Refik Hodzic | Al Jazeera
Unë jam gazetar, shkrimtar dhe aktivist për drejtësinë nga Bosnja dhe Hercegovina. Jam prekur direkt nga gjenocidi që ka ndodhur në vendin tim në vitet 1990. Shumë nga anëtarët e familjes sime u dërguan në kampe përqendrimi. Në qytetin tim të lindjes janë kryer disa nga krimet më të tmerrshme të kohës sonë.
Gjithashtu, kam punuar për dekada e rradhë si ekspert i komunikimit strategjik në kontekstet e drejtësisë tranzicionale në mbarë botën, që nga Siria deri në Sri Lanka.
Si një përson që është prekur nga gjenocidi boshnjak dhe që ka marrë pjesë në shumë procese të drejtësisë tranzicionale, kam dy ndjenja të ndara kur shikoj ngjarjet që shpalosen në Izrael-Palestinë.
E para është tmerri i madh nga pamja e vuajtjeve të pafundme që po i shkaktohen popullatës së Gazës. Kjo nuk e pakëson aspak dhimbjen që ndjej për ata që u vranë ose u morën peng nga Hamasi më 7 tetor. I kuptoj vuajtjet e të gjithëve. Është e rëndësishme të pranojmë vuajtjet e të gjithëve.
Mirëpo, ajo që po shohim aktualisht në Gaza është një demonstrim i tmerrshëm i asaj që ndodh kur një fuqi superiore shfryn të gjithë hakmarrjen e saj ndaj civilëve të pambrojtur. E kjo më tmerron.
Ndjenja e dytë që kam për Gazën është ndoshta më pak e dukshme. Kur shikoj ngjarjet që zhvillohen aty, e pranoj privilegjin tim si boshnjak.
Shumica e krimeve që janë kryer në vendin tim, kundër popullit tim, janë adresuar në një gjykatë. Personat që i kanë kryer ato krime, të paktën në nivelet më të larta, janë gjykuar dhe dënuar për to. E vërteta e asaj që na ka ndodhur ne është vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Përmes këtyre proceseve, në një farë mënyre u është kthyer dinjiteti viktimave boshnjake të gjenocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit.
Nuk mund ta imagjinoj që në rrethanat aktuale një gjë e tillë t’u ofrohet viktimave të dhunës në Gaza. Ndihem i privilegjuar si boshnjak. E më rëndon shumë në shpirt duke e ditur se, çfarë ishte e mundur për ne ka të ngjarë të mos jetë e mundur për palestinezët në Gaza sot. Kjo nuk do të thotë se ajo që na ndodhi ne, tani po ndodh në Gaza. Mendoj se është mjaft e rëndësishme të pranohen kontekstet e ndryshme dhe të mos bëhen paralele të rreme. Por padyshim ka pika të përbashkëta tepër të qarta mes të dyjave.
Për shembull, të njëjtat argumente që janë përdorur në atë kohë për të justifikuar ushtrimin e dhunës ndaj boshnjakëve, po përdoren sot kundër palestinezëve në Gaza. Argumente të tilla si; ata “nuk janë civilë” dhe se të gjithë ata janë mbështetës të forcave që luftojnë në emër të tyre. Apo argumente si; “ata janë të gjithë terroristë, xhihadistë”. E njëjta gjuhë përdorej edhe kundër boshnjakëve në atë kohë.
Një ngjashmëri tjetër që shoh midis Bosnjës së atëhershme dhe Gazës sot është terrori i shkaktuar mbi civilët. Terrori për të cilin po flas nuk ka të bëjë vetëm me vrasjet pa kriter të grave dhe fëmijëve, por edhe me përpjekjet për të terrorizuar një popullsi të tërë për ta detyruar të nënshtrohet. Këto përpjekje përfshijnë dëbimin e një popullsie nga një zonë e caktuar, ose detyrimin e tyre me dhunë që t’i pranojë kërkesat.
Unë nuk jam jurist. Këtu nuk jemi në gjykatë. Kështu që nuk mund të spekuloj nëse situata në Gaza po çon drejt një gjenocidi. Megjithatë, e di shumë mirë se mbi çfarë bazash është vërtetuar ligjërisht se krimi i gjenocidit është kryer në Srebrenicë, Bosnje. Kështu që unë mund të përpiqem ta parashtroj si problem dhe të bëj një krahasim.
Në Srebrenicë, kishte një enklavë e cila ishte nën rrethim. Serbët pretendonin se forcat nga enklava dilnin dhe sulmonin civilët serbë përreth enklavës, kështu që kjo ishte arsyeja e gjenocidit. Ata pretenduan se ajo që u bënë boshnjakëve ishte thjesht hakmarrje për atë që forcat boshnjake u bënë atyre.
Megjithatë, në fund, gjykatat analizuar të gjitha provat, shikuan atë që ndodhi në Srebrenicë dhe vendosën se bëhej fjalë gjenocid. Ata konstatuan se djem dhe burra nga një grup i caktuar u vranë me qëllim që grupi të mos mund të rigjenerohej dhe të mos mund të vazhdonte të jetonte në zonën e pushtuar prej kohësh, në mënyrë që boshnjakët të shkatërroheshin si grup në atë zonë.
Për të vërtetuar krimin e gjenocidit duhet të ketë elementë krimesh, përfshirë vrasjen e anëtarëve të grupit, shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore e mendore ndaj anëtarëve të një grupi të caktuar për të sjellë shkatërrimin fizik të atij grupi, tërësisht ose pjesërisht, transferimin e fëmijëve me dhunë dhe masa të vendosura për të parandaluar lindjet brenda grupit.
Këto janë krimet që përbëjnë krimin e gjenocidit. Por që gjenocidi të vërtetohet si krim, duhet gjithashtu të kesh qëllim – pra synimin që një grup të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht në një zonë të caktuar. Kjo u dëshmua në Srebrenicë.
Mund të shohim qartë se disa nga krimet e lartpërmendura po kryhen aktualisht në Gaza.
Dhe nëse shikojmë deklaratat e liderëve izraelitë, politikanëve, anëtarëve të parlamentit, gazetarëve dhe opinionistëve izraelitë, mund të shohim se i njëjti “qëllim” është po ashtu i pranishëm. Ky synim po komunikohet çdo ditë. Nëse një ministër në një vend thotë se ushtria do të shkojë në një territor dhe do të merret me “kafshët njerëzore”, qëllimi këtu është padyshim i qartë.
E përsëris, nuk jam jurist. Nuk më takon mua të gjykoj për këtë. Por nga përvoja ime, e nga ajo që di për gjenocidin, mund të them se të gjithë elementët janë aty, në Gaza.
Solli në shqip Observer.al
Refik Hodzic është gazetar, regjisor dhe ekspert i drejtësisë tranzicionale nga Bosnja dhe Hercegovina. Ai ka shërbyer si drejtor i komunikimit në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale dhe si zëdhënës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.