Saturday, July 27, 2024

Të jetojmë me mirëkuptim e jo me destruktivitetin e të pushtetshmëve

Dëshmia prekëse e profesoreshës që u pushua nga puna për shkak të shamisë 14 vite më parë, e që kurrë nuk gjeni drejtësi.

Datë:

Nga Minire Pantina | Profesoreshë e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe

Sa herë që hapet debati për të drejtën e mbajtjes së shamisë në shkolla publike, kërkesë kjo e hahmotshme e besimtarëve muslimanë, e bashkësisë më të madhe fetare, BIK-ut, nuk mungojnë opinionet pro dhe kundër. Është normale që në një shoqëri të ketë mendime të ndryshme, por, kur këtyre mendimeve iu mveshet gjuha e urrejtjes, si: shko në Arabi mbaje shaminë në shtëpinë tënde, ju, aziatikët e prapambetur, po kërcënohet shteti laik nga shamia, jeni të mbyllura, na e rrezikoni kombin e shqiptarinë e shumë e shumë fyerje tjera, shpërfaqet një injorancë që është vështirë të kuptohet ndryshe, pos si mungesë e kulturës, e ndjeshmërisë njerëzore (me çfarë njeriu, si qenie humane duhet të pajiset) dhe e dijes (ose e dijes së shtrembëruar). 

Diskrimminimin për shkak të shamisë e kam përjetuar në vitin 2008-2009 kur Drejtoria e Arsimit në Klinë më ndërpreu marrëdhënien e punës në Shkollën Fillore “Motrat Qiriazi” në Klinë. Katërmbëdhjetë vite e papunë në shtetin tim ndonëse kam studiuar në kohën më të vështirë të mundshme, në atë kohë kur pushtuesi na e kishte mbyllur universitetin. Dhe, asnjëherë nuk e kisha menduar se dikush pas gjithë asaj lufte mund të flet njëjtë si pushtuesi, duke më thënë: Shko në Arabi mbaje shaminë. Pra, kemi njerëz që ta mohojnë vendin ku ke lindur (secili njeri ka të drejtë të jetoj në vendlindje), trillojnë lloj-lloj shpifjesh, si ato gjoja mësuesja me shami po bëka propagandë fetare (kjo shkruhet në dokumentet e Drejtorisë së Arsimit), ndonëse, pushteti komunal i Klinës nuk më ka lejuar të mbaj asnjë orë mësimi me shami. Dhe, debati zhvillohet edhe sot, në shumë raste me tone të urrejtjes. 

Si besimtare e fesë islame nuk më ka penguar asnjëherë që të kem mike të krishtera dhe ateiste. Formimi im shkollor, por edhe fetar më ka ndihmuar që të kem mirëkuptim për të gjithë, t’i çmoj vlerat e të gjithëve dhe e them me bindje të dokumentuara se fetë asnjëherë nuk kanë konflikte mes vete, por, këto konflikte i nxisin njerëzit destruktiv, të pushtetshëm. Fundja, Islami dhe Krishterimi janë fe qytetërimformuese ku mësohet morali i mirë, dashuria dhe vlerat që njeriu duhet t’i jap për interesin e species njerëzore (jo vetëm nacionale). Andaj, edhe fshehja pas patriotizmit duke i etiketuar besimtarët me lloj-lloj emrash përçmues nuk tregon tjetër pos jorespekt për vet qenien e njeriut si specia superiore mbi tokë, qoftë  ai njeri banor i Azisë, Evropës apo i ndonjë fshati më të paeksploruar mbi tokë. 

Toka si vendbanim i njeriut është e të gjithëve dhe përtej saj nuk kemi ku të shkojmë derisa gjallojmë në të, me ndihmën e të Madhit, Krijuesit Mëshirëplotë. Toleranca, multikulturaliteti dhe inspirimi i të gjithë njerëzve që të japin më të mirën e mundshme për njeriun, është kultura më e duhura që sjell rezultate të mahnitshme kur vërtetë vëhet në zbatim. Por, e kundërta, linqimi, përjashtimi dhe izolimi me pretekstin se vishet e beson ndryshe, vetëm sa po nxit mllef, po e degradon shoqërinë drejt ideve konfliktuoze e të cilat janë të panevojshme. 

Vajzat dhe gratë që bartin shami kanë folur dhe vazhdojnë të flasin kur u hapen dyert dhe dëgjohen. Unë habitem kur dikush i jep të drejtë vetës të më tregojë mua se shaminë ma paska imponuar dikush, burri apo cilidoçoftë. Kur para katërmbëdhjetë vjetësh shkova për t’u ankuar në Ministrinë e Arsimit, për të cilën, sipas dokumentit zyrtar kam kontribuar si mësuese për tetë vite, pesë muaj e njëzet ditë, më habisnin zyrtarët të cilët, në vend që të flisnin me mua, i thonin burrit tim: Ti ia paske imponuar. Ore, – unë jam e gjallë, po flas këtu me ju, po e flas të vërtetën, po kërkoj të mos më mohohet e drejta e punës. Nëse është diçka e imponueshme, e them vet e s’ka nevojë ta thoni ju. Pra, një mendësi, së paku po e them, është e çuditshme sepse burri thjesh më shoqëronte pasi, edhe ai si mësimdhënës, i njihte shumicën e zyrtarëve. E njëjta mendësi ishte edhe në gjykata nga të cilat asnjëherë nuk mora drejtësi për t’iu kthyer profesionit tim, në vendin ku kisha dhënë kontribut jo pak vite. 

Është e ditur se nuk vdesim urie për një vend pune dhe nuk mbetemi pa shkollim pas një përjashtimi. Por, bashkë me diskriminim, tani kohëve të fundit, për fëmijët tanë druaj se po vjen ajo zgjidhja më e keqe e mundshme, ajo kur këto të reja do të heqin dorë nga jetesa në vendin e vet dhe do të kërkojnë një jetë më të mirë, të padiskriminuar, jashtë shtetit, diku në Gjermani dhe vendet tjera në perendim. Tashmë firmat e huaja po na i marrin fëmijët tanë, dritën e syve, posa po arrijnë suskseset e shkollimit, pa i pyetur se a bartin shamia apo jo. Më thoni ju lutëm, çfarë t’i them unë vajzës sime, e cila po ashtu tani bartë shami, e cila tani e katërmbëdhjetë vite e ka ndjerë peshën e moslejimit në punë të nënës së vet?! Çfarë t’i them kur ajo dëgjon zëra se vajzat me shamia duhet të shkojnë në Arabi? E, unë e di se ajo i ka dyert e hapura në të gjithë botën me dijet që po fiton në dy universitete që po studion paralelisht. Po, po të nderuar, bota e merr atë që ne e përbuzim sepse për botën e zhvilluar Azia, Arabia e krejt vendbanimet në tokë janë vende për mundësi e jo për t’i fyer siç bëhet, me një lloj racizmi klasik këtu tek ne. Dëshira është që për vendin tonë, me atë që besojmë, të japim gjithçka sepse kemi sakrifikuar mjaftueshëm në kohë jo të lehta për të. Nuk ka qenë e lehtë t’i thash jo imigrimit në perendim në kohë okupimi për të qëndruar e studiuar në Kosovë, dhe, nuk është as tani e lehtë t’i thuash fëmijëve rri në Kosovë, lëri mundësitë e një jetese më të mirë për t’u tallur dikush këtu, për të treguar se a ke apo nuk ke të drejtë të punosh me shami. Andaj, duke e ditur se askush mbi këtë tokë s’mund t’ia heq besimin fetar nga koka askujt, mendoj se është mirë të jetojmë me mirëkuptim e jo me destruktivitetin e të pushtetshmëve.

Më poshtë, po ju tregoj disa nga dokumentet e largimit tim nga puna.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Stay Connected

16,985FansaPëlqeje
564,865NdjekësitNdjek
2,458NdjekësitNdjek
spot_img

Popular

Të ngjashme
Related

Nga Srebrenica në Gaza – Si çon dehumanizimi sistematik në gjenocid

Ashtu si u dehumanizuan boshnjakët dhe u vranë sistematikisht, njësoj po ndodh me palestinezët sot.

A është Serbia në pritje të misionit të saj të hershëm?

Me këtë qasje të gabueshme, sidomos në Kosovë, Perëndimi ka dhënë sinjale se nuk e ka mbyllur përgjithmonë mundësinë që Serbia t’i kthehet misionit të saj të hershëm - çrrënjosjes së muslimanëve nga Ballkani.  

Islamofobia, si helm në politikën evropiane!

Shqetësimi i udhëheqësit të parë musliman në një demokraci perëndimore: a është urrejtja ndaj muslimanëve ajo që po nxit kryesisht populizmin në Evropë dhe Perëndim?

Dëshmor liberal apo Islamofob: Selman Rushdie e ka gabim për Palestinën

Për disa, ai është një hero liberal, por për muslimanët si unë, Selman Rushdiu është mishërimi i Islamofobisë moderne. E komentet e tij të fundit mbi Palestinën e dëshmojnë këtë.
Verified by MonsterInsights