Friday, April 26, 2024

Pushtimi izraelit dhe identiteti palestinez: intervistë me aktivistin palestinez Sami Al-Arian

Palestinezët nuk kanë asgjë për të humbur, sepse të jetosh nën pushtim, shtypje, tirani dhe të humbasësh dinjitetin nuk është jetë. Për sa kohë që ata nuk pranojnë të heqin dorë nga lufta për çështjen e tyre, fitorja do të jetë fati i tyre i pashmangshëm.

Tufa të mëdha mallrash personale mbarten mbi shpinën e grave dhe fëmijëve palestinezë duke ngjitur afërsisht pesë mijë kilometra drejt tokës së askujt pranë kufirit palestinez në Tulkarim. Pasi u detyruan të linin shtëpitë e tyre, u sollën këtu me një kamion jo ushtarak arab nga një fshat afër Haifas. Pas themelimit të shtetit të Izraelit, miliona palestinezë u shpërngulën ose u dëbuan nga tokat e tyre, disa në kampe refugjatësh dhe të tjerë në vendet arabe ose perëndimore. Kju shfarosje ishte shumë traumatike dhe ka pasur efekte të thella në identitetin palestinez. Yeter Ada Şeko në një bashkëbisedim me aktivistin politik palestinez dhe Drejtorin e Qendrës për Çështjet Islame dhe Globale (CIGA), Sami Al-Arian, shpjegon për efektet e kësaj traume në lidhje me identitetin palestinez, si dhe luftën e gjatë të palestinezëve për lirinë.

Ada: Pas themelimit të shtetit të Izraelit, miliona palestinezë u dëbuan drejt rajoneve të ndryshme si Egjipti, Libani, Siria dhe Jordania. Disa prej tyre gjithashtu lanë tokat arabe dhe filluan një jetë të re në rajonet perëndimore si SHBA dhe Evropë. Cili është efekti i këtij procesi emigrues në identitetin palestinez?

Sami Al Arian: Ka shumë efekte dhe ndikime të mëdha që reflektohen nga brezi në brez, dhe nga vendi në vend. Kur gjenerata e parë u internua, shumë prej tyre jetuan në kampe refugjatësh, qoftë në Gaza, në Bregun Perëndimor, në Liban, e më vonë në Siri. Disa prej tyre shkuan në Egjipt edhe pse nuk kishte kampe refugjatësh. Ndërsa shumë prej tyre ndër vite kanë emigruar në vende të ndryshme, duke kërkuar kushte më të mira jetese, siç janë zonat e Gjirit. Disa, gjithashtu shkuan në Perëndim, veçanërisht pas luftës së vitit 1967, dhe jetuan në rajone të ndryshme, përfshirë SHBA-të dhe Evropën. Pra, kur flasim për identitetin palestinez, shumë faktorë e formësojnë këtë identitet.

E para është se kjo ka qenë një traumë kolektive me të cilën u përballën palestinezët. Kur u çrrënjosën papritmas nga atdheu i tyre, ku ata kishin jetuar ndër shekuj, ishte shumë traumatike për shumë njerëz, veçanërisht pasi nuk ndodhi pak nga pak por krejt papritur.

Ndërkohë, 80 përqind e palestinezëve që jetonin në zonat e vitit 1948, afërsisht 800,000, u dëbuan drejt vendeve që ishin të huaja për ta, dhe disa prej tyre jetonin në kushte shumë të këqija. Teksa po jetonin jetën e tyre të qetë dhe në kushte të mira në vendin e vet, papritmas u përballën me varfërinë, e kjo ndikoi në psiqikën e palestinezëve. Kjo psiqikë nuk është larguar kurrë nga palestinezët brez pas brezi dhe përvoja u ushqye në çdo brez. Brezi i babait tim, brezi im dhe gjenerata e fëmijëve të mi, gjithmonë e përmendim atë traumë. Ne gjithmonë flisnim për ndikimin e rrënimit, kështu që gjithmonë ka ekzistuar një lidhe e fortë midis palestinezëve të çdo brezi me Palestinën. Nuk ishte diçka që u harrua apo diçka që u la mënjanë.

Dhimbja, vuajtja dhe e tërë përvoja për t’u dëbuar jetuan me ta, si dhe historia e tyre e të jetuarit në Palestinë. Pra, kjo është në radhë të parë.

Por mund të ketë disa ndryshime, pasi disa komunitete kanë më shumë prirje sesa të tjerët në varësi të vendit ku janë përqëndruar, por në përgjithësi palestinezët e kanë këtë lidhje të veçantë me tokën e Palestinës.

Së dyti, për shkak se pjesës më të madhe të palestinezëve, veçanërisht atyre që jetojnë në kampe refugjatësh, nuk u është dhënë asnjëherë nënshtetësi, ata kurrë nuk u asimiluan si emigrantët ose refugjatët e tjerë.

Të jesh palestinez do të thotë të përballesh gjithmonë me vuajtje, sepse të mos jesh nënshtetas në këto vende do të thotë të të mohohen shumë të drejta dhe privilegje që i ka çdo qytetar tjetër i një vendi: e drejta për të punuar, e drejta për kujdes shëndetësor, arsimim etj. E kjo e shpjegon më mirë se çfarë do të thotë të jesh palestinez.

Gjithashtu, e njëjta gjë ndodh edhe në zonat e Gjirit, pasi as atje nuk japin nënshtetësi. Palestinezët jetojnë si komunitete brenda një komuniteti në këto vende, si Kuvajti i para vitit 1990. Para se të largoheshin nga Jordania kishte komunitete shumë të mëdha palestineze që krijuan identitetin e tyre në lidhje me atë që do të thotë të jesh palestinez.

Në Perëndim, për shembull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku unë kam jetuar katër dekada, ju mund të shihni fshatra të tëra, veçanërisht nga Bregu Perëndimor, të zhvendosur në SHBA dhe atje ata do të fillonin përsëri jetën dhe përfundimisht do të fitonin nënshtetësinë. Ata kanë formuar shoqata që të identifikohen me çështjen palestineze. Kështu,  secili fshat ka shoqatën e vet në mënyrë që të mund të ruajnë ndjenjën dhe lidhjen me tokën e tyre, si dhe me bashkëfshatarët e tyre palestinezë në lidhje me atë që do të thotë të jesh palestinez.

Gjithashtu, ata që kanë qenë pjesë e luftës, e mund të jenë me dhjetëra mijëra njerëz, do të vëreni se lufta gjithashtu ka ndikuar në këtë identitet palestinez, sepse shoqëri të ndryshme nuk do ta pranojnë lehtë faktin që jeni pjesë e kauzës për Palestinën, e për këtë arsye mund të ktheheni në një shënjestër. Nëse jeni në SHBA, e ndonjëherë në Evropë, e madje dhe në disa vende arabe, nëse njerëzit punojnë për çështjen e Palestinës ata shndërrohen në shënjestra të agjencive të sigurisë dhe ky fakt do të sillte pasoja të tjera në jetën e tyre dhe kjo gjithashtu do të formësojë më tej identitetin e tyre palestinez.

Palestina, me kalimin e kohës është shndërruar në një simbol. Një simbol kundër racizmit, kundër shtypjes, kundër tiranisë dhe një simbol kundër pushtimit, prandaj shumë njerëz identifikohen me atë çështje nga ai këndvështrim. Kjo i bën palestinezët edhe më të përkushtuar në këtë kauzë, duke formësuar më tej identitetin e tyre.

Pra, ajo që do të thoja është se të jesh pjesë e një komuniteti palestinez në mërgim, ose të jesh pjesë e njerëzve nën pushtim është një luftë, qoftë në zonat e vitit 1948 apo në Bregun Perëndimor apo Gaza, dhe ajo luftë vazhdon, vuajtjet vazhdojnë, dhimbja vazhdon, duke qëndruar aty brez pas brezi. Kujtesa kolektive transferohet nga brezi në brez, prandaj ka më shumë përkushtim dhe lidhje më të fortë me atë se çka do të thotë të jesh palestinez, kështu dhe ky identitet formësohet edhe më tej.

Ada: A mendoni se palestinezët që jetojnë në vende të tjera, ku e kanë mundësinë të marrin nënshtetësinë, mund ta humbin identitetin e tyre palestinez si rezultati kësaj? A mendoni se kjo vuajtje, pra të mos qenurit në gjendje për të marrë nënshtetësi, e mban gjallë identitetin palestinez?

Sami Al Arian: Unë mendoj se është e vërtetë. Historikisht, është e vërtetë që në shumë prej këtyre komuniteteve, veçanërisht në vendet arabe (përveç Jordanisë), palestinezët kurrë nuk morën nënshtetësi, dhe kjo formësoi të qenurit e tyre palestinez. Sidoqoftë, shumë palestinezë do të argumentojnë se nuk është një justifikim për t’u mohuar atyre të drejtat themelore si qenie njerëzore, pasi të mos qenit shtetas në një sistem shtet-komb sjell vështirësi dhe ngarkesë të madhe për këto komunitete dhe i kthen ato në qënie pa të drejta, pa nënshtetësi, dhe qenie jo njerëzore.

Atyre u janë mohuar nevojat, të drejtat themelore në jetë: e drejta për një arsimim të mirë, e drejta për një vend pune, e drejta për pension, e drejta për të jetuar me dinjitet, e drejta për kujdes shëndetësor, etj. Pra, duke mos qenë nënshtetas, formësojnë të kuptuarit e tyre se çka do të thotë të jesh palestinez. E ky ishte identiteti i vetëm me të cilin njerëzit mund të identifikoheshin, pra të qenurit palestinez. Pra, sigurish bashkë me vuajtjen u forcua edhe identiteti.

Edhe për palestinezët në Jordani, të cilët kanë nënshtetësi ose të paktën një formë nënshtetësie, edhe pse ekziston një diskriminim delikat midis palestinezëve dhe jordanezëve nga qeveria, por pavarsisht asaj, palestinezët ende identifikohen me Palestinën dhe ata ende ëndërrojnë ditën kur të mund të kthehen në vendin e tyre. E kjo po ashtu përçohet nga brezi në brez.

Ada: Për palestinezët që kanë nënshtetësi izraelite, të qenit nënshtetas izraelit është një aspekt tjetër i identitetit të tyre. Çfarë mendoni për çështjen e identitetit të izraelito-palestinezëve dhe marrëdhëniet e tyre me shtetin e Izraelit?

Sami Al Arian: Palestinezët që qëndruan në Palestinë pas katastrofës së vitit 1948 dhe pas pushtimit të 78 përqind të Palestinës nga regjimi sionist kurrë nuk u ndjenë se ishin nënshtetas.

Për 18 vjet me rradhë, midis 1948-ës dhe 1966-ës, këto komunitete kanë jetuar nën një shtetrrethim dhe ligj ushtarak, kështu që ata kurrë nuk u ndjenë pjesë e shoqërisë. Megjithëse 80% e palestinezëve u internuan, pjesa tjetër jetoi nën sundimin ushtarak, edhe pse ata jetuan krah për krah me izraelitët. Të jetuarit nën sundimin ushtarak për 18 vjet shkatërroi një brez të tërë. Edhe pasi kjo u hoq dhe atyre iu dha shtetësia nga Izraeli, ata kurrë nuk u integruan në shoqëri, dhe mund t’i shihni politikat raciste dhe mentalitetin e udhëheqësve sionistë në forma të qarta dhe konkrete. As nuk përpiqen ta fshehin atë: një shtet vetëm për hebrenjtë, ligje vetëm për hebrenjtë, disa rrugë vetëm për hebrenjtë në Bregun Perëndimor si dhe vendbanime, e kështu me radhë.

Kur u dëbuan papritmas nga atdheu i tyre, ku ata kishin jetuar me shekuj, ishte shumë traumatike për shumë njerëz, veçanërisht pasi nuk ndodhi gradualisht por krejt papritur.

Ka shumë diskriminim ndaj arabëve brenda zonave të vitit 1948, i cili manifestohet në arsimim,  në punë, në kujdesin shëndetësor dhe madje edhe në të drejtën e tyre për të shkuar për t’u lutur në xhaminë Al-Aksa. Nëse pozicionohen ndryshe politikisht, do të pengohen nga lutja në Al-Aksa. Shumicës së Palestinezëve jashtë Jeruzalemit po ashtu iu është mohuar kjo e drejtë për dekada.

Edhe pse shteti izraelit përpiqet ta portretizojë veten si një shtet që respekton fetë dhe etnitë e ndryshme, në fakt nuk është kështu. Studime të shumta dëshmojnë se ajo që ne kemi sot në Palestinë, për sa i përket shtetit të Izraelit, është një shtet që diskriminon qytetarët e tij bazuar në përkatësinë etnike, besimin dhe fenë e tyre. Prandaj, nuk mund të themi që palestinezët brenda këtij shteti gëzojnë privilegjet dhe të drejtat e të qenurit qytetarë me të drejta të barabarta me qytetarët hebrenj.

Ada: Siç përmendëm më parë, disa palestinezë kanë nënshtetësi izraelite dhe disa jo. Siç thoni ju, është e qartë se kjo shtetësi nuk ka vlerë të barabartë. Atëherë, pse Izraeli u jep nënshtetësi palestinezëve?

Sami Al Arian: Ky ishte një vendim historik që mori Kryeministri i parë i Izraelit, David Ben Gurion. Shumë politikanë izraelitë shprehin keqardhje për atë vendim dhe arsyen që Ben Gurion mori atë vendim, e cila kishte si qëllim në fakt t’u japë palestinezëve të mbetur një formë nënshtetësise që ka pasur më shumë si qëllim imazhin që Izraeli dëshironte të portretizonte tek bota e jashtme sesa me ideologjinë aktuale të Sionizmit.  Tani shumë grupe të krahut të djathtë dhe lëvizje të kolonëve dhe disa të tjerë, siç është edhe Lieberman, po përpiqen ta zhbëjnë këtë në mënyrë që ata të mund të ruajnë ‘pastërtinë’ e një shteti vetëm hebre.

Një nga synimet strategjikë të sionizmit është ta pushtojë sa më shumë Palestinën duke e lënë me sa më pak të krishterë palestinezë arabë dhe muslimanë. Kështu që ata kanë një problem tani pasi popullsia arabe brenda shtetit, qofshin ata muslimanë apo të krishterë, kanë ‘nënshtetësi”.  Kjo popullsi përbën afërsisht 20 përqind të shtetit dhe rritet edhe më shpejt sesa miqtë e tyre hebrenj brenda shtetit dhe ky është një shqetësim për ta. Kjo është arsyeja pse në të ashtuquajturën Marrëveshje e Shekullit, ekziston një klauzolë që thotë se një pjesë e këtij statusi përfundimtar është transferimi i asaj që quhet trekëndësh (këto janë tre fshatra në krye të kufirit midis Bregut Perëndimor dhe Izraelit ) që numëron mbi 300,000 palestinezë.

Kjo popullsi do të transferohet dhe do ta humbasë nënshtetësinë e saj. Do të transferohet në komunitetet palestineze në rast se ka ndonjë lloj marrëveshje. Pra, shqetësohen për këtë. Siç përmenda më herët, për shumë ishte një vendim i diskutueshëm, por Ben Gurioni e mori atë vendim për të përmirësuar imazhin e Izraelit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, pasi internoi 800,000 njerëz dhe refuzoi të lejojë që të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ada: Me sa duket Izraeli po përdor disa narrativa për të justifikuar pozicionimin e vet mbi këto toka, apo jo? Si ndikojnë këto narrativa në marrëdhëniet palestineze me historinë dhe identitetin e tyre?

Sami Al Arian: Izraeli ka një narrativë tjetër. Ata përpiqen të falsifikojnë atë që ndodhi në 1948. Ata përpiqen të falsifikojnë historinë e vendit; historinë e një populli vendas, të palestinezëve  vendas. Përpiqen të falsifikojnë atë që po ndodh tani në terren. Palestinezët unifikohen dhe ata e kanë narrativën e tyre dhe dëshirojnë të flasin duke e mbrojtur atë në një mënyrë që tregon natyrën e vërtetë të konfliktit, si dhe identitetin e asaj që do të thotë të jesh palestinez sot. Pra, në këtë kuptim, gjithashtu mund të shihni identitetin e përbashkët palestinez, pavarësisht se ku janë. Dua të them se palestinezët sot janë në dhjetëra vende të ndryshme të botës dhe megjithatë mund të identifikohen me njëri-tjetrin.

Çdo palestinez mund të identifikohet me tokën, me fshatin, me qytetin nga kanë ardhur, ose nga e kanë prejardhjen e të parëve të tyre. Ata mund të recitojnë çdo kapitull e varg të historisë së tyre. Pra, ajo memorie kolektive dhe fat i përbashkët janë ato që formësojnë atë çka do të thotë  të jesh palestinez sot, madje dhe për ata që jetojnë brenda shtetit nën politika raciste. Ata identifikohen me vëllezërit e tyre të Bregut Perëndimor dhe Gaza e më gjerë. Ata ende e shohin veten si pjesë të popullit palestinez dhe e ndajnë këtë identitet të përbashkët.

Gjithashtu, palestinezët besojnë se lufta nuk ka mbaruar. Ata që kanë pushtet mendojnë se kanë mbizotëruar mbi viktimat e tyre, kështu që besojnë se lufta po zbehet dhe do të përfundojë së shpejti. Por palestinezët e shikojnë atë mënyrë krejtësisht të kundërt: se lufta do të vazhdojë dhe ajo kurrë nuk do të pushojë derisa të rikthehen të drejtat e tyre: e drejta për t’u rikthyer, të çlirohet Jeruzalemi dhe derisa ky shtet racist dhe institucionet e tij të shpërbëhen. Kështu ndjehen palestinezët, për sa kohë që lufta vazhdon, do të thotë se lufta nuk ka mbaruar, konflikti nuk ka mbaruar dhe ai identitet do të vazhdojë të përçohet nga brezi në brez. Hebrenjtë krenohen me vitet kur për pak kohë u gjendën në Palestinë dhe e përdorin këtë për të justifikuar të drejtën e tyre për t’u rikthyer dhe për të pushtuar tokën. Dua të them se nëse ata nuk munden ta harrojnë atë çka patën para katër mijë vjetësh, si mund ta harrojnë palestinezët pas shtatëdhjetë vitesh? Unë besoj se lufta nuk ka mbaruar; se kjo do të vazhdojë derisa të mbizotërojë drejtësia.

Për sa kohë kushdo nëpër botë që nuk pranon të heqë dorë nga lufta për kauzën e vetë, përfundimisht fitorja do të jetë fati i tij.

Ada: Edhe unë gjithashtu e shoh kështu fatin e popullit palestinez, veçanërisht kur ndjek protestën e Kthimit të Madh në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin. Por ka diçka që arrij ta kuptoj. Palestinezët po përballen me shumë vështirësi çdo ditë: me fuqitë e mëdha siç janë SHBA-të, të cilat e mbështesin plotësisht shtetin e Izraelit. Në këtë luftë, çfarë i bën palestinezët të qëndrojnë të fortë dhe të gjallë?

Sami Al Arian: Shumë pyetje me vend! Siç e përmenda më herët, lufta në vetvete është formuar nga shumë faktorë. Një nga faktorët e rëndësishëm është se palestinezët besojnë shumë fuqishëm në kauzën e tyre – ata besojnë se janë njerëz të lirë dhe se kurrë nuk do të pranojnë të jetojnë nën pushtim. Ata do të vazhdojnë të luftojnë për çlirimin e tyre. Shpresa e tyre buron nga historia e tyre në anën e të cilës qëndron e vërteta e kauzës së tyre. Ata nuk heqin dorë. Kjo është dëshmuar pa pushim gjatë viteve të tëra vuajtjesh, madje edhe para vitit 1948. Palestinezët krenohen me faktin se kanë pasur grevën më të gjatë në histori – tre vjet rrjesht nga 1936-a deri në 1939-ën. Atë kohë protestonin ndaj politikave britanike ndaj Palestinës, në të cilën lejohej imigrimi i pakufizuar i hebrenjve evropianë në Palestinë. Ata e rrëzuan plotësisht qeverinë. Ata duhej të luftonin kundër një pushtimi ushtarak shumë brutal nga Britania.

Ata e vazhduan këtë traditë të luftës, pësuan dhjetëra mijëra viktima, mijëra njerëz të burgosur, miliona njerëz nën pushtim. Kështu që shumica dërrmuese e palestinezëve vazhdojnë të besojnë në drejtësinë e luftës së tyre se do të mbizotërojë një ditë. Edhe pse bilanci i fuqisë nuk është në favor të tyre, ata ende besojnë për sa kohë luftojnë, se një ditë do të mbizotërojnë dhe e pavërteta do të humbasë. Sa për pyetjen tuaj se nga buron kjo shpresë, unë do të thosha se është një gjë normale: krenaria që buron nga besimi. Shumë prej tyre janë muslimanë e të krishterë dhe ata kanë shumë besim. Ata besojnë se Zoti është me ta, se kjo kauzë është e drejtë, prandaj nuk do të heqin dorë. Ata besojnë se u është bërë padrejtësi dhe prej shenjave të një populli të lirë është se ata luftojnë derisa të jenë fitimtarë ose të përballen me vdekjen në mënyrë dinjitoze. Prandaj, ata nuk kanë asgjë për të humbur, sepse të jetosh nën pushtim, nën shtypje, nën tirani dhe të humbasësh dinjitetin nuk është më jetë. Për sa kohë që çdo popull në botë nuk pranon të heqë dorë nga lufta për kauzën e tyre, përfundimisht fitorja do të jetë fati i tyre. 

Observer.al

Të ngjashme
Related

Ku çalon përkufizimi i ri i Mbretërisë së Bashkuar mbi “ekstremizmin”?

Dhe si do të sanksionohen grupet që mendohet se plotësojnë kriteret e reja?

Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?
Verified by MonsterInsights