Friday, November 22, 2024

Përhania islamofobike dhe antinacionaliste e Ben Blushit  

Një shkrim i djeshëm si përgjigje për një të sotëm

Fantazia perverse e Ben Blushit nuk resht së prodhuari ide islamofobike. Kjo ideja e tij e re, për “Islamin e ri” më duket më beninje se ato që pati lancuar në librin “Hëna prej letre”, të cilin e pata komentuar në vitin 2014. Po ua rikujtoj atë shkrim timin, i cili e shpjegon edhe këtë hallakatjen e re prej voajeri të Benit të shkretë.

Ben Blushi, Hëna e Shqipërisë, UET Press, Tiranë, 2014

Libri “Hëna e Shqipërisë” i Ben Blushit fillon me elemente të këngëve akritike bizantine, ku përshkruhen huqet e motit dhe ndikimi i tyre mbi bëmat e heronjve të tyre, ndërsa përfundon si  një pamfet nihilist, ku i duartokitet pesimizmit dhe paperspektivës shqiptare. Ngatërrimi i perspektivave të së ardhmes apokaliptike në aspektin klimaterik e ekologjik dhe të së tashmes kombëtare e shoqërore pesimiste, është i qëllimtë. Tronditja  psikologjike me vizionin apokaliptik për të ardhmen, (pas dyqind vjetësh, kur Durrësin gjoja do ta përpijnë ujërat) duhet ta zbusë reagimin moral ndaj propozimeve agresive që bëhen për korrigjimin dhe retushimin e së tashmes në planin kombëtar e fetar të shqiptarëve, me theks te integrimi evvropian, te bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe te Islami. Përdryshe po të mos ishte fjala për një përpjekje që të maskohet qëndrimi lidhur me pengimin e bashkimit kombëtar dhe me gjetjen e alternativës për deislamizimin e shoqërisë shqiptare, nuk do të kishte fare nevojë që të bashkohen dy këso perspektivash rrëfimore krejtësisht të ndryshme dhe të papajtueshme njëra me tjetrën. Perspektiva e parë më shumë është një rrëfim letrar, krejt normal për prozën postmoderne, që kombinon elementë të ndryshëm të kompilimit të të dhënave, citimit, ironizimit të historisë dhe të jetës shoqërore, ndërsa e dyta është një kalkulim politik, gjithnjë për të provuar vërtetësinë e tezave dhe qëndrimeve politike e ideologjike të autorit. Meqë libri fillon me një maskim të fortë të ideve kryesore, euroskepticizmit, islamofobisë dhe antinacionalizmit gjoja nga rreziku i një “kiameti lokal” pas dyqind vjetësh, autori kujton se i hapet mundësia që të operojë më lirisht me ambientin “para kiametit” në të cilin ai imagjinon se e ka para vetes një publik të shastisur, i cili do ta hajë sallamën për djathë. Por, edhe nga një lexim sado sipërfaqssor i këtij libri, secili mund të kuptojë se Blushi nuk e ka hallin me huqet e detit e të natyrës, nuk e ka hallin te kafshët dhe bimësia që “do të zhduken”. Blushi e ka hallin vetëm te e sotmja ndër shqiptarë, te raporti i tyre me Bashkimin Europian, te alternaitvat e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën dhe te “gogoli islamik” (Kapitulli mbi pabarazinë trajton një dukuri vërtet aktuale, që ka të bëjë me pabarazinë shoqërore ndër shqiptarë.)

Kësisoj nga dy fjalitë e fillimit: ‘Dua të tregoj një histori. Që nuk ka ndodhur”, autori pas pesë faqeve të narracionit me tipare të këngëve akritike, ose edhe kreshnike, kalon aty ku i dhemb dhëmbi: “Dua të bëj një udhëtim në të ardhmen tonë politike. Të Shqipërisë”. Në të vërtetë, preokupimi i tij mbetet konstant me të tashmen në tre rrafshe, në atë të raportit me Europën, të raporteve kulturore, fetare e ekonomike brendashqiptare dhe të pabarazisë sociale ndër shqiptarë. Tematikat edhe mund të konsiderohen korrekte, por interpretimi prej Blushit është problematik. Është interpretim problematik sepse ai nuk kufizohet në identifikimin e problemeve, por propozon receta ideologjike për të ndryshuar realitetet, sipas shijeve dhe botëkuptimeve të veta, që kështu shndërrohen në një shtrat të Prokrustit.  Pra, Blushi nuk është shfaqet si një dijetar që e hulumton të vërtetën, po si një revolucionar, që përpiqet të ndryshojë realitetin, në ato pika që atij nuk i pëlqen. Kjo pozitë revolucionare e autorit më së qarti vërehet në rastin kur flet për fenë islame. Ben Blushi fillimisht në manirin e një revolucionari paranojak është i mendimit se nacionalizmi shqiptar do të mëkohet nga islami politik: “Nëse nacionalizmi do të jetë një bimë që pritet të lulëzojë në xhunglën shqiptare, humusi i tij do të jetë diçka tjetër: feja islame. Shqiptarët janë identifikuar në të shkuarën me islamin, por deri më sot ata nuk e kanë përdorur për arsye politike.”(f.74-75)  Mendimi i tij se tash Islamin po e përdorin në Shqipëri politikisht, bie ndesh me realitetin e fakteve: përkundër rezultateve të censusit të vitit 2011, në zgjedhjet e vitit 2013 shqiptarët e votuan Edi Ramën për kryeminstër, (si Nolin dikur.) Besoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen, pra shqiptarët edhe në Shqipëri e edhe në Kosovë nuk do të implikojnë fenë islame në politikë. Personalisht jam kundër involvimit të besimit fetar islam në politikë, sepse në atë rast ndodhin dy probleme, i pari, besimi rrezikon të humb dimensionin shpirtëror, dhe i dyti, politika radikalizohet. Megjithatë, rreziku i involvimit të Islamit partiak a politik ndër shqiptarë ekziston, por vetëm nëse vazhdon dhe nëse rritet presioni ndaj ndjenjave fetare të besimtarëve muslimanë dhe nëse kërcënohen vazhdimisht liritë dhe të drejtat e tyre. Në një rast të tillë ata do të mund të bindeshin se vetëm me organizim politik mund të mbrohen dhe në atë rast do të mund të shfaqej ndër ne i ashtuquajturi “islam politik.” (Po e fus në thonjëza, sepse islami nuk mund të reduktohet në përdorim të tillë, kur ai është hyjnor dhe universal. Meqë është Shpallje, njeriu nuk mund ta përdorë si t’i teket.) Pikërisht propozimet si ky i Blushit, që të bëhet deislamizimi i shoqërisë shqiptare, është kërcënues dhe si i tillë ai mund të prodhojë reaksion ndër shqiptarët e besimit islam, sado paqësorë që janë. Pse duhet të propozohen masa të këtilla represive, të cilat deshe s’deshe e kanë një asociacion me rekonkuistën? Pse u dashka të na propozohet deislamizimi qoftë dhe si “ndryshim i mënyërs së jetesës?” Pse u dashka Blushi ose kushdo tjetër në këtë botë të na tregojë se cila mënyrë e jetesës qenka më e mira? A nuk duhet në një shoqëri liberale dhe plurale njerëzit të lihen të qetë në mënyrën e jetesës së tyre, në atë mënyrë jetese që u mundëson lumturi personale e familjare?  Mjafton të jenë paqësorë, të respektojnë ligjet dhe të jenë kontribues të zhvillimit të shoqërisë. Vërtet, propozimi i Blushit që të shkëputemi nga mënyra e jeteses e që kjo nuk nënkuptuaka ndarje nga Islami, është hileqar. Në fund të fundit, pse u dashka të jipen nga pjesëtarë të besimeve të tjera këso recetash se çfarë duhet të bëjmë ne muslimanët me jetesën tonë,? Edhe Blushi do të duhej të kuptonte se harmonia fetare nënkupton që secili të mbajë besimin e vet pa u cënuar nga tjetri dhe secili të respektojë besimin e tjetrit, pa i ndërhyrë në jetën e tij personale e fetare. Jashtë kësaj është fjala për diktat e jo për harmoni fetare. Pikërisht ky lloj diktati që synon t’u tregojë besimtarëve muslimanë se çfarë duhet të bëjnë me jetën dhe besimin e tyre, mund ta rritë frustrimin dhe mund të bëhet “humusi” ku mund të rritet ekstremizmi fetar. Megjithë këtë rrezik, Blushi propozon pa iu dridhë qerpiku: “ Evropianizimi i Shqipërisë kalon detyrimisht nga deislamizimi, siç ka kaluar edhe në Evropë nga dekristianizimi”. (f.78). E para, nuk është e vërtetë që Evropa është dekristianizuar. Ajo edhe sot është kristiane me shumicë absolute. Evropa është shkëputur nga diktati i Kishës në periudhën e Iluminizmit, por jo nga feja e krishterë. Dallimi ndërmjet Krishterimit e Kishës duhet të mbahet para sysh. Edhe muslimanët janë shkëputur nga institucioni i kalifatit, por jo nga feja islame. (I ashtuquajturi Kalifat, i sapoproklamuar në rrëmujën e luftës civile në Irak e në Siri, më shumë duket si vazhdimësi e regjimit të Kmerëve të Kuq.) Prandaj, propozimi për deislamizim, sado i maskuar që të jetë, është johuman, islamofob dhe bile neokryqtar. Blushi në këtë rast e ka huqur krejt. Ndonjë cinik do të thoshte se brenga e Blushit për ujqit, dhelprat, arinjtë, lepujt, ketrrat e derrat e egër pas “katastrofës ekologjike”, tingëllon si e sinqertë, meqë angazhohet  për mbrojtjen e “mënyrës së jetesës së tyre”, ndërsa në të njëjtën kohë në një mënyrë hileqare angazhohet për rrënimin e mënyërs së jetesës së bashkëkombasve të vet të fesë islame! E vërteta është se islamofobia ka kohë që i ka kaluar të gjithë kufijtë racionalë dhe është shndërruar në një ideologji të urrejtjes brendakombëtare. Islamofobët aq kaq gjë nuk po arrijnë të kuptojnë: me ata pjesëtarë të fesë islame që abuzojnë me ndjenjat fetare, që i shkelin ligjet e vendit, duhet të mirret drejtësia. Por, deliktet dhe krimet e tyre nuk mund t’u faturohen besimtarëve paqësorë e aq më pak Islamit hyjnor, sikundër janë duke bërë pa asnjë karar islamofobët dhe neokryqqtarët. Përderi sa për çdo  shkelje që bëjnë qytetarët duhet të veprojë drejtësia, jeta fetare duhet të menaxhohet në mënyrën më të mirë, me një partneritet ndërmjet komuniteteve fetare dhe institucioneve shtetërore,  që të sigurohet veprimi legal e brendaligjor dhe të sigurohet hapësira e nevojshme ligjore për të gëzuar besimtarët liritë dhe të drejtat e tyre kushtetuese dhe ligjore. Kur të sigurohet ky partneritet dhe kur të realizohen në plotni këto liri dhe të drejta, atëherë nga vetë besimtarët krijohet diga e refuzimit të ofertave abuziviste dhe ekstremiste. Kjo është rruga dhe mënyra efikase e luftimit të ekstremizmit, e jo presionet islamofoike dhe neokryqtare mbi të gjithë besimtarët muslimanë, me tentativë që t’u injektohet ndjenja e fajësisë kolektive e prej andej t’u imponohet deislamizimi sipas recetës benblushiste. Këto receta janë që në start të denoncuara si keqdashëse. Fjala vjen, referimi në modelin e Zogut për rrregullimin e statusit të fesë, është keqdashës dhe nuk mund të zbatohet në një shtet liberal. Kushdo që provon ta shartojë modelin e qeverisjes së Zogut, qoftë dhe vetëm në sferën e ”rrregullimit të feve” e duke qenë madje edhe socialist, ka rrezik të duket ose naiv ose hipokrit. As modelet e huazuara, që zbatohen me imponim e arbitraritet, nuk janë të dobishme. Duhet të gjendet akordi me shtetin liberal shqiptar, me standardet evropiane të respektimit të lirive dhe të drejtave fetare dhe me traditat e harmonisë sonë fetare të mirëfilltë, e jo deklarative.

Meqë u përmend naiviteti, më duhet të theksoj një shembull eklatant naiviteti që banon në librin “Hëna e Shqipërisë” të Ben Blushit. Blushi prognozon krejt gabimisht: ”Kakofonia e tre llojeve të ndryshme të nacionalizmit fetar të shqiptarëve do të vonojë, me gjasë, bashkimin kombëtar.” (f.87) E kuptoj si një truk politikanesk për t’ia faturuar Islamit edhe fajin për vonesën e bashkimit kombëtar, por kjo nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën. Islami politik nëse do të shfaqet, do të jetë militant dhe agresiv, për të shtrirë ndikimin e tij në hapësira sa më të mëdha, madje edhe përtej atyre ku jetojnë shqiptarët sot. Në atë rast ai do të mëkohej nga kujtimet e së kaluarës dhe do të synonte gjithëpërfshirje. Natyrisht, nga kjo do të mund të lindte edhe konflikt brendashhqiiptar, veçmas në Shqipëri. Unë besoj s e nuk do të ketë “nacionalizëm fetar” ndër ne, sepse ai do të ishte përçarës dhe konfronutes me gjithë rrethimin tonë dhe me faktorët ndërkombëtar. Prandaj kujtoj se janë vetëm përfytyrime (vërtet) apokaliptike të Blushit. E sigurt është se nëse frenohet islamofobia dhe nëse shteti liberal funksionon, nuk do të ketë kësi skenarësh as në të ardhmen e largët, pra as në ”vitin e mbrapshtë” të Blushit, 2214.

Sa i përket nacionalizmit shqiptar dhe ndikimit të tij në të ardhmen, në projektin e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, kam bindjen se Ben Blushi ka treguar edhe shkallë të lartë të mosdijes. Mënyra se si ai e kupton dhe e paraqet nacionalizmin shqiptar, është e reduktuar dhe e deformuar. Ai nuk është nacionalizmi i mirëfilltë. Definicioni i Gellnerit sipas të cilit nacionalizmi është një parim sipas të cilit njësia politike dhe kombëtare duhet të përputhen, duhet të respektohet edhe kur është fjala për nacionalizmin shqiptar. Nuk mund të kemi definime të veçanta, duke emërtuar dukuri krejtësisht jonacionaliste si gjoja nacionalizëm shqiptar. Nëse ka nacionalizëm shqiptar, ai nuk mund të jetë me tre koka, si na e paraqet Blushi. Nuk mund të ketë as dy koka. Nacionalizmi shqiptar mund të ketë vetëm një kokë dhe vetëm një objektiv, bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet kombëtar të tyre. Ky objektiv i nacionalizmiit nuk duhet të relativizohet. E vërteta është dhe këtu jam dakord me autorin se “shqiptarët ende nuk e kanë provuar se janë nacionalistë”, megjithëse ideologët e nacionalizmit klasik shqiptar, Pashko Vasa dhe veçmas Sami Frashëri me definicion kanë qenë të tillë. Paraprakisht Lidhja e Prizrenit me kërkesat e veta, i ka vu themelet e botëkuptimit nacionalist shqiptar. Por, pas mossuksesit të saj, ka filluar edhe tkurrja e mendimit dhe e veprimit nacionalist dhe ka ardhur deri te katandisja e sotme e tij. Për turpin e shumë njerëzve, që mbahen si gjoja intelektualë shqiptarë, sot si nacionalizmëm paketohet islamofobia e shfrenuar.

Edhe krahasimet e Blushit ndërmjet Spanjës e Katalonisë në njërën anë dhe Shqipërisë e Kosovën, në anë tjetër, zbulojnë një qëndrim të qartë antinacionalist. Spanjollët dhe katalonasit janë dy kombe që jetojnë në një shtet, ndërsa shqiptarët janë një komb që jeton në dy shtete, prandaj proceset do të jenë të ndryshme, pavarësisht nga tregjet, që na i sjellë në kujtesë Blushi. Me këso analogjishh të palogjikshme, që i ngjajnë krahasimit ndërmjet elefantit e maces nga Logjicisti në dramën “Rinoqeronti”të Joneskos, kurrqysh nuk mund të shpjegohet problematika dhe as dinamika e nacionalizmit shqiptar dhe as çështja e bashkimit eventual kombëtar të shqiptarëve. Por, Blushi nuk e ka synim shpjegimin dhe gjetjen e rrugëve, e ka synim maskimin dhe pështjellimin.

Lidhur me disa aspekte gjeopolitike, si roli i SHBA-ve, i Rusisë, i Gjermanisë e Turqisë, Blushi ka sjellë në librin “Hëna e Shqipërisë” disa interpretime standarde, që janë në qarkullim edhe para tij. Por, tek ky autor spikatë më shumë evroskepticizmi, që e dallon nga shumica e autorëve të tjerë euroentuziastë shqiptarë. Euroskepticizmi është pjesë e diskutimeve edhe në vende të tjera, si Greqia, po edhe në shumë vende të tjera të vetë Bashkimit Evropian, prandaj kësaj radhe nuk po mirrem me vlerësimin e tezave të Blushit. Përhania e Blushit me to është megjithatë më racionale, sikundër që është racional dhe i dobishëm qëndrimi lidhur me gjuhën shqipe. Vetëm shfryrja ndaj fesë islame dhe ndaj nacionalizmit shqiptar, e bën ligjërimin e tij skajshmërisht të përhanshëm.  Për motivet e fshehta të kësaj përhanieje, shpresoj të shkruaj një herë tjetër.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Lëvizja Identitare në Europë: fashizëm i vjetër me rroba të reja

Në kohën kur ekstremizmi i djathtë po përjeton një ringjallje të frikshme në Europë, është me rëndësi të kuptojmë transformimin e tij nga fashizmi klasik në një lëvizje të maskuar me rroba të reja.

Paris 2024: Olimpiada e diskriminimeve fetare dhe përplasjeve kulturore

Paris 2024 u shënua nga tensione kulturore dhe fetare, përfshirë ndalimin e hixhabit për sportistet franceze dhe me ceremoni me rituale satanike.
Verified by MonsterInsights