Islamofobia e anashkaluar në Kosovë dhe konteksti i saj eurocentrik

Islamofobia në Kosovë – pavarësisht se është një vend me shumicë muslimane – margjinalizon identitetin musliman përmes narrativave që e portretizojnë Islamin si të huaj dhe të papajtueshëm me identitetin kombëtar. Kjo dukuri shtrihet në arsim dhe punësim, ku praktikat si mbajtja e shamisë (hixhabit) përballen me diskriminim, duke nxjerrë në pah betejat e vazhdueshme për pranim dhe nevojën për një njohje më të gjerë të shprehjes fetare.

Islamofobia shpesh shqyrtohet në shoqëritë perëndimore ku muslimanët janë pakicë, ku vende si Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara marrin vëmendje të konsiderueshme. Megjithatë, prania e saj në shoqëritë me shumicë muslimane mbetet pak e studiuar, siç theksohet në librin Islamofobia në Shoqëritë me Shumicë Muslimane (Bayraklı & Hafez, 2019). Ndërsa libri eksploron raste të ndryshme, ai lë jashtë Kosovën – një shembull i spikatur i një vendi me shumicë muslimane që po përballet me Islamofobinë. Për shkak të pozicionit gjeografik të Kosovës brenda Evropës kontinentale dhe dëshirës së saj të vazhdueshme për t’u integruar plotësisht në aleancën euro-atlantike, do të supozohej se Kosova do të ishte subjekt i më shumë kërkimeve brenda kësaj fushë, veçanërisht duke marrë parasysh afërsinë e saj me racën e bardhë (whiteness). Megjithatë, pavarësisht këtyre faktorëve, Kosova mbetet kryesisht e anashkaluar në diskutimet akademike dhe politike.

Kosova, një shtet me shumicë shqiptare në Ballkanin Perëndimor, ishte pjesë e Perandorisë Osmane për gati pesë shekuj, kohë gjatë së cilës shumë shqiptarë u konvertuan në Islam. Pas rënies së Perandorisë, fuqitë koloniale evropiane rishikuan kufijtë e Ballkanit në vitin 1912, duke e shkëputur Kosovën nga Shqipëria dhe duke e vendosur atë nën sundimin serb. Kjo ndarje koloniale i nënshtroi shqiptarët e Kosovës ndaj një shtypjeje sistematike dhe asimilimi të detyruar. Në vitet 1990, Kosova përjetoi një gjenocid të udhëhequr nga Serbia, duke shënuar një kapitull kritik në luftën e saj të vazhdueshme kundër shtypjes dhe për vetëvendosje. Sot, si vendi evropian me popullsinë më të lartë muslimane, prej 93 për qind (Agjencia e Statistikave të Kosovës, 2024), Kosova përballet me Islamofobi të hapur (explicit) dhe të nënkuptuar (implicit), e cila formësohet nga narrativat eurocentrike që e kornizojnë Islamin si antitezë të identitetit evropian.

Islamofobia në Kosovë përmes arsimit, punësimit dhe shoqërisë

Islamofobia në Kosovë merr forma të ndryshme, ku secila shërben për të margjinalizuar apo edhe për të fshirë identitetin musliman. Një manifestim i zakonshëm është portretizimi i Islamit si i huaj për identitetin shqiptar, sikur Islami të ishte një imponim dhe jo një pjesë integrale e historisë së rajonit prej shekujsh. Ky pretendim shpërfill praninë e thellë historike të Islamit në Kosovë dhe përpiqet të paraqesë identitetin kombëtar shqiptar si natyrshëm laik ose të krishterë. Një shembull i qartë i kësaj është “Lëvizja e Deçanit”, e cila haptazi u bën thirrje shqiptarëve të heqin dorë nga Islami, duke e kornizuar atë si anti-njerëzor dhe të papajtueshëm me vlerat kombëtare (Lëvizja e Deçanit, Facebook). Udhëheqësit e lëvizjes përdorin mediat sociale për të propaganduar idenë se besimi islam është një kërcënim i drejtpërdrejtë për identitetin shqiptar, duke përforcuar nocionin e rremë se Islami është thelbësisht i huaj.

Një mekanizëm kyç i Islamofobisë në Kosovë është barazimi i besimit fetar me ekstremizmin — një ide e rrënjosur në kornizat laike eurocentrike që i konsideron shprehjet e dukshme të besimit islam si natyrshëm destabilizuese. Kjo logjikë i pozicionon muslimanët praktikues, veçanërisht ata që mbajnë veshje fetare, si kërcënim për modernitetin. Duke e ndërtuar Islamin si një pengesë për përparimin, ky diskurs u bën presion muslimanëve që të shtypin identitetin e tyre fetar për t’u pranuar si “evropianë” ose “të qytetëruar”. Nënkuptimi është se pjesëmarrja e plotë në shoqëri kërkon konformim me një kornizë ontologjike të sekularizuar dhe të perëndimorizuar, ku identiteti fetar, veçanërisht Islami, shihet si i papajtueshëm me nocionet moderne dhe të pranueshme të vetvetes dhe shoqërisë.

Ndalimi i nxënëseve me hixhab për të ndjekur shkollën nxjerr në pah ndikimin e kësaj kornize ontologjike të laicizuar, e cila kërkon konformitet me normat perëndimore në kurriz të shprehjes fetare. Në shtator të vitit 2023, u shfaqën disa raste ku vajzave që mbanin hixhab iu ndalua hyrja në shkolla në Gjakovë, Shtime dhe Pejë (Karemani & Luboteni, 2024). Zyrtarët i justifikuan këto përjashtime me kodet laike të veshjes, pavarësisht mbrojtjes kushtetuese për lirinë fetare. Këto politika rregullojnë identitetin musliman, duke përjetësuar idenë se shprehjet e dukshme të Islamit minojnë përkatësinë kombëtare. Megjithatë, protestat e nxënësve e sfidojnë këtë narrativë, duke pohuar se shprehja fetare është pjesë integrale e shoqërisë së Kosovës, dhe jo një devijim prej saj.

Margjinalizimi i grave muslimane shtrihet përtej klasës mësimore dhe në vendin e punës. Gratë me hixhab, shpesh të perceptuara si të shtypura, përballen me diskriminim sistematik në mjediset profesionale, ku zgjedhja e tyre e veshjes shihet si pengesë për pjesëmarrje në shoqëri. Një rast historik në vitin 2022 ishte vendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës në favor të Indira Mujajt, një oficere policie me hixhab, e cila ishte pezulluar nga detyra (Ferizaj, 2023, f. 381). Ndërsa fitorja e saj nënvizoi sundimin e ligjit, ajo gjithashtu theksoi betejat e vazhdueshme me të cilat përballen gratë muslimane për t’u integruar plotësisht në fuqinë punëtore. Për më tepër, institucionet qeveritare kanë treguar hezitim në akomodimin e praktikave muslimane. Në Kamenicë, një email zyrtar që njoftonte shkurtimin e orarit të punës për punonjësit që agjëronin gjatë Ramazanit u tërhoq me shpejtësi pas reagimeve publike (Karemani & Luboteni, 2024). Komuna arriti deri aty sa të mohonte dërgimin e email-it, duke dhënë një mesazh të qartë se njohja e nevojave të muslimanëve është politikisht e papërshtatshme.

Islamofobia manifestohet gjithashtu në përpjekjet për të minimizuar ose fshirë identitetin musliman nga narrativat kombëtare. Figurat historike që ishin haptazi muslimane shpesh sekularizohen në diskursin popullor, duke u minimizuar besimi i tyre islam për t’iu përshtatur një narrative që përjashton Islamin nga historia kombëtare. Shembulli më i dukshëm i kësaj është heroi kombëtar Adem Jashari, i cili ra dëshmor gjatë luftës çlirimtare kundër Serbisë në vitin 1998. Jashari ishte edhe shqiptar, edhe musliman, megjithatë komentues të caktuar qëllimisht e errësojnë ose e zvogëlojnë identitetin e tij fetar, duke u përpjekur t’i zhveshin atij identitetin prej muslimani. Për shembull, gazetari i njohur Milaim Zeka bëri një deklaratë kontroverse në një emision online, duke shprehur shqetësim për atë që ai e përshkroi si përpjekje “të pandershme” për ta portretizuar Adem Jasharin sikur t’i përkiste “sektit fetar mysliman”. Ai më pas u përpoq ta hidhte poshtë këtë portretizim duke pretenduar se Jashari konsumonte rregullisht birrë dhe raki gjatë festave (Kojshia Show, 2020). Ky argument është logjikisht i metë – konsumimi i alkoolit nuk e përjashton dikë nga të qenit musliman – dhe historikisht i pasaktë, pasi është e dokumentuar mirë se Jashari agjëronte Ramazanin (Bota Sot, 2021) dhe vinte nga një familje besimtare, ku babai i tij ishte shkolluar si imam (Gazeta Selam, 2021).

Shqiptarizmi dhe mënjanimi i identitetit musliman në Kosovë

Në Kosovë, një mënyrë tinëzare (subtile) por e fuqishme se si përhapet Islamofobia është përmes shqiptarizmit, idesë se identiteti kombëtar mbizotëron mbi të gjitha format e tjera të përkatësisë. Megjithëse shpesh kornizohet si një forcë bashkuese, ajo margjinalizon identitetet fetare, veçanërisht Islamin. Nocioni se “ne jemi shqiptarë në radhë të parë” nuk është një deklaratë neutrale, por një imponim kolonial, që u bën presion shqiptarëve muslimanë të shtypin ose fshijnë identitetin e tyre fetar në favor të një ideali kombëtar laik. Shqiptarizmi, në mënyrë selektive e lidh identitetin kombëtar me sekularizmin evropian dhe e distancon atë nga Islami, ndërsa identiteti i krishterë përqafohet si pjesë e karakterit kombëtar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ilustroi këtë retorikë subtile islamofobe kur deklaroi në një artikull të New York Times të janarit 2025: “Për ne, fetë erdhën e shkuan, por ne jemi ende këtu. Për shqiptarët, në aspektin e identitetit, feja nuk ka qenë kurrë e një rëndësie parësore” (Higgins & Mejdini, 2025). Kjo retorikë pasqyron se si shqiptarizmi formëson kufijtë e identitetit të pranueshëm, duke privilegjuar një konceptim të evropianizuar dhe laik (të de-islamizuar) të të qenit shqiptar.

Si përfundim, Islamofobia në Kosovë manifestohet përmes mekanizmave të ndryshëm që margjinalizojnë identitetin musliman, duke e kornizuar Islamin si të papajtueshëm me modernitetin dhe vlerat evropiane. Kjo është e dukshme në përjashtimin e nxënëseve me hixhab nga shkollat, diskriminimin me të cilin përballen gratë muslimane në vendin e punës dhe presionet më të gjera shoqërore për të shtypur identitetin fetar. Këto praktika pasqyrojnë një narrativë kulturore më të thellë që barazon laicizmin me përkatësinë kombëtare dhe krijon pengesa për muslimanët në afirmimin e identitetit të tyre fetar brenda sferës sociale dhe politike të Kosovës.

Referencat

  • Bayraklı, E., & Hafez, F. (Eds.). (2019). Islamophobia in Muslim majority societies. New York: Routledge.
  • Bekim Jashari: Po, Adem Jashari e Hamëz Jashari kanë mbajtur Ramazan. (2021, April 23). Bota Sot.
  • Ferizaj, A. (2023). Islamophobia in Kosova: National report 2022. In E. Bayraklı & F. Hafez (Eds.), European Islamophobia report 2022 (pp. 365–386). Vienna: Leopold Weiss Institute.
  • Gazeta Selam. (2021, April 14). Baba i Adem Jasharit ishte Hoxh e thotë Bekim Jashari [Video]. Facebook.
  • Karemani, S., & Luboteni, J. (2024). Islamophobia in Kosova: National report 2023. In E. Bayraklı & F. Hafez (Eds.), European Islamophobia report 2023. Vienna: Leopold Weiss Institute.
  • Kojshia Show. (2020, July 26). Milaim Zeka: O hoxhollar mos e përzini Adem Jashari me fe! Ja pse [Video]. YouTube.
  • Higgins, A., & Mejdini, F. (2025, January 4). A move toward Christianity stirs in a Muslim land. The New York Times.
  • Lëvizja e Deçanit. (n.d.). Lëvizja e Deçanit [Facebook page]. Facebook.

Shan Karemani
Shan Karemani
Shan Karemani është studiues i pavarur. Mban diplomë master në Studime Ruse dhe të Evropës Lindore nga “Universiteti i Indianës” dhe diplomë bachelor në shkencat politike nga “Universiteti Stetson”.

Të ngjashme
Related

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.

Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës të Izraelit për të bërë për vete perëndimorët

Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik

Çmimi i injorancës: A e njeh Perëndimi Islamin, apo e shtrembëron?

Islamofobia lind shpesh nga padija; ndërsa dija dhe dialogu mund ta zëvendësojnë frikën me mirëkuptim.