Friday, April 26, 2024

Nada Dosti: Mesazhi im për femrat muslimane

"Mundohuni ta mbështesni njëra-tjetrën në luftërat tuaja të përditshme, të nxirrni në pah iniciativat e njëra-tjetrës dhe kur të gjeni një derë të hapur, lëreni atë të hapur dhe ndajeni atë mundësi me të tjerat!"

Nada Dosti është një grua me shumë aspekte; gazetare, nënë e re, aktive, themeluese e Muslimania.al, paneliste, e diplomuar në dy programe të ndryshme Masteri. Por kur e takova atë në qytetin e saj të vëndbanimit në Ankara, Turqi, ajo zgjodhi të prezantohej si një aktiviste.

Të kthehemi në rrugëtimin e kësaj gruaje frymëzuese, e cila sulmon paragjykimet ndaj grave muslimane, në vendin e saj të lindjes, në Shqipëri.

Një histori personale e ndërtuar mbi vullnetarizmin

Rrugëtimi i saj u dallua së pari nga karriera në gazetari. Ajo bëhet gazetarja e parë muslimane me mbulesë në Shqipëri në një faqe të vogël të internetit në pronësi të muslimanëve, nëpërmjet së së cilës iu dha mundësia të shfaqte talentin e saj. Por Nada Dosti e përkufizon veten mbi të gjitha me angazhimin e saj: “Aktivizmi është jeta ime”, thotë ajo.

Që në moshë të re, ajo u përfshi në disa OJQ në Shqipëri dhe vazhdoi ta bëjë këtë edhe pasi u shpërngul në Turqi në vitin 2012,  ku investon kohën dhe energjitë e saj në aktivitete rinore dhe humanizmi.

Nada e shpjegon tërheqjen e saj drejt vullnetarizmit përmes dy citateve që e frymëzojnë atë: “Ka të drejtë të kritikojë, ai që ka zemër të ndihmojë” nga Abraham Lincoln. Dhe një hadith i Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), i cili e nxit atë të veprojë si një besimtare: “Kush prej jush sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij, e në qoftë se nuk mundet, le ta ndryshoj me gjuhën e tij, e në qoftë se nuk mundet le ta urrej atë me zemrën e tij, por ky eshte besimi (imani) me i dobet,” [Transmetuar nga Imam Muslimi].

Përvoja e saj, një forcë lidhëse për kauzën që ajo mbron: të drejtat e grave muslimane

Nada na tregon për rininë e saj në Shqipëri, ku ishte shumë e vështirë për një grua të re muslimane që dëshironte të tregonte identitetin e saj duke zgjedhur mbulesën. Duke vendosur të mbulohej që në shkollën tetë-vjeçare, ajo u refuzua nga administrata e shkollës, si dhe nga ata, që i donte më shumë; familja e saj.

“Prindërit e mij menduan se hixhabi im ishte thjesht një kapriço për mua dhe se do të lodhesha prej saj pas një kohe. Ata e refuzuan vendimin tim. Madje më mohuan si bijë dhe më nxorën jashtë nga shtëpia dhe mua m’u desh të shkoja të jetoja me gjyshërit dhe me familjarë të tjerë, derisa edhe ata më refuzuan sepse nuk i’u binda prindërve të mij. Prandaj fillova të jetoja si një e pastrehë që në moshën 14-vjeçare, duke fjetur në xhaminë kryesore të qytetit tim. Ishte një episod shumë traumatik në jetën time. Pra gjithçka ndodhi vetëm sepse doja të ndiqja fenë time dhe rregullat e Zotit tim. Kjo përvojë formoi pjesën tjetër të jetës time.”

Pas shkollës së mesme, Nada pësoi diskriminim në universitet, u refuzua nëpër intervista pune me justifikimin:  “Duhet të heqësh hixhabin nëse dëshiron që ne të të punësojmë”.

“Sot, qëllimi im është të punoj shumë për të hapur dyert e mia të suksesit dhe t’i lë ato të hapura, në mënyrë që të tjerat të përfitojnë. Unë dua të jem në gjendje të edukoj gratë muslimane për të drejtat e tyre, të forcoj imazhin e tyre në Shqipëri dhe të punoj për integrimin e tyre.”

”Mendoj se mediat janë kryesisht përgjegjëse për ngritjen e ligjërimit islamofob. Në fakt, ato mbështesin politikat qeveritare në favor të hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për një histori të gjatë, më shumë se 30-vjeçare, e cila është bërë përparësia, në mos varësia e qeverisë shqiptare. Dhe kjo histori ushqen dhe përhap legjendën sipas së cilës Islami është feja e armikut dhe pushtuesit tonë osman. Nëse duam të jemi më të pranueshëm për vendet europiane, duhet të përqafojmë “vlerat evropiane.”

Për më tepër, e zhgënjyer nga lëvizjet tradicionale feministe, asnjëra prej të cilave “nuk i dha rëndësi ose mbështetje zërave të grave muslimane që pretendojnë të drejtën e tyre për t’u pranuar në shoqëri”, Nada thekson se ka shumë pak përfaqësim të grave muslimane në mediat shqiptare.

Dhe kjo është arsyeja pse, në përgjigje të të gjitha këtyre sfidave, dhe në vazhdimësinë e rrugëtimit të saj si një grua e përkushtuar dhe aktiviste, Nada themeloi Muslimania.al, platformën e parë që shërben si një zë për gratë muslimane nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Foto kolazh me Nada Dostin.

T’u japim zë atyre që s’ i kemi dëgjuar asnjëherë

Në bashkëpunim me disa gra të tjera aktiviste, në vitin 2015 ajo themeloi platformën Muslimania.al. Në këtë mënyrë, ajo synon t’u përgjigjet luftërave dhe sfidave me të cilat duhet të përballen gratë muslimane në shoqërinë shqiptare.

“Misioni kryesor i kësaj platforme është të motivojë dhe inkurajojë përfshirjen e grave muslimane në sferën publike. Kjo platformë është menduar për të krijuar një vend të sigurtë, të mbrojtur nga paragjykimet dhe diskriminimet. Eshtë e hapur për këdo që dëshiron të promovojë potencialin dhe mundësitë e veta në botën dixhitale. Është projektuar si një mënyrë për të promovuar edhe aktivitetet profesionale të grave sipërmarrëse muslimane.”

Një grua frymëzuese dhe një nënë luftarake

Nëse i kërkojmë Nadës të zgjedhë cilat janë gratë më frymëzuese që ajo ka arritur të takojë, ajo na citon shumë gra të përkushtuara muslimane, në veçanti Sonya Emilovan, aktiviste bullgare që e frymëzoi shumë duke kombinuar faktin e të qenurit nënë dhe aktiviste në të njëjtën kohë.

Si shumë gra, Nada kishte frikë se pas lindjes do të detyrohej të hiqte dorë nga aktivitetet e saj e të qendronte në shtëpi.

“Unë u njoha me Sonya në një kongres rinor në Turqi dhe më bëri përshtypje se duke dëgjuar fjalimin e saj, papritmas pashë djalin e saj duke luajtur pranë në skenë. Më vonë mësova se ajo e merrte djalin e saj në të gjitha aktivitetet. Unë isha shtatzënë në atë kohë dhe i thashë vetes: “Oh Zoti im, unë dua të jem si ajo”. Kështu, Nada filloi të luftonte për të drejtën e saj për të marrë foshnjen e vogël me vete në aktivitete të ndryshme kur fillimisht organizatorët kishin refuzuar të merrnin përsipër një përgjegjësi të tillë.

Mesazhi i saj për gratë

“Realitetet tona janë pothuajse të njëjta; ne përballemi me të njëjtat sfida, disa janë më të vështira se të tjerat. Por çështja kryesore është që ne duhet të japim kontributin tonë dhe të krijojmë impakt në shoqërinë ku jetojmë. Mundohuni ta mbështesni njëra-tjetrën në luftërat tuaja të përditshme, të nxirrni në pah iniciativat e njëra-tjetrës dhe kur të gjeni një derë të hapur, lëreni atë të hapur dhe ndajeni atë mundësi me të tjerat! Nëse bashkëpunojmë me njëra-tjetrën, inshaAllah mund të arrijmë rezultate edhe më të mëdha. Dhe mbi të gjitha, ndani historitë tuaja me të tjerat! Kush e di, ndoshta mund të frymëzojnë dhe motivojnë edhe shumë gra të tjera. 

Intervistoi Sophie Aek për Revistën Lallab. Perktheu në shqip Hanife Sulejmani.

Observer.al

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights