Thursday, November 21, 2024

Një vështrim alternativ i kuptimit të terrorizmit dhe shkaktarëve të tij

“Duke perdorur akuzën përgjithësuese të “terrorizmit”, janë zhdukur mijëra njerëz në shumë vende të Botës së Tretë, për fatin e të cilëve nuk u mor vesh më kurrë.”

Nga Antonella Randazzo

Termi “terrorizëm” është shpikur në shekullin e 19-të, dhe është përdorur për kolonitë indigjene të cilat kundërshtonin dhe donin t’i rezistonin dhunës dhe pushtimit të fuqive europiane në Afrikë dhe Azi. Oligarkitë europiane, për të patur fuqinë absolute në territoret e kolonizuara, përpunuan një projekt për të shfarosur popullsinë indigjene e cila refuzonte të nënshtrohej. Të gjithë ata që kërkonin të çlironin vendin nga babëzitë koloniale konsideroheshin “terroristë”, ose “rebelë të rrezikshëm”, dhe përderisa ishin të panevojshëm ose të dëmshëm për projektin perandorak duheshin vrarë. Autoritetet gjermane vendosën të eliminonin popullsine herere në momentin që kuptuan se ato nuk pranonin të shfrytëzoheshin nga gjermanët. Gjenerali Lothar von Trotha, përgjegjës për këtë genocid, të kryer gjatë viteve 1904 dhe 1907, shkruan: “Unë besoj se ky komb (Hererové) duhen eliminuar, ose, nëse kjo nuk është e mundur me masat e marra, duhet të dëbohen nga vendi me mjete të posaçme dhe me një trajtim të mëtejshëm specifik… Ushtrimi i dhunës do ta shkatërrojë terrorizmin, edhe pse është e tmerrshme, kjo, ka qenë dhe do të mbetet zgjidhja ime. I shkatërroj fiset afrikane me lumenj gjaku dhe parash. Vetëm me anë të këtij spastrimi mund të bëhet diçka që do të zgjasë në kohë.”

“Rastet e shfarosjes së popullatave të quajtura “terroriste” për faktin se nuk pranonin të nënshtroheshin kolonizuesve janë të shumta.”

Krimet kundër hererové u kryen edhe për të treguar fuqinë e perandorisë gjermane e cila vendoste për jetën a vdekjen e njerëzve. Një relacion i shtetit të madh gjerman thotë: “Von Trotha e kuptoi që kryengritja nënkuptonte një luftë racash që do të sfidonte të gjitha fuqitë kolonizuese në Afrikë. Çdo lëshim nga ana e gjermanëve do të përforconte idenë e lëvizjes etiope se Afrika i përket vetëm afrikanëve. Lufta duhet të vazhdojë përderisa ekziston rreziku i një rezistenze tjetër të Hererove.”[2] Forcat angleze, franceze, belge, italiane, portugeze dhe spanjolle, ashtu si forcat gjermane, e quanin “terrorriste” popullatën indigjene e cila nuk pranonte të nënshtrohej, duke ndërtuar kampe përqendrimi dhe duke i lënë të vuanin nga uria. Gjithashtu, përdorën fuqinë ekonomike të cilën e kishin përfituar nga grabitja e pasurive dhe tokave indigjene. Ata vendosën çfarë të kultivonin në tokën afrikane dhe duke mos i lejuar indigjenët të përdornin pasuritë e vendit të tyre detyruan të vdisnin nga uria miliona njerëz, e njëjta gjë që ndodh edhe sot.

Rastet e shfarosjes së popullatave të quajtura “terroriste” për faktin se nuk pranonin të nënshtroheshin kolonizuesve janë të shumta. P.sh. në vitin 1953 pasoi një kryengritje e fisit Kikuju (Mau Mau) në Kenia, e cila kërkonte të rimerrte tokat e të parëve të tyre. Kenia lindi si një protektorat anglez dhe në 1920-ën, në vijim të një emigrazioni masiv anglez në tokat më pjellore (White Highlands), u quajt Kolonia e Kenias. Kolonizatorët anglezë u zhvatën vendasve tokat bujqësore duke e varfëruar popullsinë. Të dëbuar nga tokat e tyre, banorët e fisit Mau Mau, u detyruan të jetojnë në rezervate, duke u kthyer në punëtorë krahu me një kosto shumë të ulët për kolonët anglezë. Fisi Kikuju, vendosi të luftonte në mënyrë paqësore për të rimarrë të paktën një pjesë të tokave te tyre dhe për të patur një pavarësi të mundshme. Reagimi i anglezëve ishte i egër. Pa u dhënë mundësi për një marrëveshje, autoritetet angleze i quajtën menjëherë “terroristë” Mau Maut dhe filluan një propagandë masive kundër tyre si dhe përgatitën një luftim të  egër.

E ashtuquajtura “luftë  kundër terrorizmit” ishte  e një egërsie të paparë ku pati tortura, përdhunime të çdo lloji si dhe masakrim me armë të ndryshme dhe me zhvendosjen e njerëzve në kampe përqendrimi. Fisi Mau Mau u përshkruan si terroristë të rrezikshëm nga shërbimet sekrete angleze. Për shembull, në një raport të dhjetorit të vitit 1954, thuhet:
“Javët e fundit të nëntorit kanë qenë më të mirat si për humbjen që i shkaktuam Mau Mauve, si për humbjet që patëm, armët e sekuestruara, për kundërshtarët që u dorëzuan dhe për vjedhjet e Mau Mauve që janë pakësuar. Në dhjetor nuk ka patur zhvillime të rëndësishme për t’u kujtuar. Bandat janë tërhequr nëpër pyje dhe një prej tyre është sulmuar me sukses në një lartësi prej 10.000 këmbësh në moçalet e malit Kenja. Një helikopter i RAF-it ka operuar në këto lartësi ku deri tani mendohej se ishte e pamundur që ky mjet të ngjitej. Nga fillimi i vitit deri më 30 nëntor 4460 terroristë janë vrarë nga Forcat e Sigurisë dhe 524 janë dënuar pas procesit.” [3]

Në të vërtetë ishin Mau Maut ata që ishin vazhdimisht të terrorizuar nga anglezët dhe mijëra prej tyre, përfshirë gra dhe fëmijë, u mbyllën nëpër kampe përqendrimi dhe u torturuan me elektroshokë. [4]. Për t’i terrorizuar sa më shumë, autoritetet angleze rekrutuan diktatorin e tmerrshëm Idi Amin i cili kreu ndaj fisit Mau Mau një sërë torturash të panumërta, persekutime dhe ekzekutime edhe ndaj grave dhe fëmijëve. Për këto bëma, që u konsideruan si “heroike “, Amini u lavdërua dhe iu dha titulli “Sir” që ishte grada më e lartë që mund të merrte një ushtar indigjen.

Studiuesja Caroline Elkin, në veprën “Kampi Britanik”, [5], denoncon krimet e tmerrshme që anglezët kanë kryer në fshatrat e fisit Kikuju si dhe në kampet e përqendrimit të ngritur për të shtypur qëndresën e Mau Mauve. Nga dëshmitë e të paktën 300 të mbijetuarve, del në pah një tablo e llahtarshme varjesh, rrahjesh çnjerëzore, torturash, përdhunimesh kolektive dhe dhune për të terrorizuar fshatarët.  Bilanci i “kampeve britanike” cilësohet më i lartë se 100.000 të vdekur. Ushtarët anglezë paguheshin 5 shilinga (afërsisht 7 euro) për çdo Kikuju të vrarë, dhe shpesh copa trupash të copëtuara gozhdoheshin nëpër rrugë si shembull për të tjerët.

Studiuesja Elkin sjell dëshmi rrëqethëse: “Na quanin Mau Maut e mallkuar dhe na thonin se meritonim të vdisnim të gjithë.”[6] Për t’i bërë sa më të dhunshëm ushtarët anglezë ndaj fisit Kikuju, atyre u thuhej se Kikujut ishin kanibalë të egër dhe se nëse nuk i vrisnin ata do t’i hanin. Studiuesja sjell edhe fakte të tjera po aq të tmerrshme: “Tani jam e bindur se në përfundim të periudhës koloniale në Kenia, ka patur një fushatë gjakderdhjeje për të shfarosur popullsinë e Kikujut, një fushatë e cila pati me mijëra, ndoshta edhe qindra mijëra të vdekur… Për shumë të bardhë në Kenjia  […] Mau Maut nuk i përkisnin racës njerëzore; ishin thjesht kafshë të pista dhe të sëmura të cilat mund të semurnin kolonizuesit, prania e të cilëve ishte rrezik për shkatërrimin e qytetërimit Kenian. Duheshin eliminuar.”[7]

Gjatë luftës, çdo banor i Kikujut konsiderohej i dyshuar, edhe gratë, fëmijët dhe të vjetrit, dhe shumë prej tyre iu nënshtruan marrjes në pyetje ose “screening”, fjalë kjo që edhe sot të mbijetuarit e kanë tmerr ta thonë. Gjatë marrjes në pyetje torturoheshin dhe shpesh vriteshin. Këto pyetësorë kishin për qëllim krijimin e një situate terrorizuese si dhe për të marrë informata për luftëtarët Mau Mau. Të gjithë personat e dyshuar torturoheshin, dhunoheshin, digjeshin, rriteshin, detyroheshin të hanin jashtëqitje ose të pinin urinë, tredheshin etj. Gratë perdhunoheshin me sende të ndryshme, gjarpërinj ose me shishe birre të thyera. Propaganda angleze pretendonte se kampet kishin për qëllim “rehabilitimin” por në të vërtetë qëllimi kryesor ishte shfarosja.

Autoritetet angleze përveçse pretendonin diçka të rreme u munduan edhe të eliminonin çdo gjurmë të krimeve të kryera prej tyre, siç dhe dëshmon John Nottingham, një funksionar anglez në Kenia: “Qeveria britanike, në prag të dekolonizimit, ka shkatërruar një pjesë të madhe të dokumenteve që kishin të bënin me kampet dhe me fshatrat e rrethuara. Edhe unë, si komisioner i qarkut të Nierit, mora urdhër për të zhdukur të gjitha dokumentet që kishin të bënin me fisin Mau Mau, dhe kisha dijeni se edhe funksionarë të tjerë kishin marrë urdhra të ngjashëm dhe ishin bindur.” [8] Gjatë luftës në Kikuju, gazetat angleze përhapnin lajme që i përshkruanin Mau Maut si njerëz të egër dhe gjakpirës të cilët masakronin anglezët. Ato mjaftoheshin me “barbaritë” e Kikujuve dhe asnjë fjalë nuk thuhej për krimet e anglezëve, ashtu siç ndodh edhe sot gjatë luftërave të shkaktuara nga autoritetet anglo-amerikane.

Luftëtarët Mau Mau ishin rreth 15.000 dhe fshiheshin nëpër pyjet afër malit Kenia dhe Aberdareve. Në fund të vitit 1955 lëvizja e Mau Mauve u mund, 13.500 luftëtarë u vranë ndërsa nga anglezët u vranë rreth 100 vetë. Nëpër kampe, gjatë torturave dhe nga ekzekutime të ndryshme vdiqën të paktën 90.000 civilë Kikuju. Në fund të luftës guvernatori e justifikoi kështu masakrën kundër Mau Mauve: “Objektivi ynë është të civilizojmë një popullsi kaq të madhe të cilët jetojnë në një gjendje primitive si morale ashtu dhe sociale.” [9]

“Mediat perëndimore na bëjnë të besojmë se ekziston një armik i perëndimit, i identifikuar si “luftëtar ekstremist islamik” ose thënë ndryshe “terrorist”.”

Autoritetet britanike kishin një ndjenjë të fortë superioriteti e cila i bënte të mendonin se kishin të drejtë të kryenin çdo lloj padrejtësie kundër atyre që i quanin “terroristë”. Qeveritë angleze nuk kanë pranuar asnjëherë krimet e bëra dhe nuk kanë kërkuar asnjëherë falje, përkundrazi janë munduar ta fshehin të vërtetën ose të justifikohen. Edhe në kohët e sotme ata mendojnë se kanë të drejtë të vrasin të gjithë ata që i kundërvihen pushtimit të tyre.  Edhe sot termi “terrorist” përdoret nga anglo-amerikanët me të njëjtin mendim të periudhës kolonizuese, edhe nëse propagandohet me një tjetër kuptim, qëllimi është që të fshihet strategjia e pushtimit kolonizues.

Mediat perëndimore na bëjnë të besojmë se ekziston një armik i perëndimit, i identifikuar si “luftëtar ekstremist islamik” ose thënë ndryshe “terrorist”. Në të vërtetë grupet terroriste ekstremiste janë formuar, stërvitur dhe financuar nga të njëjtat autoritete anglo-amerikane me qëllimin e vetëm për të fajësuar kundërshtarët, për të shtypur kryengritjet dhe për të justifikuar çdo lloj lufte.

Që nga fillimi i kolonizimeve të  frikësoje dhe të terrorizoje popujt e nënshtruar ishte një metodë e vlefshme pushtimi. Për shembull, Winston Churchill e cilësonte si të nevojshme përdorimin e gazrave helmuese kundër indigjenëve të kolonizuar, kjo metodë “do shfaroste një terror të paparë”. Ai e dinte se një popull i frikësuar, nënshtrohet lehtë ose është shumë i dobët për të përballuar luftën kundër pushtuesit. Grupet terroriste që përdoren sot nga elita sunduese, stërviten dhe financohen nga shërbimet sekrete amerikane, europiane dhe izraelite. Për shembull, në Algjeri, nga viti 1994 deri më 1996, ndodhën shumë atentate terroriste të organizuara nga Grupi i Forcave Islamike (GFI) dhe nga Lëvizja e Armatosur Islamike (LAI), të cilët konsideroheshin si pjesë e Al Kaedës dhe e armiqve të Perëndimit, por që në të vërtetë kontrolloheshin dhe paguheshin nga CIA dhe nga të tjera shërbime sekrete perëndimore. Kreu i GFI’së ishte Sid Mourad, një agjent i stërvitur i CIA’s gjatë luftimeve afgane kundër Rusisë. Autoritetet amerikane, me mbështetjen e autoriteteve europiane, duke përdorur [të ashtuquajturin sh. red.] fondamendalizmin islamik,  terrorizonin popullsinë afgane, për ta detyruar të pranonin pushtimin kolonial i cili shikonte pasuritë e vendit në duart e korporatave të huaja.

Gjatë viteve ’90, gazetat franceze si Le Figaro dhe Le Parisien, zbuluan lidhjet mes terroristeve të GFI’së dhe qeverive të Parisit dhe Londrës. Le Figaro shkruante: “Gjurmët e Boualem Bensaid na shpien në Britaninë e Madhe. Kryeqyteti britanik ka qenë bazë logjistike dhe financuese për terroristët.” [10] Në vitin 1991, në Algjeri, si pasojë e anulimit të zgjedhjeve dhe arrestimit të krerëve të Frontit Islamik të Shpëtimit (FISH), nga autoritetet perëndimore u vendos një qeveri kukull për t’i bërë të mundur korporatave perëndimore zotërimin e pasurive vendore. Për të nënshtruar popullatën organizoheshin veprime të ndryshme kriminale, për shembull, disa elementëtë të grupeve terroriste të cilët njiheshin si “fondamentalistë islamikë”, hynin nëpër shtëpitë e banorëve të veshur si muxhahedinë duke kërkuar mbrojtje por kush i ndihmonte vritej. Një ish-agjent algjerian në 1998 thotë: “Ushtria është përgjegjëse për të gjitha vrasjet, jo ushtarët e thjeshtë, por një njësi e veçantë nën urdhrat e gjeneralëve. Ja vlen të themi se po privatizojnë tokat dhe tokat janë shumë të rëndësishme. Duhet të largohen njerëzit nga tokat e tyre për t’i blerë me nje çmim të ulët si dhe duhen masa terrorizuese për të qeverisur popullin algjerian si dhe për të qëndruar në pushtet. Sipas një proverbi kinez, një pamje vlen sa njëmijë fjalë. Nuk mundem të shoh pamjen e një vajze me fytin e çarë. Nuk mund të mbaj përbrenda atë që kam parë. Kam vetë fëmijë, mundohuni të mendoni se sa ka vuajtur ajo vajzë, minutat e fundit të jetës së saj do të kenë qenë të tmerrshme. Unë mendoj se e kemi për detyrë të flasim për çfarë ka ndodhur. Unë flas sot me shpresën se edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë që të gjitha këto vrasje të marrin fund.[11]

Gjatë viteve 1993 deri në vitin 2000 janë vrarë të paktën 30.000 algjerianë dhe mbi 10.000 janë plagosur. Grupet terroriste të stërvitura nga CIA bashkëpunonin me qeverinë kukull e cila merrte para dhe armë nga perëndimi. Mes të masakruarve kishte edhe klerikë, kundërshtarë dhe qytetarë të thjeshtë.

Ngjarje të ngjashme ndodhin në të gjitha vendet të cilat janë nën kontrollin e perëndimit siç është Turqia, Egjipti, Tajlanda, Birmania, Indonezia, Pakistani etj.

Nga ajo që fare mirë kuptohet është se me “terrorizëm” akuzohen padrejtësisht popujt të cilët nuk pranojnë të ulin kokën para pushtimit perëndimor, ndërsa Al Kaeda dhe shumë grupime vërtet terroriste i kanë rrënjët në Washington dhe punojnë për të terrorizuar popullsinë dhe për të vrarë kundërshtarët. Edhe ekstremizmi fetar përdoret në shumë vende për të krijuar pasivitet në popullsi. Studiuesi André Prenant shpjegon se si përdoren grupet terroriste kundër popullsisë. Shkatërrimet dhe masakrat e terrorizmit islamik  (janë të manipuluara) nga mbështetës të regjimit, të neoliberalizimit, të borgjezisë algjeriane si dhe të multinacionaleve me prona të paluajtshme nëpër kryeqytetet perëndimore në veçanti në Londër. Këta njerëz përdorin një identitet të tillë për ta ngatërruar me Islamin dhe për të rekrutuar të pashpresët e sistemit, sidomos ata që jetojnë në zona të thella.

“Duke perdorur akuzën përgjithësuese të “terrorizmit”, janë zhdukur mijëra njerëz në shumë vende të Botës së Tretë, për fatin e të cilëve nuk u mor vesh më kurrë.”

Dhuna e përdorur që nga vitet 1980 është pjesë e strategjisë së terrorit me bazë fashiste. Synimi kryesor kanë qenë sindikalistët, intelektualët, artistët, gazetarët, shkrimtarët ose universitarët të cilët ishin kundërshtarë të sistemit; përveç të huajve jomuslimanë edhe burrat, gratë, fëmijët dhe të gjithë ata që punonin, votonin, mësonin duke mos iu bindur politikave te sistemit, sidomos nëpër fshatra të izoluara.

Ky lloj terrori ka dëmtuar edhe strukturat publik,e por asnjëherë infrastrukturat private të cilat i përkisnin investitorëve të huaj. Ka goditur me dashakeqësi institucionet e arsimit publik, shëndetësor, social në bashkëpunim me destabilizimin e krijuar nga spekulimet mafioze. Sipas statistikave zyrtare, 36 mijë civilë të vdekur në gjashtë vjet, pa llogaritur policët dhe ushtrinë, është një bilanc shumë dramatik.[12]

Duke perdorur akuzën përgjithësuese të “terrorizmit”, janë zhdukur mijëra njerëz në shumë vende të Botës së Tretë, për fatin e të cilëve nuk u mor vesh më kurrë. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe deklaronin se “jemi në luftë me terrorizmin”, por në vitin 1994, kur Kombet e Bashkuara aprovuan rezolutën nr. 49/60, dhe në vitin 1996 atë me nr. 51/210, të cilët bënin thirrje për të luftuar terrorizmin nëpërmjet hetimeve mbi financimet e aktiviteteve terroriste, atëherë e anashkaluan deklaratën e bërë.

Sot edhe revista Executive Intelligence Review denoncon shumë qartë Anglinë si një nga shtetet kryesore që  promovon “Terrorizmin Islamik” [thonjëzat janë të red.).

Anglo-amerikanët e përdorin terrorizmin si mjet për të frikësuar dhe shtypur popullsinë. Terroristët punojnë për ta dhe jo kundër tyre, siç duan të na bëjnë të mendojmë. “Lufta kundër terrorizmit” në të vërtetë është një luftë kundër vendeve më të varfra të kontinentit të cilat janë lënë qëllimisht të varfra nga një grup njerëzish të cilët duke krijuar varfëri janë përfituar ekonomikisht dhe financiarisht si dhe përdorin këtë varfëri për luftëra dhe genocide.

Popujt e shtypur dhe të munduar përpiqen të luftojnë për të drejtat e tyre por cilësohen si “terroristë” dhe përndiqen për këtë arsye. Autoritetet europiane dhe ato amerikane përdorin një propagandë të jashtëzakonshme, e cila i bën njerëzit të besojnë se terrorizmi është një rrezik për Perëndimin dhe që popujt “muslimanë” do kishin organizuar një luftë për të kundërshtuar fuqinë amerikane. Por nëse është kështu si ka mundësi që asnjë autoritetet amerikan nuk është vrarë deri më tani? Si është e mundur që shumë terroristë janë të paguar nga CIA dhe hyjnë e dalin lirshëm në SHBA? Si ka mundësi që pjesa më e madhe e viktimave të terrorizmit janë muslimanë ose të varfër?

Mund të themi që “ekstremizmi islamik” dhe terrorizmi janë instrumente të përdorura nga Shtetet e Bashkuara që janë përdorur edhe për të shtypur dhe përçmuar popullin krenar iraken, i cili para pushtimit ishte populli më pak i lidhur me “fanatizmin islamik”. Përpara se autoritetet amerikane të egërsoheshin për ta shkatërruar, Iraku ishte një vend i industrializuar, me një zhvillim të theksuar në shërbimin shëndetësor dhe në arsim për të cilin u vlerësua me tre medalje të UNESCO-s. Megjithëse populli iraken nuk ishte i lirë por i shtypur nga diktatura e Sadamit, në vitin 1991, Iraku ishte vendi i vetëm i Lindjes së Mesme i cili kishte një zhvillim pothuajse europian. Arsimi ishte falas për të gjithë, strukturat shëndetësore ishin të një niveli shumë të lartë, ndërsa gruaja kishte njëfarë lirie sociale dhe politike. Sot më shumë se 70% e popullit iraken nuk kanë as ujë të pijshëm as energji elektrike, ndërsa shërbimi publik shëndetësor është shkatërruar i gjithi duke patur si pasojë humbjen e jetëve të mijëra njerëzve sidomos fëmijëve.

Anglo-amerikanët përgatitën luftën e Gjirit, qëllimi kryesor i të cilëve ishte të kthenin Irakun në gjëndjen e pazhvilluar dhe në këtë mënyrë ta rikolonizonin. Pas luftës vënia e embargos do të godiste ekonominë e vendit duke e dobësuar deri në atë pikë sa t’i hapte rrugën pushtimit përfundimtar. Sot në Irak, Afganistan, Somali, Sudan dhe në shumë vende të tjera, autoritetet amerikane edhe pse kontrollojnë imtësisht çdo zonë, nuk ushtrojnë mbrojtjen e popullsisë, përkundrazi, organizojnë grupe terroristësh për të krijuar pasiguri dhe përçarje. Për këtë qëllim përdorin njerëz të çdo lloji, mercenarë ose edhe ato që punonin për qeveritë kukulla që sundonin. Në disa vende fuqizojnë pushtetin terrorist/mafioz i cili përveçse frikëson popullsinë kryejnë edhe aktivitetet kriminal, siç është trafikimi i materialeve radioaktive, drogës, armëve dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Sulmet në Irak që shohim në edicionet e lajmeve janë të organizuara nga CIA për të terrorizuar popullsinë ndërkohë që veprimet e vërteta të rezistencës irakene mbahen të fshehta nga media për të evituar që të merret vesh çfarë ndodh në të vërtetë (si për shembull luftimet në të cilat SHBA-të përdorin armë kimike mbi civilë).

“Terrorizmi është një armë e fuqisë neokoloniale, e cila ka nevojë të shfajësohet me argumente të reja për krimet dhe mizoritë që e karakterizojnë.”

Siç e kanë vërtetuar edhe shumë shkrimtarë, edhe 11 shtatori është projektuar ose të paktën i dëshiruar, nga shërbimet sekrete amerikane. CIA jo vetëm që ishte e informuar para se të ndodhte sulmi, por nga BBC-ja kanë dalë disa dokumente të National Security News Service[13] të cilat shpjegojnë se si agjentë të ndryshëm të FBI-së, të cilët gjurmonin personat që planifikonin sulmin terrorist, u larguan nga detyra nga vetë shërbimet sekrete amerikane  Falë “rrezikut terrorist” SHBA-të kanë krijuar baza të mëdha ushtarake në shumë vende të Botës duke ju imponuar baza të përhershme si dhe njerëz për të stërvitur forcat e armatosura vendase. Në shumë vende afrikane si në Marok, Kongo, Çad, Senegal, Tunizi dhe Algjeri, Pentagoni ka shkaktuar çrregullime dhe përdor “rrezikun terrorist” për të justifikuar sasinë e madhe të furnizimit me armë dhe stërvitjen e grupeve ushtarake dhe paratë ushtarake të cilat kanë si qëllim të mbajnë këto vende nën kontroll për t’i mundësuar korporatave të përvetësojnë burimet natyrore në veçanti naftën, diamantet, uraniumin, koltanin etj.

Terrorizmi e ndihmon SHBA-në të fshehë faktin se ka vendosur kontroll të detyrueshëm kudo. Për shembull në Afrikë kanë krijuar një program të ndërhyrjes ushtarake të cilin e kanë quajtur African Coastal Security Programme  (ACSP), qëllimi zyrtar i të cilit është të luftojë terrorizmin e Al-Kaedës, por që në të vërtetë shërben për të mbrojtur rezervat amerikane off-shore dhe për të kontrolluar rrugët kryesore të transportit të naftës dhe hidrokarbureve që qarkullojnë në Evropë dhe Mesdhe. Nëse autoritetet e ndonjë vendi afrikan do të kërkonin të kishin kontroll autonom të trafikut detar në ujërat territoriale, SHBA-të do i akuzonin këto autoritete për terrorizëm për të mos pranuar kërkesën e tyre dhe për të patur çdo gjë nën kontroll.

Në bazën amerikane të Djiboutit (Xhibutit) janë përgatitur operacione të forcave të përbashkëta detare (amerikane, gjermane, franceze, italiane dhe spanjolle) të cilat kanë kryer kontrolle përgjatë Gjirit të Adenit, Detit të Kuq dhe detit të Arabisë, duke deklaruar se qëllimi i këtyre kontrolleve ishte kapja e pjesëtarëve dhe drejtuesve të Al Kaedës, por në të vërtetë shërbyen për të kontrolluar qeveritë afrikane dhe të gjithë ato që kundërshtojnë sundimin amerikan, ndërkohë që trafikimi i drogës, armëve dhe qenieve njerëzore vazhdonte i pa shqetësuar.

Terrorizmi është një armë e fuqisë neokoloniale, e cila ka nevojë të shfajësohet me argumente të reja për krimet dhe mizoritë që e karakterizojnë. Për këtë arsye kanë përpunuar një plan që i bën të duken si “mbrojtës të të drejtave të njeriut” dhe në të njëjtën kohë të kryejnë dhunimet më mizore kundër popullsisë së pambrojtur të cilët janë “fajtorë” vetëm sepse duan të jetojnë jetën e tyre pa dhunë dhe pa bastisje.

Me kalimin e kohës termi “terrorizëm” përdoret gjithmonë e më shumë për të akuzuar çdo disident ose cilindo që kundërshton sistemin në pushtet. Akuzohet për terrorizëm ai person i cili kërkon një vend më të sigurtë dhe më pak ushtarak, edhe nëse kritikon Vatikanin ose qeverinë, ose guxon të mendojë sipas mendjes së vet duke denoncuar paradokset dhe krimet e autoriteteve perëndimore.

“Terrorizmi” përdoret nga autoritetet europiane dhe amerikane për të frikësuar edhe popullatën e Botës së Parë, pasi kur një vend është gjithmonë i frikësuar i siguron autoriteteve një nënshtrim të pakundërshtueshëm i cili “do t’i mbrojë” nga rreziku. Një nga mënyrat e frikësimit është simulimi ose stërvitja kundër terrorizmit duke krijuar një rrezik të mundshëm dhe një situatë pritjeje të atentatit. Në SHBA u bënë shumë vite që popullsia frikësohet me metoda të ndryshme, mjafton të përmendim instalimet tip “semafori” që ndryshojnë ngjyrë në bazë të “nivelit të rrezikut terrorist”, i cili nuk dihet se në bazë të cila kritereve llogaritet.

Edhe në Evropë po fillojnë të përdoren të njëjtat metoda që janë përdorur në SHBA. Për shembull, nga 12 deri më 26 Mars në ujrat mes La Specias dhe Viarexhios u krye stërvitja e Italian Minex 2007 e forcave të përbashkëta detare italiane dhe të huaja (heqës minash franceze Capricorne,  heqës minash spanjolle Tajo dhe heqës minash turke Edremit) dhe të NATO’s me 6 heqës minash që i përkisnin forcës së përhershme të Evropës së Jugut, të cilat simuluan prezencën e minave dhe armëve. Simulime janë bërë edhe me civilë në shumë qytete europjane si Londra, Roma, Milano, Paris dhe Madrid.

Fakti shqetësues është se autoritetet që përgatisin simulimet janë të njëjtët që realizojnë edhe atentatet terroriste, dhe gjatë aktit të vërtetë  terrorist janë përsëritur simulime të njëjta me ngjarjen, siç ka ndodhur me 11 shtator në New York dhe me 7 korrik 2005 në Londër.

Mund të themi se terrorizmi është armë e pushtetit e cila imponohet gati në të gjithë botën për të patur sigurinë e nënshtrimit të popujve dhe për të patur lirinë të hapin luftë ku ta shohin të nevojshme. Të biesh në kurthet e propagandës, të cilat kanë për qëllim të na bëjnë të besojmë se autoritetet perëndimore i kanë shumë për zemër të drejtat njerëzore, dhe se ekziston një armik i errët dhe pashpjegueshmërisht mizor, do të thotë të injorosh karakterin e vërtetë të sistemit aktual qeverisës i cili kryen krime çnjerëzore por që don të duket si bamirës, për të mos humbur mbështetjen e pazëvendësueshme të popujve të pjesës së pasur të planetit. 

Autorja ka lindur në vitin 1960. Është diplomuar për filozofi në Universitetin e Pavias në Itali. Është autore e shumë librave mbi religjionin, demokracinë, lirinë, diktarurën, luftën  etj. Jeton në Milano.

Përktheu Fetije M. Kodra

Mendimet e shprehura në artikull janë të autorës e nuk përfaqësojnë politikën e ditoriale të Observer.al

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights