Thursday, November 21, 2024

Industria fitimprurëse e Islamofobisë

Islamofobia është një “industri” fitimprurëse, e cila u siguron paga të larta atyre që e promovojnë dhe kontribuojnë për të.

Forumi mbi Fenë dhe Jetën Publike Pew në Amerikë, parashikon se në dy dekadat e ardhshme muslimanët do të përbëjnë mbi 26,4% të popullsisë së botës prej 8,3 miliard banorësh. Kjo do të thotë se popullsia muslimane në botë do të rritet me 25% deri në fund të vitit 2030.

Megjithatë, ndërkohë që popullsia muslimane në perëndim po shtohet, frika nga Islami si ideologji po rritet. Kjo gjë nganjëherë ka rezultuar në masa të ashpra dhe diskriminuese ndaj muslimanëve, çka i ka detyruar disa studiues dhe mendimtarë që të tërheqin vëmendjen kundër rritjes së “Islamofobisë.” Tallja dhe përçmimi i besimit islam – Kuranit dhe Profetit Muhamed – shpeshherë në kulturën e përgjithshme dhe në media – tregon se muslimanët po përballen me një sfidë serioze: Si të vazhdojnë të jetojnë paqësisht në shoqërinë perëndimore ndërkohë që janë viktima të krimeve për shkak të urrejtjes, denigrohet besimi i tyre dhe u kufizohen liritë shoqërore?

Nathan Lean është një studiues dhe shkrimtar, e cili ka hulumtuar në thellësi problemin e Islamofobisë. Ai është autor i librit “Industria e Islamofobisë” -“The Islamophobia Industry: How the Right Manufactures Fear of Muslims.” Ai ka publikuar me dhjetra artikuj rreth intolerancës fetare dhe diskriminimit ndaj muslimanëve në perëndim në disa media kryesore, përfshirë The Los Angeles TimesThe Washington Post dhe The Huffington Post.

Lean beson se Islamofobia është një “industri” fitimprurëse, e cila u siguron paga të larta atyre që e promovojnë dhe kontribuojnë për të.

Kjo është një intervistë e Fair Observer me Nathan Lean rreth arsyes pse po rritet sIslamofobia në perëndim dhe si po zmadhohet frika ndaj muslimanëve nga mediat e korporatave.

Kourosh Ziabari: Gjatë dekadës së fundit, Islamofobia ka qënë gjithnjë në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Megjithatë, me sa duket sulmet tragjike të 11 Shtatorit dhe mënyra e reagimit të qeverisë amerikane, i ka shtuar ndjenjat anti-islame në mesin e popullsisë në perëndim. A bini dakord me premisën se Lufta kundër Terrorit në fakt është khyer në një Luftë kundër Muslimanëve?

Nathan Lean: Një pasojë fatkeqe e Luftës kundër Terrorit është se ajo vepron mbi premisën e “një armiku të jashtëm, i cili rrezikon sigurinë e brendshme.” Ndërkohë që administrate e Bushit dhe ajo e Obamës përdorën me të madhe një retorikë e cila përpiqej të shmangte keqkuptimin e veprimeve të kryera nga ekstremistët me shumicën e muslimanëve paqësorë, politikat që ata zbatuan përforcuan në fakt idenë se feja Islame, dhe si pasojë edhe të gjithë muslimanët, meritojnë një mbikqyrje të veçantë.

Për këtë arsye, ne shohim shembuj të shumtë të diskriminimit fetare në emër të sigurisë kombëtare: Departamenti i Policisë së New York-ut bashkëpunoi me CIA-n për të spiunuar komunitetin Musliman në New York. Në disa raste duke përcaktur një xhami të tërë si “organizatë terroriste”. FBI-ja ka paguar informatorë për t’u infiltruar në xhami dhe për të futur muslimanët në kurth. Në një rast në Kaliforni, informatori kishte marrë udhëzime që të flinte me një femër muslimane; Departamenti Amerikan i Shtetit në bashkëpunim me zyrën federale të emigracionit, shtynte ose mohonte viza, pasaporta dhe aplikime për nënshtetësi, duke u bazuar thjeshtë në emrin dhe vendin e origjinës nga vinte aplikuesi. Kongresi mbajti një sërë seancash dëgjimore mbi “radikalizmin” e komunitetit musliman në  Amerikë. Por nuk pati asnjë provë se një gjë e tillë po ndodhte. Kohët e fundit Shtëpia e Bardhë shpallli programin “kundër ekstremizmit të dhunshëm,” i cili pavarësisht emrit të përgjithshëm, në fakt ka një fokus të veçantë komunitetin e muslimanëve amerikanë.

Këto nisma, e të tjera si këto, përforcojnë narrativën se muslimanët – thjeshtë për fakti e të qënit muslimanë – janë kërcënim dhe duhet të mbikqyren. Kjo e forcon pretendimin se terrorizmi është specifikisht një problem fetar dhe se Islami, në mënyrë të veçantë, duhet të fajesohet. Ngurroj të them se kjo është një “Luftë kundër Muslimanëve,” pasi kjo i shkon për shtat retorikës së terroristëve mbi civilizimet. Por, një gjë tjetër që i shkon për shtat “pikëpamjeve apokaliptike” të terroristëve  – “Islami kundër Perëndimit”, janë të gjitha politikat diskriminuese që përmenda.

Ziabari: Njerëz si Geert Wilders, pastori Terry Jones, të cilët haptazi denigruan Kuranin duke e djegur, apo revista si Jyllands-Posten dhe Charlie Hebdo, të cilat përqeshën Profetin Muhamed me anë të karrikaturave, e përdorën lirinë e shprehjes sipas leverdisë së tyre. A mendoni se është e drejtë që me pretekstin e lirisë së shprehjes të lejohet ofendimi i 1.6 miliard muslimanëve dhe i asaj që ata e konsiderojnë të shenjtë?

Lean: Charlie Hebdo dhe Jyllands-Posten kishin “të drejtën” e publikimit të karrikaturave. Por pasja e kësaj të drejte nuk do të thotë se ajo që bënë ishte e drejtë. Në shoqëritë perëndimore liria shprehjes po kthehet në një armë. Ne nuk luftojmë për të, aq sa luftojmë me të.  Goditja e grupeve minoritare në Shtetet e Bashkuara dhe Europë duke përdorur vlerat e demokracisë liberale nuk është aspak e dobishme. A është Franca më mirë tani pasi publikoi karrikaturat e [Profetit] Muhamed dhe zemëroi dy njerëz, të cilët vranë 12 vetë? A ka përfituar shoqëria franceze ndonjë gjë nga kjo? Pas afërsisht një dekade, a ka arritur Danimarka të ketë më shumë liri dhe barazi shoqërore vetëm pse publikoi karrikaturat kontroverse? Posterat anti-muslimane në Shtetet e Bashkaura të bëra nga liderë të grupeve raciste si Pamela Geller, a kanë bërë që të përparojë liria e amërikanëve të zakonshëm?

Jo! Asnjë nga këto gjëra nuk ka kontribuar për një shoqëri më të shëndetshme. Të gjitha këto ushtrime me “lirinë e shprehjes” komunikojnë vetëm mesazhe paragjykimi. Ata shënjestrojnë grupe njerëzish të margjinalizuara dhe të tëhuajëzuara dhe sugjerojne se në mënyrë që ata të jenë krejtësisht europianë apo amerikanë, duhet të pranojnë poshtërimin/talljen e figurave të tyre të shenjta në publik dhe të bëjnë tifozllik për vlerat, të cilat i lëjonë që të publikohet këto lloj karrikaturash dhe portretizimesh.

Sigurisht, ka një hipokrizi të ulët këtu: Në Francë, gjuha anti-semite – njësoj si islamofobia e pajustifikuar – me shumë gjasa do të bënte që ju të përfundonit në burg, ashtu si çdo lloj gjuhe të cilën qeveria në mënyrë selektive e konsideron ofenduese. Në vitin 2008, aktorja Bridget Bardot u akuzua për të pestën herë për përdorim e një gjuhe që “nxist urrejtjen racore” ndaj muslimanëve. Tre vjet më pas, manjati i modës John Galliano u dënua për përdorimin e komenteve anti-semitike në një kafene. Në prag të sulmeve të Charlie Hebdo-s, 54 vetë janë arrestuar për krimin ambig të “mbrojtjes së terrorizmit.”

Liria e shprehjes, për shumë njerëz është e po aq e shenjtë sa vlerat fetare: kur fuksionon për ta, e përqafojnë. Kur nuk fuksionon, e refuzojnë.

Ziabari: Numri i muslimanëve në Europë dhe Shtetet e Bashkuara po rritet në mënyrë të shpejtë. Shumë prej tyre kanë ikur nga vendet në zhvillim ose vendet e pazhvilluar për në perëndim në kërkim të një jete më të mirë dhe të paqtë. Sidoqoftë, shpeshherë jeta e tyre e përditshme po bëhet gjithnjë e më e vështirë si pasojë e kufizimit të lirive të tyre shoqërore dhe qytetare. A nuk janë përgjegjëse qeveritë perëndimore për mirëqënien e minoritetit musliman?

Lean: Qeveritë europiane dhe ajo amerikane e kanë për detyrë të mbështesin të drejtat e të gjithë atyre që i konsiderojnë këto vende shtëpinë e tyre. Edhe pse, tek e fundit qeveritë janë shpeshherë institucione të papërgjegjshme dhe patetike. Drejtuesit e tyre bëjnë fushatë duke u bazuar të vlerat, por qeverisin mbi bazen e interesave të veçanta. Një kongresmen nga thellësia e jugut të Amerikës do të kishte pak interes të mbështeste politika që do të lehtësonin ndërtimin e xhamive apo do të zbusnin diskriminimin fetare ndaj muslimanëve në vendet e punës. E njëjta gjë vlen edhe për shumë vende në Europë: një politikan austriak apo belg do t’i përshtatej dëshirave të grupit që e zgjedh.

Kjo gjendje e sëmurë e politikës së brendshme është e ndikuar fort nga ngjarjet e politikës së jashtme – ngjarje të nxehta të dhunshme si prerja e kokave nga ISIS-i – të cilat nxisin zemërin në vend duke fortifikuar nacionalizmin dhe identitetin e përbashkët. Në Europë ashtu si në Shtetet e Bashkuara, kjo do të thotë bashkim i grupeve racore dhe fetare ku mbizotërojnë interesat e shumicës (jo muslimane) mbi pakicën (muslimane).

Ziabari: Statistikat tregojnë se nga të gjitha sulmet terroriste të kryera në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, vetëm një pjesë (shumë) e vogël e tyre janë kryer nga muslimanët. Për shembull, një raport i Europolit ka treguar se në vitin 2010, nga 249 sulme terroriste të kryera në territorin europian, vetëm 3 prej tyre ishin bërë nga muslimanët. Ndërkohë që një numër i madh politikanësh, forca të rendit dhe media janë të prirur të flasin pa pushim rreth kërcënimit të fondamentalizmit dhe terrorizmit islamik.  Cili është qendrimi juaj në lidhje me këtë?

Lean: Është e vërtetë. Sulmet terroriste të kryera nga muslmanët në Europë janë relativisht të vogla krahasuar me ato të grupeve të tjera. Kjo vlen edhe për Shtetet e Bashkuara. Universiteti i Kalifornisë dhe Qendra e Trekëndëshit mbi Terrorizmin dhe Sigurinë Kombëtare publikoi në vitin 2014 një raport, ku tregohet se që nga sulmet e 11 Shtatorit, muslimanët e lidhur me terrorizmin kanë vrarë vetëm 37 vetë në Shtetet e Bashkuara. Afërsisht 200 mijë vetë janë vrarë nga dhuna me armë në të njëjtën periudhë.

Megjithatë, problemi është se për shumë amerikanë dhe europianë, muslimanët shihen si të huaj. “Ata” janë nga përtej kufinjve “tanë”. Si rrjedhojë, nuk janë rastet e terrorizmit në vend ku ne fokusohemi më shumë, por rastet e terrorizmit jashtë vendit: grupe si ISIS-i, Boko HaramTalebanëtAl-Kaeda etj. Këto grupe vrasin shumë njerëz. Pamjet që qarkullojnë në mediat e mëdha nuk janë të balancuara me pamjet e muslimanëve jo të dhunshëm. Kjo rezulton në një pamje të deformuar të realitetit dhe të rrezikut real që vjen nga këto grupe. Kjo pjesërisht edhe për shkak të politikave vendore që nisen nga premisa të rreme sipas të cilave terrorizmi në vend, i udhëhequr nga muslimanët, është kërcënimi më i madh.

Ziabari: Po, siç e thatë edhe ju, ngritja e grupit terrorist të ISIS-it ka kontribuar shumë në rritjen e sjelljeve anti-muslimane në të gjithë botën, duke i bërë ata që besojnë se ISIS-i është përfaqësuesi i muslimanëve më dyshues rreth natyres paqësore të Islamit. Si mund të binden këta skeptikë se ISIS-i nuk ka lidhje fare me Islamin dhe se të shumica e dijetarëve muslimanë, suni dhe shiitë, i kanë denoncuar krimet e tij, vrasjet e turpshme të fëmijëve, grave dhe njerëzve të pafajshëm?

Lean: Çfarë do t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se ISIS-i nuk ka të bëjë fare me Islamin normativ që praktikohet nga shumica e 1.6 miliard muslimanëve në botë? Vetëm një gjë: Koha!

Këto lloj paragjykimesh është e vështirë të largohen. Megjithatë, për fat të mirë, sot muslimanët kanë më shumë mjetet në dispozicion të tyre për të reaguar kundër paragjykimeve dhe dezinformimit të vazhdueshëm. Ndërkohë që interneti është bërë një mjedis mbarështimi për Islamofobinë, ai po bëhet gjithashtu një mjet që ofron mundësinë e shprehjes së pikëpamjeve të ndryshme. Edhe kultura popullore po luan një rol të madh gjithashtu. Gjerësisht komedianë dhe aktorë të njohur – shumë prej tyre jo muslimanë – po përdorin platformat e tyre për të folur kundër keqinformimit që ka në shënjestër muslimanët. Dhe ndërkohë që zërat muslimanë bëhen gjithnjë e më shumë të qendërsuar në kulturën popullore dhe në lajme – filma, televizione, radio etj. – amerikanët dhe europianët do të fillojnë të mësohen me idenë se grupe si ISIS-i janë thjeshtë devijime.

Ziabari: Në librin tuaj, të vlerësuar ndërkombëtarisht, ju e keni quajtur Islamofobinë industri. Vërtetë medoni se Islamofobia po promovohet si një industri? A po punohet në mënyrë të vazhdueshme për të propaganduar një frikë joreale ndaj muslimanëve, për t’i bërë ata gogolin dhe armikun, i cili është përgjegjës për të gjitha të këqijat që po ndodhin sot?

Lean: “Industria” e Islamofobisë nuk është si ajo e automobilave: nuk ka kompani të mëdha, konglomerate, apo linja prodhimi. Por, është industri në një kuptim më organik. Ekziston një grup – që lidh me dhjetra individë dhe grupe nga kontinente të ndryshme. Fondacione të mëdha me një kapital prej dhjetra miliona dollarësh (Donor’s Capital Fund, Scaife Foundation, Bradley Foundation, etj.) japin para për think-tanke, pseudo studiues, organizata dhe projekte (Clarion Project, Middle East Forum, Horowitz Freedom Center, Center for Security Policy), të cilat pasqyrojnë prirjet ideologjike të donatorëve të tyre.

Këto organizata dhe projekte mbështeten në një grup të vetëshpallur si ekspertë mbi Islamin, Lindjen e Mesme, terrorizmin, sigurinë kombëtare dhe fushat e lidhura me to, [përfshirë] Daniel Pajps (Daniel Pipes), Robert Spenser (Robert Spencer), Zuhdi Jasir (Zuhdi Jasser), Stiven Emerson (Steven Emerson), Frenk Gafnej (Frank Gaffney), etj. Këta individë prodhojnë narrativën rreth muslimanëve dhe Islamit – si kërcënimi nga Sheriati në Shetet e Bashkuara, mbështetja e pretenduar për Vëllazërinë Muslimane, etj., – të cilat më pas u shpërndahen blogerave dhe aktivistëve si Pamela Geller (Pamella Geller), Brizhitë Gabrijel (Brigitte Gabriel) [dhe] Ualid Shobat (Walid Shoebat), të cilët paguhen me rroga të majme për t’i përhapur ato.

Këto grupe, të cilat mbështeten në politika konservatore dhe mbështetësit e Izraelit të vijës së ashpër, formojnë një grup të madh në internet (si;  JihadWatchAtlasShrugsBareNaked IslamGates of ViennaBlazing Cat Fur, etj). Për më tepër, këta përsona në këtë “industri”, me anë të shitjes së librave best seller, fjalimeve, ngjarjeve publike, përfitojnë të ardhura që shkojnë në qindra mijëra dollarë në vit.

Ziabari: Çfarë roli luajnë kompanitë mediatike të korporatave në nxitjen e Islamofobisë? Zakonisht, mediat në perëndim krenohen me ndershmërinë, transparencen dhe pavarësinë e tyre. A marrin urdhra nga qeveritë, apo thjeshtë i bëjnë fushatat e tyre të nxitjes së frikës nga muslimanët duke u bazuar në politikat e tyre editoriale?

Lean: Mediat luajnë një rol qëndror në nxitjen e Islamofobisë. Pavarësisht se nuk marrin sugjerime nga qeveria, ato i japin përparësi historive që i shkojnë për shtat audiencës së tye respektive. Problemi i medias këtu është i trefishtë:

Së pari, zërat muslimanë kryesisht mungojnë. Në shumicën e rasteve janë jomuslimanët që flasin për muslimanët, në vend që të flasin me muslimanët, apo t’i shfaqin ata si folës, të cilët mund t’i japin ngjyrim, ndërlikueshmëri, duke nxitur kështu një debat më të ndjeshëm.

Së dyti, media e lajmeve është një sipërmarrje e madhe ku paratë vijnë nga reklamat, e këto të fundit vijnë nga shikueshmëria e lartë. Që të ruajnë paratë, duhet të ruajnë shikueshmërinë. Mënyra për ta ruajtur shikueshmërinë e lartë është duke i mbajtur shikuesit të lidhur pas historisë.

Por si mund t’i mbani të lidhur shikuesit me një histori kur ka shumë pak informacione për të raportuar? Si për shembull, pas një shpërthimi diku nëpër botë? [Kjo bëhet] duke bërë pyetje që e mbajnë historinë të ndezur. Në vend që t’i thuhet audiencës që të kthehet kur të këtë më shumë informacione, reporterët shpesh bëjnë pyetje që supozojnë, tregojnë, sugjerojnë, ngrenë hipoteza, lënë të kuptohet se, imagjinojnë, etj. Ata bëjnë gjëra në vend që të raportojnë thjeshtë faktet. Një prezantues mund të pyes: “A kemi ndonjë informacion që sugjeron se sulmi në Kansas është kryer nga terroristë islamikë?” Një tjetër mund të pyes: “A ka mundësi që pas kësaj kasaphaneje të fshihen njerëz nga Europa të lidhur me Al-Kaedën apo ISIS-in?” Më tej mund të dëgjojmë: “Deri tani nuk ka të dhëna që tregojnë për përfshirjen e ekstremistëve muslimanë.” Papritmas, ekziston mundësia që Islami apo muslimanët të jenë të përfshirë, duke krijuar përshtypen se ata janë të dyshuarit e zakonshëm. Histori të tilla sensacionale – të vërteta ose jo – zakonisht i mbajnë njerëzit të ngjitur para televizorit.

Së fundmi, në disa raste gazetarët shkelin krejtësisht protokollin e të qënit objektiv dhe provokojnë qëllimisht. Fox News është arketipi; me figura si Shon Haniti (Sean Hannity), Bill O’Rajli (Bill O’Reilly), të cilët flasin pa pushim: “xhihadi” këtu, “sheriati” aty. Një studim i vitit 2011 nga Think Progress, tregon se Fox News, në mënyrë të shpërpjesëtuar, ka përdorur terma që pasqyrojnë një pikëpamje negative ndaj muslimanëve, duke futur në transmetime shprehje si “Islami radikal” shumë më tepër se konkurentët e tyre. Gjithashtu, është e mirëdokumentuar se shefi i Fox News, Roxher Ajls (Roger Ailes) ka transmetuar ngjarje që konfirmojnë botëkuptimin e tij paranojak – i cili është i mbushur me lajme me muslimanë të dhunshëm. Njëherë ai bllokoi një godinë të tërë vetëm pse pa një portier të veshur me “rroba muslimane.”

Ziabari: Në pyetjen e fundit më lejoni t’i referohem njërës prej deklaratave tuaja të mërparshme. Në një intervistë me të përjavshmen Al-Ahram, në vitin 2012, ju keni thënë se Islamofobët dhe ekstremistët e krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara fitojnë mijëra dollarë çdo vit duke ngritur dyshime dhe duke përhapur urrejtje kundër muslimanëve. Si ka mundësi? Si keni arritur në përfundimin se Islamofobia është një industri fitimprurëse për krahun e djathtë dhe neokonservatorët?

Lean: Islamobia është një industri fitimprurëse. Paguan shuma të majme për karrierat e shumë njerëzve, të cilët ia kanë kushtuar jetën punës për të promovuar narrativa në mbështetje të saj.

Merrni për shembull blogun e vrazhdë të Pamela Gellerit. Të dhënat tatimore tregojnë se ajo merr një pagë vjetore prej grupit të saj të urrejtjes, American Freedom Defense Initiative  “Nisma Amerikane për Mbrojtjen e Lirisë” mbi 200 mijë dollarë amerikanë. Gjithashtu, ajo nxjerr të ardhura edhe nga honoraret e librave, donacionet për faqen e saj në internet dhe fjalimet publike.  Robert Spenser (Robert Spencer), një dhjak katolik, i cili jeton në Nju Hempshir (New Hampshire), e që drejton ditarin online JihadWatch, merr afërsisht të njëjtën shumë çdo vit nga David Horowitz’s Freedom Center “Qëndra për Lirinë e Dejvid Horouits”.

Frenk Gafnej (Frank Gaffney), think tank-u i të cilit qëndronte pas pretendimit të pabazë se Vëllazëria Muslimane ishte infiltruar në qeverinë amerikane, mori në vitin 2011 një pagë prej 300 mijë dollarësh amerikanë. Ndërkohë, Dejvid Jerushalmi (David Yerushalmi), avokati i Gellerit dhe Spenserit që paraqiti projekt-ligjin anti-Sheriat, merr mbi 150 mijë dollarë, shumica e të cilave vijnë nga fatura konsultimi në ngarkim të Gafnejit dhe faturave ligjore të paguara nga rastet në emër të klientëve të tij.

Fondi Klarion (Clarion Fund), i cili prodhoi filmin anti-musliman Obsession “Mania”, ka marrë mbi 18 milion dollarë, ndërkohë që Middle East Forum “Forumi për Lindjen e Mesme” i Daniel Pajps (Daniel Pipes) raportohet se ka marrë afërsisht 6 milion dollarë të ardhura gjatë këtyre viteve. Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame raporton se midis 2008-ës dhe 2011-ës, 37 grupe të ndryshme kanë fituar një shumë prej 120 milion dollarësh amerikanë në formë dhurimi.

Intervistoi Kourosh Ziabari.

Intervista është zhvilluar në vitin 2015. Ky është një ripublikim i Observer.al

Observer.al

Observer.al
Observer.al
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë është platformë që trajton problemet e Islamofobisë, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit Musliman në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, e më gjerë.

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights