Saturday, April 20, 2024

Islami dhe integrimi Euro-Atlantik i Shqiptarëve

Entuziazmi i shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si në Shqipëri e Kosovë ashtu edhe në Maqedoni e në viset e tjera ku jetojnë shqiptarët, është tregues i qartë se feja islame nuk ka asnjë efekt negativ në përcaktimin e tyre kulturor e gjeopolitik. Ky përcaktim kulturor e gjeopolitik është definuar qysh nga rilindësit shqiptarë dhe është përqafuar nga brezat e tërë të shqiptarëve.

E ardhmja e shqiptarëve nuk është punë e opinionistëve fallxhorë, që vuajnë nga islamofobia dhe si pasojë e saj parashikojnë të ardhme apokaliptike. Treguesit që e shenjojnë drejtimin që i shpie shqiptarët drejt së ardhmes në integrimet euro-atlantike janë konkretë dhe të matshëm. Këtu po i skicojmë vetëm disa prej tyre.

E para, shqiptarët gjithandej Ballkanit, pas rënies së regjimt totalitar, po kalojnë normalisht nëpër cikle zgjedhore dhe po promovojnë me sukses pluralizmin e demokracinë. Zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar në Shqipëri, ku ndodhi tranzicioni plotësisht paqësor i pushtetit dhe zgjedhjet lokale në Kosovë, që u përshkuan me standarde të larta të respektimit të ligjit, dhanë provën e shkëputjes nga tranzicioni postkomunist dhe hyrjen në ujërat më të qeta të zgjedhjeve të lira e demokratike.

Në shembullin e shqiptarëve feja islame u dëshmua kompatibile me demokracinë

Jo vetëm në këto zgjedhje që patën standarde të larta, por as në ato pararendëse, që u përcollën me probleme, besimet fetare, pra as feja islame, nuk luajtën ndonjë rol. Nuk pati asnjëherë barrikadime të muslimanëve në bazë të ndonjë linje fetare, e cila do të shkaktonte separimin fetar të elektoratit. Zgjedhja e Edi Ramës si kryeministër në Shqipëri është treguesi më direkt i votimit pa parashenjë fetare.  Edhe pse shumica e popullsisë në censusin e vitit 2012 janë deklaruar se i përkasin besimit islam, shumica e votuesve e kanë mandatuar liderin socialist për kryeminsitër.  Pra, përkatësia fetare e shumicës nuk ka pasur ndikim në përcaktimin politik të votuesve. Nëse edhe në të ardhmen kultivohet harmonia fetare, duke respektuar të gjitha fetë, ky standard vetëm sa mund të rrënjoset. Gjasat janë se ashtu do të ndodhë, meqë problemet e kësaj natyre, pra të instrumentalizimit politik të fesë, më shumë manifestohen në periudha turbulente të tranzicionit, ndërsa zbehen ose edhe shuhen në periudhat e demokracisë së stabilizuar.  Nëse kjo harmoni nuk do të përthellohet në të ardhmen, faji do të jetë i elitave politike e jo i besimeve fetare, pra as i fesë islame, e cila në shembullin e shqiptarëve, që në periudhën më të vështirë të tranzicionit poskomunist e ka dhënë provën e të qenit kompatibile me vlerat e demokracisë. Por, nëse elitat dhe veçmas mediet e instrumentalizuara prej tyre, e sforcojnë luftën kundër fesë islame, me akuzat se gjoja kjo fe nuk është kompatible me vlerat e demokracisë dhe të përkatësisë evropiane të shqiptarëve, reagimi i grupeve të ndryshme mund të jetë nervozë dhe të prodhojë intolerancë e në versionin më të keq edhe krizë. Kjo mund të vijë vetëm nëse tendencat e tashme islamofobike të një pjese të elitave intelektuale e politike dhe të një pjese të medies, do të bëheshin dominante dhe nëse do të arrinin në pikën që t’i shpallnin luftë frontale fesë islame ndër shqiptarë. Në atë rast faji do të ishte i atyre elitave dhe medieve që kanë provokuar konfrontimin dhe krizën.

Fatkeqësisht, edhe në ditët tona vërehet tendenca, që të nënçmohen muslimanët dhe të provokohen ndjenjat e tyre fetare, sado jo krejtësisht frontale. E drejta, të qenët shumë paqësorë e shumë tolerantë të muslimanëve shqiptarë, nuk do të thotë se janë të gatshëm të pranojnë nënçmimin dhe diskriminimin. Jo. Në fakt, qetësia e tyre e tashme do të thotë se ata ndihen të sigurtë në vete dhe duan me çdo kusht të kultivojnë bashkëjetesën me bashkëkombasit e vet, duke krijuar vlera të përbashkëta në një shoqëri të lirë e demokratike, pjesë e së cilës ata organikisht ndihen.

E dyta, entuziazmi i shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si në Shqipëri e Kosovë ashtu edhe në Maqedoni e në viset e tjera ku jetojnë shqiptarët, është tregues i qartë se feja islame nuk ka asnjë efekt negativ në përcaktimin e tyre kulturor e gjeopolitik. Ky përcaktim kulturor e gjeopolitik është definuar qysh nga rilindësit shqiptarë dhe është përqafuar nga brezat e tërë të shqiptarëve. Ka  pasur devijim nga ky përcaktim vetëm në periudhën kur komunizmi ateist ka qenë dominant në jetën e shqiptarëve dhe në ndonjë episod tragjik të manipulimit politik me fenë si në rastin e Esat Toptanit e haxhi Qamilit, ose të Gjon Marka Gjonit. Por, përcaktimi plebishitar i shqiptarëve për anëtarësim në NATO e në Bashkimin Evropian është provë e triumfit të pakthyeshëm të interesave strategjike të kombëtare. Ndërsa, pranimi në NATO dhe BE, meqë e rritë sigurinë, stadin e lirive dhe të të  drejtave të njeriut e bashkë me to edhe të drejtat e besimeve fetare, prodhon më shumë qetësi e siguri edhe në mesin e muslimanëve shqiptarë. Anëtarësimi në këto struktura, ata i shpëton nga rreziku permanent i viktimizimit në rivalitetet në Ballkan ndërmjet Rusisë e Perëndimit. Mbamendja historike tregon qartë se zhdukjen biologjike të shqiptarëve, veçmas të muslimanëve, nën etiketimin se nuk janë evropianë (!) e kanë projektuar e zbatuar aleatët ballkanikë të Rusisë, ndërsa e kanë penguar fuqitë që bëjnë pjesë në Aleancën Veriatlantike. Nën mbrojtjen e kësaj Aleance, shqiptarët e Kosovës, me shunmicë absolute muslimane, e fituan lirinë e vet. Prandaj, Shqipëria e sotme brenda kësaj aleance dhe Kosova e shqiptarët e Maqedonisë në të ardhmen poashtu brenda saj, do të jenë më të sigurtë dhe me siguri edhe anëtarë lojalë dhe të interesuar për dominimin e Perëndimit mbi projektet pansllaviste e rusomëdha. Viktimizmi i tashëm i Ukrainës nga ambiciet rusomëdha, është shembull se cili mund të jetë fati i shteteve dhe kombeve evropiane, që nuk janë nën ombrellën siguruese të NATO-s. Ndërsa, shqiptarët janë kulturalisht, gjeografikisht dhe historikisht një komb evropian në kuptimin e plotë të fjalës. Etiketimin e shqiptarëve, veçmas të muslimanëve shqiptarë si joevropianë,  tradicionalisht e kanë bërë qarqet politike e intelektuale serbe, greke e ruse. Por, meqë ka qenë vetëm dhe është konstruksion propagandistik që nuk ka të bëjë me të vërtetën, nuk u ka pasur sukses as në kohët më të vështira për shqiptarët. Aq më pak mund t’u ketë në të ardhmen.

Shkuarja në Siri e në Irak si pasojë e interpretimeve dogmatike të fesë 

E treta, po të analizohet Kosova e pasluftës, ku realisht ka një ringjallje të besimit islam, vërehet se kjo fe nuk ka ndikuar as në intolerancë ndaj serbëve e lëre më ndaj  të tjerëve.  Po të kishte ndonjë energji eksremiste të organizuar, ajo do të mund të merrte drejtimin e hakmarrjes ndaj serbëve ortodoksë. Por, nuk ka ndodhur e as që ka ndonjë shenjë se mund të ndodhë. Përkundrazi, po të shihen përvjetorët e masakrave serbe, në to ka më shumë lutje e thirrje për pajtim, e asnjë thirrje për hakmarje. Është e dëshmuar historikisht dhe provohet edhe aktualisht se shqiptarët nuk projektojnë fanatizëm fetar.

Problemi i disa personave të mposhtur nga fanatizmi fetar, që shkojnë në luftëra në Siri ose në Irak, me proklamimin se po shkojnë në xhihad, është pasojë e manipulimit me ta nga persona ose grupe të izoluara. Indoktrinimi i tyre me mësime dogmatike e që prodhojnë dhunë e që vërtet është shqetësues, është pasojë e periudhës fillestare të rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta, kur nën petkun e ndihmave humanitare, kanë hyrë në Kosovë edhe persona e grupe që kanë stimuluar interpretimet radikale të fesë. Por, ato praktika tashmë janë denoncuar dhe po çmontohen. Pasojat që kanë mbetur duhet të menaxhohen me vendosmëri. Personat ose grupet e përfshira duhet të izolohen e të riintegrohen me përpjekje të përbashkëta të shtetit, të institucioneve fetare e të gjithë shoqërisë. Shoqëria jonë ka përvoja në përballimin e krizave. Shteti ende nuk e ka përvojën e duhur, por duhet ta krijojë sa më shpejt. Me anë e debateve të argumentuara dhe publike duhet të bëhet e ditur se feja islame nuk i ka dëguar atje ata njerëz. Atje i kanë dërguar interprerët dogmatikë e keqdashës të fesë, interesat e çastit ose krizat e tyre personale. Por, jo kauza e muslimanëve shqiptarë, sepse ata nuk kanë asnjë kauzë dhe asnjë interes atje, në ato luftëra tragjike civile mes vetë arabëve përkatësisht mes vetë muslimanëve. Me këtë qasje, pra duke e ndarë qartë ekstremizmin dhe manipulimin në emër të fesë islame nga vetë besimtarët paqësorë dhe nga feja islame, që është dhe mbetet fe universale dhe paqësore, denoncimi dhe izolimi i ekstremizmit do të mund të jetë më efikas në të ardhmen.

Islamofobia nuk ofron zgjidhje- ajo vetëm i komplikon gjërat 

E katërta, edhe pse debatet islamfofobike në hapësirat shqiptare të një pjese politikanësh margjinalë, po edhe të një pjese të medies kredibile, nuk po reshtin, ato në asnjë rast nuk ofrojnë zgjidhje. Pse? Sepse zgjidhja nuk është te akuzat dhe ashpërsimi i gjuhës së urrejtjes. Zgjidhja është te fuqizimi i shteteve shqiptare dhe marrja prej tyre e rolit që u takon si në afirmimin e lirive dhe të drejtave, ashtu edhe në adresimin e përgjegjësive të të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, pa asnjë dallim. Ky rol është i shtetit e jo i medieve. Dhe as i politikanëve të papërgjegjshëm, që më shumë e kanë në hatër promovimin e vetes se sa interesin kombëtar. Për mediet islamofobike dhe politikanët e kësaj sëre në realitetin shqiptar, duhet të kihet para sysh një rrethanë lehtësuese. Ata janë të frikësuar për të ardhmen e vet në tregun e medies dhe në tregun e politikës, andaj bëjnë përpjekje që të mbesin në skenë gjoja duke çuditur dynjanë me “zbulimet” e tyre mbi “rrezikun islamik”. Por, përtej këtij mirëkuptimi fillestar për zavallin e tyre konkret, që është pasojë e joprofesionalizmit dhe e jokompetencës së tyre, ata meritojnë qortim moral dhe politik, sepse po gërmojnë në themelet e vlerave të këtij kombi, duke synuar të prishin njërën nga shtyllat mbi të cilën ai është ngritur dhe po zhvillohet me plot dinamizëm. E pra, refuzimi i gjuhës së tyre plot urrejtje nga pjesëtarët e tjerë të shoqërisë, edhe të besimeve të tjera, është gjest fisnik dhe mesazh për aventurierët plangprishës. Deri sot kjo mënyrë e refuzimit edhe ka funksionuar në një masë të konsiderueshme, duke i çarmatosur sa më shumë militantët islamofobë. Por, kjo linjë e refuzimit të përbashkët ndaj thirrjeve përçarëse islamofobe, që në instancë të fundit janë religjiozofobe, duhet të forcohet edhe më shumë në të ardhmen dhe për të ardhmen.

Duhet të fuqizohet platforma sipas të cilës nuk mund të ndryshohet ajo që është vulosur nga historia si fati ynë. Ky fat duhet të menaxhohet sa më mençurisht në kohën tonë dhe në botën që po bëhet globale e ku identiteti ynë kompleks mund të jetë përparësi e kombit tonë.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqihttps://milazimkrasniqi.wordpress.com/
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

Analizë: Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë.

Raport: Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia në mbulimin e luftës në Gaza

Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia janë të gjalla dhe po luajnë rol në justifikimin e vrasjeve të dhjetëra mijëra palestinezëve të pafajshëm.
Verified by MonsterInsights