Saturday, April 27, 2024

Feja në hapësirën publike: Sheshi si pasqyrim i një shoqërie të lirë

Zemra e sferës publike në shoqëritë demokratike është gjithëpërfshirja. Ajo është një arenë për të gjithë qytetarët pa dallim, ku ata të mund të shprehin bindjet e tyre, të ndajnë narrativat e tyre kulturore dhe të shprehin identitetin e tyre.

Në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, në Tiranë, Sheshi Skënderbej gëlon me jetë. Dy herë në vit, ai jehon nga një kor lutjesh dhe madhërimesh të Zotit nga muslimanët shqiptarë të cilët mblidhen për të festuar dy nga gëzimet e tyre më të rëndësishme fetare; Bajramin e Fitrit dhe Bajrami e Kurbanit. Megjithatë, kjo simfoni shpirtërore jo pak herë ka nxitur debate kundër përdorimit të hapësirës publike për praktika fetare jo vetëm nga ata që fenë në publik nuk e kanë shumë qejf, por edhe nga ata që natyrën e sferës publike nuk e njohin mirë. Debate këto sa të nevojshme, aq edhe të diskutueshme nga mënyra e qasjes dhe trajtimi aspak pluralist. 

Ka zëra në opinionin publik shqiptar të cilët i mëshojnë idesë se këto praktika fetare të shfaqura me kaq pompozitet në publik rrezikojnë ta ndajnë shoqërinë sipas vijave fetare, duke rrezikuar të sfidojnë karakterin e sferës publike, e cila sipas tyre duhet të jetë laike. Një këndvështrim i tillë i percepton shprehje të tilla të hapura të besimit si shkelje të laicitetit ose përpjekje për të monopolizuar hapësirat e përbashkëta.

Megjithatë, kjo perspektivë e ofruar në formë kritike, nuk merr në konsideratë vlerat  që i karakterizon shoqëritë demokratike: barazinë, pluralizmin dhe lirinë e shprehjes. Por, për të kuptuar e analizuar rëndësinë e praktikave fetare brenda sferës publike, duhet së pari të kuptojmë se çfarë do të thotë në vetvete sfera publike.

Sociologu gjerman Jürgen Habermas e ka konceptuar sferën publike si një hapësirë ​​dialogu ku qytetarët shkëmbejnë ide dhe diskutojnë shqetësimet e përbashkëta. Një hapërisë e përbashkët që shërben si urë ndërmjet shtetit dhe shoqërisë. E këtu përfshihen si hapësirat fizike ashtu edhe ato virtuale, ku qytetarët ndërveprojnë, debatojnë dhe formësojnë normat shoqërore dhe vendimet politike.

Zemra e sferës publike në shoqëritë demokratike është gjithëpërfshirja. Ajo është një arenë për të gjithë qytetarët pa dallim, ku ata të mund të shprehin bindjet e tyre, të ndajnë narrativat e tyre kulturore dhe të shprehin identitetin e tyre. Filozofi Charles Taylor e zgjeron këtë nocion, duke e portretizuar sferën publike jo thjesht si një hapësirë laike, por si një hapësirë të përbashkët, ku mirëpriten dhe ndërthuren shprehjet e shumëfishta të identiteteve personale, kulturore dhe fetare.

Duke pasur parasyshë sa thamë më sipër, tubimi i dhjetëra mijëra besimtarëve muslimanë për namazet e dy Bajrameve në sheshin Skënderbej nuk duhet parë si përpjekje për të dominuar hapësirat publike apo si shfaqje pushteti aapo dominimi. Këto tubime fetare, përfaqësojnë thjeshtë një shprehje identitetare fetare, një përbërës kjo e pandashme e mozaikut pluralist e multifetar të Shqipërisë. E neni 10 i Kushtetutës së Shqipërisë e garanton pa mëdyshje lirinë e praktikimit dhe shprehjes së fesë në jetën (hapësirën) publike.

Studiuesit si Talal Asad kanë argumentuar me elokuencë se praktikat fetare nuk janë thjeshtë çështje private e individëve. Përkundrazi, ato mund të shërbejnë si një formë kritike e angazhimit publik si pjesë e formësimit të identitetet kolektive dhe vlerave të përbashkëta si shoqëri. Është një mënyrë për të marrë pjesë në procesin demokratik dhe për të kontribuar në narrativën tonë të përbashkët shoqërore.

Duke pranuar si të barabarta të drejtat e muslimanëve dhe të të gjitha bashkësive fetare në sferën publike, ne nuk bëjmë tjetër veçse përforcojmë traditën e pasur shqiptare të bashkëjetesës fetare. Kushtetuta jonë sanksionon asnjanësinë e shekullarizmit jo për të shtypur shfaqjet publike të praktikave fetare, por për të garantuar të drejtat dhe lirit[ e barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga besimi i tyre.

Duhet të kuptojmë se qëllimi i një shteti shekullar (apo laik) nuk është të minimizohet dukshmëria fetare, por të garantohet liria e sëcilit dhe nxitet mirëkuptimi e toleranca. Për të parafrazuar filozofin John Rawls, një shoqëri e drejtë është ajo që lejon një mori doktrinash të cilat përputhen me një konceptim të përbashkët të drejtësisë. Kjo frymë respekti dhe mirëkuptimi reciprok duhet të dominojë sferën publike të Shqipërisë.

Në fund, sheshi Skënderbej është më shumë se sa një vend për mitingje politike apo ngjarje kulturore. Ai është një dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë ndaj respektimit të barazisë shoqërore në sferën publike si një e drejtë e përbashkët, gjithpërfshirëse dhe ku mbizotëron diversiteti. Është një pikturë e shoqërisë sonë pluraliste, një hapësirë ​​ku kori i zërave të ndryshëm nuk krijon kakofoni përçarëse, por një simfoni bashkëjetese.

Përgatiti: Enes Neza | Observer.al

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights