Saturday, July 27, 2024

Fatkeqësia e një kombi të paintegruar me veten

Etërit e kombit shqiptar jo vetëm që ishin shumica myslimanë, por mes tyre ishin edhe njerëzit më të rëndësishëm me pushtet dhe autoritet.

Elita kombëtare shqiptare që i dha jetë këtij kombi, pa as më të voglin dyshim ishte në shumicën e saj myslimane. Pa përmendur emra, sepse janë shumë, çdo kush që ka dy fije mend në kokë është në gjendje t’i dallojë ata nga emrat apo mbiemrat e tyre, duke mos harruar faktin se ata kanë jetuar në një periudhë dhe vend ku ateizmi dhe laicizmi ishin diçka e huaj, ndaj fetaria e tyre, e madhe apo e vogël ishte diçka e mirëqenë, me gjithë heshtjen ndaj saj nga tekstet e hartuara më vonë nga elita kulturore, politike, laiciste dhe komuniste shqiptare.

Etërit e kombit shqiptar jo vetëm që ishin shumica myslimanë, por mes tyre ishin edhe njerëzit më të rëndësishëm me pushtet dhe autoritet që mbajtën barrën e formimit të këtij kombi deri në ngritjen e shtetit shqiptar. Ishin myslimanët shqiptarë ata që luftuan më së shumti dhe derdhën gjak për këto troje, për faktin e thjesht se ata ishin shumicë dhe ishin të parët e këtij vendi.

Ishin myslimanët ata që pranuan për hero kombëtar një figurë si Skënderbeu, i cili edhe pse kishte luftuar shekuj më parë kundra shtetit osman nuk u pa kurrë nga rilindësit shqiptarë myslimanë si armik i Islamit, ndërkohë që edhe atij vetë i pëlqeu të mbante deri në vdekje pikërisht emrin e tij turk dhe islam dhe të identifikohej më së shumti me të, edhe pse nuk vdiq si mysliman.

Kështu që përpjekjet agresive të laicistëve dhe komunistëve shqiptarë për të heshtur, fshirë apo dhe deformuar historinë e shqiptarëve, nuk mundën dhe nuk munden kurrsesi të zhbëjnë të vërtetën e faktit se identiteti fetar islam, i dobët apo i fortë i shqiptarëve, ishte dhe është pjesë thelbësore e shumicës së këtij kombi.

Dhe ky identitet fetar islam është më se normale të shfaqet historikisht përmes praktikave fetare publike, siç është falja, agjërimi, bajrami, shamia, ezani etj. Mohimi i tyre dhe etiketimi me terma rrezikshmërie të zhbërjes kombëtare, jo vetëm që është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut deri në penalitet ligjor, por është një përdhunim kriminal ndaj identitetit shpirtëror të shumicës së këtij kombi.

Histeritë anti-islame që kanë shpërthyer këto ditë në trojet shqiptare, pikërisht nga disa elementë pakicë, por me pushtet politik dhe kulturor, janë krimi i vazhdueshëm që i bëhet këtij kombi, sidomos që nga koha kur shqiptarët u pushtuan nga hegjemonia e ndyrë komuniste. Dhe të imagjinosh që disa prej këtyre zërave që çirren më fortë sot janë pasardhës të padenjë të shqiptarëve myslimanë, që përveç britmave absurde nacionaliste anti-islame, nuk kanë asnjë kontribut tjetër për këtë komb. Nëse paraardhësit e tyre myslimanë do të ngjalleshin sot, sigurisht që do t’i pështynin në fytyrë këta faqezinj të kombit shqiptar, që urrejnë prejardhjen e tyre, dhe që kanë shkatërruar e vazhdojnë të shkatërrojnë integrimin e këtij kombi me veten e tij.

Procesi i de-islamizimit të myslimanëve shqiptarë, sigurisht që ka arritur të zhvesh dhe të dobësojë shumë elementë nga identiteti fetar i tyre, por synimi për ta vrarë përfundimisht atë dhe për t’i veshur atyre një identitet të ri fetar apo jofetar është mision i pamundur. Ndërkohë pasoja më e rëndë që ky proces ka është pikërisht vetëvrasja shpirtërore, ky krim i vazhdueshëm që në emër të kombit i bëjnë kriminelët e vërtetë të këtij kombi.

Shqiptarët nuk duan veten, nuk duan emrin e tyre, turpërohen, nuk gjejnë rehat me trashëgiminë e tyre shpirtërore, kompleksohen dhe ndjehen inferior karshi të tjerëve, pikërisht për shkak të këtij përdhunimi që i bëhet që në vegjëli për dekada me radhë trashëgimisë të tyre fetare, përmes shkollës, medias, politikës dhe kulturës, duke i dezintegruar ata me vetveten.

E kuptojnë ose jo, e pranojnë ose jo, janë pikërisht elitat politike, sociale dhe kulturore anti-islame dhe anti-myslimane, si ata që ngrenë që ngrenë zërin si ata që duket se rrinë heshtur, kriminelët më të mëdhenj të kombit shqiptar dhe kriminelët më të rrezikshëm dhe të pashpirt janë pikërisht ata që të vrasin në emër të kombit që ata pretendojnë se po mbrojnë.

Kriza e identitetit mes shqiptarëve, çështja kjo më e madhe që kanë sot shqiptarët kudo që janë, është shkaktuar pikërisht nga këta njerëz, të vdekur dhe të gjallë, që Islamin e kanë shpallur armik të kombit shqiptar.

Justinian Topulli
Justinian Topulli
Justinian Topulli ka një PhD në Sociologji- Antropologji Sociale, nga Universiteti Europian i Tiranës, Shqipëri. Ai po ashtu ka kryer studimet në Universitetin Islamik të Medinës në Arabinë Saudite. Topulli gjithashtu ka shërbyer si kreu i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

Nga Srebrenica në Gaza – Si çon dehumanizimi sistematik në gjenocid

Ashtu si u dehumanizuan boshnjakët dhe u vranë sistematikisht, njësoj po ndodh me palestinezët sot.

A është Serbia në pritje të misionit të saj të hershëm?

Me këtë qasje të gabueshme, sidomos në Kosovë, Perëndimi ka dhënë sinjale se nuk e ka mbyllur përgjithmonë mundësinë që Serbia t’i kthehet misionit të saj të hershëm - çrrënjosjes së muslimanëve nga Ballkani.  

Islamofobia, si helm në politikën evropiane!

Shqetësimi i udhëheqësit të parë musliman në një demokraci perëndimore: a është urrejtja ndaj muslimanëve ajo që po nxit kryesisht populizmin në Evropë dhe Perëndim?

Dëshmor liberal apo Islamofob: Selman Rushdie e ka gabim për Palestinën

Për disa, ai është një hero liberal, por për muslimanët si unë, Selman Rushdiu është mishërimi i Islamofobisë moderne. E komentet e tij të fundit mbi Palestinën e dëshmojnë këtë.
Verified by MonsterInsights