Kritikët e këtij termi, nisen kryesisht nga kuptimi etimologjik i fjalës “Islamofobi”. Një fjalë kjo e përbërë nga “Islam” dhe “phobie” (fr.). Fobia nënkupton një frikë irracionale ndaj diçkaje.
Duke e konsideruar këtë term si kontrovers dhe jo shumë sqarues, disa studiues si Chris Allen, thonë se këtij termi i mungon një përkufizim i qartë. Kurse Johannes Kandel, në një koment që ka shkruar në vitin 2006 pohon se sipas tij Islamofobia “është një term i përgjithshëm që nënkupton çdo akt armiqësie, real ose imagjinar, kundër muslimanëve.” Ndërsa Douglas Murray këmbëngul se “termi ‘Islamofobi’ është kaq i paplotë saqë nga mënyra si është përcaktuar e sheh si fyerje çdo lloj kritike ndaj Islamit.”
Madje, disa kritikë, e kanë konsideruar fyes emërtimin e dikujt si Islamofob, pasi fjala fobi nënkupton njëfarë çrregullimi mendor. Sipas tyre, të akuzosh dikë për islamofobi është njësoj si ta akuzosh për të sëmurë mendor.
Por a nënkupton termi “Islamofobi” thjeshtë një “frikë irracionale” ndaj Islamit dhe muslimanëve, apo është një koncept që shkon përtej kuptimit etimologjik të fjalës?
Nga ana gjuhësore fjalët kanë kuptim marrëveshjesor, që do të thotë se ato marrin kuptim sipas përdorimit e jo thjeshtë në varësi të origjinës së tyre etimologjike.
Në këtë kuptim, termi “Islamofobi” është përdorur jo thjeshtë për të treguar frikën e brendshme irracionale ndaj Islamit dhe muslimanëve, por për të përshkruar pasojat e kësaj frike; pra “armiqësinë e hapur ndaj Islamit dhe muslimanëve” dhe pasojat e saj.
Robin Richardson, i Universitetit të Birmingamit në Britani, në një punim shkencor të publikuar One World Publications, 2011, argumenton se termi Islamofobi është përdorur që në fillim të shekullit XX. Ai pohon se “termi Islamofobi është përdorur fillimisht si një analogji me fjalën ksenofobi…”. Përdorimi i parë i kësaj fjale ka qënë në gjuhën franceze në një libër të titulluar “La politique musulmane dans l’Afrique Occidentale Française” me autor Alain Quelllien, i publikuar në Paris në vitin 1910. Libri ishte një kritikë e mënyrës së si padronët kolonizatorë francezë e shikonin kulturën e vendeve afrikane, kryesisht atyre muslimane si Algjeria etj. Më pas ky term u përdor në një recension të librit të Quellien-it nga Alphonse Etienne Dinet në një gazetë akademike.
Autorja e biografisë së Dinet-it, Denise Brahimi, e ka përdorur ktermin islamofobi në vitin 1984 si një koncept të pranuar gjërësisht. Përdorimi i parë në gjuhën angleze në një gazetë të printuar u shfaq në një artikull të shkruar nga Eduard Saidi në vitin 1985.
Përdorimi tjetër i kësaj fjalë në gjuhën angleze ka qënë në një gazetë amerikane në shkurt të vitit 1991, ku i referohej armiqësisë anti-muslimane në ish-Bashkimin Sovjetik. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar është përdorur në një shqyrtim libri nga Tarik Modood në The Independece më 16 dhjetor 1991.
Për më tepër, ky term është përdorur dhe prezantuar gjerësish si koncept në vitin 1994 në një studim të kryer nga Runnymede Trust Report, i titulluar: “Islamofobia, një sfidë për të gjithë ne.” Në këtë raport islamofobia përshkruhet si “një këndvështrim apo botëvështrim, që përzien frikën dhe antipatinë e pathemeltë ndaj muslimanëve, e cila përfundon në praktikë me përjashtim dhe diskriminim.”
Ndërsa Këshilli Francez Kundër Islamofobisë, në një raport të publikuar në vitin 2014, e përcakton “Islamofobinë” si një “akt diskriminimi ose dhune ndaj një personi musliman për shkak të përkatësisë fetare, ndaj një institucioni që përfaqëson Islamin ose ndaj fesë Islame.” Kjo lloj propagande apo ideologjie nxit mospranimin, refuzimin dhe diskriminim e vetë personit, të një institucioni apo të fesë islame.
Pra, Islamofobia është diçka reale. Ndërsa efeket e saj shihen në përditshmërinë e muslimanëve; në Europë, Amerikë e kudo tjetër.
Një avokat hebre, para 11 Shtatorit pati thënë se “Muslimanët janë zezakët e rinjë të Amerikës. Nëse ju nuk luftoni për veten tuaj, askush nuk do ta bëjë.”
Sigurisht, por ankesat e muslimanëve për aktet islamofobe apo anti-muslimane janë injoruar vazhdimisht nga pushtetarët. Pas 11 Shtatorit, mbi 200 mijë muslimanë në Amerikë kanë qënë objekt i ndonjë forme diskriminimi nga forcat e rendit. Të paktën 15 mijë muslimanë janë arrestuar ose ndaluar që pas asaj tragjedie.
Aktet islamofobe janë shkak i injorancës së vazhdueshme dhe janë shumë më të hershme se 11 Shtatori.
Libri i jashtëzakonshëm i Eduard Saidit “Orientalizmit”, thekson mënyrën se si padronët kolonizatorë europianë i shikonin muslimanët me përbuzje dhe neveri. Kjo sjellje vazhdon edhe sot. Muslimanët shihen si “gjakpirës, misogjenistë dhe egërsira të dhunshme.”
As figura të njohura nuk i kanë shpëtuar diskriminimeve anti-muslimane. Ndalimi i Jusuf Islamit në vitin 2004 dhe Tarik Ramadanit në vitin 2005 për të shkuar në Shtetet e Bashkuara është një shembull se si perëndimi po përpiqet t’i mbyll dyert muslimanëve dhe t’i hap dyert e Islamofobisë.
Por, sulmet e 11 Shtatori ishin vetëm fillimi i një vale të re e më të fuqishme islamofobie, kryesisht në perëndim.
Pas çdo sulmi terrorist, për të cilin mediat raportonin se e kishin kryer muslimanët, shpërthente një valë e re islamofobie.
Menjëherë pas sulmeve terroriste ndaj gazetës satirike franceze Charlie Hebdo, ku sipas raportimeve sulmuesit ishin dy përsona me origjinë muslimane, pati një shpërthim islamofobie, jo vetëm në Francë por në të gjithë Europën.
Sipas Këshillit Frances Kundër Islamofobisë, vetëm dy javët e para pas sulmeve terroriste janë shënuar mbi 116 raste islamofobie në Francë; sulme verbale ndaj muslimanëve, kryesisht femra, sulme me granata dore ndaj xhamive dhe qëndrave islamike etj. Një grua muslimane shtatzanë humbi fëmijën e saj si pasojë e goditjeve me shqelma nga disa huliganë, të cilët pasi e morën vesh që ishte shtatzanë vazhduan ta godisnin akoma më fort.
Ngjarjet e Frencës u pasuan nga protesta masive anti-islamike. Lëvizja e ekstremit të djathtë Patriotët Evropianë kundër Islamizimit të Perëndimit (PEGIDA), Liga Angleze e Mbrojtjes (EDL) dhe grupi më aktiv islamofobik që operon në Britani, i quajtur “Së pari Britania”, organizuan protesta në disa qytete europiane. Këto lëvizje ekstremiste po bëhet gjithnjë e më të zëshme në thirrjet e tyre kundër muslimanëve në perëndim.
Në Britani, organizatat e shoqërisë civile të angazhuara në hulumtimin e rasteve të krimeve për shkak të urrejtjes kanë tërhequr vërejtjen për numrin e sulmeve islamofobe gjithnjë e në rritje dhe thonë se viktimat kryesore të këtyre sulmeve janë gratë muslimane.
Zëdhënësi i Këshillit Musliman të Britanisë, Khalil Charles, në një intervistë për agjencinë Anadollu tha se “gratë muslimane janë duke përjetuar sulme verbale në rrugë. Kanë ndodhur disa ngjarje ku gratë muslimane janë trembur. Disa persona të cilët qëndrojnë jashtë xhamisë i ofendojnë dhe i përbuzin kur dalin nga xhamia”. Sipas tij muslimanët që jetojnë në Britani kanë filluar të ndjehen gjithnjë e më të kërcënuar dhe të pasigurtë për jetën e tyre.
Dhe këtu një rol të rëndësishëm padyshim e luajnë edhe mediat.
Mënyra e portretizimit të muslimanëve dhe Islamit në mediat perëndimore dhe efekti mediatik që shkaktohet nga kjo mund të konsiderohet pa frikë si një nga faktorët kryesorë të rritjes së ndjenjave anti-muslimane dhe krimeve për shkak të urrejtjes. Portretizimi subjektiv dhe sencacional, i ngushtë dhe fanatik që mediat si Fox News e media të tjera mainstream i bëjnë muslimanëve kanë qënë shkaktarë të disa sulmeve për shkak të urrejtjes.
Në Ohio të Shteteve të Bashkuara, një njeri i vuri flakën një qendre islamike pasi kishte parë një emision në Fox News që fliste për muslimanët. Pas arrestimit, i pandehuri u përgjigj se ishte i mërzitur, “me vrasjen e amerikanëve nga muslimanët” dhe se “i konsideronte shumicën e muslimaneve terroristë, si dhe për faktin se ata nuk besojnë te Jezu Krishti.” Kur gjykatësi e pyeti se çfarë dinte rreth muslimanëve apo Islamit, ai u përgjigj se “dinte vetëm atë që kishte dëgjuar në Fox News.”
Në Teksas një ndërtesë islamike komunitare për fëmijë u hodh në erë pasi iu vu zjarri nga përsona akoma të paidentifikuar. Autoritete deklaruan se “zjarri kishte dalë jashtë kontrollit për shkak se ishte përdorur një lëndë e posaçme për të nxitur përhapjen e madhe të flakëve.” Fatmirësisht nuk pati të dëmtuar, pasi në atë kohë besimtarët muslimanë ndodheshin në xhami për faljen e mëngjesit.
Por, fatin më të trishtë e patën tre të rinjtë studentë muslimanë të cilët u ekzekutuan nga një anti-teist, i quajtur Craig Stephen Hicks. Viktimat, Deah Shaddy Barakat, 23 vjeç, gruaja e tij 21-vjeçare Yusor Muhammed dhe 29-veçari Razan Muhamed Abu Salha, u vranë në kampusin universitar të Chaptel Hill në Karolinën e Veriut ndërsa ishin në banesën e tyre.
Menjëherë pas sulmit ndaj Charlie Hebdo-s, Rupert Murdoch, manjati hebre i një perandorie të madhe mediatike dhe pronar i Fox News, postoi në twitter se të gjithë muslimanët duhet të konsiderohen fajtorë për atë që kishte ndodhur në Francë. Dhe me sa duket njerëz si Craig Stephen Hicks ndanin të njëjtin mendim me të.
Akte të tilla islamofobie po çojnë në tëhuajëzimin e shoqërisë muslimane në perëndim dhe krijimin e një hendeku midis tyre dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Madje, disa muslimanë kanë filluar ta krahasojnë islamofobinë e sotme me anti-semitizmin e shekullit të IXX, duke e konsideruar vetën si “hebrenjtë e rinjë të Europës”.
Ashtu si racizmi dhe anti-semitizmi, Islamofobia nuk dëmton vetëm muslimanët, por të gjithë shoqërinë. Në Amerikë, kjo po bëhet shkak për miratimin e ligjeve që kufizojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Ndërsa në Europë, islamofobia po bëhet shkak për izolimin gjithnjë e më shumë të komunitetit të muslimanëve, por gjithashtu edhe për rritjen e ksenofobisë në mesin e njerëzve. Po u jep arsye ekstremistëve dhe forcave politike të ekstremit të djathtë që t’i mëshojnë retorikës së përplasjes së qytetërimeve, në një kohë kur asnjë vend në botë nuk mund ta përballojë këtë, qoftë ekonomikisht, politikisht etj.
Fatkeqësisht, islamofobia sot është kthyer në një formë racizmi të pranuar. Muslimanët, janë pjesërisht përgjegjës për krijimin e ndjenjave islamofobe, por nuk janë të vetmit përgjegjës. E as nuk mund ta luftojnë këtë fenomen vetëm. Luftimi i islamofobisë është një përgjegjësi kolektive e të gjithë shoqërisë. Islamofobia dhe çdo formë tjetër racizmi është një sirenë alarmi për të gjithë. Duhet ta luftojmë atë përpara se të jetë tepër vonë. Përpara se të ndodhemi përpara një Holokausti musliman.