Thursday, November 21, 2024

Pasojat e luftës në Ukrainë për Kosovën dhe stabilitetin rajonal në Ballkan

Përceptimet e kërcënimit rus nga lufta në Ukrainë mund të bëjnë që vendet e NATO-s që nuk e njohin Kosovën (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) të ndryshojnë qëndrim, duke i hapur rrugën anëtarësimit të Kosovës në NATO. Nga ana tjetër, ekziston rreziku që lufta e Rusisë në Ukrainë të rrisë tendencën e Perëndimit për t'i dhënë përparësi stabilitetit ndaj demokracisë në Ballkan. 

Abstrakt: Pushtimi rus i Ukrainës ka krijuar rreziqe dhe mundësi për stabilitetin rajonal në Ballkan. Ndërsa ekziston shqetësimi serioz se paqëndrueshmëria e shkaktuar nga pushtimi mund të përhapet në Ballkan, në të njëjtën kohë ekziston mundësia që lufta e Rusisë në Ukrainë mund të aktivizojë pa dashje mekanizma që do të çojnë në siguri të qëndrueshme për rajonin.

Kjo ese argumenton se perceptimet e kërcënimit rus të shkaktuar nga lufta në Ukrainë mund të bëjnë që katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) të ndryshojnë qëndrimin e tyre për këtë çështje, duke bërë të mundur që Kosova përfundimisht të anëtarësohet në NATO. Kosova si shtet anëtar i NATO-s do ta bënte Ballkanin një rajon më të sigurt dhe do të kontribuonte në sigurinë e përgjithshme evropiane. Nga ana tjetër, megjithatë, eseja thekson gjithashtu se lufta e Rusisë në Ukrainë ka të ngjarë të rrisë tendencën e Perëndimit për t’i dhënë përparësi stabilitetit ndaj demokracisë në Ballkan.          

Që kur Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, politikëbërësit dhe studiuesit kanë shprehur shqetësime serioze se paqëndrueshmëria dhe dhuna ka rrezik të përhapen në Ballkan. Bosnja dhe Hercegovina (tani e tutje Bosnja) dhe Kosova janë veçuar si vendet më të rrezikuara duke pasur parasysh trashëgiminë e tyre të dhunës dhe spastrimit etnik në vitet 1990 pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Vendimmarrësit kryesorë nga të dyja vendet në të vërtetë u kanë bërë thirrje udhëheqësve perëndimorë që t’u japin atyre mbrojtjen e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), dhe madje të marrin parasysh mundësinë e një anëtarësim të shpejtë të Bosnjës dhe Kosovës në NATO. Frikëra të tilla nuk janë të pabaza pasi stabiliteti në të dyja vendet (por veçanërisht në Kosovë) është kryesisht peng i Serbisë, e cila edhe pse nominalisht e paangazhuar, është në terma praktike një aleate gjeopolitike e Kremlinit. Në të vërtetë, Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Serbia ushtron ndikim të madh të madhe mbi Bosnjën dhe Kosovën duke patronizuar entitetin serb (Republika Srpska) në të parën, dhe duke bllokuar njohjen ndërkombëtare të Prishtinës në rastin e dytë. Ndikimi i Serbisë mbi Bosnjën vjen kryesisht nga ndikimi i saj mbi Kosovën, prandaj Beogradi shpenzon shumicën e burimeve të tij ekonomike dhe diplomatike në përpjekje për ta izoluar Kosovën.

Kësisoj, duke pasur parasysh se stabiliteti më i gjerë rajonal në Ballkan varet kryesisht nga zgjidhja e çështjes së Kosovës, një nga qëllimet e kësaj përmbledhjeje është të diskutojë se si pushtimi (në vazhdim) i Rusisë në Ukrainë mund të ndikojë në mundësinë për njohje të mëtejshme të pavarësisë së Kosovës dhe Perspektivat e Prishtinës për anëtarësim në NATO.

Ngjashëm, eseja do të paraqesë gjithashtu se si Kosova dhe shpallja e saj e njëanshme e pavarësisë e mbështetur nga Perëndimi është përdorur nga Rusia si për të justifikuar mospërfilljen e integritetit territorial në hapësirën ish-sovjetike dhe për të akuzuar Perëndimin për shpërfillje të integritetit territorial gjetkë. Së fundi, eseja ofron disa reflektime se si perceptimet e kërcënimit të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës mund të ndikojnë në tendencën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) për t’i dhënë përparësi stabilitetit kundrejt demokracinë në Ballkan.   

Çështja e Kosovës dhe revizionizmi rus në hapësirën ish-sovjetike    

Kosova është paraqitur dukshëm në narrativat zyrtare ruse që justifikojnë mbështetjen e Moskës për lëvizjet secesioniste në ish-republikat sovjetike që nga viti 2008.

Diskursi standard është se vendet perëndimore dhe NATO vendosën një precedent të rrezikshëm ligjor duke mbështetur luftën e armatosur të një krahine të shkëputur si Kosova me pretekstin e parandalimit të një gjenocidi të mundshëm, së pari duke bombarduar në mënyrë të njëanshme Serbinë në 1999 pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSOKB), pastaj duke nxitur përmbysjen e liderit serb të zgjedhur në mënyrë demokratike Slobodan Millosheviç në tetor 2000 (i ashtuquajturi “revolucion i buldozerit”) dhe në fund duke mbështetur (dhe sponsorizuar ende) shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008.

Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin e ka përmendur vazhdimisht këtë “precedent”, duke filluar që nga momenti kur ai pushtoi Gjeorgjinë në gusht 2008, për të mbështetur ndarjen e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, deri kur Rusia aneksoi Krimenë në shkurt 2014 deri në prag të Pushtimi (në vazhdimësi) të Ukrainës kur Rusia njohu në mënyrë të njëanshme pavarësinë e dy provincave të shkëputura në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, të ashtuquajturat republika Popullore Luhansk dhe Donetsk.

Edhe përmbysja e Millosheviçit (i paraqitur si “revolucioni  i parë me ngjyra” i mbështetur nga Perëndimi) përdoret si një analogji për të kritikuar Perëndimin për rolin e tij në organizimin e supozuar të një grushti shteti që përmbysi presidentin pro-rus ukrainas Viktor Janukoviç në shkurt 2014. Putini përmend në mënyrë të diskutueshme përmbysjen e Millosheviçit po ashtu si justifikim për pretendimet e tij absurde se ushtarët rusë janë në Ukrainë për të përmbysur elitën qeverisëse “naziste” në Kiev (dmth “de-nazistifikimin e” Ukrainës).

Revizionizmi në hapësirën ish-sovjetike ka qenë pak a shumë një konstante e politikës së jashtme ruse dhe nuk mund të kufizohet vetëm në regjimin e Putinit. Në të vërtetë, qysh në qeverisjen e Boris Jelcinit në vitet 1990, Rusia mbështeti Armeninë për të pushtuar rajonin e Nagorno-Karabakut të Azerbajxhanit dhe ndërhyri në Moldavi për të mbështetur provincën separatiste të Transnistrisë, e cila ka qenë de fakto e pavarur që prej atëherë.

Duhet theksuar se ndërsa Rusia e ka përdorur Kosovën për të justifikuar shpërfilljen e integritetit territorial në hapësirën ish-sovjetike. Gjetkë ajo e ka përdorur Kosovën për të akuzuar Perëndimin për shpërfillje të integritetit territorial. I tillë ka qenë rasti i Sirisë ku nën pretekstin e ruajtjes së integritetit territorial sirian kundër “terroristëve të mbështetur nga perëndimi”, Putin ndërhyri në vitin 2015 për të mbajtur në pushtet një regjim gjenocidal përgjegjës për vrasjen masive të qindra mijëra qytetarëve të vet dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve.

Në mënyrë të ngjashme, përdorimi i analogjisë së përmbysjes së Millosheviçit të mbështetur nga perëndimi për të justifikuar “de-nazistifikimin” e Ukrainës është krejtësisht i pabazë pasi ish-presidenti serb është gjithashtu përgjegjës për vrasjen masive gjenocidale të muslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve të Kosovës gjatë luftrave për shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990.

Së fundi, Rusia e ka përmendur Kosovën që nga viti 2008 jo vetëm për të justifikuar revizionizmin e saj ndaj vendeve ish-sovjetike, por edhe si një mënyrë për të treguar statusin e saj të ringjallur të fuqisë së madhe nën Vladimir Putinin. Kjo për shkak se për Rusinë, Kosova dhe bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999 ishin simbol i unilateralizmit perëndimor dhe një fazë dobësie ekonomike dhe politike që disi duhej të kapërcehej një ditë. Për Putinin, ajo ditë duhej të vinte me pushtimin e Ukrainës.

Megjithatë, e gjithë kjo pretendohet se nuk u prit mirë nga tabloidët e kontrolluar nga regjimi në Serbi, të cilat papritmas e kritikuan Putinin për tërheqjen e paraleleve midis Kosovës dhe parashteteve të tij në Donbas. “Putini e godet Serbinë pas shpine, e ndërron Kosovën me Donbasin”, pohonte Srpski Telegraf. Megjithatë, kjo duket të jetë një strategji e shkëlqyer e regjimit që synon t’i tregojë Evropës se Beogradi mund të mbajë qëndrime anti-ruse. 

Perspektivat e Kosovës për anëtarësim në NATO 

Krizat ndërkombëtare krijojnë rreziqe serioze, por edhe ofrojnë mundësi për vendet. Në dy dekadat e fundit, Kosova ka kalibruar përgjigjet e saj ndaj krizave ndërkombëtare në mënyrë që të maksimizojë perspektivat për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së saj. Për shembull, gjatë viteve të para të Pranverës Arabe (2011 – 2013), Kosova përdori një politikë të jashtme shumë aktive duke mbështetur retorikisht kryengritjet popullore në vendet arabe, duke krijuar marrëdhënie të ngushta diplomatike me qeveritë e zgjedhura pas kryengritjes në Egjipt dhe Libi dhe duke bërë thirrje hapur për ndërhyrje ushtarake perëndimore kundër regjimit të Asadit.

Kjo linjë e politikës së jashtme u shpagua mirë për Prishtinën pasi Jemeni, Egjipti dhe Libia në fakt e njohën Kosovën gjatë periudhave të tyre të tranzicionit demokratik jetëshkurtër.  

Lufta në Ukrainë i ofron Kosovës mundësi edhe më të mëdha në këtë drejtim. Kosova deri më tani ka shfaqur një qëndrim të vendosur pro-perëndimor duke mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe duke u ofruar strehim disa gazetarëve ukrainas që ikën nga lufta. Qëndrimi i Kosovës vlen veçanërisht për t’u theksuar pasi Ukraina nuk e njeh pavarësinë e saj. Në fakt, me përjashtim të tre republikave balltike (Estonia, Letonia dhe Lituania), asnjë nga 12 republikat e tjera ish-sovjetike nuk e njeh Kosovën.

Lufta në Ukrainë dhe mbështetja e palëkundur e Prishtinës për Kievin ka gjasa të ndryshojë lojën pasi mund të lehtësojë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Më konkretisht, pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar perceptime serioze të kërcënimit midis vendeve evropiane dhe kjo mund të bëjë që katër vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin Kosovën (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) të ndryshojnë qëndrimin e tyre, duke hapur kështu rrugën Kosovës për anëtarësim në NATO. Pozicioni i këtyre katër anëtarëve të NATO-s është i një rëndësie jetike për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit.

Duke njohur Kosovën, ata mund të ndryshojnë burimin më të madh të ndikimit që Serbia ka mbi Ballkanin dhe si rezultat gjithashtu t’i mohojnë Rusisë (dhe Kinës) mundësinë për të nxitur probleme në rajon. Duke forcuar perceptimin e kërcënimit në Evropë, lufta e Ukrainës ka të ngjarë t’i shtyjë këta katër jo-njohës të NATO-s të jenë më të pranueshëm ndaj Kosovës dhe përfundimisht të ndryshojnë kursin për çështjen e njohjes së pavarësisë së saj.

Greqia konsiderohet si më e mundshmja për të ndryshuar qëndrimin e saj ndaj Kosovës duke qenë se në mesin e katër mosnjohësve është më e kërcënuara drejtpërdrejt nga çdo destabilitet (dhe dhunë) e mundshme në Ballkan. Vizitat diplomatike të nivelit të lartë mes qeverive Kurti dhe Mitsotakis që nga viti i kaluar janë dëshmi e afrimit midis Prishtinës dhe Athinës dhe lufta e Ukrainës patjetër do t’i japë një shtysë të mëtejshme bashkëpunimit të tyre.

Për më tepër, që nga Marrëveshja e Prespës në qershor 2018 që zgjidhi mosmarrëveshjen dhjetëvjeçare të emrit me Maqedoninë e Veriut, Greqia ka hequr dorë nga roli i saj pengues në Ballkan dhe duket se nuk ka asnjë dallim midis partive kryesore greke në këtë drejtim. E gjithë kjo jep shpresë të mëtejshme se Athina tani do të jetë shumë më akomoduese ndaj Kosovës.

Nga ana tjetër, pushtimi rus i Ukrainës sigurisht që ka rritur perceptimet e kërcënimit për Sllovakinë dhe Rumaninë. E para, e cila kufizohet drejtpërdrejt me Ukrainën, ka pranuar mijëra refugjatë ukrainas deri më tani dhe është një nga vendet evropiane më të përfshira në ofrimin e ndihmës ushtarake për Kievin. Kjo e fundit kufizohet me Moldavinë, një pjesë e territorit të së cilës ka qenë nën pushtimin rus për 30 vitet e fundit dhe ka frikë të jetë objektivi i radhës i agresionit rus. Rumania gjithashtu përballet me perspektivën e zymtë të hegjemonisë ruse mbi Detin e Zi nëse Moska arrin të pushtojë qytetin port ukrainas të Odesës.

Sërish, në emër të forcimit të sigurisë në Evropë, të dyja vendet mund të nxiten të zbusin qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Së fundi, pozicioni i Spanjës midis katër mosnjohësve mund të jetë më i vështirë për t’u trajtuar, por Madridi është i vetëdijshëm për përfitimet e mëdha të sigurisë që do të arrihen për Evropën nëse Ballkani stabilizohet.

Stabiliteti kundrejt demokracisë në Ballkan

Vendet perëndimore kanë një histori të fortë të promovimit të fuqive rajonale në emër të ruajtjes së stabilitetit në Ballkanin pas Luftës së Ftohtë. Shembulli më famëkeq i kësaj ishte pranimi i Slobodan Millosheviçit nga Perëndimi që çoi në Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit të vitit 1995 e cila i dha fund Luftës së Bosnjës, gjatë së cilës Millosheviçi u përshëndet si partner për paqen.

Po kështu, vendet perëndimore mbështetën presidentin aktual malazez Milo Gjukanoviç për të monopolizuar pushtetin për tridhjetë vjet radhazi në republikën e vogël të Adriatikut (1990–2020) dhe nuk i kanë kërkuar llogari për ndihmën që dha në krimet e luftës të Millosheviqit në Kroaci dhe Bosnje deri në vitin 1995. Perceptimet e kërcënimit rus të shkaktuar nga lufta në Ukrainë ka të ngjarë të theksojnë tendencën e Perëndimit për t’i dhënë përparësi stabilitetit mbi demokracinë në Ballkan dhe kjo nga ana tjetër do të reflektohet në dobësimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e korrupsionit në rajon. Shembujt e fundit që vërtetojnë këtë pikë nuk janë të vështira për t’u gjetur. 

I forti i Serbisë, presidenti Aleksandar Vuçiç (ish-ministër i Millosheviçit gjatë viteve 1990), u rizgjodh me një shumicë të madhe në prill me sloganin tërheqës “Paqe, Stabilitet, Vuçiç”. Pavarësisht autoritarizmit të tij të brendshëm dhe uverturave të hapura ndaj Moskës, SHBA-të dhe BE-ja vazhdojnë ta mbajnë mirë me Beogradin duke përshëndetur regjimin e Vuçiqit si “lider politik dhe ekonomik në rajon” dhe duke hedhur retorikisht peshën e tyre pas projektit të Vuçiçit “Ballkani i Hapur”.

“Open Balkan” (i njohur edhe si “Mini-Shengen”) është një kuadër i përbashkët bashkëpunues i nisur nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia në tetor 2019 që supozohet se synon të reduktojë barrierat tregtare dhe të promovojë bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Fillimisht u parashtrua si një ide nga administrata Trump dhe së fundi madje mori “bekimin” e ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov.

Ndërsa “Ballkani i Hapur” është ndërtuar mbi premisën se normalizimi ekonomik do të çojë përfundimisht në bashkëpunimin politik midis vendeve të rajonit, logjika çalon. Problemi më i rëndësishëm në këtë linjë të të menduarit është se “Ballkani i Hapur” mbështetet në dinamika të fuqisë shumë asimetrike. Popullsia dhe ekonomia e Serbisë është në mënyrë disproporcionale më e madhe se ajo e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Po aq i rëndësishme është fakti se tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi) kanë refuzuar t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”.

Jo rastësisht, vendet që kanë refuzuar janë pikërisht tre vendet ballkanike që Beogradi kërkon t’i destabilizojë dhe të cilat, si rezultat, janë thellësisht dyshuese për arsyet e Beogradit. Nëse shtojmë edhe faktin se asnjë kornizë bashkëpunuese në Ballkan nuk mund të funksionojë nëse Serbia nuk e njeh fillimisht Kosovën, në formën e tij aktuale “Ballkani i Hapur” duket të jetë një platformë për Serbinë për të përdorur epërsinë e saj ekonomike për të çuar përpara agjendën e saj politike.

Fakti që SHBA-të dhe BE-ja kanë rinovuar mbështetjen e tyre për këtë përpjekje të udhëhequr nga Serbia më shumë se tre muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, tregon shkallën në të cilën Perëndimi është investuar për t’i dhënë përparësi stabilitetit kundrejt demokracisë në Ballkan. 

Një shembull tjetër i fundit që vërteton këtë pikë vjen nga Mali i Zi. Në republikën e vogël të Adriatikut, monopoli i pandërprerë i pushtetit i DPS-së u thye papritur pas zgjedhjeve të përgjithshme të gushtit 2020, kur një bllok i udhëhequr nga pro-rusët/pro-serbët formoi një qeveri të re me ndihmën e partisë së vogël qytetare malazeze Veprimi i Reformës së Bashkuar (URA).

Sigurisht, qeveria e koalicionit ishte tashmë shumë e dobët, por që kur Rusia pushtoi Ukrainën, vendet perëndimore ushtruan presion të fortë nga URA-s që të tërhiqej nga koalicioni dhe të formonte një qeveri të re të pakicës. Qeveria e re e pakicës e udhëhequr nga URA u formua në fakt në mes të prillit 2022, por mund ta bënte këtë vetëm me mbështetjen e Presidentit Gjukanoviç dhe DPS-së së tij. Edhe pse qeveria e re është përshëndetur nga Perëndimi si “liberale” dhe “progresive”, kthimi i DPS-së ka të ngjarë të përmbysë çdo përpjekje të brendshme për të avancuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin në Mal të Zi. 

Solli në shqip Observer.al. Esenë në gjuhën angleze mund të gjeni në research.sharqforum.org.

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights