Nga Marvan Bishara
Fashizmi ka qenë në mendjen e miqve dhe armiqve të Izraelit që kur “Shteti Hebre” mbajti zgjedhjet e fundit dhe kur ish-kryeministri i tij Benjamin Netanyahu filloi negociatat për të formuar një koalicion të ri. Janë shtuar paralajmërimet se Izraeli “po shkon drejt një teokracie fashiste” ose “një farë ecjeje në gjumë drejt fashizmit hebre”.
Por të gjitha këto paralajmërime duket se kanë rënë në vesh të shurdhër, pasi Netanyahu po harton rrugën e kthimit në postin e kryeministrit në koalicion me partitë fashiste në Izrael. Ai ka hedhur poshtë shqetësimet për shkatërrimin e mundshëm të demokracisë izraelite dhe përkeqësimin e reputacionit të tij në Perëndim, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur se kur bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit hebre, është ai, pra Netanyahu, që do të ketë fjalën e fundit – si në Izrael ashtu dhe në Amerikë.
Kjo ndoshta është e vërtetë. Por nuk është qetësuese. Është katastrofike.
Uashingtoni deri më tani ka qenë mjaft i heshtur, ndonëse disa hebrenjë të shquar amerikanë kanë folur kundër kërcënimit fashist që doli nga kutitë e votimit në Izrael. Në vend që t’i adresonte drejtpërdrejt shqetësimet, administrata e Bidenit sugjeroi në mënyrë të pa aftë se do ta gjykonte qeverinë e ardhshme të Netanyahut “bazuar në politikat e saj, jo në personalitetet”.
Nëse Trumpi ishte i pamatur, Bideni është bashkëpunëtor. Sa i përket regjimeve arabe që e uruan Netanyahun për fitoren e tij, nuk arrij të gjej një fjalë të përshtatshme për ta.
Por të jeni të bindur se, problemi i fashizmit në Izrael ka të bëjë më pak me partitë ekstremiste që do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme dhe më shumë me mundësitë e tyre – me Netanyahun dhe partinë e tij shoviniste Likud, e cila përpiqet prej kohësh për një shtet hebre që të dominojë të dyja anët e Lumit Jordan.
Në monstruozitetin e tij autobiografik, “Bibi, My Story”, që është pjesë e vetëlavdërimit, pjesërisht propagandë e pjesërisht manifest fashist, Netanyahu i kushton një kapitull babait të tij të ndjerë, Benzionit. Ai krenohet me të kaluarën e tij si redaktor i një publikimi të quajtur me vend Hayarden (Jordani), dhe si një zë udhëheqës në lëvizjen militante revizioniste që këmbëngulte në të drejtën e hebrenjve për sovranitet mbi të gjithë Palestinën historike. Luftëtarët revizionistë, të cilët më pas themeluan paraardhësin e Likud-it, Herutin, ishin famëkeq për operacionet e tyre terroriste para dhe gjatë luftës për pavarësi të vitit 1948.
Atë vit, një sërë zërash kryesorë hebrenjë, duke përfshirë Albert Einstein, Hannah Arendt dhe të tjerë, në një deklaratë publike të botuar në gazetën New York Times e përshkruan Partinë Herut si një “parti politike shumë të ngjashme me partitë naziste dhe fashiste në organizimin, metodat, filozofinë politike dhe thirrjet e saj sociale”.
Bëmë baba të të ngjaj. Siç u predikua nga guruja revizionist i babait të tij, Vladimir Jabotinsky, në esenë e tij famëkeqe të vitit 1923, Muri i Hekurt, edhe Netanyahu beson se Sionizmi duhet të përdorë forcën ushtarake për të bindur arabët palestinezë që të heqin dorë nga të drejtat ndaj atdheut të tyre.
Netanyahu hyri në politikë me këtë bindje dhe dalëngadalë u bë babai i fashizmit modern izraelit. Ai filloi duke demonizuar kryeministrin e atëhershëm Yizhak Rabin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes së Oslos, si dhe i hapi rrugën vrasjes së tij nga një fanatik hebre. Pasi u bë kryeministër në vitin 1996, ai filloi të kujdeset për një brez të ri udhëheqësish fashistë dhe racistë. Njerëz si Avigdor Lieberman, Gideon Sa’ar, Naftali Bennett dhe Ayelet Shaked, të gjithë u rritën nën krahët e tij në partinë Likud dhe vazhduan të formojnë dhe të udhëheqin partitë e tyre të ekstremit të djathtë.
Përpara zgjedhjeve të fundit, Netanyahu gjithashtu u bë kumbari i një marrëdhënieje të re midis partive fashisto-fetare Otzma Yehudit dhe Sionizmit Fetar, duke ftuar liderët e tyre, Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, në shtëpinë e familjes së tij për të ndihmuar personalisht në kapërcimin e dallimeve midis tyre. Netanyahu donte t’i bashkonte ata në një listë elektorale në mënyrë që të mund të hynin në parlament dhe ta ndihmonin atë që të kthehej në zyrën e kryeministrit.
Dhe ia doli. Në mënyrë spektakolare.
Ndonëse sondazhet kishin parashikuar se të dyja partitë nuk do të arrinin pragun e nevojshëm për të hyrë në Knesset individualisht, të bashkuara ato fituan 11 për qind të votave dhe 14 vende parlamentare në Knesset nga 120 vende. Më keq akoma, Ben Gvir, i cili është si një Netanyahu me steroide, ka ecur veçanërisht mirë mes të rinjve izraelitë.
Netanyahu ka kultivuar gjithashtu marrëdhënie të ngushta me dy partitë kryesore ultra-fetare izraelite– ultra është fjala operative – Shas dhe Judaizmi i Torës së Bashkuar, të cilat kërkojnë autoritet mbi çështjet fetare, arsimore dhe sociale në shtetin hebre. Tani, ata do të marrin gjithçka që kanë dashur gjithmonë, e madje edhe më tepër.
Në këmbim, partnerët e tij të rinj ekstremistë kanë rënë dakord të përdorin shumicën e tyre parlamentare për të kufizuar rolin e drejtësisë dhe për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së gjykatës supreme mbi Knesset-in. Kjo jo vetëm që do t’i japë mundësi Netanyahut që të forcojë kontrollin e tij mbi vendin, por gjithashtu do ta lejojë atë t’i shpëtojë përgjegjësisë ligjore pas akuzës për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Këto parti tashmë kanë përdorur shumicën e tyre në Knesset për t’i hapur rrugën kreut të partisë Shas, Aryeh Deri, për t’u bërë ministër, pavarësisht dënimit për ryshfet dhe evazion fiskal.
Duke lënë mënjanë korrupsionin, fanatikët e ekstremit të djathtë në Izrael përcaktohen nga disa karakteristika themelore fashiste, si besimi në një komb dhe traditë hyjnore e historike që është superiore ndaj çdo nocioni të demokracisë dhe qytetarisë moderne; një ndjenjë e theksuar zemërimi dhe viktimizimi; tendencat militariste; dhe adhurimine kultit me një medaljon të artë të besnikërisë ndaj Netanyahut.
Ata janë gjithashtu të shtyrë nga një racizëm i deklaruar ndaj palestinezëve, të cilët i shohin si të futur në tokën e tyre të premtuar. Sigurisht, qeveria e re e udhëhequr nga Netanyahu kundërshton me forcë krijimin e një shteti palestinez, mbështet zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme hebreje në territoret e pushtuara palestineze, përpiqet të aneksojë pjesë të saj, në mos të gjithë Bregun Perëndimor, dhe mohon barazinë për pakicën vendase palestineze në shtetin hebre. Ajo do të kërkojë që palestinezët të pranojnë humbjen e tyre historike dhe të njohin pronësinë ekskluzive të hebrenjve të vendit në mënyrë që të jetojnë në paqe.
Pjesa më e madhe e kësaj u parashikua nga profesori i ndjerë Zeev Sternhell, një i mbijetuar i Holokaustit dhe autoriteti kryesor i Izraelit mbi fashizmin, i cili shpjegoi në esenë e tij të vitit 2018 me titull “Në Izrael, fashizmi në rritje dhe një racizëm i ngjashëm me nazizmin e hershëm” se këta fashistë “nuk dëshirojnë të dëmtojnë fizikisht palestinezët. Ata dëshirojnë vetëm t’i privojnë nga të drejtat e tyre themelore njerëzore, siç është vetëqeverisja në shtetin e tyre dhe liria nga shtypja.” Megjithëse emërimi i sadistit Ben Gvir si ministër i Sigurisë Kombëtare ka të bëjë me dëshirën për dëmtim fizik të palestinezëve.
Shkurtimisht, ata që akoma dyshojnë se fashizmi është një rrezik i afërt për Izraelin, nuk po i kushtojnë vëmendje mënyrës sesi forcat e tij shoviniste të bashkuara po planifikojnë të shkatërrojnë gjithçka që ka mbetur nga institucionet liberale të Izraelit në mënyrë që ta kthejnë shtetin hebre në një teokraci të plotë fashiste.
Nuk është koha për relaks.
Burimi: Al Jazeera. Solli në shqip Observer.al
Marwan Bishara është autor që shkruan gjerësisht mbi politikën globale dhe konsiderohet gjerësisht si një autoritet kryesor në politikën e jashtme të SHBA-ve, Lindjen e Mesme dhe çështjet strategjike ndërkombëtare. Më parë ka qenë profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan të Parisit.