Ndryshimi midis një demokracie liberale dhe një demokracie autoritaritare është marrëdhënia që shteti vendos me të drejtat dhe liritë e qytetarëve të vet. Një vend demokratik funsionon dhe është i rregulluar në bazë të ligjeve, të cilat reflektojnë diversitetin e qytetarëve dhe garantojnë liritë e tyre, ndërsa një shtet me natyrë autoritare përdor ligjet për të kufizuar liritë e njerëzve e për të afirmuar pushtetin e elitave mbi popullin.
Sot, qytetarët e Republikës së Kosovës provuan një dozë të hidhur realiteti të natyrës së vërtetë të udhëheqjes. Vendimi për të mos e shfuqizuar Udhëzimin Administrativ që ndalon mbajtjen e shamisë në shkolla është i padrejtë.
Së pari, mohimi i një të drejte kaq bazë si ajo e mbajtjes së shamisë është shkelje e Kushtetutës dhe çdo lloj konvente për të drejtat e njeriut. Në demokracitë liberale, liria e fesë dhe e ndërgjegjes është e garantuar. Asnjë shtet demokratik që respektohet nuk e kufizon lirinë e ndërgjegjes. E ndërgjegjia fetare është ndër më të rëndësishmet për një individ. Duke e kufizuar atë, shkelet një nga themelet mbi të cilat funksionon një shoqëri e lirë.
Se dyti, kjo është shkelje e një premtimi elektoral të Kurtit, i cili vazhdimisht deklaronte se nuk duhet të ketë kufizim të mbajtjes së shamisë. Tani që ndodhet në pozitën për ta bërë këtë premtim realitet, ai dhe qeveria e tij vendosin të ndjekin gjurmët e paraardhësve të tyre.
Së treti, duhet ta përsërisim edhe njëherë se laiciteti i institucioneve nuk ka lidhje me individët dhe besimin e tyre personal. Shteti dhe institucionet e tij janë të ndara nga feja, kurse individi zgjedh vetë se çfarë marrëdhënie të ketë më besimin dhe fenë. E shamia, qoftë ajo e punonjësve apo e nxënësve, nuk ka lidhje e as nuk e prek natyrën sekulare të institucionit.
Se katërti, nuk mund të mos pyesim nëse vajzat e mbuluara nuk paskan vend në shkolla pasi po cenokan laiciteti, a do të thotë kjo se Qeveria Kurti po ia mbyll derën çdo femre të mbuluar që të punojë në administratë shtetërore? Pasi sipas kësaj llogjike, shamia brenda mureve të institucionit disi po e cenoka këtë laicitet.
Së fundmi, qeveria aktuale duhet ta ketë të qartë se adoptimi i një kuptimi anti-fetar të laicizmit, të ngjashëm me modelin francez, nuk do të ndihmojë në konsolidimin e të drejtave të njeriut e as nuk do ta bëjë më të lehtë procesin e shtet-ndërtimit.
Kosova si shtet i ri, duhet të marrë shembullin e demokracive më të zhvilluara në këtë drejtim si Shtetet e Bashkuara, kur liria fetare është e garantuar, ku feja dhe praktikuesit e saj janë të mbrojtur nga politikat diskriminuese të shtetit.
Po ashtu, ky qëndrim i qeverisë Kurti ndaj shamisë në shkolla legjitimon të gjithë zërat islamofobë që e përdorin natyrën shekullarë të shtetit për të bërë thirrje kundër të drejtave fetare të muslimanëve. Me këtë qëndrim, qeveria Kurti, i ka bërë një dëm të madh shoqërisë kosovare, duke fuqizuar më shumë përçarësit e kombit që vazhdimisht kërkojnë zhdukjen e Islamit dhe të traditës fetare në vend.
Më qasje të tilla, Kosova i largohet modelit të demokracive liberale, duke shkuar në drejtim të modelit të demokracive autoritare, ku liritë vendoset nga lideri e jo nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Qeveria Kurti po humbet një rast të artë për të çuar në vend një të drejtë të mohuar prej kaq vitesh. Një e drejtë, e cila herët a vonë do shkojë në vend.