Tuesday, April 16, 2024

Pse e pranuan shqiptarët sundimin osman

Shkaqet dhe arsyet pse populli shqiptar e pranoi sundimin osman.

Datë:

Pas rënies nën sundimin osman, në krahasim me sasinë dhe shkallën cilësore të integrimit, “rezistenca e armatosur kundër pushtuesit” në Shqipëri zë një vend të pa përfillshëm. Sipas historiografisë shqiptare, “vatra të rezistencës” u bënë disa rajone malore, të prapambetura ku mbisundonte rendi fisnor natyror si Himara, Mbishkondra, Mirdita etj., të cilat gëzonin statusin e venomeve. Arritjet e derisotme historiografike kanë provuar se trazirat antiosmane në Shqipëri ishin lokale, kryesisht të motivuara fetarisht dhe/ose janë nxitur nga shtete të vogla europiane e ballkanike, ose kanë pasur kryesisht karakter ekonomik, si kundërshtimi i rritjes së taksave apo mospagimit të tyre që shpesh shkonin edhe në përleshje të ashpra me pushtuesit, ndërsa tendenca separatisete u paraqiten vetëm nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekulli XIX. Po ashtu, të ashtuquajturat “zona të papushtuara” shqiptare ose venomet, më shumë se rezultat dhe dëshmi e “rezistencës heroike” të popullit shqiptar, (ishte në fakt) një praktikë e zakonshme dhe e përhapur në të gjithë Perandorinë Osmane, veçanërisht për zonat malore dhe fisnore.

Për këto këtë arsye, kjo traditë dhe kjo “rezistencë”, qoftë nga sasia, qoftë nga cilësia e saj, nuk ishte përfaqësuese për (të gjithë) popullin shqiptar. Së pari, ajo kishte një shtrirje gjeografike shumë të vogël në krahasim me tërë territorin etnik shqiptar, dmth, ishte rezistencë lokale. Së dyti, për shkak se popullsia e këtyre zonave malore ishte e rrallë, ajo përfshinte pjesëm më të pakët të popullit shqiptar. Së treti, ishte “rezistencë” e territoreve më të prapambetura shqiptare, të popullsisë që ishte e izoluar nga rrjedhat e qytetërimit. Së katërti, ishte e bazuar kryesisht në motive fetare dhe ekonomike e jo etnike shqiptare etj.

Përkundrazi, për pjesën më të madhe të territoreve dhe popullsisë shqiptare, për pjesën më të përparuar të tij dhe më të ekspozuar ndaj rrjedhave të qytetërimit, deri nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX, nuk mund të dokumentohet ekzistenca e ndonjë “rezistence të fuqishme shqiptare” ndaj “pushtuesve” osmanë. […]

Arsyet etnike

Krahas shpjegimeve të shumta lidhur me shkallët e lartë të integrimit të shqiptarëve në Perandorinë Osmane, shpjegimi më i besueshëm është ai që e lidh atë me motivin e fortë etnik  që kishin shqiptarët në këtë integrim.

Në lidhje me situatën etnike të shqiptarëve pas depërtimit të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe vendosjen e sundimit të saj në Shqipëri, ekzistojnë dy hipoteza të kudnërta:

  1. Hipoteza e mbrojtur nga historiografia zyrtare në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, e cila thotë se situata e përgjithshme e shqiptarëve nën osmanët u përkeqësua, dhe,
  2. Hipoteza e mbrojtur nga themeluesit e nacionalizmit shqiptar, e cila thotë se situata etnike e shqiptarëve nën osmanët përgjithësisht u përmirësua.

Për ta bërë të besueshme hipotezën e vet, historiografia zyrtare shqiptare ka sjellë këto argumente:

Shqiptarët nën sundimin bizantin po zhvilloheshin normalisht si të gjithë popujt e tjerë europianë; pushtimi osman i Shqipërisë ka frenuar zhvillimin e shqiptarëve në rrugën euro-perëndimore si rruga më e përparuar; sistemi politiko-shoqëror aziatik osman ka qenë më i prapambetur, ka qenë barbar në krahasim me ato euro-perëndimore; osmanët kanë ushtruar presion për asimilimin etnik të shqiptarëve; argument i presionit asimilues është islamizimi i dhunshëm; argument i islamizimit të dhunshëm është taksa e veçantë për jo-muslimanët, xhizja.

Ndaj kësaj hipoteze ekzistojnë dhe mund të bëhen vërejtje serioze, thelbi i të cilave përmblidhet në idenë se depërtimi osman, nga pikëpamja etnike (e më vonë kombëtare) e ka përmirësuar situatën ekzistenciale të shqiptarëve si etni.

Pa synuar shterrimin dhe paraqitjen e plotë e sistematike të të gjitha argumenteve në mbështetje të kësaj hipoteze, është e nevojshme, megjithatë, të përmenden disa prej tyre:

  1. Në krahasim me hipotezën e historiografisë zyrtare kjo pikëpamje në Shqipëri ka qënë më pak e njohur (për shkak se ka qenë e ndaluar).
  2. Ka qenë më pak objekt i verifikimit të lirë ndërsubjektiv të besueshmërisë së saj. Po ashtu, duhet pasur parasysh se, nuk mund të bëhet një analizë e hollësishme krahasuese e sistemit osman me sistemet e vendeve të tjera, por do të përmenden vetëm disa përfundime në këtë drejtim të pranuara përgjithësisht në historiografinë botërore dhe të cilat në të shumtën e rasteve merren si të mirëqena.

Premisa situacionale ekzistenciale nga e cila niset hipoteza e dytë është fakti se, depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan dhe pusthimi i Shqipërisë e gjeti pjesën më të madhe të shqiptarëve nën sundimin serb, bullgar, grek dhe bizantin dhe se, (në krahasim) rreziku që paraqisnin këta pushtues për ekzistencën etnike të shqiptarëve ishte shumë më i madh se sa rreziku që paraqiste në këtë drejtim pushtimi osman.

Në mijëvjeçarin e fundit shqiptarët u ndodhën kryesisht dhe pothuajse tërë kohën nën sundimin bizantin dhe osman. Të dyja perandoritë ishin perandori universaliste, multietnike dhe multikulturore. Megjithatë, edhe pse të dyja perandoritë ishin universaliste, multietnike, multikulturore dhe me organizim social, ekonomik e administrativ të ngjashëm, Perandoria Bizantine ishte më e rrezikshme për ekzistencën etnike të shqiptarëve se sa Perandoria Osmane.

Kjo për disa arsye:

Së pari, Perëndoria Osmane e frenoi procesin asimilues sllav, grek, bullgar dhe bizantin ndaj shqiptarëve:

  1. Duke e shkatërruar Perandorinë Bizantine i dha fund presionit të saj asimilues etnik (të ushtruar nga pozita e privilegjuar e sllavëve dhe grekëve) dhe krijoi mundësinë e çlirimit të përkohshëm të disa territorëve shqiptare;
  2. Duke e dobësuar Mbretërinë serbe, bullgare e greke, (ajo) frenoi procesin e sllavizimit dhe greqizimit të shqiptarëve dhe pse nuk e ndaloi plotësisht.

Së dyti, Perandoria Osmane ishte shumë tolerante në pikëpamje etnike. Presioni asimilues etnik osman ka qenë shumë më i vogël në krahasim me presionin e deri atëhershëm sllav dhe grek:

  1. Perandoria kishte një shtrirje (territoriale) aq të madhe sa që, edhe sikur të dëshironte nuk arrinte të popullonte me popullsi osmane territoret e pushtuara dhe t’u ndërronte kështu përbërjen etnike. Ndërsa sllavët ishin dyndur si popullsi dhe kishin ardhur të vendosen në territoret shqiptare. Po ashtu shtrirja e bullgarëve dhe grekëve si popullsi ngjitur ishte shumë më e mundshme;
  2. Perandoria Osmane, qoftë nga përkufizimi, qoftë nga këndvështrimi praktik, nga osmanologët perëndimorë dhe studiuesit e nacionalizmit njihet si Perandori shumë tolerante në pikëpamje etnike: ajo ishte më tepër një perëndori universaliste, kozmopolite, një bashkësi plurikulturore dhe multietnike që e pranonte veten si të tillë dhe nuk përpiqej për unifikim kulturor. Sipas osmanologut më të njohur shqiptar, Skënder Rizaj, në Perandorinë Osmane vetëm posti i sulltanit u takonte turqve, përkatësisht atyre që rridhnin nga dera Osmane. Sundimi i tij ishte despotik-teokratik (pushtet i pakufishëm) e, megjithtë, sadriazemi me divanin mund ta ndërronin sulltanin, por, përsëri duhej ta zgjidhnin ndonjë nga kushërinjtë e tij: të vëllain, të birin etj. Posti i sulltanit ishte trashëgues – nga babai në të birin. Përndryshe, “Perandoria Osmane nuk ishte institucion vetëm i turqve, por e gjithë klasës sunduese të Perëndorisë, e cila përbëhej më shumë nga pjesëtarët e popujve jo-turq: nga arabët, shqiptarët, grekët, boshnjakët, serbët etj. edhe postet më të larta të Perandorisë, posti i vezirit të madh (sadriazemit, dmth kryeministrit ose zëvendës sulltanit), i vezirëve (ministrave)…. i takonin më së shumti shqiptarëve, arabëve, boshnjakëve, serbëve, kroatëve, grekëve, hungarezëve, etj.,” edhe pushteti ekonomik në Perandorinë Osmane ndodhej kryesisht në duart e popujve jo-turq, në duart e hebrenjve, grekëve, sllavëve, shqiptarëve etj.

Së treti, Perandoria Osmane ishte shumë më tolerante nga pikëpamja fetare:

  1. Derisa ortodoksizmi bëhej me dhunë të egër fizike dhe ekonomike, islamizimi përgjithësisht bëhej mbi baza vullnetare, në praninë e dy dëshmitarëve, të gjykatësit etj., ose (me raste) edhe nën presion ekonomik.

“Kanuni i Dushanit” parashikonte damkosjen me hekur të skuqur në fytyrë,  konfiskimin e shtëpisë dhe të pasurisë së çdo shqiptari që nuk pranonte të konvertohej në ortodoks, ndërsa në përpjekjet islamizuese osmane nuk gjenden asnjëherë raste të tilla.

  1. Xhizja nuk ishte taksë e pa përballueshme ekonomikisht. Nga ana tjetër, duke paguar xhizjen meshkujt liroheshin nga shërbimi ushtarak. Në atë kohë çlirimi nga shërbimi ushtarak dhe mbajtja e një krahu punë në shtëpi mund të ishte më e vlefshme se sa mospagimi i taksës, pasi shkruarja ushtar nuk dihej nëse kthehej apo jo ndonjëherë.

Shkurt, xhizja ishte një mundësi zgjedhjeje: të zgjedhësh nëse do të kryesh shërbimin ushtarak apo ta paguash atë. Mundësia për të zgjedhur e zgjeron dhe nuk e ngushton lirinë. Xhizjen nuk e paguanin të gjithë anëtarët e familjes, por në rradhë të parë ata që ishin të detyruar të kryenin shërbimin ushtarak dhe e zëvendësonin atë me para, me taksën e xhizjes. Por edhe sikur xhizja të kishte qenë një taksë e papërballueshme, nuk mund të krahasohej me dhunën fizike ortodoksizuese serbe, me damkosjen me hekur të skuqur, përveç dhunës akonomike.

  1. Vetë kryekisha ortodokse greke e kishte qendrën e vet në Stamboll, fare pranë pallatit të Sulltanit. Madje, Sulltani i kishte lejuar kompetenca të mëdha dhe liri veprimi mbi të gjithë popullsinë raja të Ballkanit.

Së katërti, islamizim nuk do të thoshte osmanizim ose turqizim. Ndërsa ortodoksizmi ishte njëkohësisht edhe sllavizim dhe greqizim:

  1. Në Perandorinë Bizantine si gjuhë kishtare u vendos gjuha sllave dhe greke. Meqënëse gjuha përbën karakteristikën thelbësore të përkatësisë etnike, vendosja e gjuhës sllave e greke si gjuhë kishtare e shndërroi kishën në institucion që ndikonte përkatësinë etnike dhe që vetë mori karakter etnik duke u shndërruar në kishë serbe, e më vonë edhe në kishë “greke”. Nga ana tjetër, ajo ishte gjuhë e sundimtarëve, sa kohë shqiptarët ndodheshin nën sundimin e mbretërive serbe e bullgare, e popujve që ishin dyndur, ose e popujve fqinjë, që bënin presion për përvetësimin e saj nga shqiptarët.

Në Perëndorinë Osmane gjuhë e kishës ortodokse vazhdoi të mbetej sllavishtja e greqishtja, ndërsa e besimit islam, arabishtja. Gjuha arabe e islamizmit (Islamit) nuk paraqiste të njëjtin rrezik për shqiptarët, sepse nuk ishte gjuhë e popullit sundimtar (osmanëve), as gjuhë e një popullsie të dyndur dhe as gjuhë e një popullsie etnike fqinje që të ushtronte presion mbi shqiptarët për ta përvetësuar atë.

  1. Ikonoklastia ishte një lëvizje e dhunshme ortodoksizuese e zhvilluar nga Perandoria Bizantine. Përkundrazi, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, për islamizimin e shqiptarëve nuk është zhvilluar asnjë fushatë e dhunshme si ikonoklastia e zhvilluar nga Perandoria Bizantine dhe as nuk janë parashikuar gjymtime fizike e damkosje me hekur të skuqur për konvertimin fetar në Islam.
  2. Feja Islame për vetë osmanët ishte fe e huazuar nga arabët. Vetëm si fe e bashkuar me shumë elementë tradicionalë osmanë dhe ortodoksë ajo ishte bërë fe kombëtare e osmanëve.
  3. Në Shqipëri, feja Islame mori shumë elementë nga tradita e vendit dhe, sipas Skender Rizajt, u bë fe kombëtare e shqiptarëve. Sipas tij, kush islamozohej (kthehej në fenë Islame –shënim i red.) në Kosovë nuk bëhej osman, mbasi osman etnik nuk kishte fare, por bëhej shqiptar (turk = shqiptar mysliman, në kuptimin e termit të asaj kohë). Po ashtu, feja ortodokse ishte bërë fe kombëtare serbe dhe prandaj kush ortodoksizohej konsiderohej serb, pavarësisht nga prejardhja etnike. Në këto rrethana ortodoksizmi do të thoshte edhe asimilim etnik, ndërsa islamizim (pranimi i Islamit si fe) nuk do të thoshte asimilim etnik.

Përgatiti për publikim E.N.

Pjesë e shkëputur nga libri “Skicë e mendimit politik shqiptar”, (fq. 83-96) me autor Hysamedin Feraj, Logos-A, Shkuo 2010. Të gjitha referencat për sa më sipër mund t’i gjeni tek libri. Titulli është redaksional.

Observer.al

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Stay Connected

16,985FansaPëlqeje
564,865NdjekësitNdjek
2,458NdjekësitNdjek
spot_img

Popular

Të ngjashme
Related

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë.
Verified by MonsterInsights