Friday, November 22, 2024

Kupa e Botës në Katar do të shkatërrojë mitet koloniale mbi botë islame

Ky Botëror nuk do të jetë imitim i fuqisë së një ish-kolonie, por do të shërbejë për të dekolonizuar të menduarit paragjykues ndaj vendeve arabe dhe muslimanëve.

Nga Larbi Sadiki

Katari së shpejti do të bëjë histori. Të dielën, ai do të bëhet vendi më i vogël që ka pritur ndonjëherë ngjarjen më të madhe sportive në botë. Për të kuptuar dallimin, mendoni për vendet e mëdha që pritën dy edicionet e mëparshme të Kupës së Botës së FIFA-s: Rusinë dhe Brazilin.

Edhe pse shumë i kanë dhënë merita të mëdha “fuqisë së butë” dhe “fuqisë së zgjuar” të inventarit diplomatik të Katarit për këtë moment, Kupa e Botës meriton të shikohet përtej hjerrëzave të marrëdhënieve ndërkombëtare. Siç kanë argumentuar studiuesit postkolonialë si Edward Said  dhe Gayatri Spivak, imagjinata euro-amerikane ka diktuar prej kohësh se çfarë është “e mirë”, me anë të përcaktimit të “tjetri” oriental.

Kupa e Botës ofron një mundësi për t’i rishikuar këto narrativa.

Tek e fundit, ka diçka magjike në faktin se Kupa e Botës po ndodh në Katar. Që kur fitoi ofertën për të pritur edicionin e 22-të të Kupës së Botës, Doha ka qenë duke u përgatitur për këtë spektakël botëror.Ka përdorur të ardhurat nga industria e saj hidrokarbure, ka modernizuar infrastrukturën e vendit – veçanërisht rrugët, transportin dhe teknologjinë.

Katarasit janë transformuar gjithnjë e më shumë në përdorues të zjarrtë të teknologjisë së informacionit. Doha vazhdon të modernizohet me një ritëm të shpejtë; nga një fshat me perla është shndërruar në një qytet të zgjuar dhe në shtëpi për komunitete të ndryshme emigrantësh. Ai është i pajisur me teknologjinë më të fundit, duke i dhënë vendit qasje dhe lidhje më të madhe dixhitale, qoftë në qeverisjen elektronike, efikasitetin bankar apo shëndetësinë.

Megjithatë, edhe pse fushat e futbollit supozohet të frymëzojnë unitetin ndërkombëtar dhe të sjellin një frymë sportive, nuk ka pasur shpëtim nga formulimi i ‘tjetrit’ në takimet globale si karnavalet më të mëdha të futbollit. Në këtë rast, kjo shihet në fushatën e pamëshirshme sistematike dhe raciste kundër Katarit në vitet para këtij Botërori të zhvilluar në Perëndim.

Si mund të shpjegohet ndryshe mënyra se si Katari i është nënshtruar shpifjeve si asnjë vend mikrpritës më parë? As kombe të tjera të vogla me mot ekstrem si Zvicra në 1954, as superfuqi si Shtetet e Bashkuara, ku zona e Los Anxhelosit priti finalen e Kupës së Botës në 1994, vetëm dy vjet pasi dëshmoi disa nga trazirat më të këqija në dekada. As  regjimi fashist i Musolinit  dhe junta brutale ushtarake e Argjentinës.  As Brazili, ku njerëzit që jetonin në  favela u dëbuan pasi vendi u përpoq të fshihte varfërinë e tij nga tifozët që udhëtonin për Kupën e Botës në 2014. E as Rusia, e cila organizoi ngjarjen e 2018 mes homofobisë në rritje.

Këto vende shiheshin si nikoqire legjitime – pavarësisht se çfarë bënin – sepse, në një farë mënyre, futbolli ishte dhe shihej se u përkiste atyre. Në të kundërt, Katari u pa me përbuzje që në momentin që fitoi ofertënj, duke u trajtuar si një i huaj që po shkatërronte një festë të elitës.

Në fakt, si në kombet e tjera arabe, aziatike, afrikane dhe të Amerikës Jugore dhe Qendrore, edhe në Katar futbolli erdhi nëpërmjet kolonializmit kur vendi ishte protektorat britanik midis 1916 dhe 1971. Kompania Anglo-Persiane e Naftës (APOC), paraardhësi i British Petroleum (BP), filloi kërkimin dhe prodhimin e naftës në fund të viteve 1930. Futbolli pasoi në vitet 1940. Stadiumi i Dohas ishte arena e parë e futbollit me fushë me bar në rajonin e Gjirit. Gara e Ligës filloi në vitet 1960, disa vite para pavarësisë.

Ironikisht, studimet e postkolonializmit nuk kanë folur shumë për futbollin – edhe pse shumë nga lagjet e varfëra të ish-kolonive kanë nxjerrë yje të mëdhenj, nga Pele në Sao Paulo, Brazil, tek Raheem Sterling në Kingston, Xhamajka. Shumë lojtarë arabë – nga Rabah Madjer i Algjerisë tek Mohamed Salah i Egjiptit – kanë bërë udhëtime të ngjashme drejt klubeve të pasura të Evropës.

Kupa e Botës në futboll nuk duhet të jetë thjesht një ushtrim i formave të reja të mimikës kulturore të ish-fuqive koloniale. Edhe pse futbolli në Perëndim lufton për ta adresuar racizmin – lojtarit brazilian Richarlison së fundmi iu hodh një banane në një miqësore në Paris – edicioni i Kupës së Botës në Katar mund të ndihmojë në dekolonizimin e mendimit të njëanshëm mbi shoqëritë arabe dhe muslimane duke përdorur kulturat e tyre të ndryshme për ta pasuruar përvojën globale të futbollit.

Për shembull, stadiumet pa alkool të Katarit gjatë Kupës së Botës mund të jenë shembull. Ato do t’ua mundësojnë më tepër njerëzve të vijnë në ndeshje pa u shqetësuar për dhunën e nxitur nga alkooli, racizmin dhe gjuha e neveritshme që është e zakonshme në arenat evropiane të futbollit. Duke qenë se Katari pret tifozë nga e gjithë bota, ai mund të tregojë një mënyrë alternative për të shijuar sportin – një mënyrë që nuk sjell një përvojë të përgjithshme të të qenit tifoz futbolli duke injoruar vlerat vendore të Katarit.

Katarasit janë mësuar të jetojnë me të huajt dhe Kupa e Botës është një shans më shumë për të shfaqur afinitetin e tyre me multikulturalizmin dhe për t’iu kundërvënë stereotipit perëndimor të “muslimanit fanatik” – siç është parë së fundmi në karikaturat islamofobe dhe raciste franceze që përshkruajnë ekipin kombëtar të Katarit.

Duke paraqitur një narrativë alternative për mënyrën se si bota muslimane dhe futbolli janë parë në Perëndim, ky Botëror mund të ndihmojë në dekolonizimin e gjuhës së sportit. “Futbolli europian” nuk është i bardhë. Futbolli “afrikan” apo “arab” nuk janë shenja ngjyre apo etnie. Megjithatë, këto etiketa përdoren shumë shpesh si kode për etnitë dhe racat dominuese në mënyrën se si mbulohet sporti.

Për të parafrazuar profesorin dhe teoricienin kritik të Universitetit të Harvardit,  Homi K Bhabha, Këtu postkolonializmi mund të shërbejë si një kundërhelm ndaj ish-kolonizimin mes botëve dhe pikëpamjeve të ndryshme.

Bota arabe është plot me mendje letrare që kanë adresuar paraqitjet stereotipike dhe takimet e pabarabarta në punën e tyre – dhe që mund të shërbejnë si frymëzim pasi rajoni duket të presë botën sipas kushteve të tij. Libri i shkrimtarit sudanez Tayeb Salih i vitit 1966, Sezoni i Migrimit në Veri, kap thelbin e marrëdhënies ndërmjetëse që thekson Bhabha.

Romancieri brilant i Arabisë Saudite Abdulrahman Munif shpiku një term të veçantë: al-teeh (humbje, konfuzion). Romani i tij klasik i përbërë prej pesë tregimesh, Qytetet e Kripës (Mudun al-Milh, botuar në 1984), është një nga shembujt më të mirë të studimeve letrare postkoloniale. Ai tregon një fabul të shkatërrimit politik, ekonomik, mjedisor dhe kulturor kur takohet neo-kolonizuesi (kapitalizmi amerikan dhe petrodollarët) dhe i neo-kolonizuari (Gjiri Persik).

Këto shkrime janë përkutime të gjalla se pritja dhe organizimi i Kupës Botërore të FIFA-s është një rast për shumë më tepër sesa një parakalim i jetëve të perëndimore.

Në kohët koloniale, arabët nxitën ndër të tjera edhe rezistencën antikoloniale, duke mbajtur veshje lokale dhe duke u siguruar që ata të ruanin kulturën e tyre tradicionale. Sot, ata veshin “thobe” arabe (tunikën e gjatë deri në kyçin e këmbës) të bërë nga pëlhura që vijnë nga Japonia. Kjo pasqyron përzierjen e globales dhe lokales – në një mënyrë që Katari dhe bota arabe mund ta përdorin pasi rajoni pret ngjarje të mëdha sportive.

Kupa Botërore e FIFA-s duhet të jetë një hapësirë ​​e përbashkët për një modernitet të ri që nuk është i bardhë apo kolonial. Një modernitet që flet për vlerat arabe, aziatike, afrikane, indigjene dhe latine të tolerancës, të të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë, dhe që sfidon stereotipet që shpesh krijohen mbi Jugun Global.

Një modernitet që kërkon një botë më të drejtë, më të barabartë dhe – padyshim – të dekolonizuar, e që vë në pikëpyetje e u reziston hierarkive neokolonizuese. Një modernitet që kërkon të drejta për vetëvendosje kulturore dhe pohon të ardhmen dhe përvojat e përbashkëta në kushtet e respektit të ndërsjellë.

Me anë të Kupës Botërore të Katarit, “loja e bukur” mund të ndihmojë në përmbysjen e tendencave kolonizuese dhe narcisizmit kulturor në botën tonë multikulturore.

Solli në shqip Observer.al. Publikuar më parë në Al-Jazeera English.


Larbi Sadiki është profesor i demokratizimit arab në Universitetin e Katarit. Ai është redaktor i Serisë Routledge (në Mbretërinë e Bashkuar): Studimet Routledge për Demokratizimin dhe Qeverinë e Lindjes së Mesme. Ai është gjithashtu kryeredaktor i Brill Journal, PROTEST.

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights