Franca: Realitete të reja, metoda të vjetra

Franca, nuk mund të logjikojë për realitete të reja me metoda të vjetra. Vetëm ajo e ka në dorë të shpëtojë marrëdhënien e saj me qytetarët e vet të besimeve të ndryshme nga ajo.

0

Ngjarjet ne Francë ku përsëri në qëndër të vëmendjes u projektua “Charlie Hebdo, ishin një kopje identike e e asaj që ndodhi në 2015-tën. Qëllimi i njëjtë, ndryshojnë vetëm mënyra dhe personat. Karikatura dhe vrasje. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Dy ekstreme si pole të kundërta të cilat janë të domosdoshme për të realizuar shpërthimin. Duhej medoemos që deklarata e datës 2 Tetor të presidentit Macron se “Islami është në krizë” të mund të vërtetohej, duhej që iniciativa e tij ligjore për të ashpërsuar ligjin sekular, tashmë më të ashprin në botë të 1905-sës, të mund të kishte një aprovim kolektiv. Kërcënimi i bërë prej kohësh duhej të kthehej në një premtim. Po pse? Sepse është e qartë se në Francë nuk ekziston paaftësia, as pamundësia, por ekziston padëshira për ta kuptuar “tjetrin” kulturalisht. Për këtë, duhet një hendek kulturor, i cili do të mund të “gërmohet” përmes industrisë së frikës e cila zanafillon nga shprehja publike e mbaron tek vrasja publike. Një kohë e vështirë kjo për Macron, i cili sipas sondazheve të Shtatorit të 2020 nga IPSOS, gëzon 78% të papëlqyeshmërisë dhe pesimizmit popullor për presidencën e tij, për mënyrën se si pandemia, rënia e fuqisë blerëse si dhe sistemi shëndetësor e social qe menaxhuar prej tij. Për këtë, duhet një alarm i tipit “Franca në rrezik!” i cili bën goxha punë. Vrasja makabre e Samuel Paty, ishte momenti perfekt që Macron dhe Franca vetë të rrëshqisnin në ekstremizmin e anës së kundërt, duke filluar me retorikën, politikën e pastaj sigurisht me praktikën. Një praktikë që do bënte edhe Le Pen të skuqej dhe të shqetësohej nga konkurenca elektorale e një emri të ri në fushën e ekstremit, i quajtur Macron, i cili nuk ngurronte të jepte leje qe karikaturat te projektoheshin në institucionet shtetërore te Francës, si dhe thirrjet e tij për ta çliruar Francën nga influenca e të huajve.

Gjuha e urrejtjes, fobia ndaj emigrantëve, intoleranca dhe ksenofobia, nga fenomene individuale të shfaqura më parë, tani me rastin e ngjarjeve në Francë, marrin ngjyrim shtetëror. Kjo, nga papërgjegjshmëria e liderëve politikë të cilët duhej të ishin shembull i unitetit kombëtar dhe vlerave demokratike. Këtë fakt, na e sjell në mendje ish presidenti francez Francois Hollande, i cili në deklaratën e tij bën thirrje për pjekuri dhe për ta shpëtuar vendin nga rrëshqitja në humnerën e konfliktit civil. Ai thotë :”Ne duhet t’i ndajmë këta terroristë nga myslimanët. Një gabim i tillë mund të na tërheqë në një konflikt të padëshiruar”.

Fasada demokratike që përdoret në rastin e karikaturave përmblidhet në sloganin “liria e shprehjes”, e cila duket se na shfaqet e personalizuar sipas vendit, religjionit dhe qëllimit. Në rastin e karikaturave që godasin myslimanët, liria e shprehjes për francezët kuptohet si “e padisiplinuar” në raport me liritë e tjera dhe lirinë e besimit në veçanti. Një liri absolute sipas tyre, e cila mund të fyejë e denigrojë këdo dhe gjithçka. Një liri rebele ndaj të shenjtave, të cilat për historinë franceze dhe republikën e saj, shihen si kërcënim i humbjes së laicizmit francez, i cili është një triumf ndaj kishës dhe jetës fetare të këtij vendi e që zanafillon që me revolucionin dhe Iluminizmin. Laicizmi francez duke qenë se vjen nga historia si kurorëzim i përpjekjeve të revolucionit të 1789-tës, jo domosdoshmërisht trupëzon në vetvete principe si toleranca dhe asnjanësia, sepse ai është produkt historik konflikti.

Franca sot e konsideron si arritje gjendjen aktuale të të drejtës publike, sepse ajo vazhdon të vuajë edhe sot e kësaj dite frikën e rikthimit të pushtetit të kishës, prandaj liria e fituar me aq shumë “mund”, shihet si e kompleksuar nga frika e humbjes së saj, nga frika e çdo gjëje religjioze. Është pikërisht këtu gabimi që bën Franca dhe establishment politik i saj sot kur i qaset marrëdhënieve me myslimanët në rastin e karikaturave, sepse ajo mbron lirinë e shprehjes jo se nuk e kupton që ajo duhet të ketë kufinj, por e konsideron atë (lirinë) si kufirin mbrojtës ndaj myslimanëve. Pra, gabon kur konsideron fenomenin mysliman me konceptin, këndvështrimin si dhe frikën që ajo ka për krishtërimin dhe historinë e tij.

Për këtë Franca ka aplikuar një sistem mbrojtës siç është laicizmi, i cili ndryshon nga ai anglo-sakson dhe amerikan. Për francezët multikulturalizmi amerikan shihet si negativ, sepse sipas tyre shumëllojshmëria e kulturave e bën të paaftë trajtimin e individëve si të barabartë. Për francezët, barazia sociale arrihet duke fshirë përkatësitë fetare, etnike në hapësirën publike për të ndërtuar një individ abstrakt (sepse ngjashmëria është një abstraksion tek njerëzit) që quhet qytetari francez. Nëse SH.B.A lejon bahkëjetesën mes kulturave të ndryshme duke i dhënë edhe përfaqësi politike, Franca insiston me asilimin në një kulturë të vetme në një gjuhë, histori dhe ideologji politike e cila përmblidhet në republikanizmin francez. Ky homogjenitet kulturor francez është racist në vetvete. Ai është kthyer tashmë në quasi religjion, i cili është munduar të zëvendësojë dominimin e fetarizmit në shoqërinë franceze, ku në emër të asnjanësisë, ka vulosur dominimin e vet në përdishmërinë dhe sferën publike. Pra një fe e re për të ikur nga feja e vjetër.

Kjo fe e re, pra republikanizmi francez, ka ritualet e veta të cilat i garantojnë atij mbijetesë. Një nga këto rituale është edhe kritika sekulare, misioni i së cilës është sulmi ndaj çdo besimi absolut përmes realtivizimit të gjithçkaje që vjen nga feja e vjetër me anë të triumfit të arsyes. Kështu, këtij kriticizmi i bashkangjitën forma të ndryshme emulative si satirat, përqeshjet filmat e karikaturat, të cilat me anën e përdorimit të lirisë së shprehjes pa kufi, kanë si mision konsolidimin e të vërtetës sekulare dhe denigrimin e çfarëdo të vërtete e cila është në kundështim me shenjtërinë e republikanizmit francez.

Mirëpo, Franca ka rreth 10% të popullsisë së saj me përkatësi myslimane, të cilët kanë një qëndrim të tyrin ndaj religjionit dhe hapësirës publike. Ata janë qytetarë të Republikës Franceze, por që nuk pranojnë të fshijnë identitetin e tyre dhe të kthehen në “individë abstraktë” që nuk i fyen asgjë, ku republika të jetë i vetmi besim i tyre. Kjo, shkakton përplasje ndaj ideologjisë së shtetit ku ata janë dhe fesë në të cilën ata besojnë. Nëse vazhdohet me kokëfortësinë e qeverisë për t’u pëprlasur atëhere, mund të ndodhë ajo që ish-presidenti Hollande përmend, “një konflikt i padëshiruar”. Për të shmangur konfliktin, atëhere Franca dhe establishment politik i saj, duhet të rimodelojnë qëndrimin e tyre ndaj individit francez, sepse revolucioni si dhe Iluminizmi e kanë keqvendsour atë bazuar në një aksident historik të asaj kohe. Franca, nuk mund të logjikojë për realitete të reja me metoda të vjetra. Vetëm ajo e ka në dorë të shpëtojë marrëdhënien e saj me qytetarët e vet të besimeve të ndryshme nga ajo.

Artikulli është publikuar për herë të parë te eperditshmja.com.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.