Çështja e integrimit të muslimanëve ka qenë e pranishme në axhendat politike të demokracive europiane prej dekadash. Megjithatë, vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit ka evoluar më speficikisht në një problem që ka të bëjë me integrimin qytetar, i lidhur ngushtë me identitetin fetar. Në vitet 1960 dhe 1970, integrimi socio-ekonomik i emigrantëve me prejardhje muslimane ka qenë në fokusin kryesor të literaturës akademike, por me shfaqjen e brezit të dytë dhe të tretë, ky interesim i zhvendos te mobilizimi politik. Duke filluar me çështjen e Selman Rushdisë në Mbretërinë e Bashkuar, e më pas me çështjen e hixhabit në Francë, që nga viti 1989 e deri tani, reflektorët janë zhvendosur në drejtim të legjimitetit të simboleve islame në hapësirën publike, si kodi i veshjes, minaret dhe ushqimi hallall.
Për pasojë, polemikat në lidhje me dallueshmëtinë e këtyre simboleve janë rritur vazhdimisht. Polemikat nuk kanë të bëjne thjeshtë me një mospërputhje pikëpamjesh, por ka të bëjë me dallimet thelbësore (ose të paktën që përceptohen si të tilla), rreth parimeve dhe normave që rregullojnë jetën e përditshme të individëve që jetojnë në të njejtën kohë. Divergjenca të tilla fundamentale, të cilat çojnë në pozita përjashtuese ose dyzuese, nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë publike.
Islami dhe perceptimi i refuzimit të demokracisë
Për pasojë, mbulesa, xhamitë dhe minaret po shihen vazhdimisht si refuzim i vlerave demokratike perëndimore, apo akoma më keq, si një këcënim i drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit.
Gjatë fushatës së vitit 2016 për ndalimin e minareve në Zvicër, posterat e Komitetit Egerkinger shfaqnin një femër me burkë, e cila qendronte pranë minareve që ngriheshin mbi flamurin zviceran drejt qiellit si raketa (shiko foton lart). Një përceptimi i tillë i Islamit në hapësirën publike ka arritur gjithashtu dhe në Shtetet e Bashkuara me anë të debatit të vazhdueshëm mbi Sharian (Sheritatin), diskutimet mbi radikalizimin islamik në burgje dhe debatin për xhaminë në ground zero në verën e vitit 2010.
Simbolet islame nuk tehuajësohen vetëm në diskursin publik, por kontrollohen edhe kufizohen nëpërmjet procedurave të shumta ligjore dhe administrative në përpjekje për të “civilizuar” apo rregulluar simbolet që ato t’i përshtaten kulturën politike perëndimore. Në Prill të vitit 2011, qeveria franceze imponoi ndalimin e veshjes së nikabit apo burkës, e cila u aprovua me shumicë nga parlamenti francez në vitin 2010. Vende të tjera si Belgjika dhe Hollanda ndoqën hapin e Francës në vitin 2011 dhe 2012.
Listës së gjatë të ndalimit të simboleve islame iu shtua edhe ndalimi i rrethprerjes (bërjes sunet, sh. p.) Në Qershor të vitit 2012, një gjykatës në Kolonjë të Gjermanisë, e ndaloi me ligj rrethprerjen me pretendimin se shkaktonte “dëmtime të paligjshme ndaj trupit”. Ndonëse Kancelarja Gjermane Merkel kishte premtuar se bashkësitë e muslimanëve dhe hebrenjve do të mund të vazhdonin ta praktikonin rrethprerjen, ndërlikimet ligjore të këtij ndalimi mbeten për t’u parë akoma.
Sfida kulturore brenda Islamit
Kjo sfidë kulturore luftohet gjithashtu edhe nga ana e muslimanëve. Selefizmi, një interpretim specifik i Islamit në kundërshtim të plotë me vlerat dhe kulturën perëndimore, mbron praktika të shumta, si veçimin e femrave (nga meshkujt, sh.p) dhe refuzimin e angazhimit civil dhe politik, të cilat shihen si përpjekje për të luftuar papastërtinë e Perëndimit. Kjo rrymë e veçantë e Islamit përbën një nga intepretimet më të dukshme, më të përhapura dhe më të aksesueshme, duke krijuar kështu iluzionin te të dyja palët, muslimanët dhe jo muslimanët, se Selefizmi është Islami i vërtetë.
Me pak fjalë, thelbi i Perëndimit dhe thelbi i Islamit po luftojnë njëri-tjetrin, duke e forcuar kështu njëri-tjetrin. Dikotomia “burka vs bikini”, e përdorur shpesh nga Islamofobët dhe nga muslimanët fundamentalistë e përfshin këtë përshtyphe të mospërputhjes së thellë që ka të bëjë me politikën, mënyrën e jetesës dhe më kryesorja me trupin e femrës.
Nga njëra anë, për shumë europianë, burka simbolizon mohimin e plotë të lirisë dhe barazisë gjinore. Nga ana tjetër, për zërat fetarë fundamentalistë, burka është simboli i dinjitetit të gruas dhe devotshmërisë saj nga vlerave familjare, ndryshe nga bikini që shihet si një objektifikim dhe degradim i trupit të femrës.
Kontraste kaq të forta sigurisht që janë ekstreme, por njëkohësisht ato reflektojnë qasjen “ose kështu ose…”, ku aktualisht ka ngecur një pjesë e mirë e diskursit mbi Islamin. Presidenti gjerman, Joachim Gauck ilustroi në mënyrë të pavetëdijshme versionin e butë të kësaj dikotomie kur tha se muslimanët mund të jetojnë në Gjermani, por ndryshe nga paraardhësi i tij (Christian Wulf), ai nuk mendon se muslimanët mund të jenë pjesë e Gjermanisë.
Mendësi e polarizuar
Një nga pasojat më të mëdha të një mentaliteti të tillë të polarizuar është maskimi i realitetit sociologjik të muslimanëve. Në fakt, ekziston një dalllim i madh ndërmjet imazhit të Islamit në mënyrën si është konstruktuar në diskursin publik të dyzuar dhe realitetit shumë dimensional të muslimanëve nëpër vende dhe zona të ndryshme.
Për shembull, supozimi mbizotërues është se identitetet e dukshme muslimane në Perëndim janë të lidhura reciprokisht me besnikërinë qytetare dhe politike, ndërkohë që ka prova empirike të cilat e hedhin poshtë një pretendim të tillë.
Libri im – “Pse Perëndimi ka frikë nga Islami – Një analizë mbi muslimanët në demokracitë liberale” – paraqet të dhëna të dorës së parë nga grupe të caktuara të organizuara në Paris, Londër, Berlin, Amsterdam dhe Boston, midis viteve 2007 dhe 2010. Në këtë kuptim, kjo është analiza e parë sistematike dhe krahasuese e dijes ekzistuese rreth sjelljeve politike dhe praktikave fetare të muslimanëve në Europën perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara.
Gjetja më e rëndësishme është se pavarësisht faktit se muslimanët sfidohen nga mjedisi shekullar, ata nuk e përjetojnë mospërputshmërinë në atë shkallë sa paraqitet nga debatet e politikanëve perëndimor dhe predikuesit selefij. Po atëherë pse Islami paraqitet si pengesë në diskursin politik dhe në media? Duke marrë në konsideratë këtë hendek intrigues, jam përpjekur t’i jap shpjegim kësaj mospërputhjeje midis asaj që bëjnë muslimanët dhe konstruktit politik të “problemit musliman”.
Gjatë këtij hulumtimi ka rezultuar se liberalizmi dhe shekullarizmi përbëjnë dy idiomat kryesore të përdorura për t’i dhënë kuptim pranisë së muslimanëve.
Kontekstualizimi i Liberalizmit
“Problemi Islamik” në Europë është pasojë e ardhjes së emigrantëve, të cilët, në dy dekadat e fundit janë shprehur në terma kulturorë dhe religjioz. Fakti që muslimanët janë në qendër të tre “problemeve” kryesore sociale – emigrimit; integrimit ekonomik dhe shoqëror; etnisë dhe multikulturalizmit – ka rritur shqetësimet rreth fesë islame, duke e parë atë gjithnjë e më shumë si arsyen kryesore të të gjitha problemeve.
Në librin tim tregoj se në Amerikë ky kulturalizim i të gjitha çështjeve politike të lidhura me muslimanët është më i vonshëm dhe ka të bëjë kryesisht më çështjet e sigurisë. Për këtë arsye, kategoritë “emigrant” dhe “muslimanë” mbivendosen në Europën Perëndimore, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara kur debatet rreth emigrimit janë të përqendruara te ekonomia dhe problemet shoqërore si pagat, asimilimi dhe gjuha.
Rezultati i këtyre zhvendosjeve shoqërore është i dukshëm në kthesen apokaliptike të retorikes publike ndaj Islamit në Europë. Figurat politike të ekstremit të djathtë si Geert Wilders flasin për “dritën që po fiket në Europë” apo për “përpjekjen e Perëndimit për të mbijetuar”.
Do të ishte jo e saktë të mendojmë se konflikti ndërmjet Islamit dhe Perëndimit ndodh vetëm në kufijtë e shoqërive Europiane. Cezari thotë: “Në fakt, shumë studime dhe diskurse politike tregojnë se përceptimi i Islamit si rrezik ndaj vlerave themelore politike të Perëndimit është i përhapur te kombe dhe aleanca politike.”
Aleanca e Liberalizmit me Feminizmin
Në fakt, kjo luftë ekzistenciale mund të përkufizohet si një liberalizëm bazuar në vlera, i cili e vendos veten kundër pranimit të diversitetit religjioz dhe kulturor. Kryeministri britanik, David Cameron deklaroi në Shkurt të vitit 2011, gjatë Konferencës Vjetore të Liderëve Botërorë mbi Sigurinë të mbajtur në Munih: “Sinqerisht, ne kemi nevojë për më pak tolerancë pasive të këtyre viteve të fundit, e më shumë liberalizëm aktiv, me muskuj.”
Është e rëndësishme të theksohet se historikisht libearlizmi politik në demokracitë perëndimore nuk ka qenë domosdoshmërisht i papërputhshëm me pranimin e pluralizmit. Duke u bazuar në parimin e tolerancës, tradicionalisht pritet që Shteti Liberal t’u sigurojë barazi qytetarëve me prejardhjeve të ndryshme fetare dhe kulturore.
Në kontrast, diskursi i liberalizmit të ri e shikon njohjen e të drejtave të minoriteteve si kërcënim për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e femrave, të cilat shihen si vlerat themelore të komuniteteve kombëtare. Prandaj, liberalizmi mbron idenë për një integrim të ashpër kulturor të të ardhurve rishtaz. Për pasojë, ka krijuar një zhvendosje politike të madhe në vende të cilat zakonisht janë karakterizuar nga multikulturalizmi, siç është Hollanda apo Mbretëria e Bashkuar. Për shembull, projekti multikulturor i “diversitetit kultutor në kontekstin e tolerancës reciproke” i Sekretarit të Brendshëm laburist Roy Jenkins i vitit 1966, tani kritikohet ashpër. Në fakt, konsensusi i ri politik i jep përparësi asimilimit të ashpër kulturor ndaj vlerave britanike kundrejt atyre të minoriteteve.
Shënjuesi i identitetit europian
Ky “diskurs i ri integrues” është mjaft i përhapur në vendet europiane dhe, çuditërisht, promovohet nga ish-aktivistë të majtë. Barazia gjinore dhe refuzimi i autoritetit fetar, të cilat kanë qenë tema parësore të përpjekjeve të majtistëve në vitet 1960, janë bërë në dekadën e fundit shënjuesit legjitim të identitetit europian. Në këto rrethana, grupeve dhe individëve u kërkohet të dëshmojnë se i përmbahen këtyre vlerave liberale, në mënyrë që të mund të konsiderohen anëtarë legjitim të komuniteteve kombëtare. Etiketimi “musliman i moderuar” i shërben këtij qellimi. Kjo krijon një dallim, i cili me gjasa nuk është i bazuar në Islam si i tillë, por bazohet në aderimin e muslimanëve në vlerat liberale.
Çuditërisht, grupet feministe janë shndërruar në aktoret kryesore të këtij diskursi. Disa figura feministe kanë qenë veçanërisht të zëshme kundër disa grupeve të të drejtave të njeriut dhe kundër çdo parimi islamik që do të mund të cënonte barazinë gjinore. Mjaft interesant është fakti se ky diskurs feminist lë në heshtje gratë muslimane të cilat pretendon t’i mbrojë. Për pasojë, femrat muslimane shndërrohen në vartëse, ngjashëm me vizionin kolonialist dhe postkolonialist të subjektit musliman.
Ky diskurs i ri integracionist shkon krah për krah me politikat aktive shtetërore për të transformuar sjelljet dhe identitetet e qytetarëve muslimanë. Për shembull, prodhimi i subjektit musliman të drejtuar nga shteti me identitetin moral korrekt reflektohet në shumë politika: në testet vlerësuese dhe betimet për besnikëri të atyre që duan të jenë emigrantë apo qytetarë; në rekrutimin e “muslimanëvë të moderuar” si shembuj dhe liderë të komuniteteve të sponsorizuara nga shteti; kufizime formale dhe joformale të parktikave islame të konsideruara si ekstremiste ose joliberale.
Të gjitha këto politika mund të përmblidhen si përpjekje për të civilizuar “armikun”. Një projekt i tillë nuk është thjeshtë një fjalë goje, por përkthehet në kufizime të mirëmenduara a të padukshme ndaj praktikake kulturore dhe shoqërore muslimane.
Interesant është fakti se shumë muslimanë të cilët i kemi intervistuar thonë se janë tashmë të “qytetëruar” dhe se përpiqen të gjejnë gjëra të përbashkëta me grupin mbizotërues.
Të jesh musliman dhe qytetar
Një nga gjetjet tona më domethënëse është natyra jo antagoniste e të qënit musliman dhe qytetar. Ndërkohë që është pikërisht kjo dikotomi që i vë muslimanët në një farë konflikti me pritshmeritë e shumë shoqërive europiane. Analizat tona tregojnë se muslimanët nuk shohin ndonjë mospërputhshmëri ndërmjet të qënit musliman dhe qytetar.
Në qendër të ndryshimit europian është zona gri e legjitimitetit shoqëror të fesë, e cila është eliminuar krejtësisht nga pjesa më e madhe e diskursit dhe e vlerave kombëtare.
Me pak fjalë, për të arritur një integrimi simbolik të muslimanëve në komunitetet kombëtare do të duhet një ndryshim dramatik i narratives aktuale liberale dhe shekullariste. Duket një punë e vështirë, por mund të arrihet.
Më 10 Mars 2011, dëgjesa e Komisionit të Kongresit [amerikan] mbi Radikalizimin e Muslimanëve Amerikanë i ofroi një platformë të paktën dy individëve, duke ua mundësuar që t’i fusnin musilmanët në narrativën amerikane. Gjatë dëshmisë së tij, kongresmeni Keith Ellison, muslimani i parë i zgjedhur për në Kongres, me lot në sy rrëfeu historinë e Salman Ahmadit, një infermier musliman dhe një kadet i policisë së New York-ut, i vrarë gjatë përpjekjes për të ndihmuar një bashkëqytetas njujorkez më 11 Shtator. Përveç kësaj, Kongresmeni Brian Higgins, katolik, pohoi se tradita amerikane është “kristiano-judeo-islame,” jo vetëm “judeo-kristiane”.
Kjo mund të ngjajë me fjalë boshe, por mund të jetë edhe nje shenjë treguese se si mund të përdoren referencat historike për ta arritur një integrim simbolik e për të kundërshtuar narrativën dominante që përpiqet ta paraqesë Islamin si një fe të huaj.