Siç ilustrohet nga intervistat e përfshira në këtë raport, muslimanët/et vazhdojnë të përballen me diskriminim në punësim dhe në vendin e punës. Në veçanti, gratë me shami ndeshen me forma të diskriminimit në punë për shkak të veshjes së tyre fetare, ndonjëherë të detyruara për të hequr shaminë për shkak të presionit shoqëror.
Në sistemin arsimor, dezinformimi dhe shtrembërimi i fakteve rreth muslimanëve dhe historisë së Islamit në tekstet shkollore mbeten një çështje e vazhdueshme, duke kërkuar adresim të menjëhershme nga institucionet shtetërore për korrigjimin e kurrikulës. Emërimi i Mustafa Nanos, një personazh publik i njohur për tonet e tij islamofobike, si ambasador i ri i Shqipërisë në Zvicër u prit me reagime dhe kundërshti të forta nga pjesëtarët dhe liderët fetarë të komunitetit mysliman. Aktivistë të ndryshëm (si Enes Neza, themelues dhe kryeredaktor i Observatorit Kombëtar Kundër Islamofobisë) kritikuan qeverinë për emërimin e Nanos, duke e përshkruar këtë akt si një mbështetje të islamofobisë dhe duke kërkuar riemërimin e një ambasadori tjetër.
Ngjashëm me vitet e mëparshme, retorika islamofobe mbetet prezente në media, me tabloide mediatike që përdorin gjuhë sensacionaliste në mbulimin mediatik të festimeve publike të komunitetit mysliman.
Duke pasur parasysh gjenocidin e vazhdueshëm në Gaza, ky raport hedh dritë mbi implikimet e gjera të zhvillimeve politike në Lindjen e Mesme në segregimin dhe diskriminimin e komunitetit musliman në Shqipëri. Siç ilustrohet nga ky raport, narrativat islamofobe dhe anti-muslimane janë në rritje në diskursin publik në vazhdën e luftës Izrael-Gaza, duke çuar në standarde të dyfishta në mbulimin e historive palestineze. Për shembull, aktivistë të komunitetit musliman kanë denoncuar përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të heshtur dhe ndaluar tubimet paqësore kundër sulmeve të paligjshme të Izraelit kundër palestinezëve në Gaza.
—
Islamofobia vazhdon të jetë e përhapur në Shqipëri në fusha të ndryshme, duke përfshirë punësimin, median, ligjërimin politik, arsimin, dhe të tjera. Siç dëshmohet në raport, racizmi i vazhdueshëm anti-musliman krijon një mjedis armiqësor që çon në margjinalizimin dhe ndarjen e komunitetit musliman, me pasoja të gjera. Për të adresuar në mënyrë efektive format e Islamofobisë, nevojitet një qasje e shumëanshme, që koordinon përpjekjet mes aktorëve shtetërorë dhe palëve të interesuara për të luftuar Islamofobinë dhe për të promovuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
Në përfundim, më poshtë ofrohet një grup i plotë rekomandimesh për politika që duhen ndjekur:
- Ministria e Arsimit duhet të hartojë programe për përmirësimin e aftësive të edukimin mediatik; të analizojë në mënyrë kritike përmbajtjen e pasaktë dhe mashtruese mbi Islamin në tekstet shkollore; të mbështesë kërkime për të dokumentuar dhe analizuar përhapjen dhe ndikimin e Islamofobisë në fusha të ndryshme; dhe të ofrojë të dhëna për të mbështetur përpjekjet e avokimit.
- Punëdhënësit në sektorin privat dhe publik duhet të zbatojnë procedura gjithëpërfshirëse për rekrutimin dhe punësimin, duke nxitur një fuqi punëtore të larmishme dhe duke përfshirë praktika që respektojnë nevojat kulturore dhe fetare të aplikantëve apo punonjësve.
- Qeveria duhet të hartojë një projektligj që të parashikojë orare fleksibël dhe dhoma faljeje të detyrueshme në vendin e punës, duke mundësuar kryerjen e namazeve ditore dhe duke garantuar leje për namazin e xhumasë (të premten).
- Organizatat e shoqërisë civile duhet të sigurojnë ndihmë juridike për individët e prekur nga Islamofobia, duke i mbështetur në paraqitjen e ankesave dhe kërkimin e drejtësisë.
- Autoritetet duhet të monitorojnë nga afër agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të forcojnë zbatimin e mekanizmave për mbikëqyrjen e diskriminimit fetar dhe gjuhës së urrejtjes. Duhet të mbajnë përgjegjësi autorët e këtyre veprave dhe të sigurojnë që agjencitë e zbatimit të ligjit të regjistrojnë dhe raportojnë siç duhet rastet e Islamofobisë dhe të krimeve të urrejtjes.
- Autoritetet shtetërore duhet të rishikojnë politikat kundër terrorizmit dhe të monitorojnë keqpërdorimin e politikave kundër radikalizimit nga njësitë anti-terror, të cilat mund të përdoren për të mbipolicuar dhe kriminalizuar padrejtësisht komunitetet muslimane.
- Qeveria duhet të sigurojë trajnime të detyrueshme për punonjësit e sektorit publik mbi ligjet kundër diskriminimit.
- Autoriteti i Mediave Audiovizive duhet të forcojë rregulloret për monitorimin e gjuhës së urrejtjes në mediat online dhe të rrisë llogaridhënien e mediave që shpërndajnë dezinformata apo stereotipe negative dhe të dëmshme për komunitetin musliman dhe Islamin.
Raportin e plotë për Shqipërinë mund ta lexoni në faqen 72 të European Islamophobia Report 2023