Thursday, March 28, 2024

Miti i neo-otomanizmit dhe politika e jashtme turke

Ndryshe nga sa besojnë shumë vezhgues, politika e jashtme turke nuk është ekspansioniste. Ajo është mbrojtëse dhe pragmatiste.

Datë:

Nga Marwan Kabalan

Gjatë viteve të fundit, politika e jasthme turke, gjithnjë e më e konsoliduar, është ndierë edhe te fqinjët e saj. Në korrik, pas përplasjeve midis Azerbaixhanit dhe Armenisë në Nagorno-Karabakh, Ankaraja kreu stërvitje të përbashkëta me ushtrinë azere, duke e bërë të qartë se qendronte në krah të aleatit të tij. 

Në maj, ushtria turke mbështeti dhe ndihmoi Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli të njohur ndërkombëtarisht që të përjashtonte forcat ushtarake renegate të komandantit Khalifa Haftar nga pjesa më e madhe e Libisë perëndimore, i cili mbështetet nga Rusia, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). 

Në shkurt, ndërhyrja e ushtrisë turke bëri që të dështonte përpjekja e regjimit sirian dhe aleatëve të tij iranianë që të merrnin nën kontroll bastionin e fundit të opozitës në provicën e Idlibit në Siri, duke detyruar Moskën që t’i përmbahej marrëveshjes së vitit 2018 për zonën e zbutjes së konfliktit.

Në fakt, aktualisht ndikimi i politikës së jashtme turke shtrihet nga Ballkani perëndimor në Kaukaz dhe nga Gjiri Persik deri në Bririn e Afrikës. Kjo ka bërë që disa analistë ta përceptojnë politikën turke si një ambicje “neo-otomane” për hegjemoni rajonale. Duke iu referuar retorikës zyrtare, ata kanë ardhur në përfundimin se strategjia e Ankarasë udhëhiqet nga një “ideologji neo-otomane.”

Por, përtej retorikës dhe akteve simbolike, politika e jashtme turke është më shumë mbrojtëse nga natyra dhe përcaktohet nga tre elementë kryesorë: stabiliteti i brendshëm dhe integriteti territorial; kërcënimi i përceptuar nga rivalët rajonalë që duan të mbushin vakuumi e lënë pas nga Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme; dhe pavarësia energjitike.

Në mbrojtje të stabilitetit të brendshëm

Projektimi i fuqisë turke shënon një ndarje të qartë nga vitet e hershme të qeverisë së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) që sillej rreth doktrinës me “zero probleme me fqinjët”, e zhvilluar nga Ministri i Jashtëm i asaj kohe Ahmet Davutoğlu. Kjo doktrinë u ekplipsua nga ngjarjet e “Pranverës Arabe” dhe vakuumi që la pas tërheqja e SHBA-ve nga Iraku në vitin 2011. 

Nxitimi i fuqive të ndryshme rajonale për të përcaktuar rezultatin e kryengritjeve arabe të viteve 2010-2011 dhe venitja e interesit të Uashingtoni për rajonin, e detyroi Turqinë që të rishikonte qasjen e saj rajonale. Konflikti i vitit 2015 me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka udhëhequr një kryengrite të armatosur kundër shtetit turk për më shumë se 40 vjet, dhe grushti i dështuar i shtetit në 2016 e përforcuan më shumë këtë qasje, pasi lidershipi turk gjithnjë e më shumë filloi të shqetësohej për kërcënimet e jasthme ndaj stabilitetit të brendshëm. 

Në vitin 2017, kushtetuta turke u amendua për t’i dhënë Presidentit kompetenca gjithëpërfshirëse në politikën e jashtme dhe në çështjet e sigurisë. Kjo i dha mundësinë Presidentit Erdoğan që të ndiqte një strategji rajonale më këmbëngulëse. 

Ndryshimi i parë domethënës ndodhi me çështjen e Sirisë. Në vitin 2016, Ankaraja e kuptoi se kishte humbur mundësinë që të ndikonte në rezultatin e konfliktit sirian. Ndonëse ka një vijë kufitare me Sirinë prej 900 km, ishte e qartë se kishte dështuar në arritjen e të gjitha objektivave kyçe në politikën e saj ndaj luftës civile në Siri: largimin e regjimit të Bashar al-Asadit dhe vendosjen e një qeverie mike në Damask.

Nga ana tjetër, Rusia dhe Irani, ku asnjëra nuk ka kufi të përbashkët me Sirinë, ishin më të sukseshëm në ruajtjen e interesave të tyre në vendin e goditur nga lufta. Ato arritën ta shpëtojnë regjimin e Asadit nga rrëzimi  dhe të ndalojnë përparimin e opozitës së mbështetur nga Turqia. 

Pas ndërhyrjes ushtarake ruse në shtator të vitit 2015 në mbështetje të regjimit të Asadit, mundësitë e Turqisë për të ndikuar në rrjedhën e konfliktit u pakësuan në minimum. Mbeshteja amerikane ndaj Njësisë për Mbrojtjen e Popullit (YPG), krahu sirian i PKK-së, në luftën kundër ISIS-it, alarmoi edhe qeverinë turke duke e detyruar që ta rishikojë politikën e saj ndaj Sirisë. 

Për rrjedhojë, ajo i vuri vetës një objektiv më modest: të parandalonte krijimin e një enklave kurde të dominuar nga PKK-ja përgjatë kufirit jugor, që mund të destabilizonte rajonet kurde të Turqisë. Ankaraja e zbuti kundërshtimin e saj ndaj regjimit të Asadit në mënyrë që të fitonte miratimin e Rusisë për ndërhyrjen e saj ushtarake në veri dhe veri-perëndim të Sirisë për të arritur objektivin e saj të ri. 

Kësisoj, interesat turke në Siri u kufizuan në zonat përreth kufirit të vet, e nuk kishin të bënin më me të ardhmen e regjimin në Damask. Ndalimin i efektit destabilizues të konfliktit sirian në territorin e vet u bën objektivi kryesor i Ankarasë.

Kërcënimet rajonale dhe pavarësia energjitike

Një nxites i rëndësishëm i politikës së jashtme turke është gjithashtu siguria energjitike, e cila në vetvete është e gërshetuar me kërcënime të ndryshme nga rivalët rajonalë. Aktualisht, Rusia dhe Irani plotësojnë 80 përqind të nevojave energjitike të Turqisë. Rivaliteti me të dyja palët e vendos Ankaranë në një pozitë delikate. 

Prandaj, gjatë viteve të fundit ajo ka kërkuar diversifikiminn e furnizimeve me energji dhe ka rritur përpjekjet e saj në eksplorimin e energjisë në ujërat ngjitur, përfshirë Detin Mesdhe. Kjo ka ndikuar direkt në politikën e saj ndaj Libisë.

Kur shpërtheu lufta e dytë civile në Libi në vitin 2014, pasi Haftari tentoi ta bashkonte Libinë në sundimin e tij, Turqia nuk dukej e interesuar të luante ndonjë rol të madh në konfliktin libian. Vëmendja e saj ishte fokusuar në Sirinë fqinje dhe kërcënimet e tjera direkte. Mbështetja e Turqisë për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) me qendër në Tripoli ishte e kufizuar në mbështetje mediatike dhe diplomatike. 

Themelimi i Forumit të Mesdheut Lindor për Gazin (EMGF) nga Egjipti, Greqia, Qiproja, Izraeli, Italia, Jordania dhe Autoriteti Palestinez (PA) në fillim të vitit 2019, e rriti ndjesinë e pasigurisë së Turqisë, pasi ajo u përjashtua nga kjo marrëveshje për transformimin e Mesdheut  Lindor në një qendër kryesore energjie. 

Ishte ky momenti kur Libia u kthye në mundësinë më premtuese për Turqinë për të kundërshtuar përpjekjet për izolimin e saj. Po ashtu, armiqësia në rrijte e Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe e përshpejtoi këtë ndryshim në politikë.

Në nënëtor 2019, qeveria turke firmosi një marrëveshje me GNA-në mbi juridiksionin detar në Mesdhe, e cila ndryshoi thellësisht kufijtë e zonave ekzkluzive ekonomike në lindje të Mesdheut, duke e bërë të qartë kështu qëllimin e Turqisë për të bllokuar çdo projekt për eksportimni e energjisë në Europë pa miratimin e saj. Për rrjedhojë, mbijetesa ndaj GNA-së në Tripoli u kthye në një cështje thelbësore për Turqinë. Kur Haftari iu rikthye ofensivës së tij kundër Tripolit në fillim të këtij viti, Turqia qëndroi pas GNA-së, duke ndryshuar dinamikën e konfliktit libian. 

Rivaliteti rajonal me Emiratet e Bashkuara Arabe, për të cilat Turqia dyshon se kanë qenë të përfshira në përpjekjen për grusht shteti në vitin 2016 dhe se mbështesin YPG-në dhe PKK-në, po ashtu e nxiti atë që të ndërmerrte masa ndaj bllokadës kundër Katarit, i cili është aleati i saj arab kryesor dhe një furnizues me gaz gjithnjë e më i rendësishëm.

Qeveria turke i interpretoi përpjekjet e Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Bahreinit dhe Egjiptit si një përpjekje për të ndryshuar regjimin në Doha – një lloj vazhdimësie e përpjekjes për grusht shteti në Turqi.

Që nga viti 2011, Abu Dhabi, bashkë me aleatin e tij,  Rijadin, është përpjekur të minojë daljen e forcave me prirje islamike në botën arabe, me të cilat Ankaraja ka gjetur një bazë të përbashkët. Në vitin 2013, Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmuan në orkestrimin e grusht-shtetit ushtarak kundër Presidentit egjiptian të zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhamded Mursit. 

Pas dështimit të grushtit të shtetit në Turqi, Emiratet e Bashkuara i kërkuan Arabisë Saudite dhe aleatëve të tjerë rajonalë që të shkonin pas Katarit. Me mbështetjen ndaj Katarit, Turqia në fakt po mbronte vetën dhe po forconte pozicionin e vet përballë rivalëve të saj. Parlamenti turk ratifikoi menjëherë marrëveshjen ushtarake me Dohan. Trupat ushtarake u dërguan në vendin aleat për të parandalaur një aksion të mundshëm ushtarak nga Saudia dhe Emiratet. 

Kësisoj, pas asaj që duket si një politikë e jashtme turke agresive, fshihet një pragmatizëm vetëmbrojtës, e jo një ambicie për të rikthyer lavdinë osmane. Pa dyshim, në shumicën e sipërmarrjeve në projektimin e forcës së saj, dora e Turqisë është forcuar nga rrethana të jashtme, e jo nga qëllime ekspansioniste. E kjo është një ndër pasojat e shumta të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Lindja e Mesme. 

Autori është një akademik dhe shkrimtar sirian. Ai ka një doktoraturë në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Po ashtu, ai është Drejtor i Analizave të Politikave të Jatshme pranë Qendrës Arabe për Kërkime dhe Studime Politike.

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit e nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht politikat editoriale të Observer.al

Observer.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Stay Connected

16,985FansaPëlqeje
564,865NdjekësitNdjek
2,458NdjekësitNdjek
spot_img

Popular

Të ngjashme
Related

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë.

A po rikthehet Islamofobia sot si pas 11 Shatorit?

Si dikur pas 11 shatorit, edhe sot me luftën e Izraelit në Gaza mediat perëndimorë e shfrytëzojnë maskën e çlirimit për të çuar përpara agjendat e tyre koloniale.

Raport: Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia në mbulimin e luftës në Gaza

Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia janë të gjalla dhe po luajnë rol në justifikimin e vrasjeve të dhjetëra mijëra palestinezëve të pafajshëm.
Verified by MonsterInsights