Friday, November 22, 2024

Media si dhunuese e dinjitetit njerëzor dhe nxitëse e paragjykimeve

Menyra si u reflektua historia e Adrianës në media, por edhe raste të tjera të shumta, tregojnë se kemi të bëjmë me një trend të mediave shqiptare dhe një problem serioz mbi mënyrën si raportohet, sidomos kur kjo ka lidhje nga larg apo afër me Islamin dhe muslimanët.

Historia e Adrianës, vajzës e cila deklaroi se ishte dhunuar seksualisht, është edhe historia e mijëra femrave të tjera shqiptare, viktima të dhunës seksuale, tragjedia e të cilave në të shumtën e rasteve kalon pa u vënë re, e ku dhunuesit rrallëherë dënohen. 

Por ndryshe nga herët e tjera, historia e Adrianës nuk kaloi pa bërë zhurmë. Rrëfimi i saj tronditi dhe indinjoi mbarë opinionin. Jo vetëm për faktin pse historia e saj u transmetua në një ekran të madh si ai i Top Channel-it, apo pse u tha se ishte abuzuar seksualisht me të pikërisht nga ata që supozohej ta mbronin, por për një detaj tjetër që la gojëhapur shumëkënd: 27-vjeçarja rrëfeu se një nga dhunuesit e saj kishte qenë ‘mësues i fesë islame’. 

Në të gjithë historinë dhe tragjedinë e jetës së Adrianës, ishte pikërisht ky detaj që bëri që njerëzit të zienin në rrjetet sociale, e mediat të mbushnin kryetitujt e tyre me historinë e saj. Një histori rrëngjethëse, e trishtë njëkohërisht, e cila i ofrohej publikut me një detaj që e bënte ngjarjen akoma më shokuese: ‘mësuesi i fesë islame’ kishte qenë njëri nga dhunuesit e saj. Të paktën kështu pohoi Adriana para të gjithë shqiptarëve. 

Nuk ka dyshim se të rrëfesh publikisht se ke qenë viktimë e dhunës seksuale kërkon një guxim të madh, sidomos në një shoqëri si ajo shqiptare që vazhdimisht ushqen stereotipet gjinore, e ku viktimat e dhunës seksuale ngelen gjithë jetën ‘me njollë’. E Adriana qartë është një nga ato pak femra kurajoze që ka marrë guximin të flasë publikisht. 

Por dalja në publik vjen me një kosto të lartë: çdo detaj i rrëfimit vihet në lupën e shqyrtimit të publikut. Gazetarët dhe mediat që publikojnë histori të grave të dhunuara seksualisht e dinë mirë këtë. 

Në momentin kur autorët e emisionit vendosën ta publikojnë rrëfimin e Adrianës pa ruajtur asnjë lloj anonimati, e dinin shumë mirë se historia e saj do t’i nënshtrohej shqyrtimit të publikut, duke e ekspozuar kështu me vetëdije viktimën ndaj sulmeve dhe akuzave të mundshme. 

A ishte ky thjeshtë guximi i vetë viktimës për të rrëfyer dramën e saj me çdo kusht, apo ishte ky një çmim që autorët e programit ishin të gatshëm që të paguhej për të bërë show? 

Përndryshe si mund të shpjegohet fakti që versioni i viktimës se njëri nga dhunuesit kishte qenë ‘mësues i fesë islame’ u hodh menjëherë poshtë nga përfaqësuesit e institucionit ku vajza kishte kaluar fëmijërinë e saj, duke deklaruar se në shtëpinë e fëmijës nuk kishte pasur kurrë mësues të ndonjë feje. Një informacion që sigurisht mbetet për t’u vërtetuar nga organet e drejtësisë, por që hedh dyshime serioze mbi vërtetësinë këtij elementi të historisë dhe qëllimin real të rrëfimit publik.

Kur vendoset që krime të tilla të bëhen publike, profesionistët e medias e dinë se pjesë e etikës së rrëfimit të ngjarjes është edhe përzgjedhja e kujdeshme e detajeve të historisë që do të tregohet në mënyrë që të mos krijohet paragjykim, as ndaj vetë viktimës por as ndaj atyre që preken nga rrëfimi. Kjo gjithashtu i lë vendin drejtësisë që të bëjë punën e vet pa ndërhyrje apo presione nga jashtë.

Në këtë kuptim, theksimi se një nga dhunuesit kishte qenë ‘mësues i fesë islame’ e disbalancon rrëfimin dhe ofron një informacion që përveçse nuk jep ndonjë detaj mbi dhunuesin dhe as identitetin e tij konkret, ajo stigmatizon dhe krijon mosbesim ndaj një kategorie të caktuar njerëzish që identifikohen me këtë emërues të përbashkët.

Ndërkohë që akuza të tilla duhen marrë shumë seriozisht, si nga organet e drejtësisë ashtu dhe nga vetë shoqëria, publiku ngelet në të drejtën e vet që të ngrejë pikëpyetje e të kërkojë sqarime. 

Për më tepër, strukturimi i historisë dhe raportimi i një drame të tillë sikur të ishte pjesë e skenarit të një telenovele, ku me shumë kujdes zgjidhen detajet më pikante në mënyrë që ajo të shitet me lehtë te audienca  është një menyrë raportimi problematike, e cila nuk merr në konsoderatë implikimet etike profesionale.

Duke marrë parasysh këtë, për shumë kënd nuk ishte çudi që Top-Channel, ku menaxher i përgjithshëm është Ben Blushi, një islamofob i njohur, do të zgjidhte të vinte në pah një aspekt të historisë ku i keqi të mos kishte një emër, fytyrë apo adresë konkrete, por të ishte një përsonazh me “emërues fetar islam”. Një tipar i tillë sigurisht që do t’i shërbente skandalit dhe do të nxiste reagime të jashtëzakonshme dhe indinjatë të madhe te audienca, pa marrë parasysh pasojat. 

Reagimi i mediave, i portaleve në veçanti, ishte akoma më problematik. Në domainin e portaleve shqiptare, të cilat funksionojnë më shumë në formatin e tabloidëve që ushqehen me skandale, e vërteta dhe shmangia e dëmit të përgjithshëm nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e etikës së punës.

E siç ndodh rëmdon te ne, në vend që të adresohet problemi në thelb, të dënohet e denoncohet sistemi dhe ata që e ushqejnë atë, humbet fokusi i problemit duke u marrë me një fajtor me cilësi imagjinare, që përveç të tjerave nuk na ndihmon të njohim kriminelin dhe as shkaqet reale të fenomenit të dhunës seksuale në shoqërinë tonë.

Askush nuk u shqetësua për të vërtetën. Askush nuk nisi një hetim gazetaresk për fenomenin e përdhunimit të fëmijëve, siç do të ndodhte në çdo vend normal të botës. Askush nuk analizoi faktorët strukturorë shoqërorë që krijojnë mjedise të tilla të pasigurta. Askush nuk e vendosi rastin në një kontekst për ta shpjeguar fenomenin. Askush nuk solli të dhëna statistikore mbi dhunën seksuale në Shqipëri, as nuk u kontaktua ndonjë ekspert i fushës.

Përkundrazi, në vend të kësaj, ‘mësuesi i fesë islame’ si përdhunues ishte kryelajmi, shqetësimi më i madh i çdo portali, dhe fajtori kryesor në bankën e të akuzuarve mediatikisht. 

Menyra si u reflektua historia e Adrianës në media, por edhe raste të tjera të shumta, tregojnë se kemi të bëjmë me një trend të mediave shqiptare dhe një problem serioz mbi mënyrën si raportohet, sidomos kur kjo ka lidhje nga larg apo afër me Islamin dhe muslimanët. Një problem të cilin shumë raporte dhe studime mbi islamofobinë në Shqipëri e kanë vënë në dukje, duke theksuar se një pjesë e mediave dhe figurave mediatike raportojnë apo shkruajnë në mënyrë sistematike për Islamin dhe muslimanët duke u përqendruar tek aspektet negative dhe ngjarjet e mbushura me stereotipe e paragjykime. 

Kjo formë e të bërit gazetari ngre shqetësime serioze dhe pikëpyetje të mëdha mbi etikën e medias në vendin tonë dhe nëse ajo është denoncuese dhe parandaluese e të keqës apo është bashkëfajëtore dhe pjesëmarrëse në krim.

Të besh show mediatik me fatkeqësinë e një viktime dhe ta përdorësh atë për të hedhur baltë e për të nxitur urrejtje ndaj të tjerëve me historira të fabrikuara (siç po shihet), është një poshtërsi dhe skandal i një niveli të ulët që vetëm njerëzit e paskrupullt, mediat pa etikë profesionale e pa moral mund ta bëjnë.

Të përdorësh dramën e një viktimë të dhunuar fizikisht e psikologjikisht, e cila është në të drejtën e Zotit që të denoncojë abuzimin ndaj saj, e të manipulosh për të fituar pak audiencë e për të bërë shantazh ndaj të tjerëve me çdo kusht, të bën pjesë të kalvarit të dhunuesve e jo të atyre që ndihmojnë. 

Observer.al

Observer.al
Observer.al
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë është platformë që trajton problemet e Islamofobisë, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit Musliman në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, e më gjerë.

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights