Nga Andrew Hammond
Kur politikanët perëndimorë flasin me tone prej guru-sh për Islamin – gjë që e bëjnë shpesh – Muslimanët mund të falen që nuk e gjejnë veten në ato fjalë.
Kornizimi i Islamit, siç e tregon me mjeshtëri Eduard Saidi, është një lojë e vjetër. Por shkalla në të cilën radikalizmi, që supozohet se e përcakton Islamin, është në fakt një produkt i manipulimit perëndimor, ende nuk është kuptuar dhe vlerësuar plotësisht.
Gjatë gjithë shekullit të 19-të, kur shtetet perëndimore fituan një aftësi të paprecedentë për të komanduar botën, studiuesit perandorakë filluan ta paraqisnin Islamin si një fe të vjetruar, irracionale dhe të dhunshme. Kjo bëhej edhe më e domosdoshme sepse Islami kishte fuqinë të frymëzonte rezistencë kundër nënshtrimit të huaj.
Ky diskurs ishte bërë aq i përhapur saqë Kajzeri gjerman, me një shpresë të kotë, e bëri myftiun e madh osman të nxirrte një fetva që shpallte xhihad në vitin 1914 kundër Fuqive Aleate. Synimi ishte të ngriheshin masat e kolonizuara kundër zotërve të tyre britanikë dhe francezë.
Qeveritë osmane dhe gjermane bashkëpunuan në një program të fshehtë propagande gjatë luftës, duke dërguar studiues dhe intelektualë fetarë arabë e turq në Gjermani. Ata shkruanin pamflete dhe përpiqeshin t’i kthenin robërit muslimanë të luftës kundër perandorive.
Kryengritja e madhe muslimane ishte vetëm një shpikje e fantazisë orientaliste. Por kur shpërtheu revolucioni rus në vitin 1917, në mendjen perandorake britanike lindi ideja e parë: ndoshta Islami, sidoqoftë i përkufizuar, mund të ishte i dobishëm si një pengesë e fortë kundër të majtës sovjetike.
Instrumentalizimi i Islamit gjatë Luftës së Ftohtë
Siç ka treguar Priya Satia, historianë si Arnold Toynbee, të cilët punonin me shërbimet inteligjente britanike, zhvilluan menjëherë një interes për drejtimin politik të Turqisë së pasluftës. Ata kishin frikë nga tërheqja e Rusisë Sovjetike, para se Ataturku ta çonte vendin drejt sekularizmit radikal dhe Turqia të bashkohej me NATO-n.
Kjo shërbeu si një “provë gjenerale” e rëndësishme për Luftën e Ftohtë, periudhë kur instrumentalizimi i Islamit kundër të majtës arriti kulmin e tij.
Në fillim të viteve 1950, administrata e SHBA-së filloi t’u shtrinte dorën lëvizjeve islamiste në zhvillim. Ajo ftoi një delegacion studiuesish dhe diplomatësh muslimanë, kryesisht arabë, në një konferencë mbi kulturën islame në vitin 1954, që përfundoi me një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Eisenhower.
Nxitja e “luftës së shenjtë” ishte në mendjen e Eisenhower kur ai lëshoi doktrinën e tij të famshme në vitin 1957. Ajo premtonte ndihmë për çdo vend të Lindjes së Mesme nën kërcënimin e “materializmit ateist”, siç e quante ai, nga sovjetikët. Arabia Saudite u bë baza kryesore e kësaj përpjekjeje për të manipuluar një fe botërore, duke zhvilluar politikën e saj të jashtme islamike në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
U krijuan struktura të reja si Lidhja Muslimane (Muslim League), të cilat botonin trakte anti-komuniste shkruar nga CIA. Studiues fetarë që mbronin ideologjinë e re të “Selefizmit”, si Nasirudin el-Albani, u ftuan në poste mësimore në Universitetin Islamik të Medinës. Ndërkohë, fondet derdheshin për të shtypur lëvizjet nacionaliste arabe dhe anti-koloniale të majta në të gjithë rajonin.
Pra, kur Kryeministrja Britanike Margaret Thatcher në mënyrë të turpshme u tha muxhahedinëve afganë në vitin 1981 se “zemrat e botës së lirë janë me ju”, ajo po ndërtonte mbi dekada të tëra të përdorimit dhe abuzimit të Islamit për qëllime politike perëndimore.
Historia nga atje e tutje është jashtëzakonisht e njohur. Më 11 shtator 2001, Shtetet e Bashkuara erdhën për të paguar një çmim të tmerrshëm për ndërhyrjen në politikën fetare të të tjerëve. Megjithatë, tani, më shumë se dy dekada pas 11 shtatorit, duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar.
Deformimi vazhdon: Gaza dhe Islamofobia
Që nga 7 Tetori, hapësira publike në Perëndim është përmbytur me diskurs islamofobik në një shkallë pothuajse të paparë.
Një prezantues i TV britanik i bërtet politikanit palestinez Mustafa Barghouti me akuza nga hiçi për mizogjini, ndërsa figura të njohura anti-muslimane si Douglas Murray e shpallin Izraelin si vijën e frontit kundër një kërcënimi barbar ndaj qytetërimit perëndimor.
Spektakël i jashtëzakonshëm
Shpjegimi i vetëm i lejuar përse Palestinezët do të kundërshtonin pushtimin dhe shtypjen është fanatizmi fetar. Qeveritë po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të shpifur ndaj Muslimanëve, vetëm për të justifikuar politikën e tyre të mbështetjes së masakrës masive në Gaza.
Më 1 Mars, pamë spektaklin e jashtëzakonshëm të një kryeministri britanik që doli në podium në Downing Street për të denoncuar fitoren e një kandidati të opozitës në zgjedhjet e pjesshme. Arsyeja? Ai i ishte drejtuar zemërimit musliman për politikën e qeverisë ndaj Gazës.
Sipas Rishi Sunak, George Galloway i ishte drejtuar “ideologjisë politike ekstremiste të Islamizmit”. Por kur u përpoq të përkufizonte këtë Islamizëm, ai mundi të gjente vetëm tautologjinë (përsëritjen e panevojshme) se ai përhap “ekstremizëm”, ndërsa Islami si besim, tha ai, “praktikohet në mënyrë paqësore” nga miliona.
Implikimi ishte i qartë: jo vetëm që muslimanët nuk duhet të protestojnë, por çdo shenjë e të qenit musliman është ipso facto (vetvetiu) e ndaluar, e prapambetur dhe anti-moderne.
Sunak madje e lidhi këtë Islamizëm me kritikën e gjatë ndaj kolonializmit, duke pretenduar se Islamikët “duan që ne të pranojmë një ekuivalencë morale midis Britanisë dhe disa prej regjimeve më të neveritshme në botë”.
Do të jetë lajm për shumë historianë se ata i përkasin Islamit politik.
Pas kësaj, qeveria zbuloi përkufizime të reja të ekstremizmit, të cilat përfshijnë Islamizmin si një “ideologji totalitare” që bën thirrje për një “shtet islamik të qeverisur nga ligji i Sheriatit”. Kjo është ajo për të cilën akuzohen muslimanët dhe të tjerët që kanë opinion rreth Gazës.
Kultura politike kineze flet për “shekullin e poshtërimit” të Kinës – 100 vjet ndërhyrje dhe nënshtrim perëndimor nga Luftërat e Opiumit deri te pavarësia pas Luftës së Dytë Botërore.
Ajo që kanë vuajtur muslimanët, në të kundërt, është 100 vjet deformim – jo vetëm nga studimet perandorake, por nga qeveritë dhe agjencitë e tyre të inteligjencës – i besimit të tyre, praktikave të tyre dhe tani jetës së tyre dhe të drejtës së tyre për të shprehur kundërshtimin ndaj një politike të jashtme të tmerrshme dhe çnjerëzore.
*Mendimet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autorit dhe nuk pasqyrojnë politikën editoriale të Observer.al. Shkrimi në anglisht është publikuar në Middle East Eye. Solli në shqip Observer.al

Andrew Hammond aktualisht jep histori turke në Universitetin Kombëtar Australian. Ai është autor i librave “Kultura Popullore në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme”, “Iluzioni i Reformës në Arabinë Saudite”, dhe artikujsh të shumtë akademikë mbi mendimin islamik modern. Ai ka punuar më parë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, BBC Arabic dhe Reuters në Egjipt dhe Arabinë Saudite.
