Monday, November 25, 2024

Antinacionalizmi islamofobik

Për shkak të prejardhjes komuniste-ateiste që kanë shumica e pjesëtarëve të elitave intelektuale  e politikës ndër shqiptarë, ato kanë një koncept të fuqishëm monist dhe ateist edhe për kombin. Në këto vite të pluralizmit e të demokracisë së proklamuar, shumë prej tyre janë bërë autoparlantë të përjashtimit të disa vlerave fondamentale të identitetit tonë kombëtar. Kështu, ndaj Islamit kanë shpallur pothuajse një kryqëzatë propagandistike, duke luftuar gjithçka që lidhet me trashëgiminë ose me aktualitetin e tij ndër shqiptarë. Intoleranca e sotme ndaj Islamit në masë të madhe është e burimit hoxhist, komunisto-ateist, megjithëse një pjesë e tij e ka burimin edhe te filoortodoksizmi dhe filokatolicizmi.

Edhe pse Pashko Vasa qysh në kohën e tij pat folur qartë dhe zëshëm për rrezikun që disa shtete europiane nën pretekstin e protektoratit fetar po i shfrytëzonin ndasitë fetare dhe ashtu po rrezikonin ndarjen politike të shqiptarëve, këta partizanë të islamofobisë së sotme nuk e kanë mësuar leksionin e tij të urtë. Të sponsorizuar prej të huajve ose jo, ata vazhdojnë të provokojnë ndarje fetare, duke fyer shumicën e muslimanëve e duke fyer vlerat e trashëgimisë islame ndër shqiptarë. Disa syresh e mbajnë në gojë haxhiqamilizmin, pa u kujtuar se janë bërë vetë të atillë, veçse në krahun tjetër. Nuk ia vlen të përmendësh emra, jo vetëm pse janë një kamarillë goxha e madhe, po sepse janë kompromentuar kaq keq, sa emrat e tyre kutërbojnë urrejtje. Por, për bëmat e tyre duhet të mbahen shënime, sepse janë duke punuar për prishjen e unitetit kombëtar. Meqë shumica dërrmuese e shqiptarëve janë muslimanë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, gjë që u vërtetua edhe në censusin e fundit në vitin 2012, është e palogjikshme të pretendohet përjashtimi i vlerave fetare të shumicës së kombit, për të mbajtur gjoja një komb puritan në vlera fetare, vetëm si ateist dhe eventualisht si kristian. Pika më e habitshme e kësaj ka qenë dhe mbetet deklarata e Islamil Kadaresë se sundimi i Enver Hoxhës la diçka pozitive mbrapa – sepse e dobësoi Islamin ndër shqiptarë:

“Vit pas viti, feja Islame (…) e imponuar midis bagazheve të osmanëve do të dobësohet (fillimisht në Shqipëri, pastaj në Kosovë). Kështu që feja e krishterë, ose kultura e krishterë do të nguliten në vend. Kështu, pra, së shpejti, nga një e keqe (ndalimi i fesë më 1967) do të dalë një e mirë. Kombi shqiptar do të ecë drejt ripërtëritjes, e cila do ta shpëtojë bashkimin me kontinentin mëmë me Europën.”

Gjithë kjo urrejtje islamofobike e këtij shkrimtari, e përqëndruar në disa rreshta është pothuajse e pashembullt! Në fakt ky angazhim në deislamizimin e pjesës dërrmuese të kombit shqiptar është si një thimth i Rekonkuistës së vjetër. Edhe inkuizitorët, të cilët i detyronin hebrenjtë dhe muslimanët të konvestoheshin ose të shkonin në turrën e druve, flisnin për kontinentin mëmë dhe “fenë e vërtetë”. Madje, cinizmi i tyre shkonte aq larg sa hebrenjtë, të cilët i digjnin për sa gjalli në turra të druve, i quanin “vëllezër sipas Krishtit!” pra, pak a shumë ishte vëllavrasje, por e motivuar nga zelli i çmendur fetar.

Në fakt, Kadareja e trajton Islamin si mall kontrabande (i cili qenkësh futur si mall i fshehur në bagazhe). Me këtë figurë zbulon formimin e vet materialist-marksist, sipas të cilit ekziston vetëm materialja dhe asgjë tjetër, prandaj edhe feja, sipas këtij koncepti, na qenkësh një mall, kësaj here i kontrabanduar. E dyta, shprehja e gëzimit për dobësimin e Islamit ndër shqiptarët është produkt i mosnjohjes se arsyes së vërtetë të Islamit dhe i një islamofobie patologjike. T’i adresosh merita regjimit që ndaloi besimet fetare në Shqipëri është jo vetëm antifetare, por edhe antikulturore, sepse një pjesë e madhe e verave kulturore të kombit shqiptar janë formuar në përqasje me besimet fetare, ashtu që ndalimi i tyre do të varfëronte skajshmërisht edhe tërësinë e vlerave kulturore të kombit shqiptar. Por, Kadareja në këtë rast e do kombin ashtu si bindjet e veta, antiplural dhe monist. E treta, është e pavërtetë se Islami ndër shqiptarët në çfarëdo forme të këtë kontestuar ose penguar përkatësinë europiane të kombit shqiptar. Idetë e para politike e kulturore për kombin shqiptar i kanë formuluar intelektualë që kishin prejardhje muslimane, që nga Hoxha Tahsini, Sami Frashëri, Abdyl Frasheri, Naim Frashëri etj., sikundër që lëvizjet politiko-ushtarake dhe projektet e pavarësimit të Shqipërisë i kanë ideuar dhe zbatuar po ashtu politikanë e intelektualë që me shumicë ishin muslimanë (që nga Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Abdyl Frashëri, pastaj Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina etj.). Kur kanë dhënë këta ndonjë shenjë se po e ndanin Shqipërinë nga kontinenti mëmë? Asnjëherë! Mirëpo, Kadareja në revanin e vet islamofobik i ka dy fantazma që i faniten vazhdimisht: Haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin. Me figurat e tyre, ai ndërton sulmin ndaj Islamit dhe muslimanëve shqiptarë, si në një prozë të hallakatur. Por, edhe në këtë rast, metodologjikisht Kadareja është i gabuar kur fyen Islamin dhe muslimanët shqiptarë, sepse këta renegatë nuk kanë pasur asnjëherë dhe në asnjë formë mandatin e muslimanëve për veprimtarinë e tyre tradhëtare, sikundër nuk do ta ketë pasur as Gjon Markagjoni mandatin e katolikëve për të shpallur “Republikën e Mirditës”, nën sponsorizimin e serbëve, për t’u ndarë nga bashkëkombasit shqiptarë të përkatësisë islame. Pra, përdorimi i emrave të dy renegatëve, për të përbaltur të gjithë bashkëkombasit muslimanë, është një urrejtje me prejardhje nga imagjinacionet poetike, por kurrsesi logjike dhe kurrsesi normale. Për ta çuar më tej argumentin, duhet theksuar se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të bashkuar dhe pjesë e kontinentit mëmë, edhe gjatë sundimit osman, sepse bashkë me grekët, rumunët, bullgarët, serbët, hungarezët, kroatët, boshnjakët e malazezët, kanë qenë pjesë përbërëse e një perandorie universale, e cila gjithmonë ka qenë dhe është trajtuar si fuqi europiane. Mbetja nën sundim për disa shekuj e të gjithë këtyre popujve, nuk e ka ndryshuar me asgjë identitetin e tyre europian. Po ashtu kryeqyteti i Perandorisë Osmane, Stambolli, ka qenë si një vazhdimësi e Kontandinopojës së Bizantit, pra edhe gjeografikisht edhe kulturalisht një seli europiane. Por, Kadareja nuk e ka me faktet kokëforta historike e gjeografike. Edhe kur nuk e thotë haptas, ai e ka inatin me “Islamin aziatik”, sepse ashtu iu ka ngulitur në krye; që ta urrejë Islamin dhe të gjejë nga të mundet e si të mundet ndonjë etiketë zhvlerësuese për të. Madje, edhe te shëmbëlltyra e Enver Hoxhës.

Për të qenë absurdi edhe më i  madh, ka shumë që e perceptojnë këtë shkrimtar si gjoja nacionalist! Kjo edhe e tregon katandinë e nacionalizmit të vërtetë, kur ai nuk dallohet nga pseudonacionalizmi dhe nga manipuluesit antinacionalistë. Islamofobia e Kadaresë dhe e dishepujve të tij ideologjikë, është e tillë që ka ruajtur tharmin marksist brenda vetes dhe ai tharm i bën të jenë revolucionarë në luftën kundër Islamit, gjoja se ai ua prish mitologjinë kombëtare, identitetin europian etj. Por, e vërteta është se ata i janë kthyer mitologjisë kombëtare, jo se e duan si të tillë, jo se e respektojnë pluralitetin e vlerave kombëtare, por për ta mbushur disi vakumin ideologjik e shpirtëror që u ka lënë rënia e palavdishme e mitologjisë komuniste dhe për të vazhduar edhe më tutje euforinë e tyre perverse revolucionare:

“Me rënien e komunizmit universal marksist, së pari në nacionalizëm etik, intelektualët dhe profesionistët u kthyen nga trashëgimitë dhe mitologjitë përkatëse etnike, me shpresën për të realizuar premtimin mesianik të shndërrimit revolucionar të shoqërisë”.

Aspekti më morbid i këtij dimensioni “të shndërrimit revolucionar të shoqërisë”,  në këto njëzet vjet të tranzicionit në Shqipëri, shihet në euforinë islamofobike. Sulmet e pareshtura ndaj Islamit dhe bashkëkombësve muslimanë, gjithmonë nën petkun e nacionalizmit shqiptar, janë dëshmi të një prirjeje hakmarrëse, e cila mbahet e fashitur vetëm për shkak se nuk e kanë fuqinë e mjaftueshme që ta zbrazin edhe me dhunë fizike zemërimin e tyre mbi “vëllezërit renegatë”. Një gjë është e sigurt: Ky zell anti-Islam nuk ka lidhje me nacionalizmin e as me kombëtaren, nuk ka lidhje as me patriotizmin e as me njerëzoren. Të hidhesh në sulm të pareshtur dhe të pamoralshëm kundër shumicës së bashkëkombësve, duke i fyer si “gjak i prishur”, si “aziatikë”, si “çeçenë”, si “antieuropianë” etj., është një prirje edhe antinacionaliste edhe antikombëtare.

Për çfarë kombi shqiptar mund të bëhet fjalë nëse shumica dërrmuese e tij, e cila është e përkatësisë fetare islame, përjashtohet nga njësia kombëtare me këso etiketimesh? Nëse do të mbeteshin vetëm të krishterët shqiptarë, si “vulëmbajtës të shqiptarizmit”, ata do të përbënin rreth 300 mijë frymë dhe si të tillë do të ishin një popull i vogël, edhe më i pakët se malazezët. Mos e duan këtë zgjidhje islamofobët, të frymëzuar nga bëma e turpshme e Gjon Marka Gjonit, i cili pat shpallur se katolikët e tij nuk do të jetonin me “turqit” dhe se më mirë e kishte të lidhej, ashtu si u lidh, pas qerres së Serbisë? Paradoksalisht, këtë zgjidhje e duan edhe radikalët islamistë ndër shqiptarë, (fatmirësisht të paktë në numër), të cilët bëjnë ç’bëjnë, po duan ta plasojnë një ide të urrejtjes ndaj Perëndimit si “qytetërim i degjeneruar”. Ata i keqpërdorin fjalët dhe veprimet e islamofobëve shqiptarë dhe i paraqesin si një kryqëzatë kundër të gjithë muslimanëve. Meqë një pjesë e konsiderueshme e besimtarëve muslimanë shqiptarë janë të pashkolluar dhe të painformuar si duhet, rreziku i manipulimit me ndjenjat e tyre është bukur i madh.

Megjithatë, tash për tash, stabiliteti në korpusin kombëtar është i siguruar. Por, nëse këto provokime të dyanshme,  nga islamofobët dhe nga radikalët muslimanë nuk reshtin, nëse ato bëhen edhe më të bezdisshme, ato mund të shndërrohen në një pykë të rrezikshme, që nga armiqtë e shqiptarëve, në rrethana që mund të jenë të pafavorshme në rrugën e historisë, mund të përdoren për ta çarë trungun kombëtar shqiptar. Si minimum, islamofobët është mirë ta kuptojnë se kjo që bëjnë nuk është nacionalizëm shqiptar, nuk është interes kombëtar, por është një manovër e rrezikshme që po e bëjnë në dëm të unitetit kombëtar. Ndërsa radikalët muslimanë tash për tash nuk kanë asnjë grimë vullnet që të ndalen në qëllimet e tyre diversive ndaj identitetit kombëtar. Fakti që islamofobët kontrollojnë jo pak media, fakti që radikalët muslimanë sponsorizohen nga donacione të ndryshme, nuk duhet t’i trimërojë deri në pikën ku do të shndërroheshin në mercenarë kundër interesave unike kombëtare.

E vetmja zgjidhje afatgjate dhe në esencë edhe humane është bashkëjetesa harmonike e të gjithë bashkëkombësve, duke respektuar edhe pluralitetin e besimeve fetare dhe pluralitetin e vlerave të tjera sociale, rajonale, gjinore etj. Në fund të fundit, nacionalizmi shqiptar, në versionin e tij human dhe kombformues e shtetndërtues, nuk mund të ribëhet pa këtë harmoni e pa respektimin e të gjitha vlerave. Nuk mund të forcohet kombi shqiptar duke përjashtuar vlerat dhe kontributin e besimeve fetare dhe veçmas kontributin historik dhe aktual të muslimanëve, përkatësisht vlerat e besimit islam, të cilat janë të integruara në identitetin tonë kombëtar. E ardhmja e shqiptarëve si komb dhe formimi eventual i një shteti të përbashkët kombëtar prej tyre varet nga shumë faktorë, që nga ata gjeopolitikë e deri të fuqia ekonomike. Por, të gjitha këto varen edhe nga harmonia e brendshme, kur respektohen të gjitha vlerat.

Po të shikohet periudha e “perëndimorizimit” kombëtar e deri sot, ajo ka qenë plot sfida dhe gjatë kësaj kohe nuk është arritur fuqizimi i mirëfilltë as i kombit shqiptar e as i shtetit shqiptar. Formula, e cila nën maskën e “identitetit europian” synon t’i kompleksojë ose t’i përjashtojë muslimanët shqiptarë, vetvetiu bëhet paralizuese e energjive të kombit, rrëgjuese e nacionalizmit të mirëfilltë shqiptar dhe ushqyese e radikalizmit islamist. Nëse vërtetë e duan kombin, islamofobët fillimisht duhet të ndalojnë së luajturi me vlerat e tij. Si minimium, duhet të braktisin asociacionet me Rekonkuistën dhe formulën e saj famëkeqe “Vëllezër sipas Krishtit”, me të cilën Inkuizicioni i digjte “vëllezërit” hebrenj në turrën e druve. Kur ata të ndalen, radikalët muslimanë ndër shqiptarë mund të kenë përballë vetëm mullinjtë e erës.

Shkëputur nga libri “Nacionalizmi Shqiptar”, Milazim Krasniqi, Logos-A 2014.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

Plani 2.0 i Trumpit për ndalimin e muslimanëve

Donald Trump është zotuar se do të rikthejë një version akoma më të ashpër të ‘Ndalimit për muslimanët’. Pasojat për muslimanët, si në Amerikë ashtu edhe jashtë saj, do të jenë të rënda.

Akrobacitë islamofobe të Hysamedin Ferajt

Replikë me “Rrahmanizmin” e politologut të majtë, neoliberalit, laikut e ateistit Hysamendin Feraj.

Lëvizja Identitare në Europë: fashizëm i vjetër me rroba të reja

Në kohën kur ekstremizmi i djathtë po përjeton një ringjallje të frikshme në Europë, është me rëndësi të kuptojmë transformimin e tij nga fashizmi klasik në një lëvizje të maskuar me rroba të reja.

Paris 2024: Olimpiada e diskriminimeve fetare dhe përplasjeve kulturore

Paris 2024 u shënua nga tensione kulturore dhe fetare, përfshirë ndalimin e hixhabit për sportistet franceze dhe me ceremoni me rituale satanike.
Verified by MonsterInsights