Wednesday, April 24, 2024

Laikja si kombëtare dhe religjioni si rrezik eminent

Një ndër çështjet më të debatueshme në shoqëritë moderne ka qenë dhe është ajo që ka të bëjë me religjionin dhe kombin i konceptuar si entitet laik.

Aq shumë është keqvendosur kjo marrëdhënie mes fesë dhe kombit, sa është bërë i domosdoshëm një rishikim dhe rikonceptim i religjionit dhe rolit të tij, pasi Iluminizmi e impostoi keq atë, duke e përcaktuar hapësirën publike dhe domeinin publik jo si një forum racionaliteti dhe barazie, por si një hapësirë përjashtuese, e cila ekskluzivisht artikulohet nga pushteti. Për pasojë, kur i drejtohemi më pas lirisë për t’u shprehur në këtë hapësirë përjashtuese, e drejta reduktohet vetëm mbi mundësinë për të folur, por jo domosdoshmërisht për të qenë i dëgjuar.

Një ndër çështjet më të debatueshme në shoqëritë moderne ka qenë dhe është ajo që ka të bëjë me religjionin dhe kombin i konceptuar si entitet laik. Shpesh e shtruar në formën e një dileme të tipit feja apo kombi, qasja në fjalë më së shumti është rrekur të marrë poza justifikuese ndaj asaj që me plot gojën mund të quhet patriarkana sekulare e shtrirë  në territoret e shoqërive moderne. Kjo pozitë justifikuese bazohet më së shumti mbi formulën e vjetër të modernizmit, e cila thotë se që një shoqëri të jetë moderne, duhet patjetër të jetë sekulare, dhe që ajo të jetë sekulare, duhet ta zhbëjë religjionin nga roli i tij politik. Kjo “martesë” mes sekularizmit dhe modernizimit, e ndërtuar mbi premisën se çdo gjë tjetër që nuk është sekulare nuk është edhe moderne, bëhet mbi supozimin e triumfit sekularist, i cili e sheh të gabuarën në anën tjetër të mendimit. Si rrjedhojë e kësaj formule, religjioni dënohet të mos jetë kurrë modern, duke u profilizuar si relike plot merimanga në këndet e historisë, dhe e vetmja përqasje e natyrshme me kombin, sipas kësaj pikëpamjeje, është ekskluzivisht sekularizmi.

Sipas shteteve me demokraci liberale, neutraliteti është baza e veprimtarisë së tyre kur bëhet fjalë për qasjen religjioze. Për këtë arsye, këto shtete kanë ndërtuar skemën e ndarjes së religjionit nga shteti, dhe ekzistenca e tij (religjionit) është nënkuptuar si aktivitet i cili do të mbyllej brenda kufijve të sferës private të individit. Pra, një skemë ku hapësira publike qëndron asnjanëse mes një pafundësie hapësirash private religjioze. Kështu, ky model i domeinit publik qëndron në një farë mënyre i rrethuar nga shumatorja e religjioziteteve private, dhe merr përsipër të garantojë të drejtat individuale të anëtarëve të shoqërisë nga një terren i përbashkët afetar. Kjo traditë e hapësirës publike e ndërtoi bazën e vet konceptuale mbi teorinë e  filozofit Emanuel Kant, i cili arriti të formulonte ndarjen e përdorimit të arsyes në sferën publike dhe në atë private. Sipas tij, arsyeja duhet të jetë e lirë në sferën publike dhe, në të njëjtë kohë, ajo (arsyeja) duhet të jetë e nënshtruar, kokulur, në sferën private. Në këmbim, sfera private e individit në shoqëritë sekulare e liberale mori bonusin e mosndërhyrjes apo mosdhunimit nga ana e shtetit të kësaj sfere. Ndërkohë, sfera publike do të ishte teatri i ushtrimit të arsyes dhe logjikës pa kufi, qoftë kjo edhe duke e shtrënguar dhe ngushtuar botëkuptimin privat, pra, sferën private, sa herë që ajo do të kërkonte të hynte në territorin publik. Pra, një aktualizim antagonist i përditshmërisë së individit, i cili qenien e vet duhet ta shfaqë në formë dyjare midis religjiozitetit privat dhe sekularizmit kolektiv. Kjo formë e përcjelljes së lirisë, e cila herë merr formë racionale dhe herë shfaqet irracionale, e bën anëtarin e shoqërive liberale një individ autonom liberal, apo, thënë ndryshe, njeriun e ri të liberalizmit, që nuk ka shanse t’i shpëtojë hipokrizisë, pikërisht si pasojë e kësaj ekzistence dyjare mes hapësirës publike e private të tij.

E gjithë kjo, sepse struktura ideologjike e sekularizmit i ka rrënjët e veta të mbështetura tek doktrina e Rilindjes, e konceptuar si rilindja ndaj obskurantizmit mesjetar, te koncepti i natyrës së Iluminizmit, bashkë me romanticizmin e vet, si dhe tek filozofia historike e Hegelit (sekularizmi si trupëzim i së vërtetës në epokën moderne). Ajo që e bën “martesën” mes sekularizmit dhe modernitetit shumë trendy është elementi i përbashkët i tyre, i cili përmblidhet në heterogjenitetin moral si karakteristika kryesore e modernitetit, përkundrejt homogjenitetit moral të religjionit, që e ka të paracaktuar determinizmin e vet në lidhje me çështjen. Domethënë, heterogjeniteti moral është dhe një ndër shkaqet e “divorcit” mes modernitetit dhe religjionit sot. Mënyra se si ushqehet dikotomia mes religjionit dhe kombit është e atillë sa nacionalizmi serviret ekskluzivisht si një koncept i një universi shoqërish nacionale, të cilat për të marrë kuptim dhe për t’u jetësuar kanë domosdoshmërisht nevojë për sekularizmin, i cili serviret si diskutim gati-gati teologjik, që e shndërron nocionin e nacionalizmit në pothuajse një religjion në vete të shteteve-kombe. Për ta bërë këtë, Benedict Anderson i referohet asaj se nacionalizmi përdor koncepte abstrakte të kohës dhe hapësirës për të treguar histori të pjesshme. Në këtë mënyrë, ndërtohet perceptimi i gabuar se ne jetojmë dhe aktualizohemi vetëm si qenie sociale, ndërkohë që religjioni është thjesht produkt i imagjinatës tonë, një konstrukt alien ideologjik për sekularizmin. Por, nga ana tjetër, sekularizmi është i dënuar të ekzistojë i bashkëlidhur me religjionin (pavarësisht homogjenitetit moral të tij), sepse përndryshe ai nuk do të kishte fare kuptim. Dhe ja ku jemi këtu, të “dënuar” ta kemi religjionin, përkundër përpjekjeve për ta avulluar atë, të bashkëlidhur me sekularizmin, dhe për rrjedhojë edhe me kombin, çka na bën ta çojmë formulimin më tej. Meqë religjioni qenka i pranishëm me sekularizmin dhe kombin, atëherë rrjedhimisht ky (religjioni) na qenka edhe modern.

Pyetja plot dilema, kombi si koncept laik apo religjioni, shtrohet vetëm mbi një taban  fondamentalizmi sekular, sepse të dy u përkasin dimensioneve të ndryshme. Religjioni është universal për nga përmasa, pra, mbikombëtar, dhe drejtimi i tij është vertikal, ndërsa kombi është strukturë lokale, me drejtim horizontal. Religjioni ka nevojë për kombin/kombet që të aktualizohet, dhe kombi/kombet kanë nevojë për religjionin që të frymëzohen. Në këtë kuadër, mësimi mbi religjionin në shkolla dërrmon fondamentalizmin sekular dhe ndërton laiken si ekuilibruese të pushteteve. Njëra (laikja) pushtet administrativ, dhe tjetri (religjioni) pushtet shpirtëror, brenda së njëjtës hapësirë jetese.

Ky artikull është publikuar për herë të parë te portali tesheshi.com

Redi Shehu
Redi Shehu
Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Komunikimit "MEDIUS", një njësi e avancuar e komunikimit intelektual. Është i shumanshëm me ndikim dhe komponentë të zgjedhur me synim krijimin e një mjedisi intelektual mediatik. Medius është themeluar nga një grup personalitetesh mediatike, të cilët vendosin bazën e një njësie efikase dhe elitare, për të riforcuar vlerat dhe drejtësinë në shoqëri përmes kanaleve të komunikimit mediatik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

A po rikthehet Islamofobia sot si pas 11 Shatorit?

Si dikur pas 11 shatorit, edhe sot me luftën e Izraelit në Gaza mediat perëndimorë e shfrytëzojnë maskën e çlirimit për të çuar përpara agjendat e tyre koloniale.

Debati mbi Islamofobinë: nuancat dhe semantika

Manifestimet e Islamofobisë në vendet me shumicë muslimane shpesh errësohet nga fokusi i madh që i kushtohet këtij fenomeni në kontekstet perëndimore.

Pse bota hesht për ndalimin e abajas në Francë?

Perëndimi e mbrojti fort të drejtën e grave iraniane për të hequr shaminë, ndërsa tani që qeveria franceze po kufizon të drejtat e tyre, të gjithë heshtin.

Turqit qipriotë: një popull musliman i izoluar nga Islamofobia

Nga Paul Bristow  Kjo javë shënoi Ditën Ndërkombëtare për Luftimin...
Verified by MonsterInsights