Friday, May 3, 2024

Islamofobia në mediat perëndimore bazohet në premisa të rreme

Ndryshe nga sa pretendohet nga Islamofobët dhe nga sa besohet nga një pjesë e publikut, studimet tregojnë se shumica e muslimanëve jo vetëm që nuk e mbështesin terrorizmin, por e dënojnë atë.

Datë:

Nga Stuart Chambers

Ndonëse ndjenjat anti-muslimane kanë ekzistuar shumë kohë para vitit 2001, sulmet terroriste të 11 Shtatorit dhe reagimet që pasuan i shtuan  stereotipet anti-muslimane, përkatësisht supozimin se Islami është në thelb i dhunshëm, apo se muslimanët kanë tendencë për terrorizëm. Që prej 11 Shtatorit, individë të caktuar e kanë kthyer Islamofobonë në një industri (fitimprurëse, sh.p), duke përdorur muslimanët për çuarjen përpara të axhendave të tyre. 

Ashtu si format e tjera të mungesës së tolerancës, edhe Islamofobia mund të adresohet në mënyrë objektive. Studimet empirike janë një mënyrë e efektshme për ta ekspozuar këtë paragjykim, i cili është një fatkeqësi për të dyja palët e spektrit politik. 

Retorika anti-muslimane

Retorika e autorit konservator kanadez Mark Steyn është tipike e islamofobisë së krahut të djathtë (right-wing). Për shembull, ai pretendon se “shumica e muslimanëve ose e dëshirojnë ose janë indiferentë ndaj vrasjeve në shoqëritë ku jetojnë.”

Po ashtu, politikani populist hollandez i krahut të djathtë Geert Wilders e cilëson Kuranin si një burim frymëzimi për justifikimin e urrejtjes, dhunës dhe terrorizmit në botë, Europë dhe Amerikë. Analisti politik konservator nga Britania, Douglas Murray, sugjeron se për të pakësuar terrorizmin, Mbretërisë së Bashkuar i duhet “më pak Islam”.

Analistë të njohur të krahut të majtë po ashtu, njësoj si kolegët e tyre konservatorë, ushqejnë të njëtat stereotipe që ndjellin frikë. Për shembull, neuroshkencëtari amerikan Sam Harris pohon se “ekziston një lidhje direkte midis doktrinës së Islamit dhe terrorizmit musliman.”

Ngjashëm, komediani dhe producenti televiziv amerikan Bill Maher beson se ekziston një “fije lidhëse” intolerance dhe brutaliteti që lidh 1,6 miliard muslimanët me grupet terroriste si ISIS-i. Ndërsa aktivistja dhe shkrimtarja me origjinë somaleze Ayaan Hirsi Ali thotë se “dhuna është pjesë e qënësishme e doktrinës së Islamit”. 

Sidoqoftë, asnjë nga këto stereotipizime nuk janë të mjaftueshme nga këndvështrimi shkencor (skolastik). Pozicionimet e hapura dhe teprimet e mëdha kanë tendencën ta largojnë vëmendjen nga problemi kryesor: pra nëse përshkrimi i muslimanëve si esktremist të dhunshëm është çorientues apo jo?

Shumica e muslimanëve e refuzojnë ekstremizmin e dhunshëm

Në rang global, shumica e muslimanëve i refuzojnë sulmet vetëvrasëse me bomba dhe format e tjera të dhunës kundër civilëve në mbrojtje të Islamit. Studimet kanë zbuluar se muslimanët i shohin këto ekstremizma si rrallëherë, ose asnjëherë të justifikuara, përfshirë këtu 96 përqind në Azerbajxhan, 95 përqind në Kazakistan, 92 përqind në Indonezi dhe 91 përqind në Irak.

Një raport i vitit 2016, i titulluar What Muslims Want (Çfarë Duan Muslimanët), i cili është një nga studimet më gjithë përfshirëse i kryer ndonjëherë mbi muslimanët në Britani, ka gjetur se nëntë nga dhjetë muslimanë anglezë e refuzojnë tërësisht terrorizmin.  Kur janë pyetur se deri në çfarë shkalle i simpatizojnë apo i dënojnë njerëzit që kryejnë akte terroriste si formë proteste politike, 90 përqind i kanë dënuar këto veprime, pesë përqind nuk e dinin, ndërsa tre përqind as nuk i dënonin e as nuk i përkrahnin aktet politike terroriste. 

Kjo vështirë se mund të konsiderohet “shumica e muslimanëve,” siç pretendon Steyn.

Kur u pyetën gjatë një sondazhi në shkallë të gjerë nëse “sulmet ndaj civilëve janë moralisht të justifikueshme,” u gjetën rezultate të ngjashme midis përgjigjes së muslimanëve dhe publikut të gjerë në Francë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në fakt, përgjigjet ishin pothuajse identike: Publiku francez (një përqind) kundrejt muslimanëve në Paris (dy përqind); publiku gjerman (një përqind) kundrejt muslimanëve në Berlin (0,5 përqind); dhe publiku britanik (tre përqind) kundrejt muslimanëve në Londër (dy përqind).

Rezultatet e hulumtimeve në Amerikën e Veriut ishin çuditërisht të ngjashme. Në një sondazh të vitit 2016 nga Environics Institute, vetëm një përqind e muslimanëve kanadezë përkrahnin pohimin se “disa” apo “shumica” e muslimanëve në Kanada mbështesin ekstremizmin e dhunshëm. Një sondazh i Pew Research Centre i vitit 2017 gjeti se, kur muslimanët amerikanë u pyetën nëse vrasja e civilëve për arsye politike, sociale apo fetare mund të justifikohej,  84 përqind e tyre pohuan se është “kurrë/rrallë” e justifikueshme.

Për shkak se 12 përqind e muslimanëve amerikanë janë përgjigjur se dhuna kundër civilëve mund të justifikohet “ndonjëherë/shpeshherë”, aktivistët anti-muslimanë pretendojnë se me qindra e mijëra muslimanë janë të radikalizuar. Përgjigjet kualitative të muslimanëve mbi këtë çështje janë mjaft të qarta: dhuna është e lejueshme vetëm nëse sulmohesh, si individ apo si komb. Me fjalë të tjera, për vetëmbrojtje. Kur u pyet publiku i gjerë amerikan, përgjigjet e tyre ishin praktikisht identike: 83 përqind dhe 14 përqind respektivisht.

Ndryshe nga bindjet e Maher-it, se muslimanët nëpër botë mbështesin organizatat terroriste si ISIS-i, shumica e njerëzve në vendet me popullsi të konsiderueshme muslimane kanë një pikëpamje negative ndaj ISIS-it, përfshirë pothuaj 100 përqind të respondentëve në Liban, 94 përqind në Jordani dhe 84 përqind në territoret (e pushtuara sh.p.) palestineze (10 përqind e palestinezëve nuk kishin asnjë mendim për ISIS-in).

Pretendime të rreme

Islamofobia është term që përdoret për të klasifikuar pretendimet e pasakta ndaj muslimanëve dhe Islamit. Ata që kanë axhenda anti-muslimane besojnë se pikëpamjet e tyre janë koherente. Por, siç e thekson Eli Massey dhe Nathan J. Robinson, funksioni i paragjykimeve “bën që të besohet se përgjithësimet janë të bazuara në arsye dhe fakte edhe kur arsyeja dhe provat në fakt na çojnë krejtësisht në drejtim tjetër.”

Pohimi kryesor se shumica e muslimanëve mbështesin ekstremizmin e dhunshëm është i pabazë. Për shkak se Islamofobia shtrembëron mënyrë si i sheh Perëndimi muslimanët, studimet shkencore shërbejnë si korrigjues të rëndësishëm në dy mënyra: e para, ato vënë në dukje qëndrimet islamofobe që e kanë mbërthyer Perëndimin që prej 11 Shtatorit; dhe e dyta, ato ndihmojnë në pakësimin e përhapjes së kritikave helmuese duke ofruar një forum racional për të diskutuar.

Autori është profesor i studimeve antropologjike dhe sociologjike në Universitetin e Ottawas.

Observer.al

Observer.al
Observer.al
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë është platformë që trajton problemet e Islamofobisë, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit Musliman në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, e më gjerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Stay Connected

16,985FansaPëlqeje
564,865NdjekësitNdjek
2,458NdjekësitNdjek
spot_img

Popular

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights