Verë e nxehtë në Kosovë këtë vit. Jo vetëm nga temperaturat larta, por sidomos nga debati i nxehtë i përvitshëm në lidhje me mbartjen e shamisë nëpër shkolla.
Çfarë po ndodh konkretisht?
Në rrjetet sociale ka filluar nisma vullnetare nga aktivisti Liridon Kurti dhe juristi Durim Berisha, nën moton “Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për shaminë” (nën hashtagun #ndryshojeni_ua_përshaminë). Nisma ka për qëllim që të ndryshohet neni i udhëzimit administrativ, i cili ua ndalon vajzave me hixhab të vijojnë procesin mësimor.
Të dy nismëtarët e fushatës i kanë drejtuar Ministrisë së Arsimit një kërkesë për anullim e nenit në fjalë. Ata i kanë dhënë 45 ditë kohë afat për këtë anullim.
Fushata ka marrë përmasa të mëdha duke gjetur mijëra mbështetës ndër to edhe personalitete të njohura si politikanë dhe hoxhallarë.
Ndër to, edhe Besa Ismaili. Ajo u shpreh: “Të drejtat e Njeriut janë universale, të pandashme, të ndërvarura dhe të padebatueshme! Mendimi se liria e besimit dhe barazia gjinore janë norma të të drejtave të njeriut që kundërshtojnë njëra tjetrën është i gabuar. Në Kosovë janë bërë shumë padrejtësi. Viktimat kanë qenë vajzat. Vetëm vajzat. Mos gjej arsyetim për të vazhduar me diskriminimin e vajzave! Nuk ka arsyetim! Respekto Kushtetutën e Republikës së Kosovës!”
Hoxha Enis Rama, kryetari i Bashkësisë Islame të Mitrovicës, gjatë hutbesë së xhumasë së kaluar në xhaminë “Isa Beg” në Mitrovicë, falenderoi të rinjtë që nisën këtë fushatë. Ai tha se kjo fushatë përkrahet edhe nga BIK (Bashkia Islame e Kosovës). “Shamia është një e drejtë e motrave tona që e kanë zgjedhur, mirëpo padrejtësisht me një udhëzim iu është ndaluar vijimi i mësimit”, tha ai gjatë hutbes.
Ndërsa hoxha Shefqet Krasniqi në profilin e tij në rrjetet sociale ka shpërndarë hashtagun e fushatës duke e shoqëruar me postimin: “Ne kemi ngritur zërin që nga paslufta në vazhdimësi rreth kësaj çështje ashtu edhe siç kemi përkrahur të gjitha iniciativat rreth kësaj kërkese e sigurisht se e përkrahim edhe këtë iniciativë.”
Po ashtu, Bashkësia Islame e Kosovës, i ka dërguar një letër Qeverisë së Kosovës ku i ka kërkuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ.
Burrat përkrahin gratë…
Edhe pse ndoshta është thuajse nga të parat, apo të rrallat herë ku një nismë e tillë ndërmerret nga burra, dhe jo nga vetë gratë muslimane, në një realitet ndryshe një vendim i tillë do kishte qenë për t’u lavdëruar. Por meqë jetojmë në një realitet islamofob, ku llogjikës i është falur xhenazja për një gjobë të majme të cilës nuk i dihet shuma, por burimi mund të parashikohet lehtësisht.
“U kënaqën burrat duke bërë fushatë për t’i mbuluar gratë!”, paskësh thënë një gazetar të cilit i shkruan dora para mendjes, në rast se e ka një të tillë. Por akuza të tilla janë të dështuara që në ngjizje, pasi fushata nuk është për të mbuluar gratë por për të lejuar që të arsimohen. Se helbete pastaj do thonë: ja gratë muslimane të pashkolluara, të paarsimuara, injorante dhe të paintegruara!