, siç tregon rritja e numrit të koalicioneve që përfshijnë të djathtën ekstreme në të gjithë Evropën. Periudha e ashtuquajturit “kordon sanitar” ka përfunduar në shumicën e rasteve.
Ky normalizim i të djathtës ekstreme ka bërë që anëtarët e saj të ndihen të lirë të shprehin hapur qëndrimet e tyre ekstremiste. Në Austri, Partia e Lirisë bëri thirrje për “riatdhesim” masiv të emigrantëve, ndërsa një anëtare e AfD-së në Gjermani foli për nevojën e një “Srebrenice 2.0”.
Këto thirrje përfaqësojnë një formë të përditësuar të ideologjive antisemite dhe raciste që çuan në tmerret e Holokaustit. Mbrojtja e “privilegjit të të qenit i bardhë” (whiteness) ka shndërruar “armikun” e saj nga populli hebre te muslimanët. Supremacia e bardhë dhe teoria e zëvendësimit mbeten të pandryshuara dhe vazhdojnë të jenë në thelb të ideologjisë së ekstremit të djathtë.
Rritja dramatike e ekstremizmit të djathtë dhe normalizimi i racizmit dhe qëllimeve gjenocidale ka lënë një hije të gjatë mbi narrativën evropiane që e trajton Holokaustin si një “çarje të civilizimit”, si diçka unike dhe përjashtuese.
Ideologjitë dhe forcat që shkaktuar Holokaustin kanë prodhuar dhunë gjenocidale perandorake edhe jashtë Evropës dhe janë ende të pranishme në politikën evropiane. Kjo do të thotë që kërcënimi i dhunës gjenocidale vazhdon. Ky rrezik bëhet i dukshëm përmes mbështetjes që disa shtete evropiane i japin gjenocidit në Gaza dhe mohimit të tij.
Në këtë kontekst, deklaratat solemne të lëshuara për të shënuar përvjetorin e çlirimit të Aushvicit duken boshe. Tetëdhjetë vjet pas përfundimit të Holokaustit, ringjallja e së djathtës ekstreme është një kujtesë shokuese e brishtësisë së angazhimit evropian se “kurrë më” nuk do të përsëritet e njëjta gjë.