Friday, April 26, 2024

Identiteti shqiptar dhe Islami: Analizë e një marrëdhënieje komplekse

Autori diskuton marrëdhënien komplekse midis identitetit shqiptar dhe Islamit, duke eksploruar faktorët historikë, socialë dhe kulturorë që kanë formësuar kombin shqiptar. Ai argumenton se nuk ka vetëm një model të vetëm, ekskluziv, të identitetit shqiptar dhe kritikon nacionalistët anti-muslimanë për akuzat e tyre joreale ndaj muslimanëve. Ai thekson se identiteti shqiptar nuk ka qenë kurrë uniform dhe se nevojitet një kuptim më i mirë i historisë për të kuptuar rëndësinë që ka luajtur diversiteti fetar në formimin e këtij identiteti.

Në Kosovë, dhe jo vetëm, hapet e rihapet vazhdimisht debati absurd i mohimit të shqiptarisë së hoxhallarëve dhe besimtarëve muslimanë, nga ata të cilët njohin vetëm një model të shqiptarisë. Sipas tyre, nëse nuk je shqiptar dhe patriot, ashtu siç ata e imagjinojnë dhe e duan shqiptarinë, atëherë je serb, grek ose njeri i shitur tek ata për të shkatërruar kombin shqiptar!

Të tilla akuza jorealiste janë kaq të përhapura në qarqet politike dhe kulturore shqiptare, sidomos në trojet verilindore të shqiptarëve, saqë një vëzhgues i qetë dhe objektiv do të skandalizohej nga përmasa e tyre tragjikomike, me të cilat modeli afetar dhe jomusliman i shqiptarisë përbaltë dhe poshtëron pjesën muslimane të shqiptarëve.  

Përveç padijes së theksuar rreth njohjes dhe kuptimit të proceseve, rrethanave historike, sociale, kulturore dhe faktorëve ideologjik, përmes të cilëve kaloi formimi i kombit dhe shtetit shqiptar, shqiptaristët e tipit komunist, enverist, ateist, sekularist, pellazgjik dhe katolikocentrik, janë kaq të zellshëm në histerinë e tyre anti-islame dhe anti-muslimane, sa të drejtën e shqiptarisë ia atribuojnë në mënyrë ekskluzive vetëm vetes së tyre dhe përjashtojnë në mënyrë paradoksale shumicën e shqiptarëve dhe faktorin vendimtar në formimin e këtij kombi, që janë pikërisht shqiptarët muslimanë.

Për ta, nëse je musliman i devotshëm nuk je patriot shqiptar, por mund të jesh i shitur tek serbi dhe greku, po kështu edhe nëse nuk ke të njëjtat pikëpamje për kombin si ata dhe nuk adhuron simbolet që ata adhurojnë dhe që i mendojnë si të vetmet të cilat përcaktojnë shqiptarinë e dikujt!

Këta njerëz nuk e kuptojnë sesa qesharakë dhe të mjerë bëhen në sytë e botës dhe të fqinjëve serb dhe grek, që i akuzojnë si mbështetësit kryesorë të Islamit mes shqiptarëve. Me imagjinatën e tyre konspiracioniste të sëmurë, ata fantazojnë një aleancë të gjerë paradoksale ortodokse-muslimane, serbo greke – turko arabe, që synon islamizimin e shqiptarëve dhe zhbërjen e kombit shqiptar në favor të sllavëve dhe të grekëve fqinj!

Këta njerëz harrojnë ose bëjnë sikur e harrojnë se, pikërisht fqinjët serbë e grekë, dikur, kur formuan shtetet kombe të tyre në themel të nacionalizmit të tyre kishin ortodoksinë, e cila u shërbente si faktorë fetar anti-osman e anti-musliman për shkëputje nga Shteti Osman dhe si element asimilues dhe përbashkues i të gjithë ortodoksëve që jetonin në territorin mbi të cilin ata kërkonin të ndërtonin shtetet e tyre, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike. Kështu që me kohë ata i asimiluan lehtësisht shqiptarët ortodoks, duke i bërë ata grek e sllav, ndërkohë që konvertuan me dhunë ose vranë apo i dëbuan ata që ishin shqiptarë muslimanë.

Tani këta grek e serbë, që dikur identitetin islam të shqiptarëve e shikonin si pengesë për formimin e kombit të tyre dhe kërkonin ta zhduknin atë, sot na mbështetkan shqiptarët muslimanë që të bëhen edhe më shumë muslimanë që kështu të zhbëjnë kombin shqiptar, në favor të tyre! Idiotësi më “brilante” sesa kjo zor se mund të gjesh!

Serbët dhe grekët i kanë vrarë, masakruar, dhunuar dhe dëbuar shqiptarët pikërisht se kanë qenë muslimanë dhe nëse do të ishin në fenë e tyre do t’i kishin konsideruar vëllezër ata dhe do t’i kishin konvertuar në grekë e serbë, siç edhe kanë bërë në fakt.

Këta njerëz nuk i bëjnë pyetje vetes se përse ortodoksia e serbëve dhe e grekëve dikur dhe sot është faktor i ruajtjes dhe kultivimit të nacionalizmit të tyre, ndërsa islami i shqiptarëve qenka faktor shkombëtarizues i tyre?!

Përse Ortodoksia i bashkon serbët dhe grekët me rusët, por nuk i zhbën ata së qeni patriot grek e serbë, ndërsa Islami që i bashkuaka shqiptarët me turqit dhe arabët, i shkombëtarizuaka ata nga të qenit shqiptarë!

Po ortodoksët shqiptarë që i bashkon ortodoksia me serbët, grekët dhe rusët a shkombëtarizohen nga të qenit shqiptarë?

Po katolikët shqiptarë që i bashkon katolicizmi me vendet katolike si polakët, italianët, gjermanët, francezët, spanjollët a shkombëtarizohen nga të qenit shqiptarë?  

Po ateistët, laikët e komunistët që i bashkon ideologjia afetare me të ngjashmit e tyre nëpër botë, a nuk zhbëhen nga të qenit shqiptarë?

Apo shqiptarët e vetëm e të vërtetë janë ata që fe dhe ideologji kanë shqiptarizmin, që është e pamundur të ekzistojë pa u pleksur me ndonjë nga fetë dhe ideologjitë e mësipërme?

Apo e vërteta është se Krishterimi dhe Afetaria që na bashkon me Perëndimin dhe vendet e Evropës është shqiptarisht i pranuar, sepse këto vende sundojnë sot botën ekonomikisht, politikisht, ushtarakisht dhe kulturalisht dhe Islami që na bashkon me Azinë dhe Lindjen është i refuzuar, sepse këto vende janë të stigmatizuara si të prapambetura ekonomikisht, politikisht, ushtarakisht dhe kulturalisht?

Shqiptarizmi nuk ka qenë kurrë një model unik, dhe që në fillimet e tij ka pasur shqiptarizëm katolik, shqiptarizëm ortodoks dhe shqiptarizëm protestant madje, ashtu siç kishte sigurisht edhe një shqiptarizëm musliman. Ka pasur edhe shqiptarizëm krahinor, ashtu siç ka pasur shqiptarizëm pro grek, pro serb, pro austriak dhe pro italianin, por edhe shqiptarizëm pro osman. Shqiptarët nuk kanë qenë gjithmonë hasëm me serbët, grekët dhe turqit, përkundrazi në fillimet e nacionalizmit shqiptar, kur akoma nuk kishte filluar ndarja e territoreve të shtetit osman ku jetonin shqiptarët, i gjen të gjitha format e sipërpërmendura.

Shqiptarizmi nuk është një fe e shpallur e ardhur nga qielli dhe vetëm në një model të mundshëm, atë anti-islam e anti-musliman, nëse do të kishte qenë vetëm i tillë, kombi dhe shteti shqiptar mund të mos ekzistonte sot fare, sepse është absurde të mendosh se një shqiptarizëm anti-Islam mund të lulëzonte në mesin e një popullsie shqiptare me shumicë muslimane. Njerëzit në shekujt e kaluar dhe sidomos në Ballkan, identitetin fetar e kishin shumë më të fortë dhe të rëndësishëm sesa e kanë sot, kështu që të projektosh në imagjinatën historike të së shkuarës një shumicë muslimane shqiptare që urren Islamin apo edhe turqit osmanë, është një anakronizëm idiot, që vetëm mendjet e sëmura nacionaliste anti-islame të sotme mund ta kenë si iluzionin.

E njëjta gjë vlen edhe për simbolet e sotme kombëtare dhe shtetërore, as ato nuk kanë qenë konsensuale që në fillimet e tyre, ato janë përzgjedhur dhe promovuar nga pakica e krishterë shqiptare, madje fillimisht nga ajo arbëreshe dhe më pas u imponua apo u tolerua dhe u pranua nga pjesa muslimane shqiptare në shumicë. Kështu që të pretendosh se nuk është shqiptar dhe patriot ai që nuk i pranon apo ka rezerva ndaj tyre, është i njëjti absurditet që kërkon t’i denigrojë muslimanët autoktonë në këto troje si joshqiptarë dhe tradhtarë të kombit! 

Shqiptarizmit anti-islam dhe anti-musliman të sotëm i fryhet më së shumti nga disa katolikocentrikë, dhe në veçanti nga ajo shtresë e edukuar në periudhën e komunizmit, kur formatua, unifikua dhe imponua zyrtarisht një shqiptarizëm i vetëm, që në thelb ishte afetar dhe më së shumti anti-musliman, dhe kjo përmes historiografisë zyrtare, letërsisë dhe artit në përgjithësi. 

Kështu që nacionalistëve shqiptarë anti-musliman e anti-islam u duhet ta rilexojnë mirë historinë, nga burimet e hershme dhe objektive të saj, dhe t’i thërresin mendjes për realitetin ku jetojnë, dhe të mos trillojnë akuza absurde për muslimanët e këtyre trojeve, sepse me gjithë ëndrrën dhe dëshirën e tyre të madhe, nuk do ta zhbëjnë dot shumësinë muslimane të shqiptarëve.

*Titulli është redaksional. Titulli origjinal: “Shqiptaria myslimane”.

Justinian Topulli
Justinian Topulli
Justinian Topulli ka një PhD në Sociologji- Antropologji Sociale, nga Universiteti Europian i Tiranës, Shqipëri. Ai po ashtu ka kryer studimet në Universitetin Islamik të Medinës në Arabinë Saudite. Topulli gjithashtu ka shërbyer si kreu i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë.

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights