Thursday, November 21, 2024

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Nëse Trump rikthehet në presidencë dhe vendos një ndalim të ri, kjo do ta fuqizojë më tej Islamofobinë në SHBA. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Nga Kourosh Ziabari

Në vitin 2017, Samira Asgari kaloi shtatë ditë duke u përpjekur të fluturonte nga Evropa për në Shtetet e Bashkuara, ku pritej të fillonte një bursë postdoktorale në Universitetin e Harvardit.

Për ditë të tëra më rradhë, biologes së njohur, e lindur në Iran, iu ndalua të fluturonte për shkak të frikës që kishin linjat ajrore se mos shkelnin “ndalimin për muslimanët” të shpallur nga Presidenti Donald Trump. Ndërsa Asgari ndodhej në Zvicër, Trumpi lëshoi Urdhrin Ekzekutiv 13769, i cili përfshinte një kufizim 90-ditor për udhëtimet nga shtatë vende me shumicë muslimane: Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Kur iu ndalua të hipte në një avion në Frankfurt, filloi ndiente “konfuzioni, zhgënjimi dhe pafuqi,” kujton ajo. Disa ditë më vonë, një agjent i SwissAir në Cyrih i tregoi një letër nga Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së që kërcënonte me gjobë prej 50,000 dollarësh nëse e lejonte Asgarin të udhëtonte.

Pasditen e 3 shkurtit, pasi një gjykatës në Massachusetts lëshoi një urdhër për të pezulluar ndalimin e Trumpit, Asgari arriti më në fund në aeroportin Logan të Bostonit. Dhjetëra kameramanë, gazetarë, avokatë, mbështetës dhe madje edhe kongresmeni Joseph Kennedy III ishin atje për ta mirëpritur.

“U trondita nga mirësia dhe mbështetja e treguar në sallën e mbërritjes. Nuk e prisja,” rrëfen ajo për Hyphen.

Asgari u bë një rast studimi i ndikimit që ligji pati mbi rreth 60,000 familje dhe punëtorë që prisnin prej muajsh ose vitesh për lejet e udhëtimit, mes tyre edhe akademikë të institucioneve kryesore në SHBA.

Tashme një asistente profesore në Shkollën e Mjekësisë Icahn në Malin Sinai në Nju Jork, Asgari shpreh shqetësim për një ndalim të ri për muslimanët, nëse Trumpi rizgjidhet.

“SHBA-ja është një vend i ndërtuar mbi emigracionin, me aftësinë për të tërhequr talente nga e gjithë bota dhe me premtimin se nëse je qytetar i mirë, punon shumë dhe i përmbush detyrimet, ke hapësirë për të ecur përpara,” thotë ajo. “Një ndalim për muslimanët, ose çdo politikë diskriminuese ndaj një grupi të caktuar, bie ndesh me imazhin që e ka bërë këtë vend të jetë ai që është sot.”

Në fushatën e tij për zgjedhjet e vitit 2024, Trump ka ashpërsuar qëndrimin e tij për emigracionin, duke pretenduar pa prova se miliona njerëz po depërtojnë në kufijtë e SHBA-së dhe po shkaktojnë rritje të kriminalitetit. Shumica e sondazheve tregojnë se shanset e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë janë po aq reale sa ato të Kamala Harris për t’u bërë presidentja e parë grua.

Në një aktivitet të shtatorit në Uashington DC, Trumpi u zotua se do të rikthente një version më të ashpër të ‘ndalimit për muslimanët’, nëse rizgjidhet.

“E mbani mend ndalimin e udhëtimit?” pyeti ai të pranishmit. “Nuk lejuam njerëz nga disa vende sepse nuk doja që ata të shkatërronin dhe digjnin qendrat tona tregtare dhe të vrisnin njerëz.”

“Ne do t’i largojmë nga vendi ynë. Do të ndalojmë rivendosjen e refugjatëve nga zona të ngarkuara me terror si Rripi i Gazës,” shtoi ai, duke përshkruar vendet e shënjestruara si “zona shumë të egra dhe të dhunshme të botës.”

Urdhri origjinal dhe përsëritjet e tij përfundimisht përfunduan në gjykatën supreme. Dhjetëra padi u ngritën ndaj Trumpit dhe administratës së tij në mbarë vendin, sapo dekreti u firmos. Sfida më e dukshme erdhi nga shteti i Hawait, i cili detyroi Trumpin ta paraqiste çështjen përpara gjykatës supreme.

Çështja Trump kundër Hawait, e shqyrtuar në prill të vitit 2018, pasoi një urdhër nga gjykata e Maryland-it që përkohësisht ndalonte edicionin e tretë të ndalimit. Juristë të njohur besonin se ndalimi shkelte amendamentin e parë dhe të pestë të Kushtetutës së SHBA-së.

Por gjykata supreme nuk u pajtua, dhe një version i zbutur i ndalimit mori vulën e saj, duke qëndruar në fuqi deri në përfundim të mandatit të Trumpit. Pasardhësi i tij, Joe Biden, e shfuqizoi dekretin në ditën e tij të parë në detyrë, duke e cilësuar atë “në kundërshtim me traditën tonë të gjatë të mikpritjes për njerëzit e të gjitha besimeve dhe atyre pa besim.”

Gjatë gjithë kohës, kishte ekspertë në administratën Trump që dyshonin për bazën ligjore të këtij urdhri. Por nuk ishin vetëm argumentet juridike dhe kushtetuese atë që bënë të mundur vendosjen e kufizimeve.

“Jam e bindur se paragjykimet anti-musliman ishin pjesë e arsyes pse gjykata supreme mendonte se mund të justifikonte pretendimin se ndalimi për muslimanët ishte një reagim i arsyeshëm ndaj një problemi gjoja real,” tha Erica Newland, ish-këshilltare ligjore në Departamentin e Drejtësisë gjatë mandatit të Trump.

Newland punonte në Zyrën e Këshillit Ligjor, që ishte përgjegjëse për t’u siguruar që administrata të kalonte sfidat ndaj ndalimit që vinin nga gjykata të ndryshme.

“Gjithçka që pashë në Departamentin e Drejtësisë më bindi se nëse avokatët do të refuzonin të mbronin ndalimin në gjykatë, Trump do të tërhiqej,” tha ajo për Hyphen.

Sot, përpjekjet e Trumpit për të bindur amerikanët se mund t’i mbrojë nga kërcënimi i supozuar i emigracionit musliman janë më të forta se kurrë. Ai është i rrethuar nga këshilltarë me qëndrime të forta armiqësore ndaj njerëzve me ngjyrë dhe minoriteteve, dhe këto pikëpamje nuk kanë gjasa të ndryshojnë.

Nëse rizgjidhet, pritet që ai të realizojë premtimet e tij elektorale. Pra, pse mediat nuk e kanë sfiduar Trumpin në lidhme me një tjetër ndalim të emigracionit? Pse nuk është diskutuar në debatet presidenciale?

Lawrence Pintak, profesor gazetarie në Universitetin e Uashingtonit, që studion Islamofobinë në media, mendon se aleancat e Trumpit e kanë ndihmuar të shmangë kritikat ligjore dhe mediatike.

“Nuk mund të flas për mënyrën se si ABC përzgjodhi pyetjet për debatet, por me sa më kujtohet, intervistuesit e Trumpit kanë qenë gjithmonë të favorshëm, kështu që nuk është çudi që ai nuk është sfiduar për ndalimin e udhëtimit,” tha Pintak.

Islamofobia, sipas studiuesve, nuk kufizohet vetëm te partia republikane apo mediat e djathta.

Emran El-Badawi, profesor në Universitetin e Hjustonit për studimet e Lindjes së Mesme, përmend islamofobinë e rastësishme në shkrimet e disa figurave të njohura, përfshirë gazetarin e New York Times, Thomas Friedman.

“Urrejtja ndaj muslimanëve nuk është vetëm prerogativë e së djathtës, por edhe e së majtës,” shtoi El-Badawi.

Disa ekspertë sugjerojnë se frikësimi ndaj muslimanëve është përgjigje ndaj një nevoje kulturore për të fajësuar një të keqe të jashtëme për sfidat e brendshme.

“Arabët dhe muslimanët në përgjithësi janë demonizuar në kulturën amerikane që nga 11 Shtatori,” tha Joshua Landis, drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Universitetin e Oklahomas. “Në shumë mënyra, arabët janë bërë armiku i ri, duke zëvendësuar nazistët apo rusët sovjetikë si të këqijtë e filmave.”

Nën Joe Biden-in, ndërgjegjësimi për pabarazitë racore u rrit dukshëm, veçanërisht pas vrasjes së George Floyd-it dhe rritjes së lëvizjes “Black Lives Matter”. Në nëntor 2023, pas një rritjeje të gjuhës islamofobe dhe krimeve të urrejtjes, qeveria shpalli një Strategji Kombëtare për të Luftuar Islamofobinë dhe Urrejtjen ndaj Arabëve.

Por çfarë ka arritur kjo strategji? Zërat muslimanë dhe pro-palestinezë në mediat kryesore dhe akademi u është mbyllur goja. Incidentet e krimeve të urrejtjes ndaj muslimanëve janë rritur. Perspektiva për një ndalim të ri të udhëtimit vazhdon të përballet me heshtje relative – si nga media ashtu edhe nga partia Demokratike. Angazhimi i Harris-it për të trajtuar diskriminimin, bashkë me mbështetjen e saj të fuqishme për Izraelin ndërsa sulmon Gazën, ka bërë që shumë votues muslimanë të hezitojnë ta mbështesin atë.

Nëse Trump rikthehet në presidencë dhe vendos një ndalim të ri, kjo do ta thellojë më tej Islamofobinë në SHBA. Pasojat për muslimanët, si në SHBA ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Solli në shqip Observer.al

Observer.al
Observer.al
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë është platformë që trajton problemet e Islamofobisë, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit Musliman në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, e më gjerë.

Të ngjashme
Related

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.

Fytyra e normalizimit të racizmit: çfarë e pret Austrinë nëse fiton ekstremi i djathtë?

Partia kundër emigrantëve dhe anti-islame FPÖ mund të dalë si partia më e votuar në zgjedhjet e së dielës.
Verified by MonsterInsights