Kosova si çështje religjioze serbe, është një fiksim patologjik mbi një mit të konstruktuar, për hakmarrje. Ndaj kujt? Ndaj Islamit, në rend të parë. (Meqë shumica e shqiptarëve në Kosovë janë muslimanë, goditja hakmarrëse u drejtohet shqiptarëve të Kosovë).
Duke i dëgjuar ndër vite deklaratat dhe qëndrimet e shumë qeveritarëve tanë për Serbinë dhe politikat e saj në drejtim të Kosovës, e kam kuptuar me dhimbje se sa jokompetentë janë të gjithë këta njerëz. Natyrisht, nuk do të preokupohesha fare me ta, nëse jokompetenca e tyre nuk paraqet rrezik direkt për fatin e Kosovës. Por, paraqet rrezik direkt. Për më tepër, deri sot ka prodhuar pasoja të rënda për funksionimin dhe për stabilitetin e vendit tonë.
Ka vite e vite që pothuajse nga i pari e deri te i mbrami; presidentë, kryeministra, deputetë, zëvendëskryeministra, ministra, zëdhënës e këshilltarë të shumtë, në shumë raste, kanë folur e flasin me një lehtësi të papërballueshme për gjoja njohjen e Kosovës nga Serbia. Duke folë në këtë temë, disa prej tyre janë dukur moskokëçarës, disa naivë, disa mashtrues, shumica të mashtruar. Në fakt shumica kanë qenë e janë jokompetentë, prandaj edhe janë dukur moskokëçarës, naivë, mashtrues dhe kanë qenë me shumicë të mashtruar. Shumicës prej tyre në shumë raste ua kanë imponuar të huajt që të thonë ashtu e kështu, ndërsa ata kanë përsëritur si papagaj atë që u është thënë të thonë. Ajo qasje servile dhe hipokrite i ka zgjatur ngapak karrierat politike të disave. E disave edhe mund t’ua ketë shkurtuar. Sidoqoftë, dëmi për Kosovën ka qenë dhe është i tmerrshëm. Pse?
Populli i demobilizuar, i hedoniztizuar
E para, sepse me ato lloj deklaratash optimiste, e kanë vënë popullin në gjumë, duke ia krijuar iluzionin se njohja nga Serbia është çështje “momentumi të përshtatshëm”, që “pritet së shpejti.” Duke i dëgjuar ato prognoza optimiste, të thëna me papërgjegjësi të paimagjinueshme, populli është demobilizuar, e ka hequr krejt vëmendjen nga problemi, nga rreziku dhe i ka përveshur mëngët si e si të bëjë qejfe në bregdetin shqiptar, si e si të zhvasë sa më shumë para nga diaspora, si e si të gjejë rrugë ilegale për të ikur nga vendi. Pra, meqë u është thënë vazhdimisht se kauza kryesore është e konsumuar, ata kanë ngritur kauza të tjera, të sferës personale e sociale, duke e braktisur preokupimin me fatet e vendit. Kështu, ditë pas ditë, e vit pas vitesh, përgjumja është shndërruar në komë, hedonizmi po bëhet qëllim jete dhe ikja ka marrë përmasat e një uragani, që përlan para vetes gjithçka. Po ikin heshturazi jo vetëm rinia, por edhe njerëzit që në vitin 1999 janë kthyer vullnetarisht, madje në shtëpitë e djegura dhe një kohë kanë jetuar në shatora, ose në ish-shtalla të bagëtive, në ahrie. (Më ka rënë të bujë te një mik imi në vitin 1999 dhe të flejë në ish-ahrin, të cilin e kishin shndërruar disi në shtëpi).
E dyta, me ato deklarata dhe me ato qëndrime, duke pritur Godonë e njohjes, i kanë dhënë Serbisë mundësi që ajo të marrë shumë koncesione nga Kosova, që nga statusi i Kishës Ortodokse Serbe, të cilës ia kanë lënë krejt Kosovën që ta shfrytëzojë pa asnjë kufizim, saktësisht si pjesë përbërëse të vetë shtetit të Serbisë. Nuk u është kujtuar në Procesin e Vjenës qeveritarëve tanë miopë, që të kërkonin të arrihej me atë pako një “Marrëveshje Themeltare” ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe Republikës së Kosovës, ashtu si e kanë Kroacia, Bosnja e së fundi si po tenton ta realizojë edhe Mali i Zi. Kanë shkuar grupe-grupe në Vjenë, janë kapardisur se “po e sillnin pavarësinë”, pa u kujtuar se çka po kontrabandohej në atë pako problematike, pa e vrarë mendjen për rrezikun që Kosova po bëhej njëfarë Ahtisaristani. Ndërkombëtarët janë tallur me ta në stilin: “u mjafton pavarësia”, duke ua paketuar një pavarësi të kushtëzuar, të mbikëqyrur, një pavarësi të tredhur, pa sovranitet, pa përmbajtje mirëfilli shtetërore. Poashtu, është pranuar formimi i komunave me shumica të trilluara serbe, gjë që e ka prishur kompakëtësinë e territorit dhe ka krijuar kushtet për krijimin e “Bashkësisë së Komunave Serbe”, e cila tani aspiron dhe me shumë gjasë do ta fitojë statusin e entitetit autonom, me kompetenca ekzekutive dhe me prirje të natyrshme iredentiste.
Është pranuar edhe prezenca bllokuese e minoriteteve në institucione (fjala vjen, nuk mund të ketë qeveri pa ministra serbë, pavarësisht rezultateve zgjedhore dhe pavarësisht koalicioneve!!!) Janë lejuar ndër vite zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Lejohen edhe sot institucionet paralele të Serbisë në Kosovë. Arsimi në gjuhë serbe zhvillohet sipas planpropgrameve të Serbisë. Lejohet të administrojnë e të qeverisin zyrtarë serbë, të cilët nuk e njohin shtetin e Kosovës fare, etj. Të gjitha janë lejuar e toleruar, me gjasmë “duke pritur njohjen nga Serbia.” Kësodore, jokompetenca e qeveritarëve tanë, nga i pari deri te i mbrami, është shndërruar në idiotizëm politik. Në këtë pikë jemi sot, pra në nivelin e idiotizmit politik. Pse? Ja pse!
Me të gjitha ato lëshime, me të gjitha ato poshtërime që janë gëlltitur, qëndrimi i Serbisë kundër njohjes së Kosovës nuk ka lëvizur për asnjë milimetër. Nuk ka asnjë shenjë që do të ndodhë njohja e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë as në të ardhmen e afërt. Kush thotë se do të ndodhë, me këto qëndrime zyrtare serbe që janë në fuqi, thjesht ose nuk di çfarë flet, ose gënjen qëllimisht, për ta mbajtur popullin edhe më tutje në gjendje kome, deri në shqiptarin e fundit.
Moskuptimi i problemit themelor
Problemi është se qeveritarët tanë nuk e kanë kuptuar ende problemin themelor: problemi themelor është se Kosova për Serbinë është çështje religjioze, kulturore-civilizuese dhe kombëtare, e jo çështje politike. Kjo ka qenë që nga fillimi një huqje e tmerrshme e politikanëve dhe qeveritarëve tanë. Serbia ka pasur çështje të hapura politike vetëm me Slloveninë e me Maqedoninë, të cilat edhe janë zgjidhur me lehtësi. Me Kroacinë e ka të hapur një segment të çështjes kombëtare, por edhe atë të humbur përfundimisht, pas fitores ushtarake të Kroacisë me operacionet ushtarake “Blesak” dhe “Olluja.” Disa aspekte të çështjes kombëtare Serbia i ka të hapura edhe me Bosnjën, por jo në aspektin religjioz. Drejt Malit të Zi ka pretendime imperiale, ndërsa në aspektin religjioz e kulturor e sundon Malin e Zi me efektivitet.
Pra, në tërë kuadrin e pretendimeve serbe, Kosova është rast i veçantë. Në drejtim të Kosovës Serbia ka pretendime religjioze, kulturore-civilizuese dhe imperiale në të njëjtën kohë. Ky pretendim shënsavist, problemin e bën të pazgjidhëm me mjetet që po përdoren për ta zgjidhur, vetëm si problem politik. Sikundër dihet edhe nga raste të tjera, çështjet religjioze, kulturore e kombëtare nuk mund të zgjidhen si çështje thjeshtë politike, sidomos kauzat religjioze. Jerusalemi është një shembull. Prandaj, jo rastësisht hierarkët e Kishës Ortodokse Serbe, po edhe udhëheqësit politikë e shtetërorë të Serbisë, vazhdimisht e quajnë Kosovën si “Jerusalem serb.” Ndërsa përfaqësuesit tanë, kurrë nuk e kanë kuptuar e as nuk po duan ta kuptojnë këtë qasje religjioze ndaj konfliktit tonë me Serbinë. Përfaqësuesit tanë tentojnë ta thjeshtëzojnë problemin, ta paraqesin si problem politik. Ndërsa, ky nuk është (vetëm) problem politik.
Natyrisht, të huajt mund ta kuptojnë edhe më pak pretendimin serb, po edhe nëse e kuptojnë, atyre nuk u bëhet vonë, sepse nga komplikimi i krizës, ata vetëm sa marrin më shumë fuqi prezence, ndërmjetësimi e arbitrimi. Kjo u pa edhe në krizën e fundit në dy pikat doganore, në Jarinje dhe në Bërnjak, ku u fuqizua KFOR-i dhe u fuqizua emisari i BE-së. Madje, u rikthye në skenë edhe UNMIK-u, meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i zënë në kurth, e priti shefin e UNMIK-ut në zyrë, gjë që më parë nuk do ta imagjinonte as vetë.
Kosova si fiksim patologjik mbi një mit të konstruktuar për hakmarrje
Pra, Kosova si çështje religjioze serbe, është një fiksim patologjik mbi një mit të konstuktuar, për hakmarrje. Ndaj kujt? Ndaj Islamit, në rend të parë. (Meqë shumica e shqiptarëve në Kosovë janë muslimanë, goditja hakmarrëse u drejtohet shqiptarëve të Kosovës.) Fatkeqësisht, fuqia e këtij miti në mendësinë serbe është e madhe, sepse mbështetet në reagime emocionale dhe iracionale, të cilat mund të çojnë në çdo kohë në veprime gjakatare, siç kanë sjellë në vitet 1912-1913, 1919-1920, 1945, 1981, 1989, 1998-1999. Kisha Ortodokse Serbe edhe sot orë e çast apelon për hakmarrje për betejën e humbur në vitin 1389, me thirrjen gjakatare, “osvetiti Kosovo.” Ky mit nuk zhbëhet me formula politike të sofistikuara të shekullit XXI. E vetmja mënyrë që të futet nën kontroll është që të arrihet një marrëveshje e shtetit tonë me Kishën Ortodoske Serbe, (Temeljni dovovor) duke ia bërë të qartë që Kosova është shtet tjetër, ku ajo lejohet të veprojë, në bazë të ligjeve të shtetit të Kosovës. Pa një rregullore të tillë, KOS i ka duart plotësisht të lira ta trajtojë Kosovën si territor të Serbisë, gjë që e inkurajon që të punojë për zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe rikthimin e saj nën sundimin e shtetit serb, duke e ricikluar thirrjen për hakmarrje.
Me këtë rast, duhet të mbahet parasysh se brenda mitit serb për Betejën e Kosovës është rrënjosur edhe një manipulim kulturor, sipas të cilit Serbia në Kosovë ka afirmuar dhe ka mbrojtur kulturën dhe qytetërimin e krishterë. Mbi atë narrativë Serbia kërkon që edhe sot të jetë diga e Krishterimit, që gjoja frenon Islamin. Në qarqet kulturore, diplomatike e politike, Serbia vazhdimisht e thekson këtë aspekt, duke kërkuar më shumë mirëkuptim e mbështetje për ta frenuar “eskpansionin islamik”, “fundamentalizmin islamik”, “terrorizmin islamik.” Madje, edhe kërkesa për kontrollin e veriut të Kosovës është e lidhur me pretendimin se ashtu Serbia e ndërpret dhe e shkatërron “transverzalen e gjelber”, që lidhet nga bota arabe, Turqia e deri në Bosnje. Kjo narrativë ka shumë ithtarë në Evropë, veçmas në qarqet populiste, fashiste, islamofobike. E sigurt është që afrimi i Vuçiqit me Orbanin, Kurtzin e Janshëm, e ka brenda vetes edhe këtë element, e pakta në konteksitn e krizës së viteve të fundit të refugjatëve nga disa vende muslimane. Prandaj Kosova duhet të gjejë përgjigjen e duhur kulturore e civilizuese edhe për këtë pretendim serb, minimalisht duke e denoncuar se në atë mënyrë mundësohet penetrimi pansllavist në zemër të Evropës.
E treta, çështja kombëtare serbe është shumë e rrezikshme, sepse duke u mbështetur në shënsavizmin, ajo e njëson çështjen kombëtare si çështje shtetërore dhe religjioze në të njëjtën kohë. Për këtë arsye, kombi serb, shteti serb dhe ortodoksia serbe, janë pengje të njëra tjetrës. Por si të tilla paraqesin rrezik për kombet fqinje, ku pertendimet religjioze, kulturore e kombëtare janë aktive.
A ka zgjidhje?
Zgjidhja duhet të kërkohet, sepse nuk ka zgjidhje të gatshme e të thjeshta për këtë konflikt shekullor me mitin serb dhe me shtetin serb. Por, zgjidhja duhet të fillojë nga një lëvizje e mirëfilltë shkencore e kulturore, e cila do të krijonte shtratin, ku do dekonstruktoheshin mitet dhe pretendimet religjioze, kulturore e shtetërore mesjetare serbe, që në shekullin XXI janë thjesht absurde. Në projektet e një lëvizjeje të tillë shkencore e kulturore, duhet të hartohet Historia e Kosovës, historia e krishterimit në Dardani e në Iliri, historia e dyndjeve të popujve barbarë sllavë në trojet ilire-shqiptare, historia e Islamit në Ballkan, historia e gjenocidit serb në luftërat ballkanike e deri te gjenocidi e viteve 1998-1999. Ndriçimi i këtyre periudhave dhe ngjarjeve do ta bënte më të qartë faktin se të pretendosh të zhdukësh një popull, siç bën Serbia me shqiptarët e Kosovës, vetëm pse jetokan në një territor ku paskësh ndodhur një betejë gjashtë shekuj më herët, (1389) nuk ka asnjë frymë krishtërimi. Nuk ka asnjë grimcë civilizimi e as humaniteti. Më së paku ka strandard të civilizimit evropian të kohës në të cilën jetojmë. Prandaj, ne na duhet një aso lëvizjeje shkencore e kulturore që ta zbulojë e afirmojë të vërtetën për mitet serbe dhe për pretendimet gjenocidale shtetërore serbe. Rezultatet e kërkimeve të tilla do të argumentonin qartë se në rastin e Kosovës Kisha Serbe është organizatë militariste dhe imperialiste, e jo organizatë fetare. Rezultatet e kërkimeve do të provonin se Serbia kurrë nuk ka qenë mbrojtëse e Krishterimit, po ka qenë dhe është një shtet vasal i pansllavizmnit antievropian. Rezultatet do të ndriçonin faktin se Kosova është pavarësuar në një proces legal, pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, ku Kosova ishte njësi e federalizmit jugosllav.
Në një projekt të tillë shkencor e kulturor do të angazhoheshin intelektualë e shkencëtarë të Kosovës, Shqipërisë e viseve të tjera shqiptare po edhe shkencëtarë nga Evropa, SHBA e Turqia. (Kur është fjala për Turqinë, borxhi i saj ndaj Kosovës është i madh, veçmas lidhur me ndriçimin e të vërtetës për betejën e Kosovës, por Turqia nuk ka denjuar kurrë ta marrë përsipër përgjegjësinë që moralisht e ka). Por, para se të kërkojmë llogari prej shteteve të tjera, ne na mbetet të shohim përgjëgjësitë tona dhe mundësitë tona. Këtu duhet të jemi të pëqendruar, te adresimi i përgjegjësive tona dhe shfrytëzimi i mundësive tona.
Mendimet në këtë shkrim janë vetëm të autorit. Referencat me hiperlinks janë të vendosura nga Observer.al për të ofruar sqarime apo referenca të mëtejshme për disa terma dhe tema të përdorura në shkrim.