Saturday, April 27, 2024

Si u shndërrua Islamofobia në plagë globale

Nga SHBA-të dhe Evropa, deri në Lindjen e Mesme dhe Azi, urrejtja dhe diskriminimi kundër muslimanëve është bërë tashmë një fenomen i shëmtuar global. Origjina dhe rrënjët e formave moderne të Islamofobisë në Perëndim janë ato që i kanë dhënë formë qëndrimeve dhe politikave shtetërore ndaj Islamit dhe muslimanëve, duke ndikuar në globalizimin aktual të Islamofobisë.

Politikat e praktikat amerikane dhe evropiane, të brendshme e të jashtme, bashkë me idenë e “luftës kundër terrorizmit” global, kanë luajtur një rol të madh në rritjen e Islamofobisë, si brenda dhe jashtë vendit. Por krizat më të mëdha të Islamofobisë tashmë ekzistojnë jashtë botës perëndimore, përfshirë këtu gjenocin kundër Ujgurëve në Kinë dhe Rohingave në Mianmar, bashkë me rritjen e rrezikshme të Islamofobisë nën Indi nën qeverisjen e Modit.

Edhe pse shpesh neglizhohet, origjina dhe rrënjët e formave moderne të Islamofobisë në Perëndim janë ato që i kanë dhënë formë qëndrimeve dhe politikave shtetërore ndaj Islamit dhe muslimanëve, duke ndikuar në globalizimin aktual të Islamofobisë.

Numri i muslimanëve që jetonin në vendet perëndimore para Revolucioni iranian të 1979-ës ishte relativisht i vogël. Ata nuk dalloheshin shumë si muslimanë. Arabët dhe muslimanët identifikoheshin kryesisht nga vendi i origjinës  ose prejardhja etnike –Egjiptian, libanez, etj – por jo nga feja e tyre, kurse numri i xhamive në SHBA ishte i vogël.

Përpara revolucionit iranian, Islami dhe politika muslimane ishin kryesisht të padukshme në organizatat e rëndësishme profesionale, si Shoqata e Studimeve të Lindjes së Mesme apo Akademia Amerikane e Fesë; në trajnimin e diplomatëve dhe ushtarakëve; në arsim: në shumicën e shkollave, kolegjeve dhe universiteteve (me përjashtim të një numri të vogël universitetesh); si dhe në media.

Kur përfundova doktoraturën në vitin 1974, nuk kishte punë në studimet islame, nuk kishte kontrata për të shkruar libra, as ftesa për të mbajtur fjalime. Por e gjitha kjo ndryshoi në mënyrë dramatike me revolucionin iranian. Siç e kam thënë shpesh, karrierën time dhe Lexus-in tim të parë ia kam borxh revolucionit iranian.

Revolucioni islamik i Iranit dhe ringjallja e Islamit në politikën, shoqërinë dhe kulturën muslimane, ishte krejtësisht e papritur. Thirrja e Ajatollah Khomeinit për eksportimin e revolucionit të tij islamik u bë thjerrëza përmes së cilës tani përballeshin me Islamin dhe muslimanët qeveritë perëndimore dhe shumë nga qytetarët e tyre, të cilët nuk dinin asgjë tjetër për Islamin.

Frika nga ajo që u quajt “fundamentalizëm islamik”, ose “Kërcënimi i Gjelbër”, i raportuar gjerësisht në lajme, u përforcua nga rrëmbimet që pasuan, marrja e pengjeve dhe akte të tjera terroriste.

Përplasja e qytetërimeve

Shumë kohë përpara paralajmërimeve të Samuel Huntingtonit për një “Përplasje qytetërimesh,” një studiues largpamës, Edward Saidi, paralajmëroi në vitin 1981, pas revolucionit iranian, për atë që do të vinte.

Ai paralajmëroi: “Për publikun e gjerë në Amerikë dhe Evropë, sot Islami është ‘lajm’ i një lloji veçanërisht të pakëndshëm. Mediat, qeveria, strategët gjeopolitikë dhe – paçka se margjinalë për kulturën e përgjithshme – ekspertët akademikë mbi Islamin janë të gjithë në një mendje: Islami përbën  kërcënim për qytetërimin perëndimor.”

Imazhet negative të Islamit ishin mbizotëruese. Ato nuk përputheshin me atë që (Islami) ishte, por me atë që sektorët e shquar të një shoqërie të caktuar mendonin se ishte. Ai shtoi: “Ata sektorë kanë fuqinë dhe vullnetin për ta përhapur atë imazh të veçantë të Islamit. Prandaj ai imazh bëhet më i përhapur, më i pranishëm se gjithë të tjerët.”

Më shumë se 10 vjet më vonë, Samuel Huntingtoni argumentonte në një artikull në Foreign Affairs të vitit 1993 me titull “Përplasja e qytetërimeve?”  se, pas Luftës së Ftohtë, konfliktet mbi identitetin kulturor dhe fetar do të dominonin politikën globale.

Deklaratat e bëra nga politikanët perëndimorë dhe komentuesit mediatikë paralajmëronin gjithnjë e më shumë për një “kërcënim islamik”. Ishte një kërcënim i trefishtë për Perëndimin: politik, civilizues dhe demografik. Duke ushqyer në këtë mënyrë idenë e një përplasjeje të pashmangshme qytetërimesh.

Në vitin 1991, rreth kohës kur Frontit i Shpëtimit Islamik në Algjeri pati arritur sukses zgjedhor, u takova me ndihmës-Sekretarin amerikan të shtetit. Ai pyeti nëse Algjeria do të ishte një Iran tjetër; i shpjegova dallimet mes dy vendeve. Në një moment, ai vuri në dukje se me humbjen dhe tërheqjen e Bashkimit Sovjetik nga Afganistani, Islami dhe shumë vende muslimane ishin prania dhe fuqia e vetme e rëndësishme politike e ideologjike globale.

11 shtatori dhe “lufta kundër terrorizmit”

Vitet e fundit, katalizatorët kryesorë të rritjes eksponenciale të Islamofobisë në SHBA dhe Evropë kanë qenë sulmet e 11 shtatorit mbi Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin nga al-Kaeda; sulmet që kanë vijuar më pas në Evropë; përhapja e suksesshme e Shteti IslamikIrak dhe Siri; si dhe emigracioni i madh në Perëndim. Kjo ka ushqyer fuqizimin e të djathtës ekstreme dhe nacionalizmit të bardhë, të cilat kanë ndikuar në politikën amerikane dhe atë evropiane.

Sulmet e 11 shtatorit në SHBA dhe sulmet e mëpashme në Evropë, përfshirë bombardimet e 7 Korrikut (7/7) në Londër, kanë çuar në një rritje eksponenciale të Islamofobisë globale – e bashkë me të, të një frike nga Islami dhe muslimanët në kulturën popullore.

Islami dhe muslimanët – jo vetëm ata ekstremistët dhe terroristët – janë portretizuar, e në shumë raste edhe demonizuar, në median dhe shoqërinë perëndimore si “Tjetri” radikal. Lufta globale  kundër terrorizmit e drejtuar nga SHBA-të, me gjithë retorikën, politikat dhe veprimet e saj – përfshirë pushtimin dhe kontrollin e Irakut dhe Afganistanit, Aktin Patriot të SHBA-ve dhe Gjirin e Guantanamos – në fund kanë çuar në globalizimin e Islamofobisë.

Ky fenomen është përhapur përtej kufijve të Perëndimit, deri në botën muslimane, dhe në vendet aziatike jomuslimane si India, Mianmari dhe Kina. Viktimat nuk kanë qenë vetëm një pakicë e vogël ekstremistësh dhe terroristësh muslimanë, por ka qenë edhe besimi e identiteti i shumicës së muslimanëve në përgjithësi.

Masmediat, e veçanërisht mediat sociale, kanë luajtur një rol kritik në përhapjen e Islamofobisë, duke shërbyer si platforma për deklaratat anti-islame dhe anti-muslimane të liderëve politikë e fetarë, komentuesve mediatikë dhe një morie predikuesish të tjerë që nxisin urrejtje. Siç thotë shprehja e vjetër, “lajmi i keq përbën lajm”. Me fjalë të tjera, lajmet e këqija sensacionale rrisin numrin e lexuesve dhe shtojnë shitjet.

Një raport i vitit 2011 nga Media Tenor, i titulluar “Një epokë e re në marrëdhëniet Arabo-Perëndimore”, zbuloi se, nga gati 975 mijë lajme në mediat amerikane dhe ato evropiane, rrjetet televizive e kishin kufizuar raportimin e ngjarjeve në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut duke u fokusuar vetëm te veprimet e militantëve muslimanë.

Krahasimi i mbulimeve mediatike të vitit 2001 me vitin 2011 tregoi një kontrast ngjethës: në vitin 2001, dy përqind e të gjitha lajmeve në mediat perëndimore paraqisnin imazhe të militantëve muslimanë, ndërsa pak më shumë se 0.1 përqind paraqisnin histori të muslimanëve të zakonshëm. Në vitin 2011, 25 për qind e lajmeve paraqisnin imazhin militant, ndërsa imazhet e muslimanëve të zakonshëm mezi u rritën në 0.5 për qind.

Rezultati ishte një mungesë balance e habitshme në raportimin mediatik: një rritje e ndjeshme në mbulimin mediatik të militantëve, por asnjë rritje në mbulimin e muslimanëve të zakonshëm gjatë së njëjtës periudhë 10-vjeçare.

Shpërthimi i mediave sociale

Kjo u shoqërua me një përhapje të madhe të faqeve të mediave sociale, me ndikime e pasoja si brenda vendit ashtu edhe në shkallë ndërkombëtare. Përdoruesit shfrytëzuan lajmet e këqija për të përhapur paragjykime dhe urrejtje, duke i lyer të gjithë muslimanët me furçën e terrorizmit. U shfaq një rrjet i organizuaris lamofob, me fushata në mediat sociale që mbështeteshin në një industri të madhe të përbërë nga ekspertë, blogerë, autorë, lobistë, politikanë dhe polemistë ideologjikë, me fonde të konsiderueshme që nxiteshin nga agjenda anti-muslimane. 

Si përgjigje ndaj vrasjes brutale të një mësuesi të një shkolle të mesme më 16 tetor 2020 nga një emigrant çeçen 18-vjeçar, ministri i brendshëm francez bëri thirrje për masa të shpejta kundër “armikut të brendshëm”, duke iu referuar komunitetit musliman francez. Feja dhe kultura e tyre shiheshin si kërcënim.

Me parullën për mbrojtjen e shtetit nga “terrorizmi islamik”, autoritetet franceze nisën të godasin jo vetëm ekstremistët dhe terroristët, por edhe gjashtë milionë muslimanët në Francë.

Qeveria kreu bastisje që kishin në shënjestër shoqërinë civile muslimane, duke futur në listë 231 persona për deportim, duke arrestuar dhjetëra të tjerë e duke klasifikuar më shumë se 50 shoqata muslimane për shpërbërje të mundshme. Shumë muslimanë francezë kishin frikë se qeveria po e përdorte vrasjen (e mësuesit) si armë për të krijuar një politikë qeveritare që e barazonte Islamin me terrorizmin.

Një nga këto organizata, të cilën autoritetet franceze e listuan për shpërbërje, ishte Kolektivi Kundër Islamofobisë në Francë, një organizatë që dokumentonte krimet e urrejtjes kundër muslimanëve. Grupi kishte raportuar rritjen e ndjenjave anti-muslimane në Francë dhe kishte zbuluar se në vitin 2019 kishte pasur rreth 800 akte anti-muslimane. Një rritje kjo prej 77 për qindësh në dy vjet.

E megjithatë, ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin e quajti organizatën “armik të republikës”, pa patur asnjë provë. Qeveria mbylli të paktën 73 xhami dhe shkolla islame në vitin 2020. Presidenti Emmanuel Macron, ngjashëm me kandidatët e krahut të djathtë Marine Le Pen dhe Eric Zemmour, bëri fushatë për një ligj mbi “separatizmin islamist”, duke thënë se ishte e nevojshme të merreshin masa nga qeveria për të luftuar “islamin politik”.

Kriminalizimi i Islamit politik

Ngjashëm me goditjen që  Macron-i i dha shoqërisë civile muslimane, forcat austriake bastisën herët në mëngjesin e 9 nëntorit 2020 shtëpitë e rreth 70 liderëve dhe akademikëve të komunitetit musliman në të gjithë vendin nën dyshimin për organizim terrorist dhe pastrim parash.  Operacioni Luxor, i quajtur sipas një qyteti antik në Egjipt, i cili përfshinte më shumë se 900 oficerë policie, agjentë specialë dhe zyrtarë të tjerë, ishte bastisja më e madhe e koordinuar e policisë në Austri që nga Lufta e Dytë Botërore.

Farid Hafëz, studiues austriak, ekspert i islamofobisë dhe studiues i lartë pranë  Bridge Initiative në Universitetin Georgetown, bashkë me familjen e tij ishin në mesin e viktimave.

Kancelari Sebastian Kurz njoftoi më pas më 11 nëntor 2020 një projekt-ligj që ta konsideronte “Islamin politik” si vepër penale. Autoritetet austriake thanë se bastisja kishte në shënjestër njerëz me lidhje të dyshimta me Vëllazërinë Muslimane dhe Hamasin. Pavarësisht këtij pretendimi, asnjë person i vetëm nuk u akuzua.

Përveç traumës nga bastisja, të arrestuarve iu ngrinë asetet dhe llogaritë bankare, duke ua bërë të vështirë pagesën e qirasë dhe shpenzimeve ligjore.

Sipas Helmut Krieger, politolog  në Universitetin e Vjenës, “qëllimi i Operacionit Luxor ishte të  kriminalizonte muslimanët politikisht aktivë në Austri nën etiketimin e Islamit politik. Mënyra se si shteti austriak e kupton Islamin politik është thellësisht i ndikuar nga kuptimi që vjen nga Egjipti,  Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli.”

Sidoqoftë, ndoshta asnjë shtet tjetër nuk është aq i organizuar dhe sistematik në shtypjen e muslimanëve për shkak të përkatësisë etnike dhe besimit të tyre se sa Kina. Ajo i ka burgosur ujgurët në ato që disa i quajnë kampe përqendrimi, krahas mbikëqyrjes së shtuar dhe të zgjeruar mbi shtëpitë, xhamitë dhe jetën e tyre të përditshme. Shteti po ashtu ka përdorur mediat sociale në përpjekje për të kundërshtuar raportimet që bëhen për abuzimet ndaj ujgurëve.

Në përgjigje të akuzës për gjenocid, shteti nisi në mënyrë strategjike një fushatë dezinformimi. Me anë të angazhimit të influencërave në mediat sociale dhe krijuesve të përmbajtjeve, qeveria kineze e ka rrënjosur më fort islamofobinë duke përhapur informacione të rreme mbi mënyrën e trajtimit të ujgurëve. Mjeti më i madh në dispozicion të Kinës në këtë luftë informacioni është pronësia e saj mbi TikTok-un një aplikacion shumë popullor me rritje të shpejtë. 

Shpronësimi i muslimanëve

Situata në Mianmar i ngjan shumë asaj në Kinë. Aty ku Kina shënjestron ujgurët, një grup etnik kryesisht musliman, në Mianmar elita politike shënjestron muslimanët me etni rohinga.

Ngjashëm me Indinë, ku përfaqësuesit e shtetit përdorin mbështetjen e ekstremistëve fetarë hindu,  në Mianmar forcat e sigurisë varen në mbështetjen e budistëve të udhëhequr nga murgjit ekstremistë.

Manifestimi më i dukshëm i Islamofobisë në Mianmar ka qenë gjenocidi sistematik i Rohingave. Vitet e fundit, torturat ndaj muslimanëve Rohinga janë dokumentuar dhe raportuar plotësisht në media dhe nga grupet kryesore të të drejtave të njeriut.

Ashtu si në Indi, shtypja nga shteti përfshin shpronësimin e muslimanëve nga tokat e tyre dhe njohjen ligjore të kësaj “pronësie” mbi kolonët që kanë pretendime mbi shtëpitë e Rohingave.

Mund të thuhet se Islamofobia në Indi po i afrohet me shpejtësi kulmit historik të preiudhës 75-vjeçare të vendit. Shembuj befasues të Islamofobisë mund të gjenden në hapësirat legjislative, arsimore, profesionale dhe private.

Shumë muslimanë po i shohin klasat si hapësira armiqësore. Në një rast, një profesor dyshohet se e ka quajtur terrorist studentin e tij musliman. Grave muslimane gjithashtu iu është ndaluar mbajtja e hixhabit në hapësirat e shkollës.

Fatkeqësisht, në Indi nuk janë vetëm klasat ku gratë muslimane janë të pasigurta. Në gusht 2022, komuniteti ndëkombëtar u trondit kur shteti liroi 11 burra të dënuar për përdhunimin në grup të një gruaje muslimane në vitin 2002 për shkak të besimit të saj. Lirimi i tyre ishte dëshmi e mëtejshme e shtimit të politikave (islamofobe) dhe orientimit anti-musliman të qeverisë së Modit.

Dhuna dhe shtypja e sanksionuar nga shteti përfshijnë shembjet me bulldozerë të pronave të muslimanëve. Këta të fundit kanë raportuar se kanë mbërritur në shtëpi dhe kanë gjetur zyrtarë shtetërorë indian me dokumente që i lejonin ata të shkatërronin shtëpitë ose pronat e tyre, një lëvizje kjo shumë e ngjashme me politikat e ushtrisë izraelite.

Qeveria Modi ka përdorur termin “xhihadi i dashurisë” (love jihad) si justifikim për të mbikqyrur burrat muslimanë e për të promovuar narrativat islamofobe rreth tyre. Qeveria i ka akuzuar ata se po përpiqen të shtojnë numrin e tyre duke joshur gratë hindu me qëllim për t’i larguar ato nga meshkujt hindu.

Së fundmi, shumë muslimanë në Indi raportojnë se po përballen me diskriminim të fortë kur kërkojnë punë, kjo krahas rritjes së gjuhës së urrejtjes në tekstet muzikore, të cilat kanë përmbajtje të qartë anti-muslimane. Ndërsa në rrjetet sociale, siç ka vënë re kohët e fundit gazetari Alishan Jafri, për shumë të rinj myslimanë indianë, newssfeed-et e tyre kanë filluar të ngjajnë me “një ditar vizitorësh jashtë një varreze të zënë”.

Regjimet autoritare

Në të njëjtën kohë, qeveritë dhe regjimet në shumë vende muslimane – si Egjipti, Siria, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahreini, Algjeria dhe Tunizia – kanë praktikuar markën e tyre të Islamofobisë. Ata kanë ngjallur frikën e një kërcënimi global islamik brenda dhe jashtë vendit.

Sundimtarët autoritarë në të gjithë rajonin kanë dështuar vazhdimisht dhe qëllimisht që të bëjnë dallimin ndërmjet grupeve terroriste dhe organizatave kryesore islamike, partive politike, agjencive të mirëqenies sociale dhe grupeve të të drejtave të njeriut.

Egjipti e legjitimoi Grusht-shtetin ushtarak, therjet, burgosjet dhe torturat e dhjetëra mijëra anëtarëve apo mbështetësve të Vëllazërisë Muslimane, bashkë me gjyqet masive dhe dënimet me vdekje, me arsyetimin se ata ishin terroristë muslimanë.

Presidenti Abdel Fattah al-Sisi ka përdorur liderët fetarë të emëruar nga ai dhe institucionet e tyre për të nxitur një “reformim islamik” që të rishikojë, e me sa duket që të hedhë poshtë, traditat shekullore islame si dëshmi e kredencialeve anti-islamiste të Sisit.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, mbështetësit kryesorë të grushtit të shtetit që rrëzoi presidentin e Egjiptit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, pajtohen me të njëjtën mantra. Të treja përmendin veçanërisht Vëllazërinë Muslimane, duke paralajmëruar haptas qeveritë perëndimore kundër një kërcënimi global nga Vëllazëria, jo vetëm në botën muslimane, por edhe në Perëndim, me synim që të imunizojnë veten nga kritikat për shkeljet e të drejtave të njeriut.

“Regjimet arabe shpenzojnë miliona dollarë në think-tanke, institucione akademike dhe firma lobuese pjesërisht për të formësuar mënyrën e të menduarit në kryeqytetet perëndimore rreth aktivistëve politikë vendas që kundërshtojnë sundimin e tyre, shumë prej të cilëve janë fetarë,” vënë në dukje Ola Salem dhe Hassan Hassan në një artikull të Foreign Policy të vitit 2019.

Arabët si ‘armiku’

Islamofobia në Izrael/Palestinë është nga shembujt më pak të raportuar. Zëri Hebre për Paqe (JVP) ka nënvizuar shkurtimisht rëndësinë e Islamofobisë në politikën izraelite dhe ndikimin shkatërrues që ka në portretizimin e muslimanëve dhe arabëve si “armik” dhe mohimin e të drejtave të tyre fundamentale.

Këtu gjendet një fragment me rëndësi nga një fletë faktesh e prodhuar nga JVP: “Islamofobia luan rol kyç në arritjen e mbështetjes së publikut dhe qeverisë së SHBA-së për Izraelin. Grupet e djathta të krishtera dhe hebreje, të përkushtuara ndaj mohimit të të drejtave themelore të palestinezëve, ushqejnë qëllimisht frikë ndaj muslimanëve dhe arabëve (zakonisht supozohet se kët të fundit janë muslimanë) për të çuar përpara axhendat e tyre në Lindjen e Mesme. Mbështetja e palëkundur e politikave izraelite ndihmon në karakterizimin e muslimanëve dhe të të gjithë arabëve si “armik” dhe në vazhdimësinë e Islamofobisë, ose në pamundësinë për të folur kundër saj.

“Një rrjet “pará-Islamofobi-Izrael” – i lidhur nga ideologjia, paratë dhe përkatësitë institucionale të mbivendosura – nxit një klimë të furishme anti-muslimane në këtë vend dhe ndihmon në forcimin e politikave islamofobe dhe anti-palestineze të sponsorizuara nga shteti dhe të miratuara e të promovuara nga qeveria e SHBA-ve.

“Një shtysë për pikëpamjen se muslimanët janë armiq të Izraelit dhe të ‘Perëndimit’ ka ardhur nga publikimi në vitin 1990 dhe popullarizimi i mëvonshëm i termit ‘përplasje e qytetërimeve’: ideja se ‘qytetërimi perëndimor’ është i kyçur në një betejë të paepur me Islami, e cila vjen nga dallimet themelore kulturore, e jo nga historia, politika, imperializmi, neokolonializmi, betejat për burimet natyrore apo faktorë të tjerë.

“Koncepti i ashpër anti-musliman i ‘përplasjes së qytetërimeve’ i sheh më shumë se një miliardë muslimanë sikur ata i përkasin një kulture monolite, të izoluar, thelbësisht të prapambetur, të dhunshme dhe inferiore, e cila nuk mund të ndryshohet. Kjo siguron një bazë ideologjike si për “luftën kundër terrorit” ashtu edhe për besimin militantisht pro-izraelit se “Perëndimi” duhet të mbështesë Izraelin për shkak të “frikës nga pakicat e mëdha muslimane – të pa asimiluara dhe të pa asimilueshme”.

Një narrativë e re

Pavarësisht angazhimeve të tyre retorike ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut, SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë vazhdimisht në anën e regjimeve autoritare. Ajo që ish-Presidenti i SHBA-ve George W Bush e quajti “eksceptionalizëm demokratik” u përdor me ironi për të justifikuar pushtimin dhe sundimin e Irakut. Të gjitha këto në emër të sjelljes së demokracisë në Irak dhe në botën arabe, duke mbështetur gjithashtu status quo-në e aleatëve autoritarë.

Ata janë luhatur midis përdorimit të “demokracisë” si mjet politik e diplomatik kundër disa fuqive arabe dhe përdorimit të dhunës, terrorizmit dhe paqëndrueshmërisë rajonale si justifikim për marrëdhënie më të thella me regjimet autoritare, si Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini.

Në Egjipt, SHBA-ja dhe BE-ja (në fillim) e kundërshtuan dhe më pas e pranuan grushtin e shtetit që rrëzoi presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Mursin, dhe së fundmi, grushtin e shtetit në Tunizi.

SHBA-të, Evropa dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërtojnë jo vetëm një narrativë të re që thekson vetëvendosjen, llogaridhënien e qeverisë, sundimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut, mbi të cilat bazohen veprimet dhe politikat politike – por duhet gjithashtu duhet të veprojnë në bazë të asaj narrative. Kjo është diçka që asnjë administratë, përfshirë qeverinë e Biden-it në SHBA, nuk ka qenë e gatshme ta bëjë.

Kjo përforcon anti-perëndimorizimin dhe mantrën e ekstremistëve militantë se as regjimet arabe e as aleatët e tyre perëndimorë nuk do të “lejojnë” demokratizimin – dhe kjo mantra mund të nxisë radikalizimin dhe rekrutimin nga organizatat terroriste.

Sot, jetojmë në një botë të ndërlidhur globalisht përmes internetit, udhëtimeve, korporatave globale dhe feve të ndryshme. Të krishterët, muslimanët, hebrenjtë, hindutë dhe budistët nuk janë vetëm “atje” në vendet e huaja, por edhe këtu në Perëndim.

Kjo botë e ndërlidhur, e ilustruar nga kriza e Covid-19, shfaq realitetin tonë të shekullit të 21-të. Nëse disa prej nesh nuk janë mirë, të gjithë ne nuk jemi mirë. Të drejtat e njeriut nuk kanë të bëjnë vetëm me “ne”, por kanë të bëjnë me të drejtat globale për të gjithë.

Ne duhet të ndryshojmë të menduarit dhe sjelljen tonë e të shkojmë përtej konsideratës së thjeshtë: feja “ime”, grupi “im etnik” ose vendi “im”, e të nxisim një ndërgjegjësim të thellë për planetin tonë të përbashkët dhe ndërvarësinë (nga njëri-tjetri). Në vend që të përqendrohen te pasuria dhe konkurrenca, udhëheqësit duhet të nxisin një ndjenjë të thellë pluralizmi dhe një ndjenjë të ndërvarësisë tonë politike e fetare, e të na udhëheqin që të punojmë drejt qëllimeve më të mëdha, duke përfshirë të mirën e përbashkët të planetit tonë. Mes shtatë miliardë qenieve tona, ne të gjithë kemi një rol për të luajtur.

Ky tekst është përshtatur nga një fjalim i autorit të mbajtur në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare mbi Islamofobinë në  Mars 2023 në Stamboll. Solli dhe përshtati në shqip Observer.al

Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim i përkasin autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht bindjet dhe politikën editoriale të Observer.al.
John Esposito
John Esposito
John L Esposito është Profesor i Religjionit, Çështjeve Ndërkombëtare dhe i Studimeve Islame në Universitetin Georgetown dhe drejtor e themelues i Qendrës Princ Alwaleed Bin Talal për Mirëkuptimin Muslimano-Krishterë në Shkollën Walsh të Shërbimit të Jashtëm të Georgetown-it.

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights