Friday, June 20, 2025

“Rusët dhe serbët do ta shpëtojnë botën”

Analizë mbi politikat e reja të Rusisë ndaj Serbisë e Ballkanit

Vizita e kryeministrit të Serbisë në Rusi, ka shërbyer si një moment i përshatshëm për të shpalosur planet që kanë rusët që nën pretekstin e “dashurisë vëllazërore” me serbët, të rrisin ndikimin e tyre mbi Ballkanin, po edhe mbi Evropën.

Nga moria e deklaratave zyrtare e jozyrtare që janë dhënë me këtë rast, vëmendjen më së shumti na e tërhoqi një intervistë e akademikes Jelena Guskova, dhënë gazetës serbe “Novosti” dhe një tjetër e kryetarit të Komitetit të politikës së jashtme të Dumes ruse, Aleksej Pushkovit, dhënë gazetës serbe “Politika”. Jelena Guskova në cilësinë e drejtuese së Qendrës  për hulumtimin e  krizave te reja te Ballkanit (vetëm shikojeni me kujdes se çfarë strukturash ka ngritur Akademia Ruse e Shkencave, pra për hulumtimin e krizave të reja të Ballkanit!) ka treguar se është arritur marrëveshje për bashkëpunim ushtarak ndërmjet dy vendeve dhe ka sugjeruar se duhet të zgjerohet edhe më tutje baza ushtarake ruso-serbe në Nish, për të mbuluar tërë Ballkanin me funksionet e veta!

Sipas akademikes ruse Guskova, mjetet e blinduara “Llazar” të armatës serbe, do të pajisen me topat rusë më modernë, “Shipunov”,  sikundër që avionët serbë do të rimontohen në Rusi. Akademikja që mirret me llojet e armëve që do të shiten e do të blihen ndërmjet Rusisë e Serbisë, (akademikët tanë nuk përzihen fare –madje as në puët e veta!) ka riktheksuar edhe qëndrimin e vjetër dhe të prerë rus kundër anëtarësimit të Serbisë në NATO. Rusisë i konvenon i ashtuquajturi “neutralitet” i Serbisë, sepse në atë mënyrë e mban Serbinë më lehtë për vete, të lidhur pas qerres së vet.

Një temë tjetër që ka lancuar Guskova dhe që ka të bëjë me taktikat e fshehta ruse për destabilizzmin e Ballkanit dhe faktikisht me ndëshkimin e shqiptarëve,  është ajo e “transferzales së gjelbër”. Sipas saj, “ përpjekja për realizimin e atij qëllimi, me siguri do të ndodhë. Dhe dëshiroj që Serbia të jetë e gatshme. Dhe jo vetëm Serbia, po edhe Maqedonia e Mali i Zi.” Në këtë mënyrë ajo e skicon hartën e interesave ruse, Serbia, Maqedonia e Mali i Zi, që u dashkan të mbrohen nga xhihadizmi, natyrisht duke e ekspozuar pjesën tjetër të Ballkanit, kryesisht territoret shqiptare si vatra të tij, për të përligjur më tutje masat që duhet të ndërmirren për çrrënjosjen e xhihadizmit. Nga këto propozime e skicime të politikave ruse, të lancuara nga një person i botës akademike, i cili merret me shumë sukses me llojet e armëve që tregëtohen dhe me nxitjen “akademike” të krizave ballkanike, bëhet e qartë se taktikat ruse do të jenë për mbajtjen e Serbisë në sferën e vet të ndikimit në njërën anë dhe për ekspozimin e Kosovës si vatër e ekstremizmit të dhunshëm (xhihadizmit, sipas saj) për të propozuar më tutje rikthimin e Kosovës nën sundimin serb.

Sipas doktrinës putiniane, për ta mbajtur nën kontroll “transferzalen e gjelbër”, duhet që edhe Republika Srpska të mbetet e fortë dhe ta mbajë Bosnjën peng të sajën, për ç’arsye Putini edhe ka miqësi speciale me Millorad Dodikun.

Ndërsa, intervista e Aleksej Pushkovit zbulon disa finesa politke, që e plotësojnë kuadrin ku po zhvillohet aktualisht politika ruse ndaj Ballkanit. E para, Pushkovi pohon se Serbia është prioritet për Putinin. Nga ajo që dihet tashmë për Putinin, është e qartë se ai politikat që i ka prioritet, synon t’i realizojë me dhunë, me luftë. Kështu ka vepruar në Çeçeni, në Gjeorgji, në Ukrainë, kështu po vepron edhe për ta mbajtur në këmbë regjimin e Asadit në Siri. Prandaj duhet të jetë e qartë se prioritetet e Putinit nuk janë pjesë e debateve teorike, po janë veprime të kombinuara politike e ushtarake, të zbatuara me brutalitet të pashembullt. Pushkovi thotë se “Rusia ka raport të veçantë ndaj Serbisë.

Kur Serbia i drejtohet Rusisë për çështje të caktuara, të cilat janë shumë të rëndësishme, nuk mban mend që Rusia, që kur është Putini në pushtet, ta ketë refuzuar ndihmën.” Pra, Serbia e ka ndihmën bianko nga Rusia e Putinit. Por, edhe Pushkovi ka propozuar disa kufizime për Serbinë: përderisa Guskova ka shfaqur mendimin se Serbia nuk duhet të anëtarësohet në NATO, zyrtari i lartë i Dumes ruse ka propozuar që Serbia të mos anëtarësohet as në Bashkimin Evropian. Pasi që fillimisht ka deklaruar se kjo është punë e vetë shtetit serb, më tutje ka shfaqur dëshirën e vërtetë ruse që Serbia të qëndrojë jashtë BE-së: “Ajo që ne do të dëshironim është që të kemi punë me nje shtet të pavarur, e jo që në bisedat me ju të presim lejen “nga lart”.

Përfundimisht, pas vizitës së Vuçiqçt në Rusi dhe pas këtyre qëndrimeve akademike-politike që zbulojnë dëshirat e vërteta të Rusisë, disa gjëra janë më se të qarta: e para, Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO, e dyta Serbia do të taktizojë me Bashkimin Evropian, për të nxjerrr favore financiare e për të akomoduar sa më shumë interesat e saj ne Kosovë e në Bosnjë e Hercegovinë, por për një anëtarësim të plotë në BE nuk do të jetë e interesuar, e treta, Serbia do të jetë kasnece e Rusisë për ta nxitur ekstremizmin e dhunshëm fetar në trojet shqiptare, në mënyrë që nën pretekstin e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm fetar, të futë edhe më thellë ndikimin e saj në Kosovë e në Bosnje e Hercegovinë (BeH), e katërta, meqë Putini e ka prioritet Serbinë, ajo do të inkurajohet edhe më shumë për ta sponzorizuar me të gjitha mjetet e mundshme, jo vetëm financiare e politike, po edhe subversive, dështimin e shtetit të Kosovës.

Kjo nuk do të jetë ndërmarrje edhe aq e vështirë ndaj një Kosove që nuk ka ushtri të veten, që ka një polici që dhunohet nga deputetët e saj dhe që ka një elitë politike, e cila me shumicë duket e dedikuar për luftë të brendshme, deri në vetëshkatërrim. Kjo tendencë e elitës sonë politike për vetëshkatërrim dhe për çuarjen  e shtetit tonë drejt dështimit, është prospekt krejt i kundërt me atë që paraqiti akademikja Guskova, lidhur me rolin e rusëve dhe të serbëvëe, për të cilët ajo tha se beson që do ta shpëtojnë botën. Tjetër punë është që një botë që do të shpëtohej nga rusët e serbët, vërtet do të ishte një botë e dhjerë, por edhe prej këtij vetëbesimi absurd mund të mësohet diçka e dobishme: ata që kanë më shumë vetëbesim, bëhen edhe më të fortë. Për këtë arsye e lashë këtë titull kështu, që të mësojnë diçka edhe prej armiqve tanë, pasi që prej përvojave tona të hidhura nuk po mësojmë pothuajse asgjë.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqi
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

Islamokracia dhe Islamofobia si dëmtues të fesë islame në kosovë

Në këtë shkrim, autori trajton ndikimin e të ashtuquajturit "Islam politik" (Islamokracisë) dhe "Islamofobisë" në praktikën dhe perceptimin e fesë islame në Kosovën e pasluftës.

Dëshira e flaktë e shqiptarëve për të qenë “evropian”

Islamofobia e përbrendësuar e shqiptarëve është normalizuar aq shumë saqë kalon pa u vërejtur.

Nën hijen e kolonializmit: një diskurs mbi subjektin musliman të kolonizuar

Bazian argumenton se bota muslimane vuan nga një "e tashme koloniale" mendore dhe epistemike.

Qytetërimi i mohuar: kush e shpiku “Epokën e Errët”?

"Epoka e Errët" e supozuar ishte në fakt një periudhë e ndritur për qytetërimin islam, duke sjellë shpikje të rëndësishme, të cilat ndikuan thellësisht në zhvillimin e botës moderne, ndërsa Evropa ishte në errësirë injorance.
Verified by MonsterInsights