Thursday, November 21, 2024

Nënçmimi dhe tallja me Fenë: Nxitje e urrejtjes, jo liri e shprehjes

Rasti i gazetarit Valon Syla, i cili tallet në rrjetet sociale me fenë Islame (Kuranin e Pejgamberin) dhe imamët, është shembull flagran i keqpërdorimit të rrezikshëm dhe keqkuptimit të lirisë së shprehjes për të sulmuar Islamin dhe besimtarët muslimanë.

E drejta themelore e lirisë së shprehjes është një gur themeli i demokracisë moderne. Por po bëhet gjithnjë e më e qartë (sidomos në shoqëritë me demokraci jo fort të konsoliduar si Kosova) se kjo liri po keqpërdoret në mënyrë të rrezikshme për të sulmuar besimet dhe komunitetet fetare. Rasti i gazetarit Valon Syla tregon nevojën urgjente për të adresuar këtë trend në rritje, i cili minon vetë parimet e respektit dhe tolerancës mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë tona.

Tallja e Valon Sylës me Profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të), Kuranin dhe imamët shqiptarë në rrjetet sociale nuk është asgjë më pak se sa një përpjekje e ulët për të nxitur urrejtjeje ndaj Islamit dhe muslimanëve praktikues. Veprime të tilla jo vetëm që nxisin intolerancën fetare, por gjithashtu krijojnë një mjedis armiqësor në shoqëri duke çuar deri në nxitje dhune.

Në foto: Postime të gazetarit Valon Syla ku tallet me Pejgamberin Muhamed dhe Profetin Isa dhe imain Mazllam Mazllami.

Gjuha e urrejtjes konsiderohet si keqpërdorim i lirisë së shprehjes për disa arsye.

Ndonëse liria e shprehjes është një e drejtë themelore në shoqëritë demokratike, ajo nuk është absolute dhe duhet të ushtrohet me përgjegjësi. Gjuha e urrejtjes mund të shkaktojë dëm për individët dhe komunitetet, duke i shënjestruar ata në bazë të racës, fesë, përkatësisë etnike, gjinisë ose karakteristikave të tjera të mbrojtura. Një shënjestrim i tillë mund të çojë në dëmtim psikologjik, margjinalizim social, madje edhe dhunë fizike ndaj grupeve të prekura.

Për më tepër, gjuha e urrejtjes mund të krijojë përçarje brenda shoqërisë, duke vënë grupet kundër njëri-tjetrit dhe duke gërryer besimin mes qytetarëve. Kjo mund të destabilizojë komunitetet dhe të minojë strukturën shoqërore që mban të bashkuar një shoqëri të larmishme. Gjuha e urrejtjes mund të përbëjë gjithashtu një kërcënim për demokracinë duke nxitur intolerancën dhe diskriminimin, duke çuar në përjashtimin e grupeve të caktuara nga procesi politik. Në këtë mënyrë, gjuha e urrejtjes dobëson themelet e demokracisë, e cila është ndërtuar mbi parimet e të drejtave të barabarta, respektit dhe përfaqësimit.

Për më tepër, kur është e nevojshme, liria e shprehjes është subjekt i disa kufizimeve të nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e të tjerëve. Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), e ratifikuar nga shumë vende, thekson se liria e shprehjes mbrohet, por gjithashtu thekson edhe se kjo liri mbart me vete “detyra dhe përgjegjësi të veçanta” dhe mund t’i nënshtrohet disa kufizimeve. Këto kufizime përfshijnë mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe rendin publik. 

Gjuha e urrejtjes mund të krijojë një klimë frike dhe armiqësie, e cila mund të përshkallëzohet në akte dhune, terrorizmi, apo edhe gjenocid, siç na ka mësuar historia e hidhur e Ballkanit. Historia ka treguar se gjuha e pakontrolluar e urrejtjes mund të çojë në pasoja tragjike.

Prandaj, media dhe personazhet publike, kushdo qofshin ata, kanë përgjegjësi të promovojnë mirëkuptimin, tolerancën dhe dialogun e hapur duke respektuar perspektivat e ndryshme të të gjithë individëve, pa qenë nevoja të kalojnë në diskurse që cënojnë besimin dhe fenë e tjetrit. Keqpërdorimi i rrezikshëm i lirisë së shprehjes për të sulmuar besimet fetare duhet të ndalet.

Gazetarët dhe opinionbërësit duhet të jenë të vetëdijshëm për fuqinë që mbajnë fjalët e tyre dhe pasojat e mundshme të nxitjes së përçarjes dhe intolerancës. Në vend që të nxisin stereotipe të dëmshme dhe të margjinalizojmë komunitetet fetare, ata, dhe ne bashkë me ta, duhet të inkurajojmë dialogun konstruktiv dhe të përpiqemi të punojmë për një shoqëri gjithëpërfshirëse ku respektohen të gjithë.

Liria e fjalës është një e drejtë themelore që duhet të mbrohet dhe të kultivohet, por ajo nuk mund të përdoret si një armë për të minuar apo nënçmuar besimet dhe praktikat e komuniteteve fetare. Rasti i Valon Sylës shërben si një kujtesë e fortë se gazetaria e papërgjegjshme dhe keqpërdorimi i diskursit publik duke mos respektuar lirinë dhe diversitetin në shoqëri nuk mund të sjellë asgjë të mirë për shoqërinë tonë. 

Editorial i Observer.al

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Reflektime mbi “Islamofobinë Globale dhe Rritjen e Populizmit”

Libri "Islamofobia globale dhe rritja e populizmit" shqyrton rritjen e Islamofobisë dhe populizmit në vende të ndryshme, nga India në Evropë.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Gjenocidi kundër palestinezëve po ushqen një valë globale të urrejtjes anti-muslimane

Duke mbështetur veprimet gjenocidale të Izraelit në Gaza, Perëndimi ka krijuar kushtet për përhapjen e dhunës ndaj muslimanëve globalisht. Si rezultat, Islamofobia është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, duke arritur nivele të ngjashme me ato pas sulmeve të 11 shtatorit.
Verified by MonsterInsights