Daoud Kuttab | Project-Syndicate
Reagimi ushtarak i Izraelit ndaj brutalitetit të sulmit të Hamasit më 7 tetor, ka marrë jetën e afro 3.000 njerëzve në Gaza (4 mijë 131 të vrarë më deri më datë 21 Tetor 2023, e numri vazhdon të rritet) dhe ka zhvendosur qindra mijëra, ka evokuar makthin më të keq të çdo palestinezi.
Në vitin 1948, rreth 750,000 palestinezë – përfshirë babanë tim, xhaxhain dhe gjyshen – u larguan nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar dhunës që pasoi krijimin e Izraelit dhe dhunës që vinte nga nëntoka hebreje kundër shumë fshatrave dhe qyteteve palestineze.
Xhaxhai im, i cili qëndroi pas në lagjen Musrara të Kudsit (Jerusalemit) deri në prill të vitit 1948, e siguroi babanë dhe gjyshen se shtëpia do të qëndronte e sigurt derisa të mund të ktheheshin sapo të përfundonin luftimet. Ai e kishte mbyllur shtëpinë duke e kthyer çelësin dy herë, me besimin se ata do të ktheheshin së shpejti. Por nuk u kthyen kurrë.
Trauma e luftës së parë arabo-izraelite ishte aq e thellë sa palestinezët e quajnë Nakba (“Katastrofë)” dhe e përkujtojnë çdo vit më 15 maj. Në fillim të këtij muaji, kur Danny Ayalon, ish-ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, i tha Marc Lamont Hill-it të Al Jazeera-s se ka “hapësirë të pafund” për civilët e Gazës në Gadishullin e Sinait në Egjipt dhe se ata “duhet të zhvendosen të gjithë atje,” shumë palestinezë e interpretuan këtë si një thirrje për një Nakba të dytë. Kjo është arsyeja pse urdhri izraelit për evakuimin e 1.1 milionë njerëzve nga Gaza veriore ka ngjallur frikën e përsëritjes së vitit 1948.
Rripi i Gazës ka qenë prej kohësh halë në sy për Izraelin. Në vitin 1992, kryeministri i atëhershëm izraelit Yitzhak (Izak) Rabin vërejti në mënyrë të famshme: “Do të doja të zgjohesha një ditë dhe të shikoja se Gaza është fundosur në det.” Një vit më vonë, Rabini dhe kryetari i ndjerë i PLO-së Jasser Arafati shtrënguan duart në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë pas nënshkrimit të Marrëveshjeve të Oslos. Tragjikisht, vrasja e Rabinit nga një ekstremist hebre i ekstremit të djathtë në vitin 1995 grabiti si Izraelin, ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar nga një udhëheqës izraelit, i cili e pati pranuar se zgjidhja me dy shtete përfaqësonte shpresën më të mirë për sigurinë e Izraelit dhe për një atdhe për palestinezët.
Paralajmërimi i Izraelit ndaj civilëve palestinezë për evakuimin e Gazës veriore është kundërshtuar fuqishëm nga udhëheqësit në mbarë botën, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden i cili ka thënë se një pushtim izraelit i Gazës në shkallë të plotë do të “ishte një gabim i madh”. Por Izraeli këmbëngul se civilët duhet të lëvizin në jug për t’u mbrojtur kur Izraeli të nisë në mënyrë të pashmangshme një pushtim tokësor në shkallë të gjerë si përgjigje ndaj vrasjes masive të shtetasve izraelitë nga Hamasi, i cili kontrollon Gazën që nga viti 2006.
Megjithatë, zhvendosja e banorëve palestinezë të Gazës veriore do të ishte një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar. Për më tepër, planet e Izraelit pas luftës për këtë zonë mbeten të paqarta. A ka ndërmend Izraeli të krijojë një zonë tampon që shtrihet thellë në Gaza, apo dëshiron të kthejë kolonët në Gaza? Nëse objektivi kryesor është mbrojtja e komuniteteve izraelite, atëherë Izraeli mund dhe duhet të caktojë territorin e vet për një tampon të tillë, në vend se të cënojë Rripin e vogël të Gazës me popullsi të dendur që aktualisht banohet nga më shumë se dy milionë palestinezë.
Mizoritë e kryera nga Hamasi dhe të tjerët më 7 tetor, të cilat morën jetën e më shumë se 1300 civilëve izraelitë, kanë dëmtuar ndjeshëm kauzën palestineze dhe duhet të dënohen pa mëdyshje nga kushdo që mbështet krijimin e një Palestine të pavarur. Ndërkohë që palestinezët, si çdo grup nën pushtim, kanë një të drejtë të njohur ndërkombëtarisht për t’i rezistuar okupatorëve të tyre, aktet e dhunshme dhe brutale të Hamasit kundër civilëve izraelitë ishin në mënyrë të pamohueshme krime lufte, siç kanë qenë edhe disa nga përgjigjet.
Sidoqoftë, me qëllim ose jo, retorika e disa zyrtarëve izraelitë që bëjnë thirrje për një ripushtim apo shpopullim të Gazës ka ringjallur kujtimet e dhimbshme të palestinezëve për Nakbën. Refugjatët palestinezë, veçanërisht ata në veri të Gazës, nuk kanë asnjë dëshirë të jetojnë në Gadishullin e Sinait; Ata ende dëshirojnë me pasion të kthehen në shtëpitë e tyre stërgjyshore brenda kufijve të sotëm të Izraelit. Më e pakta, ata dëshirojnë të jetojnë në Gaza me dinjitet, të lirë nga pushtimi, bllokadat dhe kufizimet e lëvizjes.
Kur Rabini dhe Arafati shtrënguan duart në vitin 1993, ata ngjallën shpresën se paqja midis Izraelit dhe Palestinës ishte e mundshme. Por 30 vjet më vonë, vizioni i një zgjidhjeje me dy shtete është bërë pothuajse i pamundur pasi dhjetra vendbanime të paligjshme izraelite kanë fragmentuar Bregun Perëndimor, duke e bërë shtetin e ardhshëm palestinez të ngjajë si djathë zviceran.
Sigurisht, Izraeli u tërhoq nga Gaza në vitin 2005. Por tërheqja e njëanëshme e tij ishte në thelb një ripozicionim strategjik i trupave. Në vend që ta pushtojë drejtpërdrejt Gazën, Izraeli ka vendosur një bllokadë tokësore, ajrore dhe detare ndaj saj që nga viti 2007. Gjashtëmbëdhjetë vjet në këtë rrethim shkatërrimtar, disa izraelitë bëjnë thirrje për ripushtimin e një pjesë ose të të gjithë Rripit të Gazës. Një veprim i tillë, megjithatë, vetëm do të zgjaste pafund ciklin vicioz të dhunës dhe zhvendosjes.
Tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për udhëheqës kurajozë të gatshëm për të njohur të drejtat themelore njerëzore të palestinezëve. Për të arritur një paqe të qëndrueshme, Izraeli duhet t’i japë fund pushtimit dhe kolonizimit të Bregut Perëndimor, të heqë bllokadën ndaj Gazës dhe të angazhohet në negociata kuptimplota me udhëheqjen e Autoritetit Palestinez në Ramallah. Siç e pati kuptuar (Izak) Rabini, e vetmja zgjidhje reale është krijimi i një shteti të pavarur palestinez krahas një Izraeli të sigurt dhe larg çdo rreziku.
Solli në shqip Observer.al
Daoud Kuttab, është gazetar palestinez i vlerësuar me çmime, ish-profesor gazetarie në Universitetin Princeton dhe themelues e ish-drejtor i Institutit të Medias Moderne në Universitetin Al-Quds në Ramallah.