Thursday, November 21, 2024

Fytyra e normalizimit të racizmit: çfarë e pret Austrinë nëse fiton ekstremi i djathtë?

Partia kundër emigrantëve dhe anti-islame FPÖ mund të dalë si partia më e votuar në zgjedhjet e së dielës. Manfesti i saj prej 90-faqesh bën thirrje për homogjenitet, duke premtuar të promovojë rikthimin e emigrantëve, të reduktojë dhënien e azilit dhe të bllokojë ribashkimin familjar për ata që tashmë jetojnë në Austri.

Ashifa Kassam | The Guardian

Pas fitores në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë në Austri (FPÖ) shfrytëzoi rastin për të kërkuar emërimin e një komisioneri të BE-së për “rikthimin e migrantëve”, i cili do të merrej me dëbimin e migrantëve dhe qytetarëve me prejardhje emigrante, duke i kthyer ata në vendet e tyre të origjinës.

Reagimi i qetë që pasoi ishte në kontrast të theksuar me situatën në Gjermani, ku disa muaj më parë akuzat se anëtarë të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kishin marrë pjesë në një takim për rikthimin e migrantëve bënë bujë në media dhe nxitën dhjetëra mijëra njerëz të protestonin në rrugë.

Ky dallim nuk i shpëtoi vëmendjes së Farid Hafezit, hulumtues shkencor në Universitetin Georgetown. Në Austri “nuk pati asnjë zhurmë,” tha ai. “Ky është normalizimi i racizmit që ekstremi i djathtë ka arritur dhe që është bërë pjesë e zakonshme e politikës së përditshme austriake.”

Kjo e vërtetë do të testohet të dielën, kur austriakët do të shkojnë në votime për zgjedhjet parlamentare. Sondazhet tregojnë se partia anti-migrante dhe anti-Islame FPÖ, e themeluar në vitet 1950 nga ish-nazistë, mund të dalë për herë të parë si partia më e votuar në historinë e Austrisë që pas luftës.

Një fitore e tillë do të ishte një triumf për këtë parti, e cila në vitin 2000 hyri për herë të parë në politikën kryesore të vendit, duke e izoluar Austrinë nga Europa dhe duke u përballur me kritika ndërkombëtare, pasi arriti rezultatin më të lartë për një parti të ekstremit të djathtë në Evropën Perëndimore që nga Lufta e Dytë Botërore.

Manfesti i FPÖ-së prej 90-faqesh bën thirrje për homogjenitet, duke premtuar të promovojë rikthimin e emigrantëve, të reduktojë dhënien e azilit dhe të bllokojë ribashkimin familjar për ata që tashmë jetojnë në Austri.

Edhe pse sondazhet sugjerojnë se FPÖ nuk do të arrijë një shumicë absolute, çka e bën të varur nga negociatat për një partner koalicioni për formimin e qeverisë, ngritja shumëvjeçare e saj ka lënë shumë austriakë të tronditur.

“Partia e Lirisë, historikisht, është një parti e themeluar nga ish-nazistë për ish-nazistë,” tha Hafezi, një studiues nga Austria që tani punon me Nismën “The Bridge” në Georgetown, një projekt shumëvjeçar për studimin e Islamofobisë. “Për mua, si një shkencëtar politik me ngjyrë, është e rëndësishme të mos nënvlerësojmë faktin që këta njerëz e kanë origjinën në një ideologji thellësisht raciste.”

Gjatë tri dekadave të para, partia mbeti në margjinat e politikës. Por në fillim të viteve 2000, ajo filloi të përdorë retorikën anti-islame për të tërhequr votues, duke shtuar frikën në shoqëri.

Pasi kjo strategji rezultoi e suksesshme, Partia Popullore Austriake (ÖVP), parti konservatore, ndoqi të njëjtën linjë, duke mbyllur xhami dhe tentuar të ndalojë mbajtjen e shamisë në shkolla. “Në një farë mënyre, ajo që kemi parë që atëherë është se Islamofobia është bërë aq e zakonshme, saqë nuk është më e kufizuar vetëm te ekstremi i djathtë,” tha Hafezi.

Rreth 700,000 njerëz në Austri, që nga muslimanët praktikues deri te ata me prejardhje muslimane, janë lënë të përballen me këtë diskurs. “Muslimanët nuk ndihen të sigurt,” tha ai.

Situata përkeqësohet nga ligjet e shtetësisë në Austri, të cilat janë ndër më kufizueset në BE, duke lënë shumë muslimanë pa të drejtë vote. “Në thelb,” tha Hafezi, “ata janë një shënjestër e lehtë dhe askush nuk do të kundërshtojë.”

Organizata austriake Civil Courage and Anti-Racism Work, ose Zara, tha se ndikimi i këtij diskursi politik ishte “i qartë dhe ndihet thellësisht” nga shumë njerëz në Austri, duke përmendur pasoja të tilla si zjarrvëniet ndaj qendrave për azilkërkuesit dhe dhuna policore.

“Kjo retorikë politike legjitimon gjuhën e urrejtjes, diskriminimin dhe dhunën, shpesh duke vënë në shënjestër gra me shami, azilkërkues dhe persona me ngjyrë,” tha organizata.

Nëse zgjedhjet e së dielës sjellin një qeveri të udhëhequr nga FPÖ-ja, organizatat që ofrojnë mbështetje jetike për këto komunitete mund të dobësohen, duke e gërryer më tej rrjetin e sigurisë për grupet më vulnerabël, shtoi Zara.

Bernhard Weidinger, hulumtues shkencor mbi ekstremizmin e djathtë në Qendrën e Dokumentimit të Rezistencës Austriake, tha se FPÖ-ja ka kohë që e ka kornizuar debatin politik përmes çështjes së emigracionit.

“Ata kanë një prirje të theksuar për ta ‘etnicizuar’ çdo debat politik, pavarësisht se çfarë teme diskutohet,” tha ai. “Qoftë për krimin, strehimin, shtetin social, tregun e punës – Partia e Lirisë gjithmonë përpiqet ta paraqesë atë si një problem të të huajve ose të emigracionit.”

Kjo strategji shumëvjeçare ka lënë një shenjë të pashlyeshme, shtoi ai. “Është interesante që Partia e Lirisë ka sukses në zonat ku ka shumë pak të huaj. Këta njerëz nuk e përjetojnë drejtpërdrejt emigracionin, por lexojnë dhe dëgjojnë për të.”

Laurenz Ennser-Jedenastik, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Vjenës, tha se, ndryshe nga partitë e tjera populiste të ekstremit të djathtë që janë shfaqur vitet e fundit në Evropë, 70 vitet e ekzistencës së FPÖ-së dhe dy periudhat si partner koalicioni i qeverisë kanë krijuar një ndikim të veçantë mbi politikën austriake. “Ata padyshim kanë formësuar diskursin mbi emigracionin më shumë se çdo parti tjetër.”

Ky ndikim ka prekur drejtpërdrejt jetën e përditshme të njerëzve, tha Valerie Mussa nga Komuniteti Fetar Islamik në Austri. “Racizmi anti-musliman është bërë një përvojë e përditshme për shumë muslimanë në Austri, qoftë në rrugë, në transportin publik, në shkolla, në tregun e banesave dhe atë të punës.”

“Nuk janë vetëm sulmet fizike dhe verbale apo grafitet mbi xhamitë, por gjithashtu diskriminimi institucional dhe rritja e urrejtjes në internet,” shtoi ajo.

Si rezultat, shumëkush i sheh zgjedhjet e së dielës me ndjenja të përziera. “Zgjedhjet na japin mundësinë të ndikojmë në të ardhmen e vendit. Por ka shumë shqetësime për atë se çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme, çfarë ligjesh do të miratojnë dhe çfarë të drejtash do të përpiqen të kufizojnë. Nuk e dijmë se çfarë do të na sjellë e ardhmja.”

Sollli në shqip Observer.al.


Ashifa Kassam është korrespondente e The Guardian për çështjet evropiane.

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights