Friday, March 29, 2024

Drejtësia për Palestinën, jo vetëm çështje ligjore

Lufta palestineze për liri duhet të jetë shumështresore dhe shumëdimensionale. Ne duhet të sigurohemi që qasja ligjore të mos bëhet fytyra dominuese e luftës palestineze. Ajo është dhe duhet të mbetet vetëm një nga aspektet e saj.

Nga Mark Muhannad Ayyash

Këto ditë, shumica e përpjekjeve për të çmontuar aparteidin e Izraelit dhe sistemet koloniale-koloniale të dominimit mbi popullin palestinez duket se ndjekin një qasje ligjore.

Ekspertët, aktivistët dhe madje edhe politikëbërësit e përfshirë në këtë çështje, janë gjithnjë e më shumë të mendimit se rruga drejt çlirimit të Palestinës kalon përmes sigurimit të një opinioni ligjor që zyrtarisht do ta etiketonte dëbimin e dhunshëm të palestinezëve nga ana e Izraelit si aparteid dhe kolonializëm.

Shembulli më i fundit i kësaj tendence është rezoluta e fundit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që i bën thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të japë një opinion mbi pasojat ligjore të pushtimit të paligjshëm të territoreve palestineze nga Izraeli. 

Unë me gjithë zemër i mbështes dhe i inkurajoj përpjekjet e tilla dhe jam i lumtur që OKB-ja ka miratuar këtë rezolutë të rëndësishme. Megjithëse jam skeptik, unë me të vërtetë shpresoj se opinioni i GJND-së do të pasqyrojë kushtet reale që po vuajnë palestinezët dhe do të ndihmojë në largimin e propagandës izraelite. 

Megjithatë, nuk besoj se është produktive apo e mençur të kufizohen të gjitha përpjekjet në lidhje me çlirimin e Palestinës në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar.

Lufta palestineze për liri duhet të jetë shumështresore dhe shumëdimensionale. Ne duhet të sigurohemi që qasja ligjore të mos bëhet fytyra dominuese e luftës palestineze. Ajo është dhe duhet të mbetet vetëm një nga aspektet e saj. Në fund të fundit, thelbi i luftës palestineze nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë i ligjshëm. Është një luftë për drejtësi, e jo ligj. Ekziston një ndryshim thelbësor midis të dyjave.

Një ligj i krijuar për ta mbytur ezistencën palestineze, jo për të forcuar atë

Qasja ligjore ka disa të meta, që do të thotë se nëse përdoret e vetme, ose paraqitet si aspekti kryesor i kësaj lufte, do ta dëmtojë kauzën palestineze.

Para së gjithash, sistemi juridik ndërkombëtar shpesh nuk arrin ta kontekstualizojë siç duhet dhunën shtetërore si një çështje politike, por e trajton atë vetëm si një çështje penale. Kjo rezulton në një situatë ku sistemi e lidh drejtësinë vetëm me ndëshkimin e autorëve individualë, duke lënë të pa analizuara dhe të pandryshuara strukturat komplekse politike, logjikën dhe dinamikën që janë në themel të problemit.

Për më tepër, gjykatat ndërkombëtare përballen me reagime të konsiderueshme, duke përfshirë sfidat në lidhje me kufijtë e juridiksionit të tyre, sa herë që përpiqen të përcaktojnë dhe gjykojnë ligjërisht dhunën e ushtruar nga shtetet që i përkasin bllokut perandorak të SHBA-së (përfshirë Izraelin). Prandaj, nëse një gjykatë si GJND-ja ose Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) guxojnë ta kategorizojnë Izraelin si një shtet aparteidi, ajo do të sulmohet nga aleatët e fuqishëm dhe me ndikim të Izraelit. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, ky opinion nuk ka gjasa të çojë në ndonjë veprim të rëndësishëm ndëshkues kundër Izraelit nga udhëheqësit ndërkombëtarë, por më tepër në një zbehje të kuptimit të termave të përdorura për të përcaktuar veprimet e dhunshme të Izraelit.

Përveç këtyre kufizimeve, është edhe fakti se sistemi juridik ndërkombëtar u krijua nga fuqitë perandorake për të mbrojtur hegjemoninë e tyre dhe për t’i shërbyer interesave të tyre. Në thelb, strukturat ligjore mbi të cilat të shtypurve dhe të margjinalizuarve u thuhet të mbështeten për t’u përballur me dhunën koloniale perandorake dhe koloniale janë vetë një pjesë kyçe e sistemit politik që ka prodhuar atë dhunë. Ato legjitimojnë, përjetësojnë dhe justifikojnë në mënyrë aktive dhunën koloniale perandorake dhe të kolonëve, duke përfshirë dhunën izraelite kundër palestinezëve.

E drejta ndërkombëtare, e cila supozohet të jetë një mjet neutral për drejtësinë, është në fakt një formë dhune në vetvete. Kur them se ligji është një formë dhune, nuk e kam fjalën sesi një shtet kolonial e përdor atë për të legjitimuar atë që ushtria e tij ka arritur përmes forcës brutale. Më saktë, dua të them se si vetë ligji është rezultat dhe vazhdimësi e dhunës koloniale e perandorake të kolonëve. Dhuna e të fuqishmëve e vërteton ligjin – i jep atij qëllim, legjitimitet dhe fuqi. Prandaj, ligji është krijuar për ta shtypur, e jo për ta forcuar rezistencën palestineze.

(Pa)mundësia për  arritjen e drejtësisë

E gjitha kjo nuk do të thotë se të shtypurit nuk mund ta përdorin sistemin ligjor për t’iu afruar çlirimit – ata munden dhe duhet ta bëjnë këtë. Por origjina e dhunshme, koloniale dhe natyra e strukturave ligjore aktualisht në përdorim do të thotë që ne palestinezët nuk duhet t’i përqendrojmë përpjekjet tona për çlirim dhe drejtësi vetëm te ligji.

Ne duhet të kujtojmë se vlefshmëria e kauzës sonë nuk varet nga institucionet ligjore që e përcaktojnë dhunën izraelite kundër nesh si aparteid, kolonializëm, apo ndonjë gjë tjetër. Institucionet ligjore përgjegjëse për marrjen e vendimeve të tilla janë një pjesë integrale e rendit politik që hapi rrugën për krijimin e kolonive izraelite. Ato janë pjesë përbërëse e një sistemi që punon për të mbrojtur Izraelin dhe për të fshehur natyrën e tij të vërtetë, si dhe brutalitetin e agresionit dhe dhunës.

Nuk ka gjasa që së afërmi ndonjë gjykatë ta përshkruajë me saktësi dhunën izraelite dhe të rekomandojë masa korrigjuese e ndëshkuese kuptimplota nga komuniteti ndërkombëtar. Por edhe nëse do të mund të lundronim në terrenin e vështirë politik e të siguronim një opinion ligjor që e njeh Izraelin si shtet kolonial që praktikon aparteidin, ne nuk do të arrijmë domosdoshmërisht drejtësi.

Natyrisht, një rezultat i tillë do të çonte në shërim në nivelin sociokulturor dhe do t’i shtonte një zjarr të ri luftës palestineze. Megjithatë, kjo nuk do të jepte rezultatet e dëshiruara në frontin politik, e as nuk do të çonte në ndryshime sistematike. Në vend të kësaj, emrat “aparteid” dhe “vendbanime të kolonëve” ka të ngjarë të miratohen dhe të zbuten për të shpëtuar Izraelin nga llogaridhënia në të njëjtën mënyrë që konceptet si “dekolonizim”, “anti-racizëm” ose “diversitet” janë zbutur dhe zhveshur nga kuptimi vitet e fundit.

Përqendrohuni në “drejtësinë” e synuar

Nuk duhet të harrojmë kurrë se ajo me të cilën kemi të bëjmë nuk është një sistem ligjor në thelb neutral, që përballet me presione të caktuara nga aktorë të fuqishëm. Por kemi të bëjmë me një sistem ligjor të krijuar për të legjitimuar dhe përjetësuar vetë dhunën që po përpiqemi ta përcaktojmë dhe t’i japim fund.

Që sistemi juridik ndërkombëtar të bëhet një mjet vërtet i dobishëm për avancimin e çështjes palestineze, ai duhet t’i nënshtrohet një procesi dekolonizimi radikal. Ne mund dhe duhet të kemi një debat të posaçëm se si duhet të duket ai proces dhe çfarë strategjish duhet të ndjekim për të arritur atje. Por si palestinezë, ne kurrë nuk duhet të harrojmë se çfarë është në të vërtetë e drejta ndërkombëtare dhe kufijtë e asaj që mund të bëjë për ne në këtë kohë.

Ndërsa kërkojmë çlirimin, ne duhet të fokusohemi jo te ligjshmëria, por te drejtësia e kauzës sonë, siç përcaktohet nga përvojat tona të jetuara të shtypjes dhe aspiratave për një jetë të lirë të dekolonizuar. Ajo që Izraeli dhe aleatët e tij të fuqishëm perandorakë nuk arrijnë të kuptojnë është se vetë dhuna që ata ushtrojnë mbi palestinezët është burim i rezistencës, nga e cila shpërfaqet vazhdimisht drejtësia e luftës sonë.

Observer.al


Mark Muhannad Ayyash është profesor i asociuar i sociologjisë në Universitetin Mount Royal në Calgary, Kanada.

Të ngjashme
Related

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë.

A po rikthehet Islamofobia sot si pas 11 Shatorit?

Si dikur pas 11 shatorit, edhe sot me luftën e Izraelit në Gaza mediat perëndimorë e shfrytëzojnë maskën e çlirimit për të çuar përpara agjendat e tyre koloniale.

Raport: Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia në mbulimin e luftës në Gaza

Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia janë të gjalla dhe po luajnë rol në justifikimin e vrasjeve të dhjetëra mijëra palestinezëve të pafajshëm.
Verified by MonsterInsights