Friday, March 29, 2024

Pse e djathta ekstreme është e fiksuar pas djegies së Kuranit?

Një provokator anti-musliman i së djathtës ekstreme, i mbështetur në një histori të errët të djegies së librave publikë, i ka vënë (edhe një herë) zjarrin Kuranit publikisht në Stokholm. Po pse atëherë qeveria e Suedisë nuk pranon ta quajë këtë një krim për shkak të urrejtjes?

Lideri i ekstremit të djathtë, Rasmus Paludan, është një djegës i rregullt i Kuranit. Në vitin 2019, ai organizoi djegien publike të librit të shenjtë të muslimanëve në disa vende anembanë Suedisë, duke shkaktuar trazira në disa qytete, me dhjetëra arrestime, lëndime dhe dëmtime të pronës. Tani e bëri përsëri. Këtë herë, duke i vënë zjarrin një Kurani përpara ambasadës turke në Stokholm. Kjo shkaktoi zemërim vendas dhe ndërkombëtar.

Kësaj here, politikanët kryesorë shprehën mosmiratimin e tyre, teksa përpiqeshin të justifikonin mbrojtjen bujare të lirisë së fjalës në Suedi. Anëtarët e komunitetit hebre kërkuan veprime ligjore. Ata kujtuan politikat naziste me djegien e librave nga autorë “të ndaluar” (shpesh hebrenj), si një prelud i Holokaustit. Njëri tha: “Djegia e librave të shenjtë si Kurani – ose Tora – është një krim për shkak të urrejtjejes.”

Por konteksti politik i Suedisë është i ndryshëm. Tani, koalicioni qeverisës varet nga mbështetja e një partie tejet ksenofobike e anti-muslimane e së djathtës ekstreme, me rrënjë te nazizmi. Në të njejtën kohë, Suedia është e kyçur në një dramë gjeopolitike me Turqinë mbi anëtarësimin e saj në NATO. Akti i mbrapshtë i djegies së shkrimeve të shenjta muslimane, i cili për të djathtën ekstreme është një deklaratë e qartë simbolike e synimeve në lidhje me muslimanët e Suedisë, tani shihet më tepër si një shpërqendrim sesa një krim toksik për shkak të urrejtjes.

Kur Heinrich Heine shkroi se “ata që djegin librat, në fund do të djegin njerëzit”, ato fjalë në fakt u thanë nga një personazh musliman, pjesë e një historie dashurie tragjike të ndodhur në Granada në 1492, pas Reconquistas. Në tregimin e poetit gjerman të shekullit të 19-të, në shfaqjen e tij të vetme, Almansor, protagonisti arab, Hasani, përfshihet në një marrëdhënie të ndaluar me Donna Clara, një grua marokene që detyrohet të konvertohet nga Islami në Krishterim. Madje ka edhe një djegie të Kuranit në shfaqjen e Heines.

Djegiet e librave kanë një histori të gjatë në Evropë. Ndonjëherë janë përdorur për të sfiduar autoritetin politik, e ndonjëherë janë përdorur nga regjimet autoritare për të ngjallur frikë. Djegiet janë zakonisht publike dhe shumë simbolike, sepse librat janë gjithmonë më shumë se thjesht bartës të shkrimit. Kur ‘armiqtë e popullit’ nuk janë të disponueshëm personalisht, apo kanë vdekur, shëmbëlltyra e tyre shkatërrohet me prokurë. Djegia e librave bëhet kështu një vrasje simbolike, ose shkatërrim simbolik.

Ekziston po ashtu një histori specifike edhe me djegien e Kuranit. Vitet e fundit, provokatorët kryesorë kanë ardhur nga e djathta ekstreme, si Paludan, ose nga qarqet e krishtera fundamentaliste amerikane, si pastori ungjillor Terry Jones në vitin 2010.

Por ata janë paraprirë nga Charles Merrill, një artist homoseksual që dogji Kuranin në një ngjarje arti në Nju Jork në 2007 “për të eliminuar urrejtjen homofobike”, siç pati deklaruar Merrill-i.

Akti i Merill-it mund të kishte kaluar pa u vënë re përtej një turme të rrallë artistike, sikur kauza e tij të mos merrej nga një aktor dhe regjisor amerikano-izraelit homoseksual i filmave porno, Michael Lucas, i lindur në Rusi. Ai shkroi një ese të përhapur gjerësisht të titulluar “Djeg Kuranin? Është një vepër artistike gejsh”, në të cilën ai “përshëndeti” Merril-in për “kurajon e tij artistike dhe sociale“. Lucas shkruan më tej: “Kurani është ‘Mein Kampf-i’ i sotëm.”

Më pas, ishte populisti holandez i krahut të djathtë dhe islamofobi i deklaruar Geert Wilders ai që popullarizoi në fakt analogjinë “Islam-nazizëm”. Pesë ditë pas artikullit të Lucas, Wilders-i i tha gazetës holandeze De Volkskrant: “Thelbi i problemit është Islami fashist, ideologjia e sëmurë e Allahut dhe e Muhamedit, siç parashtrohet në islamizmin ‘Mein Kampf’,” e më pas kërkoi menjëherë ndalimin e Kuranit.

Rasmus Paludan e pa vëmendjen që tërhoqi djegia e Kuranit. Paludan e filloi karrierën e tij në Danimarkë si një politikan i dështuar, i parëndësishëm elektoralisht. Ai kurrë nuk fitoi më shumë se 1.8 për qind në zgjedhjet kombëtare. Megjithatë, ia doli të dënohej për gjuhën e urrejtjes.

Ai u transferua në Suedi, themeloi partinë politike Stram Kurs (Linja e Ashpër) dhe adoptoi djegien e Kuranit si një mjet që ai kishte parë se kishte funksionuar për lëvizjet e tjera bazë anti-muslimane me qëllim që të fitojë më shumë vëmendje.

Pas marifeteve të tij të urrejtjes në vitin 2019, atij iu dha leja nga policia suedeze për të mbajtur demostrime anti-muslimane në disa qytete të Suedisë gjatë Ramazanit në vitin 2022, ku ai dogji publikisht kopje të Kuranit dhe bëri thirrje për dëbimin e muslimanëve.

Ndërkohë që Paludan-i e paraqet veten si mbrojtës i fjalës së lirë, një gur prove ky i kulturës suedeze, akti i tij i djegies së Kuranit nuk ka të bëjë me lirinë apo të drejtat e njeriut. Duke u mbështetur në ideologjinë tipike të së djathtës së re, ai dëshiron të ‘rivendosë’ homogjenitetin etnik të popullatave të bardha nordike nëpërmjet ndalimit të Islamit dhe dëbimeve masive.

Çka është më e keqja, teksa këto tubime anti-muslimane u debatuan intensivisht në mediat suedeze, kjo ndodhi për arsyen e gabuar. Debatet nuk u fokusuan në dimensionet raciste të djegies së Kuranit. Përkundrazi, ato u përqendruan në rëndësinë e mbrojtjes së fjalës së lirë dhe, ç’është më problematike, në mënyrën se si të ruhet ligji dhe rendi.

Madje, liderja e Partisë së vogël Kristian-demokrate, Ebba Busch, e cila aktualisht është zëvendës-Kryeministre në qeverinë e qendrës së djathtë, bëri thirrje, pas kundër-demonstrimeve të dhunshme ndaj djegies së Kuranit nga Paludani, që policia të qëllonte më shumë “islamistë”.

Këto ditë në Suedi duket se ka pak vullnet politik për ta konsideruar djegien e Kuranit si krim për shkak të urrejtjes. Zyra e kryeministrit lëshoi ​​një deklaratë të butë, duke e quajtur aktin mosrespektim dhe “duke shprehur simpati për të gjithë muslimanët që janë ofenduar.” Por në të njejtën kohë theksoi se “liria e shprehjes është pjesë themelore e demokracisë”.

Por ky reagim neglizhon thelbin: Askush nuk mund të detyrohet të respektojë askënd. Kurse një krim i kryer për shkak të urrejtjes ka pasoja ligjore. Meqenëse debati është krijuar rreth mbrojtjes së fjalës së lirë, duke e përshkruar Paludanin si një “kritik të Islamit” dhe jo si një islamofob të hapur, tani duket e largët ideja se mund të ketë vetë-reflektim kritik rreth asaj se si pozicionet agresive anti-muslimane janë bërë bërë normale. 

Në kuadër të pushtimit rus të Ukrainës, Suedia vendosi të aplikojë për anëtarësim të plotë në NATO, por është përfshirë në një konfrontim të ashpër me Turqinë, e cila refuzon të pranojë derisa Stokholmi të ekstradojë aktivistët kurdë të PKK-së, një lëvizje që gjykatat suedeze e kanë bllokuar. Kështu, zgjedhja e ambasadës turke si vend për djegien e Kuranit ishte një zgjedhje e qëllimshme nga Paludan-i.

Pa asnjë dyshim, në prapaskenë fshihet e djathta ekstreme, demokratët suedezë anti-muslimanë, të cilët nuk janë bërë zyrtarisht pjesë e koalicionit, por po e mbështesin atë nga jashtë, teksa shikojnë me kënaqësi se si po zbatohen shumë prej politikave të tyre.

Qeveria e qendrës së djathtë e di se, nëse ofron shumë solidaritet për komunitetin musliman, mund të përfundojë duke i shtyrë demokratët suedezë neofashistë të rriten edhe përtej 20 për qindëshit të elektoratit që tashmë kanë. Por, ndërsa Suedia përplaset me Turqinë, e qeveria përplaset me të djathtën ekstreme, janë muslimanët e Suedisë ata që, përsëri, janë lënë jashtë në të ftohtë.

Observer.al

Të ngjashme
Related

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë.

A po rikthehet Islamofobia sot si pas 11 Shatorit?

Si dikur pas 11 shatorit, edhe sot me luftën e Izraelit në Gaza mediat perëndimorë e shfrytëzojnë maskën e çlirimit për të çuar përpara agjendat e tyre koloniale.

Raport: Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia në mbulimin e luftës në Gaza

Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia janë të gjalla dhe po luajnë rol në justifikimin e vrasjeve të dhjetëra mijëra palestinezëve të pafajshëm.
Verified by MonsterInsights