Friday, April 26, 2024

Lehtësia e padurueshme e intolerancës

Një femre muslimane nuk mund t’i ndalohet, as me mjete politike, as administrative e as policore, e drejta për të mbatur shami në kokën ose në krahët e vet.

Ky artikull është shkruar nga autori në vitin 2003 në kontekstin e një debati që u hap për mbajtjen e shamisë në rastin e zojnës Besa Ismaili, në atë kohë përkthyese e OSBE-së. Meqënëse debati për shaminë në shoqërinë kosovare vazhdon edhe pas gati dy dekadash, do të ishte me vlerë të rikujtojmë se si ka filluar ky debat.

Hapja e temës së respektimit të të drejtave dhe të lirive fetare në Kosovë do të ndodhte një ditë, edhe pa tematizimin drastik që iu bë një përkthyeseje të OSBE-së, për faktin se mban në kokë një shami që e identifikon si muslimane. Ndoshta ky rast edhe është i mirëseardhur për të reflektuar e gjithë shoqëria jonë mbi këtë temë, që është realitet por për të cilën flitet me druajtje të tepruar. 

Ndërsa, e keqja e këtij rasti është se debati ka filluar nga një pikë polarizuese dhe me tone tepër të ngritura të dy palëve, e veçmas nga pala që ka synim të bëjë avokatinë e “përkatësisë europiane të shqiptarëve”, në një terren ku këtë gjë nuk ua kërkon askush. 

Debati me tone normale dhe me tolerancë maksimale, vërtet është i domosdoshëm, nëse duam që të mos prodhojë frustrime dhe provokime.

Ndërsa, ata që kujtojnë se kjo çështje mund të  zgjidhet me një skandal ose me një dekret, vlenë ta kujtojnë historinë e dhimbshme që kanë prodhuar në Kosovë komisarët dhe policët në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, kur patën ndërmarrë aksionin e heqjes me dhunë të mbulesës së grave muslimane. Ajo dhunë administrative- policore e regjimit komunist jugosllav, pati prodhuar trauma të rënda në shumë familje shqiptare për shumë vite.  Prandaj, duhet të jetë e qartë se dekretimi i ndalesave nga ana e komisarëve, do të ishte shërbimi më i keq që mund t’i bëhet tolerancës ndërfetare dhe vetë respektimit të lirive dhe të drejtave fetare dhe njerëzore në Kosovë.

Debati i hapur aksidentalisht, në fakt ka të bëjë me standardet e lirive dhe të drejtave që kanë qytetarët e Kosovës. Në këtë kontekst shtrohet një pyetje praktike: a kanë të drejtë muslimanët (vetëm ata që duan të jenë të tillë), që të shprehin identitetin e vet fetar, apo për ta është rezervuar ndonjë status tjetër? 

Nëse pranohet që në kontekstin e lirive të përgjithshme të njeriut në Kosovë, njerëzit mund të deklarohen edhe si muslimanë, atëherë kjo do të thotë se pranohet që muslimanët mund t’i zbatojnë rregullat që i konsiderojnë si obligative për besimin e vet. E këto rregulla nuk mund t’ua përcaktojnë njerëzit e besimeve të tjera dhe as ateistët. Rrjedhimisht, një femre muslimane nuk mund t’i ndalohet, as me mjete politike, as administrative e as policore, e drejta që të mbajë shami në kokën ose në krahët e vet, në rast se feja islame nuk është e ndaluar. 

Por, kundërshtarët e kësaj të drejte fetare sjellin pseudoargumenta politikë dhe patriotikë. Ata duan që të plasojnë idenë që shqiptarët e Kosovës duhet të rrafshojnë identitetet fetare dhe të paraqiten, (më e sakta është të thuhet të shtiren), me pamje monolite, mundësisht anti-islame, si në një njëshkolonë të komanduar rreptë.. Ky koncept për popullin si plotësisht monolit mbi një ide antifetare, në fakt është koncepti themelor  i kombit socialist ose i njeriut të ri socialist. Përndryshe në realitetet jetësore, secili popull ka një larmi shumëplanëshe, që nga ajo gjinore, moshore, sociale, arsimore, po edhe fetare, e cila në situata të ndryshme, paraqet edhe potenciale konfliktualiteti (rasti i irlandezëve). Por, rrafshimi i atyre larmive me kërkesën për monolitet nuk është i mundur, përveç se me anën e dhunës, të spastrimit etnik dhe të gjenocidit. 

E drejta, parulla e popullit monolit do të thotë i drejta e sundimit të një grupi mbi të tjerët, sikundër ka  qenë praktika e ateistëve në periudhën e sistemit komunist.

Përndryshe, shpjegimi i fatit të Kosovës me pseudoargumentat politike dhe patriotike që u dëgjuan në debatin që u hap këto ditë lidhur  me rastin e përkthyeses së OSBE-së, e ku dominon teza se mbulesa islame e një përkthyeseje paraqet rrezik për imazhin e Kosovës, vërtet është një shpjegim naiv. Edhe SHBA-të edhe institucionet euroatlantike e kanë pasur të qartë përkatësinë fetare të shqiptarëve të Kosovës para se të ndërhynin në Kosovë. Gjithë bota ka regjistruar pamjet e grave shqiptare, duke u deportuar me dhunë nga Kosova, e ku shumë prej tyre kishin shami në kokë. Por, askush në SHBA dhe as në Europë nuk ka kushtëzuar ndihmën me heqjen dorë nga përkatësia islame e këtyre banorëve. 

As sot, dhe as në të ardhmen, nuk ka gjasa që të bëhen kushtëzime të tilla. Kushtëzimet që i bëhen shoqërisë dhe institucioneve kosovare, në formën e standardeve, synojnë pikërisht rritjen e tolerancës së përgjithshme në vend, duke përfshirë edhe tolerancën ndërfetare dhe ndëretnike, pastaj demokracinë dhe respektimin e të drejtave të pakicave, krijimin e institucioneve funksionale dhe luftimin e fenomeneve negative në shoqëri. Mos ta rrejë mendja asnjë patriot që gjen rastin të shfryjë intolerancë antiislame, se ka tërheqje të komunitetit ndërkombëtar nga këto standarde edhe nëse bash të gjithë i heqim shamitë e kapelat dhe bile edhe nëse ecim vetëm në brekë  nëpër rrugë e nëpër institucione.

Propagandimi se gjoja Perëndimi nuk i don shqiptarët e Kosovës për faktin se kanë si shumicë  përkatësi islame, është një alibi e rreme. Perëndimi ka një projekt global të luftimit të kontrabandës, krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore, të korrupsionit, të intolerancës ndëretnike, të ekstremizmit dhe të terrorizmit ndërkombëtar. Ky projekt përfshinë shoqëri e shtete të besimeve të ndryshme e të kontinenteve të ndryshme. Fjala vjen, kubanezët, nuk janë të preferuarit e SHBA-ve dhe të Perëndimit, edhe pse janë të krishterë, më sa janë të tillë talibanët e Afganistanit, ose komunistët e Koresë së Veriut.  Prandaj, fati i vërtetë i  Kosovës varet se sa shoqëria jonë do të plotësojë standardet e miratuara, të cilat do ta bënin një shoqëri efikase, të aftë të mbajë veten dhe ku respektohen me përpikëri vlerat e demokracisë së sotme. Vetë presidenti amerikan Xhorxh Bush, ka deklaruar para disa javësh (bëhet fjalë për vitin 2003. shën. i red.) se Islami nuk është në kontradiktë me progresin dhe me demokracinë. Ndoshta nuk është e nevojshme të kujtohet këtu se Islamin si Shpallje Hyjnore nuk e përfaqësojnë regjimet diktatoriale që ndeshim sot në shumicën e shteteve arabe dhe aziatike. 

Nëse i rikthehemi edhe një herë rastit të përkthyeses Besa Ismajli për të cilën u propozua që të përjashtohej nga e drejta e saj që të kryente punën e përkthyeses për llogari të OSBE-së, do të çmeritemi se çfarë ofrojnë si zgjidhje partizanët  e kësaj “zgjidhjeje”. Nëse femrat muslimane përjashtohen nga e drejta e shkollimit në shkolla publike dhe nga e drejta e punës, atëherë do të ndodh kthimi në zonën e errët të dikurshme të injorancës së femrës shqiptare. Nuk është e zorshme të parashikohet se si në atë rast do të funksiononte “imazhi europian i Kosovës”. Në rast se në vend të një përkthyeseje të talentuar, që bartë në kokë një shami si shenjë e identitetit të saj fetar, do të kishim një femër analfabete, poashtu me një shami në kokë, si shenjë e identitetit të saj fetar, gjasat për europianizim do të ishin pakrahasimisht më të vogla. Pra, fakti që në Kosovë ka një popullsi muslimane, e cila e manifeston identitetin e vet fetar, nuk mund të zhbëhet. Përveç nëse rikthehen metodat e komisarëve dhe të policëve të dikurshëm komunistë. E meqë kjo nuk është e mundur, atëherë zgjidhja optimale është toleranca dhe respektimi i të drejtave dhe lirive fetare të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Është e sigurt se nëse nuk respektohen këto liri dhe të drejta, nuk do të respektohen as liritë dhe të drejtat e komuniteteve të tjera etnike, bile as liritë politike. Sepse intoleranca në fakt është si Bajlozi i baladës shqiptare: përditë kërkon nga një viktimë të re.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqihttps://milazimkrasniqi.wordpress.com/
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights