Nuk mund të prishet kombi shqiptar me sajesa fiktive

Ky shkrim i Prof. Milazim Krasniqit është një kritikë e fortë ndaj disa grupimeve të sotme që tentojnë të ringjallin emërtime si "dardanë" apo "arbërorë", duke i konsideruar ato si sajesa fiktive dhe antihistorike. Ai argumenton se këto përpjekje deformojnë realitetin e formimit të kombit shqiptar, i cili sipas tij është një proces i konsoliduar ku kontributin vendimtar e kanë dhënë shqiptarët e besimit islam. Përmes analizës së figurave si Skënderbeu dhe referencave historike, Krasniqi pohon se këto prirje vijnë nga grupe "konverzosësh" që synojnë të shmangin trashëgiminë reale historike për qëllime ideologjike, duke rrezikuar kështu unitetin e vetë kombit.

Kanë vërshuar në komunikim, kryesisht në rrjete sociale, disa sintagma absurde si “shqiptari dardan”, “të parët tanë ilir-arbërorë”, “iliro-dardanët”e të ngjashme. Po të ishin si figura poetike, sado naive që janë, nuk do të bënin ndonjë dëm. Por këto sintagma duken sikur kanë pretendime të paraqesin me imponim një realitet konkret historik, kulturor e etnik. Prandaj janë të dëmshme, sepse tentojnë ta deformojnë realitetin e të vërtetën dhe të përçojnë mesazhe absurde për tjetërsimin e njeriut të sotëm shqiptar në ndonjë specie, e cila realisht nuk ka ekzistuar. T’i shohim më konkretisht. 

E para, shprehja “shqiptari dardan” është tautologji, sepse nuk mund të jetë njeriu në të njëjtën kohë edhe shqiptar edhe dardan. Po të mos kishte ndryshuar në realitetin e historisë, dardani do të mbetej dardan e rrjedhimisht nuk do të kishte nevojë për emërtimin tjetër, pra, për emërtimin shqiptar. Po qe se shqiptari tenton të ribëhet si dardan, atëherë nuk mund të jetë në të njëjtën kohë shqiptar, por do të tjetërsohej në një subjekt tjetër fiktiv, inekzistent. Dallimi nuk është vetëm punë e emrave shqiptar e dardan. Dallimi buron edhe nga fakti se ne dimë pak gjëra për dardanët. Meqë ata nuk kanë pasur shkrime, nuk dimë asgjë për gjuhën e tyre, pra, nuk kemi fakte gjuhësore të lidhjes së shqipes me të folmen e tyre. Meqë nuk ka qenë shtet i qëndrueshëm, as historia e dardanëve nuk është e kthjellët, po më shumë produkt gojëdhanash. Në këtë kontekst, përçmimi me të cilin i paraqesin autorët e huaj është shumë përçmues, nënvleftësues dhe e bën të pamundur identifikimin me ato antivlera të faturuara si të dardanëve. Fjala vjen, Straboni thotë se “dardanët janë aq të egër sa edhe në pleh bagëtish rrëmojnë gropa dhe aty rrojnë, megjithë këtë muzikën nuk e lënë mënjanë, po përkundrazi përdorin gjithmonë fyej e vegla me kordha.”(Ilirët dhe Iliria:155) Ndërsa, Klaud Aeliani, në “DE ANIMALIUM NATURA” (Mbi natyrën e kafshëve) në librin IV shënon: “Kam dëgjuar se dardanët e Ilirisë lahen vetëm tri herë gjatë gjithë jetës së tyre…kur lindin, kur martohen dhe kur vdesin.” (“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë: 283) E pra, si mund të ketë në kohën tonë identifikim kulturor e social me një grupim të atakuar si aq primitivë e të papastër? Duket vërtet ide bizare ideja e këtyre konverzosëve të organizatave hibride si ‘Lëvizja e Deçanit”, “Lëvizja për Rikthim”, “Shqiptaria” e madje edhe ndonjë prift, që glorifikojnë dardanët dhe madje i propozojnë njeriut të sotëm shqiptar kthim në atë identitet fiktiv. 

E dyta, shprehja “iliro-arbërorët” është po kaq absurde dhe jo logjike. Po të mbeteshin ilirët brenda tërësisë së atij identiteti ilir, që mund ta kenë pasur, nuk do të transformohehsin në një grupim me emër tjetër, po do të vazhdonin të mbeteshin të quheshin ilirë. Por ilirët i janë ekspozuar romanizimit nën sundimin romak, i cili i ka shfytyruar gati deri në zhbërje të plotë. Historiani i njohur, Peter Bartli, konstaton kështu: “territori i Shqipërisë së sotme bashkë me pjesë të mëdha të gadishullit ballkanik në vitet 200-100 para Kr. iu nënshtrua suksesivisht Romës. Bashkë me armatën dhe administratën romake, vendit iu imponua edhe gjuha latine. Rreth vitit 300 pas Kr. procesi i Romanizimit ishte përmbyllur në pjesën më të madhe. Vetëm në disa zona malore ishin ruajtur ende gjuhë të moçme ballkanase, ndër to edhe ajo e shqiptarëve të kryehershëm. Po ku shtrihej kjo zonë relikte e kryehershme shqiptare? Sipas të gjitha gjasave këtu bëhej fjalë për një zonë të mbyllur malore. Stadmylleri vjen në përfundim që është e mundur të kemi të bëjmë me zonën e Matit në Shqipërinë Veriore. Mati rrethohet nga të gjitha anët me vargmale të larta dhe i dëshmon të gjitha parakushtet për një zonë relikti. Zona e Matit feks të mos ketë qenë përfshirë nga romanizimi dhe të ketë mbetur jashta zonës së mujshisë direkte të Romës.”(Shqipëria nga Mesjeta deri sot, Prizren:22) Më tutje Bartli, duke miratuar tezën e Stadmyllerit, pohon edhe këtë: “populli shqiptar është krijuar nga një relikt popullor lashtoballkanas në mes të një romanizimi të përgjithshëm në kohë të antikës së vonë”. (fq.21) Pra, një mbetëz e ilirëve, e strehuar në zonën e Matit u tranformua në arbër dhe ndërmjet tyre dhe ilirëve të romanizuar kishte hyrë romanizimi radikal e gjithëpërfshirës. Arbërit si etni më vonë u futën në një proces transformimi dhe u inkorporuan në etninë dominuese, shqiptare, e cila u shndërrua në komb më vonë. 

Duket sikur jashtë kontekstit, por ka edhe një problem të rëndë për ithtarët e arbërorëve, sidomos kur është fjala për Gjergj Kastriotin-Skenderbeun. Ata të shkretët kujtojnë se Kastrioti është arbëror. Ndërsa e vërteta e hidhur për ta është se Gjergj Kastrioti- Skenderbeu, nuk e pohon veten si arbër. Ai kishte bindjen se ai me të tijët quheshin epirotë. Në një letër të cilën e citon Kristo Frashëri, të cilën Skenderbeu ia kishte dërguar më 31 dhjetor 1460 J.A. de Orsininit thuhej: ” Në qofë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë” (se le nostre croniche non mention, noy in chiamamo Epiroti”. Pra, Skenderbeu me dëshmi me shkrim thoshte se ishte nga epirotët. E pra, si ishte realiteti historik? Realiteti historik dëshmon se Skenderbeu nuk kishte si ta ndiente veten udhëhqës arbëror kur dihet se Arbëria Venedike, në periudhën nga 1392 deri në vitin 1479 ishte nën sundimin venedikas. Më saktësisht, Arbëria Venedike u stabilizua në vitin 1443, (vit kur Skenderbeu u kthye në Krujë) dhe zgjati deri në vitin 1479, pra edhe njëmbëdhjetë vite pas vdekjes së Skenderbeut. Arbëria Venedike ishte pjesë e Venedikut, ku Skenderbeu nuk kishte asnjë gram pushteti. Bile disa nga prijësit arbërorë kishin armiqësi me Skenderbeun, si vasalë lojalë të Venedikut që ishin. Përderi sa Skenderbeu sundonte në Krujë dhe pak hapësira në prapavijës së saj, qytetet kryesore ku jetonin arbërorët, Lezha, Durrësi e Shkodra, Ulqini, ishin në zotërimin e Venedikut. Bile ka pasë një rast kur Skenderbeu ka tentuar ta merrte Durrësin, për të dalë disi në det, po nuk ka pasë sukses. Arbërorët kanë ngelë lojalë ndaj Venedikut, kundër Skenderbeut. Madje edhe disa nga krerët arbëroirë që ishin në koalicionin e Skenderbeut, me raste e kanë tradhtuar dhe kanë kaluar ose në taborrin venedikas ose në taborrin osman. Rrjedhimisht, nëse Skenderbeu është hero kombëtar i shqiptarëve të sotëm, ai nuk ka qenë hero arbëror, as nuk e ka pasë përkrahjen e tyre, prandaj ata që tentojnë të afirmojnë arbërorët, në fakt afirmojnë një entitet dhe komunitet vasal të Venedikut, i cili ka qenë armiqësor ndaj Skenderbeut. A po ua rrokë hiq “levizjedeçanas”, “lëvizjerikthyes” e “shqiptarist” naivë?  A e kuptuat se arbërorët kanë qenë armiqësorë ndaj Skenderbeut? A e kuptuat që Skenderbeu thoshte se ishte epirotë? Si do t’ia bëni tash e tutje me manipulimin tuaj naiv me “arbërorët?” Nëse këmbëngulni të jeni arbërorë, do të pëfundoni si “venedikas.”   

E treta, shprehja “iliro-dardan” poashtu është e pakuptimtë, meqë shumica e autorëve pohojnë se dardanët kanë qenë një fis ilir. Nëse kanë qenë një fis ilir, pra, ata kanë qenë pjesëtar të popullit ilir e jo popull më vete a bashkim i dy popujve që të quhen iliro-dardan. Prandaj kërkesa e tashme që të quhemi e të ndihemi dardan, i bie që është kërkesë për kthim në statusin e fisit e të heqim dorë nga statusi si pjesë e kombit shqiptar. Natyrisht kërkesa dhe insistimi i atillë është antihistorik dhe antikombëtar. Gjithsesi edhe shumë naivë. 

Pse bëhen gjithë këto tentime nga konverzosët e tashëm shqiptarofonë që të gjendet diçka që është përtej kombit shqiptar, qoftë dhe te konstrukte fiktive  si ‘shqiptari dardan”, “iliro-arbërorët”, “iliro-dardanët?” Në njërën anë thonë se duan ta forcojnë kombin ndërsa në anën tjetër propozojnë kthim në periudhat e errëta parakombëtare. Pra, flasin për forcimin e shqiptarisë, duke propozuar prishjen e saj. 

E vetmja arsye për këtë sjellje të palogjikshme të këtyre organizatave hibride është kjo: ata e dinë se kombin shqiptar e kanë formuar shqiptarët e besimit islam, meqë në fazën e formimit të kombit ata ishin shumicë absolute dhe ata u bënë bartësit e projektit të formimit të kombit, mbi të gjitha nga rreziku që paraqisnin për ta kombet ballkanike, po edhe nga konfliktet që u shfaqën me Shtetin Osman, pas reformave të Tanzimatit, me ç’rast muslimanët humbën pozitën dominuese në shtet. Pra, konverzosët tanë të sotëm donkishotesk e dinë se kombi shqiptar e ka historinë të lidhur me kontributin vendimtar të shqiptarëve muslimanë. Prandaj ata synojnë ta prishin kombin ekzistues, për ta shmangur atë histori të kombformimit. 

Ama tentativa që të sajojnë konstrukte si “shqiptari dardan”, “iliro-arbërorët”, “iliro-dardanët” i bënë qesharakë. Këta konverzosë më së lehti e kanë që brenda pakos së konvertimit të tyre fetar, të bëjnë edhe një konvertim kombëtar, pra, të identifikohen me ndonjë komb katolik dhe ashtu ta gjejnë disi paqen e rreme me veten. Përndryshe, jo vetëm këta konverzosë injorantë e të shkretë, po askush në botë, nuk ka fuqi ta ndryshojë historinë e formimit të kombit shqiptar. Është e faktuar, është e pandryshuar. 

(Shkëputur nga libri “Kombi i rrezikuar nga vetvetja”, i cili është në proces botimi.) 

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

Të ngjashme
Related

Si u shndërrua një dokument i rremë serb “Top Secret” në propagandë anti-muslimane në Kosovë

Idetë që përmban ai dokument tashmë qarkullonin mes figurave islamofobe shqiptare vite përpara. Kjo ngre një pyetje më të rëndësishme: çfarë qëllimi i shërben kjo narrativë?

25 vjet luftë kundër terrorit: si u bë Islamofobia politikë zyrtare

Një çerek shekulli pas 11 shtatorit, "Lufta kundër Terrorit" nuk ka marrë fund. Ajo thjesht ka evoluar. Ajo që nisi si përgjigje ndaj një sulmi u kthye në një arkitekturë të qëndrueshme dyshimi, e cila e shpalli kërcënim sigurie vetë identitetin musliman.

Islamofobia është kthyer në Kalin e Trojës të Izraelit për të bërë për vete perëndimorët

Netanyahu dhe ministrat e tij tashmë punojnë për ta kthyer frikën evropiane ndaj muslimanëve në kapital politik

Çmimi i injorancës: A e njeh Perëndimi Islamin, apo e shtrembëron?

Islamofobia lind shpesh nga padija; ndërsa dija dhe dialogu mund ta zëvendësojnë frikën me mirëkuptim.