Monday, June 9, 2025

Tuneli i errët narrativ i Ben (Gvir) Blushit për Izraelin si viktimë, e Gazën si fajtore

Në narrativën e Blushit audienca mbetet e bllokuar dhe e përhumbur në brendinë e një labirinti narrativ ku viktimizimi i njërës palë shërben për të fshehur, dhe madje për të legjitimuar, harresën e “tjetrit”. 

Në peizazhin e polarizuar të diskursit ndërkombëtar mbi gjenocidin e Izraelit në Gaza, narrativat që na ofrohet shpesh funksionojnë si instrumente të sofistikuara për të manipuluar perceptimin publik, duke legjitimuar veprime të caktuara nën petkun e humanizmit, ndërsa zhvleftësojnë narrativat alternative. Postimi  në Facebook i Ben Blushit, një figure të njohur islamofobe, me titullin “BRING THEM HOME”, i shoqëruar nga një imazh thellësisht simbolik, ofron një rast të qartë se si theksimi i narrativës së viktimizimit të njërës palë, ndërkohë që injoron në mënyrë flagrante vuajtjet e palës tjetër, kontribuon drejtpërdrejt në normalizimin e padrejtësisë dhe në heshtjen e çdo thirrjeje për përgjegjshmëri.

Teksti i Blushit hapet me një theksim të fortë të vuajtjes izraelite, duke përshkruar Izraelin si të mbushur me fotografi të pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi. Kjo thirrje, e përforcuar nga titulli “BRING THEM HOME” dhe imazhi i Matan Zangauker, synon të evokojë një ndjenjë universale humanizmi dhe solidariteti. Kërkesa për kthimin e pengjeve është, në thelb, një thirrje legjitime humane. 

Megjithatë, pikërisht ky legjitimitet shfrytëzohet për të ndërtuar një kornizë narrative që i shërben qëllimeve më të gjera politike.

Kjo narrative, funksionon si një mjet i fuqishëm për të minimizuar në mënyrë të rrezikshme gjenocidin në Gaza. Kur Blushi deklaron se “Nga 247 të rrëmbyer… 58 nuk janë kthyer ende dhe se kjo është arsyeja që lufta e dhimbshme e Gazës nuk po mbyllet,” ai në mënyrë flagrante injoron rrënjët kryesore të konfliktit – okupimin prej më shumë se shtatë dekadave, bllokadën prej gati 20 vjetësh të Gazës, dhe ciklet e përsëritura të dhunës e bombardimeve izraelite – duke e zhveshur atë nga çdo kontekst historik apo politik. Ky shpjegim i thjeshtëzuar dhe i deformuar i shkakut dhe pasojës ka një qëllim të qartë: të vendosë barrën e fajit ekskluzivisht mbi Hamasin dhe të paraqesë veprimet ushtarake izraelite jo si agresion, por si një përgjigje të pashmangshme dhe të justifikuar ndaj veprimeve të Hamasit.

Demonizimi i Hamasit, në këtë kuadër, shërben si gurthemel i kësaj narrative anti-arabe dhe Islamofobe. Përdorimi i vazhdueshëm i termit “terroristët e Hamasit” dhe përshkrimi i tyre si përgjegjës për zgjatjen e bombardimeve “duke fshehur pengjet civile në tunelet e errëta dhe të pafundme të Gazës” nuk kriminalizon thjesht një grup, por në mënyrë të qëllimshme dehumanizon mjedisin dhe popullsinë civile në tërësi. Kjo gjuhë krijon një asociim të rrezikshëm mes Hamasit dhe të gjithë Gazës, duke fshirë dëshirën për të bërë çdo dallim mes aktorëve ushtarakë dhe civilëve të pafajshëm të cilët po i vuajnë pasojat më të rënda. Kur Gaza shndërrohet në një imazh të “tuneleve të errëta”, kjo lehtëson në mënyrë cinike justifikimin e bombardimeve dhe gjenocidin e vazhdueshëm të Iraelit në Gaza, duke mos marrë parasysh vuajtjet dhe pasojat shkatërruese mbi jetën e civilëve. Heshtja e plotë ndaj vuajtjeve të palestinezëve – dhjetëra e mijëra të vrarëve, të zhvendosurve, të traumatizuarve – nuk është një anashkalim, por një zhvendosje narrative e qëllimshme që synon të zhvleftësojë vuajtjet e tyre si qënie më pak se njerëzore.

Aspekti më i dëmshëm i këtij diskursi është mungesa flagrante e simetrisë në ndjeshmëri. Blushi ndërton një tablo të detajuar dhe prekëse të trishtimit në Izrael, duke e përshkruar atë si një dhimbje të ndarë “në çdo tavolinë, në çdo shtëpi dhe në çdo familje, me bukë dhe me ujë.” Ky theksim ekskluziv i vuajtjes izraelite, ndërkohë që tragjedia humanitare dhe gjenocidi në Gaza injorohet plotësisht, është një akt zhvleftësimi i qëllimshëm i vuajtjeve të një popullsie kryesisht muslimane. Kjo mungesë balance e thellë në diskurs, edhe pse jo gjithmonë e shprehur drejtpërdrejt si Islamofobi, krijon një narrativë sipas të cilës jeta e palestineze vlerësohet më pak, duke justifikimin në mënyrë të rrezikshme veprimet shkatërruese të Izraelit kundër tyre.

Po ashtu, elementi vizual i shenjës “NO SPEAKING LASHON HARA IN THIS AREA” pranë posterit të pengut është një tregues i rëndësishëm i mekanizmave të heshtjes ndaj kritikës. “Lashon Hara,” një koncept hebraik kundër “gjuhës së keqe” ose shpifjes, shfrytëzohet këtu si një mjet për të diskredituar dhe heshtur çdo formë kritike ndaj Izraelit dhe veprimeve të tij. Vendosja e këtij paralajmërimi në një hapësirë publike interpretohet si një thirrje e qartë për të shmangur çdo diskutim që mund të sfidojë narrativën zyrtare, duke e etiketuar atë si “gjuhë të keqe.” Kjo taktikë krijon një ambient ku diskursi kritik, sidomos ai që denoncon gjenocidin ose kërkon llogaridhënie, jo vetëm që stigmatizohet, por edhe injorohet sistematikisht. Në këtë mënyrë, narrativa e viktimizimit të Izraelit bëhet praktikisht e paprekshme ndaj kritikës, duke ofruar një mburojë të rrezikshme për veprime që ndryshe do të ishin objekt i shqyrtimit të rreptë botëror dhe ligjit ndërkombëtar.

Në përfundim, shkrimi i Blushit, i cili në sipërfaqe shfaqet si një shprehje e ndjeshmërisë humane, në thelb përdor një strategji diskursive thellësisht manipuluese. Duke theksuar në mënyrë disproporcionale vuajtjen e një pale dhe duke heshtur plotësisht ndaj vuajtjeve të palës tjetër, ai kontribuon në normalizimin e veprimeve shkatërruese të Izraelit ndaj popullsisë civile të pafajshme. Kjo gjuhë, e maskuar pas thirrjeve humane për kthimin e pengjeve, shërben si një mjet i fuqishëm për të justifikuar gjenocidin e Izraelit dhe për të shmangur përgjegjësinë ndërkombëtare të fajtorëve të vërtetë.

Kështu, në narrativën e Blushit audienca mbetet e bllokuar dhe e përhumbur në brendinë e një labirinti narrativ ku viktimizimi i njërës palë shërben për të fshehur, dhe madje për të legjitimuar, harresën e “tjetrit”. 

Të ngjashme
Related

Islamokracia dhe Islamofobia si dëmtues të fesë islame në kosovë

Në këtë shkrim, autori trajton ndikimin e të ashtuquajturit "Islam politik" (Islamokracisë) dhe "Islamofobisë" në praktikën dhe perceptimin e fesë islame në Kosovën e pasluftës.

Nakba ishte vetëm fillimi; lufta e Izraelit kundër Palestinës e tejkalon çdo dhunë të së kaluarës

Gjenocidi aktual i Izraelit ndaj Palestinës shënon një fazë të re, të paprecedentë, të dhunës masive, shkatërrimit dhe aneksimit të paligjshëm.

Dëshira e flaktë e shqiptarëve për të qenë “evropian”

Islamofobia e përbrendësuar e shqiptarëve është normalizuar aq shumë saqë kalon pa u vërejtur.

Nën hijen e kolonializmit: një diskurs mbi subjektin musliman të kolonizuar

Bazian argumenton se bota muslimane vuan nga një "e tashme koloniale" mendore dhe epistemike.
Verified by MonsterInsights